back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tyrbet dhe Njerëzit e Mirë – Metafora të shlodhjes shpirtërore… nga Gjon Neçaj

Gazeta

Njeriu i Mire Dervish Luzha (1904-1985)
Njeriu i Mire Dervish Luzha (1904-1985)  

Tyrbet dhe Njerëzit e Mirë

Metafora të shlodhjes shpirtërore…

nga Gjon Neçaj

Në automjetet e tropojanëve sheh shpesh disa varëse-fotografi ku dallohet një portret njeriu mjekërgjatë e flokëthinjur. Po t’i pyesësh, merr përgjigjen që mbajtja e asaj fotografie në makinë sjell fat. Të njëjtat portrete mund t’i shohësh edhe në varëse, byzylykë dore, mbajtëse çelësash etj. Shiten në rrugë. Po për çfarë bëhet fjalë?
Në Tropojë janë shtuar shumë “tyrbet” ose “vendet e mira”. Për çfarë bëhet fjalë? Këto vende u përkasin atyre që komuniteti i këtyre anëve i quan “Njerëz të Mirë” dhe besohet masivisht që frekuentimi i tyre shëron sëmundje dhe siguron qetësi shpirtërore. Tyrbet janë godina të ngritura “rreth” një varri, i cili gjendet në qendër të tyre, i rrethuar me dërrasa 80-100 cm dhe mbulohet me copa të bukura mëndafshi apo basme me ngjyra karakteristike. Te koka, ku ngrihet në një lartësi më të madhe, vendoset “Kapuçi i Shehut”. Rreth varrit lihen korridore të mjaftueshme që vizitorët të qarkullojnë lirshëm. Këto vende vizitohen përgjithësisht të premteve, më shumë në muajin maj dhe shpesh kur është ditëlindja e “Njeriut të Mirë” apo përvjetori i tij i vdekjes. Për “Njerëzit e Mirë” këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme të veprave që kanë bërë kur ishin gjallë. Besimi thellohet me legjenda mbi njerëz që janë shëruar për shkak të vizitave në këto vende dhe histori të tjera, të cilat qarkullojnë dhe amplifikohen nga një familje në tjetrën.

Besim që po shtrihet në masë

Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende. Madje janë hapur edhe faqe në Facebook, me emrat e tyre, ku hidhen foto dhe pjesëmarrësit komunikojnë me njëri-tjetrin. Bisedat apo komentet janë të ndryshme dhe përfundojnë me “Të ruajt tyrbja e Dervish…”
Njera nga këto faqe, përshembull, quhet “Tyrbja e Dervish Luzhës” dhe ka me mijra pëlqime. Në faqe shihen fotografi të “Dervish Luzhës” dhe vendit ku njerëzit i luten. Emri i vërtetë i tij është Rexhep Tarçuk Bala. “Pasha Dervish Luzhën”, “Pasha tyrben e Dervish Luzhës”, – janë shprehje që i dëgjon gjithmonë e më shpesh, madje njerëzit besojnë se ai është gen prej gjakut të Nënë Terezës.

Dervish Luzha dhe Raxhep Beli
Dervish Luzha dhe Raxhep Beli

Më i famshmi, Dervish Luzha

Sipas studiuesve lokalë, Rexhep Tarçuk Bala (i pagëzuar si Dervish Luzha), ka lindur në fshatin Luzhë, Tropojë më 15 korrik 1904. U bë i njohur për aftësinë për të shëruar disa sëmundje, largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në malësi, etj. U bë një lloj mjeku dhe psikologu popullor në zonë. Tregojnë se ai udhëtonte shumë dhe mbante me vete, një çantë, një lahutë, një kazmë dhe një lopatë. Pas vitit 1967, kur u ndaluan besimet fetare, Dervish Luzha pati probleme. Njerëzit tregojnë se mbante mjekër, po disa herë ia qethën. Sa herë ia qethnin aq herë ai e linte të rritej. Legjenda zonale thotë se personave që i qethnin mjekrën, u ndodhnin më pas histori fatkeqe. Ai vdiq më 4 nëntor 1985, dhe u varros në Luzhë. Mbi varrin e tij është ndërtuar tyrbja me emrin tashmë të njohur në këto zona, “Tyrbja e Dervish Luzhës” si dhe një bust i tij. Është një vend pelegrinazhi tashmë. Çdo ditë të javës aty ka njerëz të moshave dhe feve të ndryshme

Nga paratë te ecja mbrapsht, ja si sillen njerëzit në këto tyrbe

Paratë – Duhet hyrë me këmbën e djathtë, sillesh tre herë rreth vendit duke u lutur për atë çka ke më shumë nevojë. Ka raste që njerëzit flasin me zë të lartë. Më pas ndizet një qiri dhe hidhen lekë. Këto të fundit kanë histori më vete. Duhet ta vendosësh një natë më parë çfarë shume do hedhësh dhe duhet t’i kesh mbajtur poshtë jastëkut natën para shkuarjes në tyrbe.
Ujë – Më pas njerëzit pushojnë aty, (të sëmurëve u këshillohet që të flenë pak gjumë në afërsi të “Njeriut të Mirë”) dhe në fund në një shishe hedhin pak dhe. Atë e cilin e marrin nga varri, ose një zonjë që qëndron vazhdimisht aty u jep një shishe me ujë. Nga ky ujë duhet pirë fare pak. Mund të merren edhe gurë të cilët mbahen në portofol si fatsjellës.
Fotot – Janë të shumtë ata që sjellin fotografi të tyre dhe i lënë aty. Besojnë se kjo i ndihmon që çdo gjë në jetën e tyre të shkojë mirë. Kur del nga tyrbja duhet të ecësh mbrapsht, nuk duhet t’i kthesh kurrizin, derisa kalon portën kryesore.
Ushqim – Në tyrbe nuk mund të futen ata që janë në gjendje të dehur, apo ata që kanë ngrënë hudhër ose qepë. Por nuk duhet të hynë as ata persona të cilët janë pa ngrënë. Thuhet që është gjynah. Prandaj edhe vizitorët marrin ushqime me vete dhe përpara se të hynë brenda, e konsumojnë atë. Nuk lejohet gjithashtu të futen brenda gratë të cilat janë gjatë ditëve të menstruacioneve.

"Njeriu i Mire"
“Njeriu i Mire”

Dy Rexhepat dhe Shkëlzeni, në krye

Banorët besojnë masivisht sidomos tek binomi Rexhep Bala (Dervish Luzha) – Rexhep Beli dhe te Shkëlzeni. Por me dhjetra tyrbe janë ndërtuar këto vite dhe po ndërtohen nga banorët e këtyre zonave. Veç tyrbeve të sipërpërmendura, frekuentohen masivisht edhe tyrbja e Bali Binakut në Margegaj, tyrbja e Mehmet Ali Nezës në Leniq, tyrbja e Avdyl Hasanit në Bujan, tyrbja e Haxhi Brahimit në Tropojë Fshat, tyrbja e Sylë Rexhepit në Markaj, etj, etj. Ka tyrbe të ngritura pranë ish-teqeve, por ka edhe tyrbe të ngritura në zona e fshatra ku nuk ka pasur fare teqe. Aty besohet se janë varrosur dervishë ose “Njerëz të Mirë” (në këto tyrbe ka një ose më shumë varre).

Secila ka një histori-bazë: Ja një prej tyre

Secila prej këtyre tyrbeve ka një histori-bazë, zakonisht ngjarje e çuditshme e sjellë me legjenda gojore deri në ditët e sotme. Përshembull, tyrbja në fshatin Visoç në Berishë të Bytyçit thonë se ka një histori 200 vjeçare. Banorët besojnë se rreth 200 vjet më parë, barinjtë e fshatit shohin një njeri që shkonte për kulmin e lumit duke kënduar. Kur barinjtë u futën në ujë për ta nxjerrë, panë se ai ishte i vdekur. E nxorën nga uji, por trupi ishte shumë i rëndë sa nuk e lëviznin dot. Dërguan njerëz për të pyetur tek të diturit e Kosovës dhe u thanë se të vdekurit t’i përmendeshin emrat e fshatrave gjatë transportit në vig, e aty ku të lehtësohet më shumë nga përmendja e fshatit, aty le të varroset. Sapo u tha emri Visoçë, trupi u lehtësua dhe banorët e varrosën dhe ndërtuan tyrben. Në këtë zonë ndodhen sot 3 varre të mira: i Ahmet Shehut nga Shtiqni i Kukësit, i një fëmije të mbytur në Drin dhe varri i Dervish Ahmet Gjonpapajt, i njohur për bamirësi.

Teqja e Dervish Luzhes
Teqja e Dervish Luzhes

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.