Udhëheqësit e Kryengritësve në Luftën e Dibrës
nga Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
(Pjesë nga kumtesa e mbajtur në Konferencën Shkencore
“100 vjet nga Lufta e Dibrës” organizuar nga Akademia e Shkencave
në bashkëpunim me institutin e Studimeve të Historisë Ushtarake
të sallën “Aleks Buda” të ASH, ditën e hënë më 20 dhjetor 2021,
në të cilën u prezantuan 19 kumtesa)
Qëndres luftarake 9-vjeçare kundër serbve për mbrojtjen e territoreve shqiptare është epope e pavdekësisë së kombit tonë. Prijësat dibranë, të mençur nga natyra nuk u pajtuan me vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të Dibrës së tyredhe tonës. Prijësat dhe luftëtarët u kundërpërgjigjigjën me forcat e veta, me armët e veta, derisa ja arriti që t’i detyronte ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë kufijve të vitit 1913. Populli dibran mençurisht këtë qëndresë luftarake 9-vjeçare nga nëntori i 1912 deri në dhjetor 1920 e ka gdhendur në këngë: “Në tan’ Evropën ka shkue fjala/ Qe nandë vjet luftojmë me krajla”. Viti 1920, e gjeti gjithë Shqipërinë ishte në luftë, vit që filloi me Kongresin e Lushnjës dhe pasoi me luftrat në Vlorë, Shkodër, Kukës (Lumë), Dibër. Nga pranvera në dimër shqiptarët ishin në luftë. Në Vlorë luftohej kundër italianëve, në Koplik e Shkodër luftohej kundër malazezëve, në Dibër e Lumë luftohej kundër serbëve. Dibra dhe dibranët, prijësat dhe luftëtarët parë në unitet kanë meritë të veçantë historike. Fakt është se Dibra nuk e pati përkrahjen qeveritare të Tiranës, të qeverisë së Sulejman Delvinës, ashtu siç e pati Lufta e Vlorës dhe ajo e Koplikut, për vetë vështirësitë e saj dhe zhvillimin e tyre në në të njëjtën kohë. Të dhëna të mbledhura nga të pathënat e kësaj lufte i gjejmë tek botimi i vitit 1931 të Ismail Strazimirit, një publikim me vlerë historiografike. Kur flasësh për komandantë e prijësa në Dibër lista është mjaft e gjatë do të duhet të bësh apelin e “Nëntë maleve të Dibrës”, por fakt është se komandant i përgjithshëm i kryengritjes luftarake të Dibrës ishte Robin Hudin shqiptar Elez Isuf Nderu, edhe pse apeli nuk do të ishte i plotë pa përmendur: Dine Hoxhën, Ramiz Dacin, Dine Maqellarën, Dine Dema, Suf Xhelili, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Selim Noka, Mustafa Kurtishi, Serdar Feta Beu, Cen Leka, Liman Leka, nga Çeta e Lurës, Selman Mena, Ibrahim Gjoçi, Gjon Doçi, Hakik Mena… etj. Të gjithë këta burra prijësa dibranë kanë shkruar një faqe të ndritur të kombit në rojë të “Shqipërisë londineze të 1913-tës”. Këta trima dhe qindra të tjerë shkruan faqe lavdie në Ohër, Strugë, Zhupë, Rekë, Zavoj, Istok, Bakovë më 1913, që na kujtojnë hyrjen e forcave shqiptare në Strugë më 1913; lufta e Sllovës e 1915-tës ku Elez Isufi ishte embelema politike, diplomatike dhe sidomos luftarake si kryeprijësi dhe për këtë ju bë edhe pritje protokollare dhe në Vjenë; lufta e përgjakshme në Lurë më 1916-të, lufta e bulqizakëve kundër serbëve më 1919; lufta triumfale pas Kuvendi i Arrasit të 13 gusht 1920 e deri tek lufta finale e dibranëve kundër serbëve e vitit 1921, që përkon këtë vit me 100 vjetorin e ribërjes së pavarësisë reale të dytë të shqiptarëve në kufijtë e Shqipërisë londineze të 1913-tës.
Disa përfundime për Luftën nëntë vjeçare të Dibrës dhe dibranëve
Prijësat e Dibrës e gjetën truallin atipushtues të ngritur, sepse dibranët nuk ishin përkulur kurrë përpara asnjë pushtuesi; kështu tradita luftarake të paktën mjaft e njohur në pesë shekuj, flet qartë: Dibranët janë përballur dhe kanë fituar me osmanët. Nga 24 beteja të mëdha të Gjergj Kastriotit 19 u zhvilluan në Dibër me mbështetjen e prijësave dibranë.
Prijësat dibranë e njihnin dhe zbatonin zakonin burrëror të odave dibrane, që ka qënë protokolli i fjalës e besës si dhe veprimin burrëror, ku burrat flasin dhe me heshtje, kanë ditur të shkruajnë historinë e suksesit me një fjalë, me një lëvizje, me pozicionin e mbajtjes së cigares së duhanit, me pozicionin e mbajtjes së pushkës, të lëvizjes së qeleshes, me formën e dhënies së kutisë së duhanit njësoj “si me dhënë besën”, por dhe formën e mirëseardhjes, të përcjelljes, përgjigje të mençura, që shprehen edhe në këngë.
Tradita dibrane fjala-fjalë e besa-besë ka sjellë mbijetesën e kombit në pjesën verilindore të tij, ka ditur të vetorganizohet shekujve; nëntë vjet luftë e dibranëve kundër serbeve (1912-1921), është një faqe lavdie në historikun e Dibrës, Shqipërisë, Kombit.
Lufta e Dibrës është vijimësi e luftrave të shqiptarëve për liri, pavarësi e sovranitet kombëtar. Shqiptarët me luftën e Dibrës vërtetuan se dinë të luftojnë, të fitojnë dhe të ndërtojnë shtetin e tyre të pavarur, që për nga rëndësia historike çlirimi i trojeve shqiptare kudo ku lakmohej Shqipëria konsiderohet si: pavarësia e dytë e Shqipërisë.
Lufta e Dibrës e vitit 1920-1921 edhe pse konsiderohet luftë lokale, pati karakter thellësisht kombëtar, sepse lidhej me pavarësinë dhe sovranitetin, ndërsa për nga drejtimi organizimi dhe fuqia ishte mbarë popullore. Lufta tregoi ndërgjegjësim e pjekuri mbarëpopullore dhe identitet të qartë kombëtar, duke u evidentuar si luftë me rëndësi të jashtëzakonshme historike për shqiptarët, ku mund të themi se, Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës, Lufta e Dibrës dhe Lufta e Koplikut janë ngjarje madhore në historinë e kombit që plotësojnë fuqishëm njera-tjetrën. Ato janë aksione politiko-ushtarake që risollën pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të munguar.
Drejtuesit e Luftës së Dibrës ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri Kanunin e “Nënt malet e Dibrës” (Dibra kishte shtatë “Male”, të cilat qenë Reç e Dardhë, Çidhën, Luzni, Muhurr, Katër-Grykët, Gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël. Më pas u nda Mali i Reçit e Dardhës dhe u krijua Mali e Reçit dhe Mali i Dardhës, si dhe Gryka u Madhe u nda në dy Male të tjera Gryka e Madhe dhe Bulqiza. Malet u materializuan në Kanun, që formësuan “Kanunin e Dibrës”), për të përbashkuar në një front antipushtues gjithë popullsinë e aftë për luftë duke eliminuar çështjet e gjakmarrjes/ hakmarrjes, pasi liria dhe Atdheu ishin në rrezik.
Lufta i Dibrës sikurse të gjithë luftrat e vitit ’20-të në Shqipëri kishin objektiv strategjik rivendosjen e shtetit shqiptar në të drejtën e vet territoriale dhe integritetit të plotë, por me qëllim vendosjen e marrëveshjeve miqësore fqinjësore, “…tue i dhanë fund armiqësisë” me fqinjët. “Në qoftë se malësorët… do të shtyhen për kalimin e kufijve, atëhere qeveria lypset të ndalojë rreptësisht… të mos marrin pjesë në këtë lëvizje tradhëtie e marrëzie…”.
Prijësat e vullnetarëve dibranë kanë qenë pjesë e elitës së krahut të armatosur të lëvizjes së shtetndërtimit dhe kombformimit në Dibër dhe më gjerë që kanë përfaqësuar veçanërisht shtresa të mesme, por edhe agallarët duke prirë personalisht në luftime.
Fitoret luftarake në fushëbetejë në Dibër, Vlorë e Koplik bënë që Shqipëria të regjistrohej në “librin e gjendjes civile ndërkombëtare” të Lidhjes së Kombeve, për arsye se deri në këtë kohë shqiptarët nuk njiheshin nga Evropa as si popull, as si komb me të drejtat juridike, dhe as si njësi politiko-shtetërore të ndonjë formati të caktuar. Historia dhe politika e shtetit shqiptar hyri seriozisht në axhendën e kancelarive të mëdha të kohës.
Lidershipi i luftës së Dibrës nuk kishte studiuar në akademitë ushtarake, por ishin rritur në shkollën tradicionale popullore të eksperiencës së luftrave të shqiptarëv
e nëpër shekuj. Udhëheqësia e luftës në Dibër është e njohur në historinë shqiptare që në fakt u dha shqiptarëve personalitetin e munguar dhe rivuri në vend legjitimitetin e shkelur nga rreth 250 mijë ushtarë të tetë ushtrive që shkelën tokën shqiptare përgjatë LIB. Elez Isufi dhe prijësa të tjerë dibranë kishin ecur në gjurmët e prijësave si Mahmut Daci Kalisi etj.
Prijësat e Luftës së Dibrës eleminuan elementët përçarës, realizuan bashkimin dhe unitetin luftarak të të gjithë prijësve, ku për të parën herë u mundësua krijimi i një shtabi luftarak unik, i cili drejtoi me zotësi luftarake por edhe mençuri krejt luftën.
Prijësat e Luftës së Dibrës mundësuan një kombinim të përpiktë të luftimeve të vullnetarëve popullorë në pozicionet e para luftarake, me veprimet e çetave që ndodheshin në pozicionet e dyta ndihmëse duke bindur fqinjët tanë, por krejt Europën se kur bëhet fjala për lirinë, shqiptarët vështirë t’i dallosh nga mosha, krahina, feja e gjinia.
Prijësat dhe atdhetarët dibranë Elez Isufi, Sufë Xhelili, Ramiz Dibra, Jashar Erebara, Ramiz Daci etj, përveçse ishin drejtues të mirënjohur të gjithë trevës dibrane krijuan lidhje të ngushtë edhe me qeverinë shqiptare të kohës Sulejman Delvina.
Prijësat e luftës në Dibër shfrytëzuan besën si institut procedurial juridik tradicional shqiptar përpara fillimit të luftimeve, që ishin betime përpara betejave sipas së drejtës zakonore të odës dibrane që materializoheshin në shprehjet: “Për këtë besë”, “pasha besën”, “besa-besë”, ndërkohë që Barleti historiani i parë ushtarak shqiptar i shekullit të XV, thoshte: “Besa është gjëja më e shtrenjtë që ka shqiptari”.
Lufta e Dibrës e vitit 1920-1921, ka hyrë në historinë e shqiptarëve si lufta që bëri finalizimin e qëndresës luftarake nëntë vjeçare të popullit dibran, gjakun e derdhur, dëshmorët në beteja, vërtetuar kjo nga statistika e krijuar nga Ministria e Mbrojtjes në 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Edhe me rezerva ta marrësh thënien proverbiale se, “Mendja dhe urtësia ka lerë në Dibër” mbart të vërtetat luftarake dhe kontributet legjitime të mbrojtjes së trojeve me atdhetari dhe mençuri. Nga ana tjetër edhe personaliteti anglez Xhulian Ameri që ishte në veri të vendit në LIIB, thotë: “në Dibër unë bëra Universitetin e dytë se të parin e kisha bërë në Oksford”.
Epopeja e Luftës së Dibrës pati rëndësi principiale në planin kombëtar, por ishte një dëshmi e identitetit tradicional shqiptar edhe për sfondin e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, duke u dhënë mësim fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha se trualli shqiptar nuk mund të tjetërsohej. Elez Isufi dhe prijësat e tjerë dibranë shpëtuan përfundimisht kufijtë e Shqipërisë, duke vërtetuar shenjtërinë e sovranitetit, integritetit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Histori e skalitur me emra madhështorë në historigrafinë kombëtare
Axhenda luftarake e Dibranëve ka ngelur sinjifikative, veçanërisht për kushtrimin e datës 15 gushtit 1920: “O burra mbi shkja!”, që për kryengritësit e mençur dibranë, nga 15 deri 70 vjeç, bëri që të derdhën në sulm të paparë ndaj forcave pushtuese serbe. Fakt është se orteku i sulmit dibran i zuri në befasi trupat serbe që nuk besonin të sulmoheshin frontalisht nga të gjitha krahët. Në ndihmë të Elez Isufit dhe në përgjigje të thirrjes së tij me kushtrim kishin ardhur qindra e mijëra malsorë me pushkët e municionin e vet që e kishin ruajtur si sytë e ballit për një ditë të ligë, kur hasmi vjen në prag të shtëpisë. Lufta e Dibrës ishte luftë kundër pushtuesve serbo-sllavë, për të çliruar tokat e krahinës së Dibrës. Veprimet e armatosura të filluara nga mesi i gushtit 1920, bënë që gjithë kryengritësit në unitet të çlironin Peshkopinë dhe të detyruan pushtuesit të tërhiqeshin në kufirin e 1913-ës. Qeveria jugosllave nuk besonte në humbjen prandaj sërish me forca të shumta nisi sulmin për ripushtimin e tokave shqiptare. Përballë epërsisë së madhe në numër e armatime, forcat çlirimtare u detyruan të tërhiqen mjeshtërisht me idenë e kundërsulmit dhe kundërgoditjeve. Marshimi i agresorëve u shoqërua me terrorin më të egër kundër popullsisë vendase dhe sulmi dhe terrori për të hyrë thellë në tokat shqiptare deri afër kryeqytetit kishte synime të qarta të mbështetura nga disa Fuqi të Mëdha. Luftime të ashpra u zhvilluan në Martanesh dhe kudo por pushtuesit po i rrëshqiste “toka nën këmbë”. Toka shqiptare u shndrua në përvëluese dhe armiqësore ndaj pushtuesit serb të mbretërisë jugosllave. Lufta vendimtarëve e prijësave dhe luftëtarëve dibranë bënë që trualli shqiptar në muajt nëntor dhjetor 1921 të pastrohej plotësisht dhe ushtria pushtuese të tërhiqej plotësisht në kufijtë e 1913-ës të Shqipërisë Londineze. Drejtuesit, prijësat dhe luftëtarët nuk kanë “sinor” të ndarë në fushëbetejë sepse ata luftuan për “Komb e Atdhe”. Prandaj dibranët kapedanë drejtues të mençur në beteja, që organizonin, drejtonin dhe luftonin kanë qenë në një front në një llogore në funksion të fitores në nivel taktik, operativ dhe strategjik. Në hierarkinë e personaliteteve prijësa luftarakë të shquar të kombit shqiptar dhe në radhët e më të shquarve janë çlirimtarët nga robëria, shtetçliruesit dhe shtetformuese, mbrojtësit e kufirit shqiptar të larë me gjak, janë kryeheronjtë, ndërkohë që liria, mëvetësia, flamuri, kombi dhe burrat e kombit janë themeli i themeleve për progresin dhe shqiptarizmën. Vitaliteti i shqiptarëve, i elitës intelektuale, i prijësave, i luftëtarëve i pavarësisë së dytë shqiptare ka një barometër matës me treguesit, rrezultatet e arritura. Prandaj historia nuk mund të lërë në harresë burrat që e shkruan me gjak e sakrifica. Personalitete të botës në të gjitha kohrat, kanë çmuar rezistencën e popujve të vegjël, kurajën e pashoqe për t’u përballur me makina luftarake nga më shkatërrueset e njerëzimit. Dhe shqiptarët këto makina luftë i kanë pasur pranë, i kanë njohur dhe përballuar, por edhe pushtuesit i kanë njohur nga afër shqiptarët, sikurse dibranët që përballuan sulme të përgjakshme, por guximi dhe atdhedashuria e burrave të Dibrës shkruan një epope të madhe që gjithë shqiptarët nuk mund ta harrojnë kurrë. Në Luftën e Dibrës u luftua në mënyrë energjike nga gjithë prijësat, luftëtarët dhe populli. Prandaj dhe lavdia i takon mbarë popullit, ndërkohë që edhe prijësit kanë vendin e tyre në historinë e triumfit ndaj gjithë pushtuesve. Për këtë kemi sjellë disa nga prijësat më të spikatur të trevës dibrane, si pjesë të emrave që historia ka skalitur me madhështi në historigrafinë kombëtare shqiptare.
1.Elez Isufi – shqipja e Korabit ishte dhe mbeti një flakadan lirie në breza
Elez Isufi prijës i parisë dibrane, plaku i randë i maleve, shqipja e Korabit, plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, patriot e atdhetar i flaktë, “flakadan lirie që frymëzoi breza të tërë luftëtarësh për çështjen e madhe të kombit shqiptar, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e më atdhedashuri të fortë që nuk iu përul as forcës brutale dhe as arit të huaj”. Elez Isufi u bë korifeu i qëndresës popullore në epopenë e luftrave 9-vjeçare kundër një armiku nga më të tërbuarit e më mizorët i shqiptarëve. Shkriu gjithë pasurinë e tij për interesat kombëtare. U dogjën tri herë kullat e tij, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in, u internua dhe u burgos familja e tij, u përgjakën burrat e konakut të tij, por ai nuk u thye, as u gunjëzua, as u përkul. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite në Vjenë, ku u dekorua nga Kajzeri, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28.01.1916, Franc Jozefi, perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të lartë “Franc Jozef-Orden”, me dekoracion lufte. Arkivat dhe historia do flasë me fletë të ndritura për ngjarjet e mëdha, ku 4 muaj Elez Isufi në dimrin e egër të 1921, qëndroi në shi e në borë në malet e Lurës me malësorët besnikë të Reçit e Dardhës dhe të mbarë Dibrës duke treguar një trimëri të jashtëzakonshme në mbrojtje të vatanit dhe nuk i lejuan sërbët të kalojnë kufirin. Elez Isufi u dekorua për merita të veçanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë. Fakt është se në pallatin perandorak kishte vënë këmbët me baltë mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate një malësor me rroba shajaku, me opinga lëkure. Pa iu dridhur qerpiku ai i drejtohet Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë fjalët në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me osmanët, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me ushtrinë sërbe se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji. Elez Isufin e plagosën më 16.12.1924, bashkë me nipin e tij trim Sufë Xhelilin. Elez Isufi 63 vjeçar vdiq nga plagët e luftës më 30.12.1924. Edhe pse pa shkollë, Oda Dibrane, u bë auditor i “Universitetit të Dibrës” dhe fusha e luftës e pajisi me dijet e një akademie universitare për trimëri si dhe e armatosi me strategjinë e një gjenerali. Historia gdhendi në kujtesën e popullit fjalën e tij të urtë që ndante kanune, shëronte plagë e afronte njerëz.
2.Ramiz Daci prijës i luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës
Ramiz Daci ishte lindur në një truall atdhetar në vitin 1883 në Dibër të Madhe. Pinjoll i shquar i Fisit dhe familjes Daci të fshatit Zogje dhe qytetit të Dibrës. Shkollën fillore dhe atë gjysëm të mesme i bëri në Dibër, ndërsa maturën dhe Shkollën e oficerëve e mbaroi në Stamboll. Gjuhën shqipe e mësoi nga atdhetari Said Najdeni. Oxhaku i tyre shquhej për pushkë, sofër e besë. Studimet i vijoi në Stamboll në shkollën ushtarake që ishte krijuar që më 1834. Revolucioni xhonturk i 1908-ës e gjen me shërbim në Rekë. Në këtë periudhë filloi edhe aktivitetin e tij publicistik në interes të kombit shqiptar. Ishte ndër të parët që u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës. Ramiz Daci ka qenë shoqërues i Vehbi Dibrës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912. Më 1913, u rreshtua në llogoret e popullit kundër pushtuesit të ri serb. Ka qenë kurdoherë kudo ku luftohej kundër serbit për nëntë vjet rresht. Ai ka qenë pjesë e ideatorëve për kuvendin e gushtit 1920 të Arrasit. Ramiz Daci senator i Senatit të dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27.03.1920 deri më 20.12.1920, njëherësh edhe prijës në Luftën e Dibrës. Ai ishte një nga organizatorët kryesorë të kuvendeve dhe luftrave edhe si një prej prijësave të luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës. Ramiz Daci u zgjodh jo thjesht anëtar parlamenti por anëtar i senatit, dhomës së lartë të Parlamentit Shqiptar në Kongresin e Lushnjës. Ai ka qenë senator i Senatit të Parlamentit Shqiptar nga 27.03.1920 – 20.12.1920. Ramiz Daci, më 07.08.1920, ishte në Arras ndër organizatorët e një kuvendi me pjesëmarrjen e 3000 vetëve, ku shprehën krenarinë e Luftës së Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjetet tokat dhe atdheun e tyre. Nën drejtimin e prijësave si Ramiz Daci dhe të tjerë drejtues luftarakë dibranë, bazuar edhe në gazetën “Ushtima e maleve”, nr 28, datë 12.07.1990, “..në luftimet e datës 15.08.1920, kishte 1000 të vrarë nga serbët dhe 2000 të plagosur…” dhe episode luftarake ku spikat drejtimi i prijësave dibranë janë me dhjetra në luftën nëntë vjeçare për sovranitet kombëtar. Ramiz Daci në kuvende dhe në beteja ishte krahas prijësave të tjerë si: Ramiz Bej Dibra, Dine Bej Maqellara, Izet bej Maqellara, Selman Alia, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri, Selë Bajraktari, Shaqir Dema, Dine Dema, Riza Lusha, Dervish Lusha, Dine Hoxha, Selim Noka etj. Ramiz Daci ka qenë ndër inisiatorët për të shkuar në Tiranë më 1922, për të përmbysur qeverinë e Tiranës por forcat qeveritare sipas urdhërit të marrë nga Shefqet Korça, e pushkatuan pa gjyq në Bulqizë tek ura e qytetit, ndërkohë që më 1924, u nxorrën eshtrat e tij nga rinia dibrane dhe i bënë një varrim madhështor në Maqellarë.
3.Dine Bej Maqellara (Nasufi), prijës në luftën nëntë vjeçare antiserbe
Dine Nasufi ishte lindur më vitin 1875, në Maqellarë në një ambjent patriotik e luftarak. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Dibër. Një oxhak i shquar për të fisëm, anëtar i klubit “Bashkimi” më 1912 të Dibrës. Pjesëmarrës në luftime më 21 qershor 1912, duke drejtuar çetën e Fushës. U shqua në kryengritjet kundër serbëve dhe për këtë serbët ja internuan familjen e tij në shtator 1920 në Manastir. Në maj të vitit 1912 është anëtar i Komitetit Nacional të Dibrës, organ ushtarak kundër pushtuesit turk së bashku me Elez Isufin, Izet Maqellarën, Shaqir Jegenin, Ismail Strazimirin, Sherif Langun, Eqerem Camin etj. Dine dhe Izet Maqellara kanë organizuar rezistencën kundër serbve, bullgarëve, nemces etj, sidomos në luftimet 9 vjeçare kundër serbve 1912-1920. Dine Bej Maqellara dhe paria e Dibrës i dërguan qeverisë së Durrësit një notë për delegacionin që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit më 17.03.1919 në të cilën u kujtojnë se Dibranët janë në trojet e tyre që prej 6000 vjetësh. Në Kongresin e Lushnjës zgjidhet senator. Dine Bej Maqellara ka qenë deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Ka vdekur në vitin 1928. Në vitin 1992 është dekoruar me urdhërin e Lirisë të klasit II-të.
4.Dine Dema i lindur për komb e atdhe, senator e parlamentar
Dine Dema është lindur në fshatin Homesh të Dibrës në familjen e shquar të Demajve. Paraardhësit e tij Mete Dema, komandant i dibranëve në ndihnë të Ali Pashë Tepelenes dhe Hazis Dema, komandant i Fisit dhe Malit të Grykës së Vogël ishin frymëzimi patriotik i Dine Demës. Në fillim të Shekullit XX në kryengritjet antiosmane 1908-1912 dhe më vonë në kryengritjet antiserbe 1912-1920. Fisi “Dema” kishte tre çeta nga shtatë çeta që vepronin në territorin e Dibrës, Çeta e Mersim Demës, Çeta e Shaqir Demës dhe Çeta e Dine Demës. Në Parlamentin e Parë pas Kongresit të Lushnjës Dine Dema zgjidhet senator, ndërsa nga nga 27 mars deri më 20 dhjetor 1920, Dine Dema, zgjidhet deputet i Parlamentit Shqiptar. Dine Dema dhe gjithë prijësat dibranë të shquar për mençuri e kuptuan më së miri se kryengritja dhe lufta ishte zgjidhja më e drejtë prandaj dhe Xhulian Ameri, tek “Bijtë e Shqipes”, shprehet “Në kryengritjet shqiptare, dallimi midis palëve kundërshtare kishte karakter gjeografik dhe grupazhi, më tepër se një karakter opinioni apo rendi shoqëror”. Kujtesa historike dibrane e ka rregjistruar si një ndër prijësit më të spikatur luftarakë në luftën kundër ushtrive serbe, por dhe si një politikan i mençur që punoi fuqishëm për çështjen kombëtare shqiptare.
5.Ismail Strazimiri luftëtar, prijës, patriot, por edhe histograf dibran i spikatur
Ismail Strazimiri ishte lindur më 1868 dhe u burrërua shumë shpejt duke u kthyer në një patriot, influencues dhe veprimtar i spikatur i lëvizjeve kombëtare në zonën dibrane. Emri i tij lidhet me disa nga ngjarjet kryesore të kësaj periudhe si aktivist i lëvizjes “Përparim dhe Bashkim”, kontribues në Kongresin e Dibrës të vitit 1908, ose kongresi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Ai mbështeti fuqishëm idenë e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë dhe luajti rol deciziv në administratat e paqëndrueshme deri në fundin e Luftës I Botërore. I tërhequr më pas nga jeta politike ai shkroi një nga dëshmitë më origjinale të kësaj periudhe mbi rolin e dibranëve në historinë shqiptare. Jeta e tij do të mbyllej në moshën 75 vjeçare më 1943, duke përkrahur partizanët, përkrahje që i kushtoi atij dhe jetën duke vdekur me pushkë në dorë në mbrojtjen e Dibrës. Ismail Strazimiri do të mbetej me arritjet dhe kontradiktat e tij, si një provë e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt krijimit të një shteti shqiptar. Ai në kujtimet e tij, shkruan për rolin e dibranëve për liri dhe pavarësi si bejlerët e Maqellarës, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara, Fiqiri Dine; Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri (Dibër), sheherlinjtë e Dibrës së Madhe grumbulluar në Tiranë, Elbasan e Peshkopi: Myftiu i Dibrës Vehbi Dibra (Agolli) e Hafiz Sherif Langu, Abdurrahman Dibra e Shefki Shatku, Izet Dibra (Shatku) e Faik Shatku, vëllezërit Selim e Riza Rusi, Zenepe Çoku (e shoqja e Dervish Himës) e Aziz Menzelxhiu, Hasan Ballanca e Sheh Latifi, e patriotë të tjerë dibranë: Kadri Fishta e Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri e Abdullah Tërshana, Ibrahim Jegeni e shehlerët e Peshkopisë, etj. Dibra e cila ndodhet në “kërthizë” të trojeve shqiptare dhe tepër e vrullshme në historinë kombëtare ka lënë gjurmë historiografike në të gjitha ngjarjet madhore të kombit, sikurse prijësat si Strazimirët dhe oxhaqet e mëdha prijësa kanë shkruar epokë historie të triumfit ndaj pushtuesve. Ismail Strazimiri shkruajti më 1931 një libër kujtimesh për periudhën 1910-1931, ku prezanton në mënyre kronologjike faktet historike nga këndvështrimi i një dëshmitari të kohës, që titullohej “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Akademiku Shaban Sinani thotë se, “…në këtë libër gjenden shumë të vërteta të rezervuara prej studimeve historiografike deri më sot, nga droja se mos historia kombëtare mos po bëhet jo aq kombëtare, nga vetë karakteri monumentalizues i historiografisë tradicionale, nga presionet që ushtrohen mbi historishkrimin për shkak të protagonizmit të zgjatur nga koha në kohë. Në këtë kontekst, le të çmojmë kurajën e një njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje, nuk arriti “ta shohë zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë dhe u përpoq që edhe me fjalën të shërojë dhe të mos përsëritet pjesa e keqe e së shkuarës”. Në këtë punim nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin e Profesor Kristo Frashërit: “…Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri (1868-1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “Kujtime historike mbi lëvizjen kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin e popullit dibran në luftën për liri, pavarësi e zhvillim.
6.Dine Hoxha – plaku i zgjuar i Dibrës, i mbiquajtur “Sokrati pa shkollë”
Dine Hoxha ose Hajredin Hazis Hoxha është lindur në një familje me tradita të thella patriotike dhe luftarake. Dine Hoxha ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë të forcave vullnetare dibrane, një drejtues i spikatur luftarak në luftën në Shkodër dhe për Shkodrën, që zgjati 6 muaj, ku edhe dhanë jetën 114 luftëtarë të paepur dibranë. Dine Hoxha ka vijuar më tej të përballet me pushtuesit serbë në përballjen e gjatë nëntë vjeçare veçanërisht në krye të forcave të Muhurit për t’i dalë zot vatanit. Ai është udhëheqës i luftës së Skërtecit, i betejës në Shkallët e Deshëve, në betejën e famshme të Lumës, në Qafën e Kolesianit, në rezistencën e Arrasit. Dine Hoxha protestoi energjikisht bashkë me 112 burra me peticion në Shkodër kundër veprimeve të Fuqive të Mëdha. Në 1925, hapi shkollën në Muhurr e në Luzni. Edhe në Rrugën e Kavajës ka ndërtuar Xhami që edhe sot e kësaj dite thirret “Xhamija e Dine Hoxhës”. Dine Hoxha shpesh është bërë edhe objekt i shtypit të kohës, për rolin që Dine Hoxha (Hajredini) kishte në Oborrin Mbretëror shqiptar. Nëse gjatë regjimit të Ahmet Zogut, mjaft nga gazetat e pavarura shkruanin për njerëzit që i qëndronin pranë si “dallkaukët e kombit”, “sahanlëpirësit”, “servilët”, “mjeranët e politikës”, për Dine Hoxhën shkruanin me shumë rezerva dhe me vlerësime të tilla të kujdesshme si: “Dibrani mendjendritur”, “Sokrati pa shkollë”, “Mbreti këshillohet nga plaku i zgjuar i Dibrës”, etj. Janë të njohura debatet dhe përgjigjet në debate që Dine Hoxha dinte të bënte me çdo kategori mbretërore, ministrore apo mbretërore, si me Kontin Çiano, që la mbresa jo vetëm tek të pranishmit, por zgjoi kureshtjen edhe tek të huajt, si më 14.08.1920, me gjeneralin serb, por edhe me nënën e mbretit Zog si dhe me vetë Ahmet Zogun. Për veprimtari të shquara është dekoruar me urdhëra e medalje të shumtë si “patriot i shquar i çështjes kombëtare, udhëheqës i malësorëve kundër pushtuesve osmanë dhe serbë”. Kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër për prijësat e Dibrës, si një trevë e “gatuar” me mençuri, trimëri dhe atdhetari, prandaj edhe është përjetësuar në vargje: “Djemtë e Dibrës djemtë e malit, të luajnë kapakun e ballit!”. Prandaj përshkrimi i disa figurave do të lërë një boshllëk për shumë të tjera. E megjithatë gjykuam për kohën, vendin Dibrën, pse jo të dy Dibrat, jo vetëm në kuptimin e qyteteve, por gjithë trevën e “Maleve” e më tej për kontributin në lëvizjen kombëtare shqiptare në shekuj, ku me Dibër, kuptojmë një copëz Shqipëri, një copëz e truallit kombëtar, një vend ku zemereku dhe busulla kombëtare ka qenë gjithmonë e orientuar nga atdhetaria.
.
Marrë nga Gazeta “Dielli” 22 dhjetor 2021