back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Udhëkryqi i njeriut ekzistencialist, në tregimet e Laura Olldashit – nga Emrije Krosi

Gazeta

Laura Olldashi - dhe libri e saj Ātman
Laura Olldashi – dhe libri e saj Ātman

Udhëkryqi i njeriut ekzistencialist,

në tregimet e Laura Olldashit

nga Emrije Krosi

Më përtej rrëfimeve për veten dhe përtejvetes, por edhe një pasqyrim jo tërësisht i mjaftueshëm të gjendjes moderne njerëzore, një prozatore e re, që përmes rrëfimit ekspresionizmit dhe modernizmit, me librin e saj të parë “Atman” (Olldashi: 2022). Një prozatore femër, ku përditësia, është strukturuar shumë mirë dhe e ndikuar nga elemente të realizmit dhe postmoderniznit, me një subjektivitet dhe fokus të shtuar të së pandërgjegjshmen (Cuddon: 2014: 728), çdo ditë plotësohet tabloja me pjesëzat e saj të shkrimtarisë femrore, që shpërfaqen si në poezi edhe në prozë. Perspektiva narrative, kalon pa mundim brenda dhe jashtë realiteteve të brendshme dhe të jashtme të personazheve, si një vitrinë kalimtare që është mendja njerëzore, aq edhe “dinake” por dhe “e zvetënuar”, ku vetëgjykimi i njeriut për modelin globalist të jetuarit, është pasiv, i lodhur nga skllavërimi i kohës, (kur presim tramin [trenin ekspres] dhe dëgjojmë muzikë me dëgjuese), indiferet ndaj asaj që ndodh rreth nesh.

Emrije Krosi
Emrije Krosi

***
Laura, ka një tjetër stil, një tjetër qasje, në kozmonominë e të shkruarit dhe përjetimit të rrëfimit në disa kohë, nivele dhe shtresa. Si në sinkroni dhe diakroni, mimesisi përfshin shkrimin si shpalim në dy kahje: horizontalisht dhe vertikalisht. Shtresimi shumëdimensional dhe shumështresor, e “gris” imazhin e kohës së epërme përmes ekzistencializmit dhe surrealizmit, abstraksionit dhe ekspresionit, modernes dhe postmodernes, të shkuarës dhe të ardhmes, si lavd të bukurës të estetikës shpirtërore (Çaça: 2022: 30), në paragrafin: zgjohen qull në djersë/. E shtrirë në krevatin e madh./ Im shoq në krahun e djathtë./ Ndiej gërhitjen e lehtë të tij, (tregimi “Gjendje”). Stili i të shkruarit në formë kompozimi individualist të tekstit, duket sikur përqaset me mjegullinën e subkoishencës shoqërore të individit dhe shoqërisë. Rrëfimtarja, rrok përmes perceptimeve, të pavetëdishmen dhe utilitaritetin, mediokritetin dhe egoizmit, zgjedhon foljen e dimensioneve të thella të njeriut globalist, narcizist, antisocial etj. Marrëdhënia konvencionale midis përfaqësimit, shenjuesit dhe emocionit ose idesë që përfaqësohet, shenjohet dhe nuk prishet kështu në artin postmodern (Dowson & Earnshaw: 1995: 80). Vetë fjala: [Ātman (/ˈɑːtmən/; Sanskritisht: आत्मन्) është një fjalë sanskrite që i referohet vetvetes (universale) ose esencës vetëekzistente të individëve, ndryshe nga egoja (Ahamkara), mendja (Citmbodiedti) dhe egzistenca]. Ajo, sendërton dyzimin dhe tjetërsimin, asgjënë dhe absurdin, përçmimin dhe besimin, obsesionin dhe depresionin, ekstazat dhe zvetënimin, makthet dhe frikërat, përmes surreales dhe reales, ndërton dhe krijon personazhe sa tokësorë aq edhe imagjitativë, duke krijuar një lidhje metatekstuale bashkëkohore, deri në metamodernizëm (Bunnell: 2015: 13).
Si përcaktesa të substanciales tekstuale të autores dallojmë:
A.Shoqëritë globaliste, që survejojnë, shtypin dhe gllabërojnë jo vetëm njeriun e zënë në kurth nga demokracitë autokratike, por edhe njeriun e lirë të shoqërive demokratike, duke zvetënuar akoma më shumë vlerën e njeriut, më përtej shoqërive totalitare, në paragrafin:
“…Shqipëria më ka nxjerrë nga ulërimat e dhimbjes së saj dhe ato ulërima janë ngjitur brenda e jashtë meje. Jeta ime kishte formën e një ulërime. Por jo kur u linda, sepse u linda si një dritë e vogël. Që sa më shumë i largoheshe, aq më shumë ndriçonte…/ /Buzëqeshjen do ta vinin para një muri dhe mijëra plumba do t’i drejtoheshin. Por a zihet në çark buzëqeshja? Buzëqeshja e syve si vritet?”
B.Simbioza psiko-traumatike e një shoqërie post/moderne, (që vjen përmes tregimeve): “Gjendje”, “Kube të pajetuara”, “Piktura” etj.
C.Esteizimi i dashurisë përmes dysisë së vetvetes, (përmes tregimeve: “Çfarë është dashuria” me paragrafin: “që je e dashuruar”/ “Dhe s’të besdis ky fakt”/…/…sepse ka më shumë se një dashuri…”
D.Simbioza froidiane përmes flirtit nëpërmjet ëndrrës. (“Gjendje”)
E.Ndërtime ndërtekstuale përmes dialogimit/ monologimit, (“Dialog me ty, veten dhe njeriun”)
F.Ravgime shpirti mbi narrativën e vetvetes, (përmes tregimeve: “Vetes”, “Buzëkuqi”)
G.Shpagime ekzistenciale të vetvetes, (“Bukuri në pantallona”), ku qenia zhvishet nëpërmjet marrëdhënies, ku “vetja” dhe “tjetri” herë dyzohen, herë tundohen, herë rrëfejnë, përmes modeleve të vetvetes, duke shpërfillur rregullat e shoqërisë, sepse modelet e shoqërive të lira, sjellin zhgënjime dhe përjashtime të njeriut, ku njeriu është “prej mishi dhe kocke”. Logjika e autores, i përket një grupi të caktuar sociokulturor, që “operon” me mënyra efektive të përshkrimit, me komplekset ndërvepruese të lirikave imagjinative, të absurdit dhe surreales, të ekspresionizmit dhe ekzistencializmit, që tejkalon poezinë “eksperimetale” të postmodernizmit, në formë e artit si funksioni më suprem (Perelman: 1996: 94). Në këtë vijë takimi me të shkurën, veten, vendlidjen dhe atdheun ndërtohet përmes këtyre paragrafeve: “…Gugugugu… Zgjohen mëngjeset e Elbasanit. Këngët e kumërive. Aroma e simiteve mbushur me petët e gjalpërosura.. Vjollcat me kokën sipër. Mielli i misrit i ballokumeve. Mulliri i vjetër ku deriçka e vogël i rrotullohet tokës. /…/ Njerëzit e ndërlikuar si unë kënaqen me gjëra të thjeshta: me shiun që lag, me parfumin e luleve të portokallit, me kërcimet në ajër bashkë me Rudin, qenushin, dhe me zërat tanë që mbushin atë copëz kohe…/…/Kaq vite jasht vendlindjes dhe zakoni i njëjtë i gatimit të bukës. Miell, ujë, kripë. Ngjeshja e duarve në brumë. Terapia e stresit. Era e bukës që piqet. Parfumi i shtëpisë së vjetër, nostalgjia e fëmijërisë, stufa me dru, tubat e lyer me varak, kolla e vjetër. I zbret një lot në faqe. Nuk e fshin. Ka lirinë dhe arsyen të ekzistojë…” (tregimi “Bukuri në pantallona”). A, mund të zvetënohet shpirti, qenia dhe njerëzorja, përmes Hiçit dhe Qenies tek tregimi: “Kafe me Pesson”? Laura na rrëfen se njeriu mbetet njeri, në thellësinë e shpirtit të tij, në esencën e tij thelbësoren dhe pse koha e shprish identitetin e tij. Ajo ka rindërtuar përmasën e njeriut vetmitar dhe absurd, në këtë botë të marrë globale, që rend pas luksit, parasë, famës dhe tjetërsimit, se rrëfimtarja në këtë mënyrë minimizon autoritetin e saj, dhe kështu ia dorëzon fuqinë e përfundimit interpretimit individual të lexuesit, si kumtim të dominimit të arsyes dhe logjikës mbi irracionalen (Grosz: 1994: 211). Megjithatë, lidhja midis teorisë strukturaliste dhe dallimeve seksuale, ndërthur edhe kritikat feministe dhe poststrukturaliste, anipse shenjat konvencionale konsiderohen si mashkullore apo femërore, përmes këtyre gjedheve:
-gjedhja e marrëdhënieve: strukturalizmi/ modernizmi dhe poststrukturalizmit dhe postmodernizmit
-gjedhja e marrëdhënies: e vetëdijes femërore dhe steriotipeve shoqërore
-gjedhja e marrëdhënies: realiteti kaotik dhe tepria e reales
-gjedhja e marrëdhënies: imazhet e gjëllimit femëror dhe vetëpërcaktesa e vetëfatësisë njerëzore
-gjedhja e marrëdhënies: domosdoshmëria për konceptin e së vërtetës përtej frustrimit socio-shoqëror
-gjedhja e marrëdhënies: nocioni i s’vërtetës transhendentale si një hapësirë e përbashkët e “njeriut”, nuk do të ishte e mundur të identifikohej një feminilitet i vetëmjaftueshëm (Wolmark: 1999: 223).

Së fundmi: gjetja dhe kërkimi i vetvetes, përmes njohjes dhe vetënjohjes, nuk është vetëm dukuri i artit modern por edhe e çdo rryme tjetër. Që nga lashtësia, njeriu ka qenë në kërkim të vetvetes në art, përmes formave të reja shkrimore, në kërkim të dashurisë si forca e vetme e shpëtimit të njeriut, nga dehumanizmi i një shoqërie kaotike moderne dhe në kërkim të katarsisit nga e keqja (djallzorja) brenda nesh (njeriut).

Atman - Laura Olldashi 2022
Atman – Laura Olldashi 2022

Bibliografia:
1.Bunnell, Noah – (2015): “Oscillating from a Distance: A Study of Metamodernism in Theory and Practice”, Undergraduate Journal of Humanistic Studies, vol. I, 1-8. Crane.
2.Cuddon, John Anthony – (2014): Dictionary of Literary Terms & Literary Theory – London: Penguin Books. Print.
3.Çaça, Durim – (2020): Një prozë me fuqinë e organizmit dhe të energjizmit, “Nacional”, Tiranë.
4.Dowson, Jane & Earnshaw, Steven – (1995): Postmodern Subjects/ Postmodern Texts. Amsterdam, Netherlands: Rodopi.
5.Grosz, Elizabeth – (1994): Volatile Bodies: Towards a Corporeal Feminism. Bloomington: Indiana University Press.
6.Olldashi, Laura – (2022): Ātman, “Klubi i poezisë”, Tiranë.
7.Perelman, Bob – (1996): The Marginalization of Poetry. Princeton: Princeton University Press.
8.Wolmark, Jenny – (1999): Cybersexualities: A Reader in Feminist Theory, Cyborgs and Cyberspace. Edinburgh: Edinburgh University Press.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.