back to top
1.5 C
Tirana
E diel, 29 Dhjetor, 2024

Udhëtimi nuk ndalet këtu… – nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Udhëtimi nuk ndalet këtu…

nga Agim Baçi

kritik letrar, gazetar, opinionist
dhe një nga kandidatët më të denjë për deputet të PD-së.
.
Së pari dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që më mbështetën në këtë sfidë të përballjes me votuesit. Do të doja të takoja sërish këdo që bashkëbisedoi me mua, e t’i shprehja në sy mirënjohjen time të thellë.
Unë sot e mirëkuptoj dëshpërimin e gjithë atyre që besuan në një vendim të shqiptarëve më 25 Prill për Ndryshim përmes votës. Nuk flas thjesht për ata që besuan se forca politike që mbështesin duhet të vijë në pushtet. Jo, e kam fjalën për qindra e qindra bashkëqytetarë, të djathtë e të majtë, me të cilët kam folur shpesh, jo vetëm në fushatën zgjedhore, e që dukej se ishin në mbështetje të udhëtimit për ndryshim. Dhe janë të shumtë ata që nuk kanë qëllim pushtetin, por që shprehnin dëshirën që atdheu ynë i përbashkët të mos adhurojë servilin, të fortin dhe atë që vjedh pronën tonë të përbashkët apo pronën e tjetrit.
Dikush mund të pyesë, se si është e mundur që nuk u parandalua kjo vjedhje nga opozita? Por, a e patë se si gënjeu kreu i policisë së shtetit për rastin e Elbasanit, duke deklaruar që nuk kishte materiale zgjedhore në makinën e bllokuar nga mbështetësit e PD-së, ndërkohë që hetimet nxorrën fakte që kishim të bënim me vjedhje të strukturuar votash?
A nuk ndaloi Tomorr Alizoti në Berat makinën me mbishkrimin “rezervat e shtetit” me ndihma që kanë vetëm një emër “porno-varfëri”?
A nuk u kapën në Dibër zyrtarë lokalë me para dhe zarfe? A e keni lexuar raportin e OSBE/ ODIHR-it ku shkruhet qartë se vjedhja e votës dhe dhuna shtetërore është kthyer në normalitet?
Pse, sa raste duhet të zbulojë opozita që të kemi një bindje që zgjedhjet janë vjedhur, që vullneti politik i shqiptarëve është dhunuar?
Unë si kandidat në Qarkun e Durrësit e kam denoncuar gjatë gjithë fushatës tentativën e pushtetit, të frymëzuar nga gjuha e urrejtjes e z. Rama, i cili përdori gjithçka për të blerë me çdo mjet vullnetin e bashkëqytetarëve tanë. Kam denoncuar faktin që fushatën e drejtonte i refuzuari nga Departamenti i Shtetit, Vangjush Dako, i famshmi më shumë edhe prej dosjes “339”, të cilën Rama bëri çmos që mos ta zbardhte kurrë, sepse nuk donte të dekurajonte patronazhistët dhe vjedhësit e strukturuar të votës.
Unë kam parë çdo ditë se si është përdorur infrastruktura shtetërore për të mbajtur nën presion qytetarët lidhur me fondet e rindërtimit, me bonuesin e qirasë, me vendin e punës, me biznesin, e me gjithçka tjetër që survejohej nga patronazhistët ilegjitimë. Dhe duke qenë dëshmitar i kësaj dhune të gjithanshme, nuk mundet që të bie dakord që Rama është një fitues normal i zgjedhjeve. Ai është një vjedhës i vullnetit popullor, me paratë dhe taksat e gjithë shqiptarëve dhe me inkurajimin e të fortëve për t’u ndjerë padronë të jetëve tona.
Nëse sot nuk flasim për atë që ndodhi me 25 Prill, do të ndodhë që fyerja dhe tallja të jenë debat i arsyeshëm, të pranojmë që politika të jetë thjesht spektakël, që arroganca të merret si virtyt e që servilizimi dhe tundja e kokës sugjerohen si arti i vetëm i jetës. Sepse nëse ndodh një pranim i tillë, kufijtë e Lirisë do të bëhen gjithnjë e më të ngushta për këdo që e do këtë vend me institucione demokratike e jo me institucione që survejojnë dhe kontrollojnë jetën tonë për llogari të pushtetit.
Unë nuk dua të besoj se Liria vlen vetëm për ata me shumë fat. Unë dua të besoj se ne e kemi vetë në dorë që të mos mendojmë me bark, por me mendje e që të kërkojmë rrugët për të qenë të lirë. Ndaj, ne më shumë se gjithçka, duhet ta refuzojmë njohjen e një fitoreje të tillë nëse nuk duam që të na duket si normal ky dhunim i vullnetit tonë, ky suervejim i gjithanshëm i jetës sonë.
Ne të gjithë e kemi detyrim të bindim çdo shqiptar, të djathtë, të majtë, të pavendosur, se nuk duhet të bashkëjetojmë me këtë dhunim, me këtë maskaradë që ndodhi të dielën ndaj vullnetit të zgjedhësve, sepse heshtja jonë do të na çojë vetëm në lumin e qarjeve pa kuptim, në një shteg nga ku duket vetëm robërimi.
Ne duhet të nisim udhëtimin e rikthimit të politikës së mbështetur në virtyt, në Besimin në Zot, dhe jo përballimin e së keqes me të keqe. Ne duhet të besojmë se njerëzit e frikësuar nga ky pushtet kanë nevojë për shpresë, ndaj dhe udhëtimi s’mund të ndalet këtu. Ky udhëtim që rinis do të jetë, padyshim, sfidues dhe i gjatë. Por çdo përpjekje për t’i dhënë kuptim Lirisë dhe Dinjitetit është një udhëtim që nuk mund të na lodhë, sepse ky është vendi ynë, është shtëpia jonë.
.
Marre nga muri i fb i Agim Baçit 28 prill 2021
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.