back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Uliks S. Grant – Pijaneci më i suksesshëm në historinë amerikane, i famshëm në një ditë të vetme… nga Xherardo Nikjari

Gazeta

Uliks S. Grant (1822-1885) - Monedha 50 $
Uliks S. Grant (1822-1885) – Monedha 50 $

Uliks S. Grant – Pijaneci më i suksesshëm në historinë

amerikane, i famshëm në një ditë të vetme…

nga Xherardo Nikjari –

 Një herë gjatë Luftës Civile Amerikane, dikush i tha presidentit Abraham Linkoln se njëri nga gjeneralët etij, Uliks. S. Grant (1822-1885), kishte probleme me pijen. “Zbuloni çfarë marke pi – tha presidenti – dhe dërgojani ca edhe gjeneralëve të tjerë.”
Në teatrin e rëndësishëm luftarak të Lindjes, ku zienin luftimet vetëm pak milje larg Uashinglonit dhe kryeqytetit të Konfederatës, Riçmondit, Linkolni kishte nëpër këmbë gjeneralë të cilët ose ishin më të kujdesshëm se ç’duhej, ose tepër guximtarë, ose thjesht frikacakë.
Granti ishte një lloj i veçantë ushtaraku jo vetëm në historinë amerikane por edhe atë ushtarake botërore, ai fitonte beteja dhe, uiski ia shtonte dellin e fitores, Linkolni do t’i dërgonte fuçi të tëra.
Më në fund Linkolni kishte gjetur dikë që të fitonte luftën më të përgjakshme në historinë e Amerikës.
(Shënim: Gjatë Luftës civile u vranë më shumë amerikanë se sa në Luftën e Dytë Botërore, në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Vietnamit, Luftën e Koresë së bashku.)
.
Uliks s. Grant - Kryekomandanti i Ushtrisë Amerikane
Uliks S. Grant – Kryekomandanti i Ushtrisë Amerikane
Por kur kjo luftë pati filluar, Uliks Simpson Grant nuk dukej fare si fitimtar. Ndonëse ishte diplomuar në një shkollat më të mira ushtarake, West Point, dhe kishte shërbyer shkëlqyeshëm në Luftën e Meksikës dhe pas kësaj Granti kishte dhënë dorëheqjen nga detyra, dhe e pati të vështirë të kthehej sërish në ushtri.
Përveç shërbimit në Meksikë, e gjithë karriera e Grantit kishte qenë një varg gabimesh. Ai ishte pagëzuar me emrin Hiram Uliks Grant. Grantit nuk i pëlqenin inicialet e veta, H. U. dhe u përpoq t’i ndryshonte.
Mirëpo kur shkoi në West Point, në 1832, zbuloi se kongresisti që e sponsorizonte e kishte regjistruar me emrin Uliks Simpson (emrin e vajzërisë së të ëmës) Grant.
Në akademinë ushtarake ai vërtetoi se ishte një kalorës i jashtëzakonshëm, por një student indiferent (përveç matematikës). U diplomua i 21-ti në një klasë me 39 veta. Në Meksikë, ai shërbeu si nëntoger i Zakari Tejlorit (presidenti i 12-të, duhanpirës i pashoq).
Granti mori gradën e nderit toger për trimëri në betejën e Molino del Reit dhe më vonë u gradua kapiten e toger i parë në ushtrinë e rregullt.
Granti në West Point.
.
Uliks S. Granti si president, 1869
Uliks S. Granti si president, 1869
Pas luftës ai u martua. U vendos në disa baza ushtarake të zymta, në Perëndim, ku e shoqja nuk mund të shkonte. Kështu nisi të pinte. Karriera do t’i ndërprehej brutalisht pasi dashuria për uiskin e çoi në dorëheqje në 1854, përndryshe do të dilte para gjyqit për dehje.
Në jetën civile ai provoi pa sukses një numër biznesesh, por dështoi tek të gjitha. Më në fund, i ati i prekur shumë, i dha një vend pune në ndërmarrjen e vet të lëkurëve në Ilinois.
I martuar, baba i shumë fëmijëve, Uliksi kishte vërtet shumë nevojë për këtë punë. Por jeta nuk do t’i sillte gëzim. Ai s’kishte më miq dhe jetonte i mbyllur në vetvete në vetmi. Atë e gjeje “të pakënaqur, si një njeri të vogël që nuk arrinte të kujdesej as për veten.”
Shpërthimi i Luftë Civile Amerikane nxiti një kërkesë të madhe për fuqi njerzore. Granti, një veteran i dekoduar i luftës së fundit, u përpoq ta rifitonte detyrën, por ushtria nuk ishte e interesuar. Kështu, ai organizoi dhe stërviti një kompani vullnetare për shtetin e Ilinoisit.
Dy muaj pas kthimit nga lufta, Granti u gradua gjeneral brigade dhe mori komandën e distriktin të Misourit Juglindor. I pavlerësuar dhe i nënvleftësuar, gjithçka do të ndryshonte mjaft shpejt. Ashtu si Bajroni, Granti u zgjua një mëngjes të bukur dhe e gjeti veten të famshëm.
Ai tërhoqi vëmendjen e Linkolnit dhe të oficerëve të lartë me koordinimin e shkëlqyer që i bëri ushtrisë dhe njësive të marinës gjatë luftimeve të ashpra pranë fortesave Henri dhe Delson në 1862.
Granti, u zu në befasi nga ushtarët e Konfederatës, por ai nuk u tremb dhe talenti i tij ushtarak i solli fitoren e plotë mbi një ushtri të madhe jugore. Deri në atë kohë Granti ishte i panjohur. Pijaneci u bë i famshëm në një ditë të vetme. Ngjarja e Fortesës së Delsonit e bëri hero kombëtar.
.
Uliks Granti me familjen, 1870.
Uliks Granti me familjen, 1870.
Veriu do ta bënte atë heroin e vet dhe do ta përkëledhte me një nofkë aq mikluese sa Granti do të bëhej i pavdekshëm për historinë amerikane. Kur komandanti i Fortesës Delson e pyeti se ç’kushte do t’i jepeshin Konfederatës, Granti u përgjigj pa hezituar: “Kapitullim pa kushte (unconditional surrender) është e vetmja e pranushme!”Që nga ajo ditë, ai u quajt “Unkondishënëll sërrendër Grant”.
Fitorja nuk i solli vetëm famë por edhe ngritje në detyrë. Granti mori gradën e kryekomandantit të trupave në perëndim. Kryevepra e tij strategjike dhe taktike ishte pushtimi i Viksburgut, që e arriti duke i ngatërruar ushtarët e Konfederatës me manovrat e tij dhe duke përçarë dy ushtritë e tyre. Rënia e Viksburgut e ndau Konfederatën në dysh.
Por Granti zbuloi menjëherë se suksesi dhe lavdia ngjallnin njëkohësisht urrejtjen. Kolegët e ushtrisë e kritikonin ashpër, e akuzonin se rrezikonte shpeshherë jetën e njerëzve të vet.
Atë e përshkruanin hapur si më të keqin e pijanecëve. Pavarësisht nga këto presidenti nuk i kushtonte fare vëmendje këtyre thashethemeve: “Nuk mund të heq dorë nga ky njeri. Ai lufton!”
Në mars të vitit 1864, Presidenti Abraham Linkoln e bëri Grantin Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane. Granti pasi iu ngarkuan të gjitha trupat e Shteteve të Bashkuara u transferua për në frontin e lindjes.
Uliks. S. Grant si Kryekomandant i ushtrisë së Unionit.
.
Portret i Uliks S. Grantit nga Konstant Majer, 1866.
Portret i Uliks S. Grantit nga Konstant Majer, 1866.
Atje, Granti demostroi aftësinë e tij për të dalluar talente ushtarake – një aftësi që i mungonte tërësisht Shtabit të Lartë. Ai luftoi me trimëri dhe me një gjenialitet brilant ushtarak për pjesën tjetër të mbetur të luftës civile.
Më vonë (me përfundimin e luftës), Uliks. S. Grant u bë president i Shteteve të Bashkuara. Mirëpo njeriu që kishte vërtetuar se ishte ekspert në fushën ushtarake, në jetën civile ndihej i pasigurt.
Pavarësisht faktit se gjatë mandatit të tij si president mblodhi rreth vetes një grup të çuditshëm me gjeneralë nga ish-Konfederata dhe Unioni, populli e pëlqente shumë aq shumë Grantin, sa që e zgjodhi për një mandat të dytë.
Presidenca e tij ishte e shoqëruar nga paaftësia e Grantit për politikën si dhe skandale të shumta korrupsioni, siç ishte episodi i “Black Friday” (1869), “Credit Mobilier” (1873) dhe normalisht skandali i uiskit (1872).
Uliks Simpson Granti ishte një strateg efektiv, vullneti dhe vendosmëria e tij së bashku me aftësinë për të mësuar nga gabimet e bënë një gjeneral të dorës së parë; performanca e tij e dobët si politikan dhe biznesmen është vetëm falë besimit të tij të tepërt tek miqtë e vet.
.
Varri i Uliks S. Grantit, mauzoli më i madh në Amerikën Veriore.
Varri i Uliks S. Grantit, mauzoli më i madh në Amerikën Veriore.
Pas largimit nga posti, ai rifilloi jo vetëm të pinte deri në dehje uiskin nostalgjik, por edhe rifilloi karrierën shkatërrimtare në biznesin privat. Investimet e pamatura e lanë trokë.
Pas presidencës, Granti udhëtoi dy vjet nëpër botë me të shoqen.
Pët t’u kujdesur për familjen (ndërsa po vdiste nga kanceri i fytit) ai shkroi “Kujtimet”, që u bë një bestseller. E përfundoi librin katër ditë para se të vdiste, 1885.
.
http://konica.al/2017/08/uliks-s-grant-pijaneci-suksesshem-ne-historine-amerikane-qe-u-famshem-ne-nje-dite-te-vetme/
12 Gusht, 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.