back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ulliri më i vjetër në Ballkan (2000 vjeçar) ndodhet në Berat

Gazeta

Ulli dymijevjecar
Ulli dymijevjecar

Ulliri më i vjetër në Ballkan (2000 vjeçar) ndodhet në Berat

Misteri i jetëgjatësisë,

pema e Ullirit mund të rrojë përgjithmonë!

Pse prerja e Ullinjve
dënohej rëndë
në Lashtësi dhe në Mesjetë…?!

Shumë prej pemëve më të vjetra të gjalla, sot janë pemë ulliri. Ka ullishte të mbjella nga ilirët, grekët e lashtë dhe romakët, që ende lulëzojnë tani. Ulliri shihet si një simbol i traditës dhe një dëshmitar i epokave të shkuara. Ai është një bartës i kohëve të harruara dhe trashëgimisë. Një zabel ulliri në Sardenjë besohet se daton 4 mijë vjet përpara. Në Kroaci, një monument natyror, një pemë ulliri më shumë se 1500 vjet, mendohet se është sjellë nga Italia e Jugut apo Greqia. Pema e ullirit u ka mbijetuar shumë luftërave, sëmundjeve, fatkeqësive natyrore dhe neglizhencës së njeriut dhe është ende duke pasur fruta. Në Shqipëri mendohet se ullinjtë më të lashtë kanë moshë rreth 3000-vjeçare dhe gjenden në zonat e Tiranës si Petrela, Lanabregas, Tufinë, Prezë, Brar dhe Tujan,-thotë prof. Hajri Ismaili. Perimetri i tyre shkon deri në 3 metra.
Tradita gojore tregon se disa janë edhe më të vjetër dhe në fakt, ullinjtë kurrë nuk mund të vdesin. Cili është misteri për jetën e jashtëzakonshme të drurit më jetëgjatë? Trungu dhe degët nuk jetojnë përgjithmonë. Ato rrudhen dhe vdesin shumë-shumë herë gjatë rrjedhës së jetës së pemës. Por rrënjët dhe pjesë të drurit të ullirit, që janë nëntokë, nuk vdesin nga shkaqe natyrore. Ata nxjerrin fidane të reja përsëri e përsëri. Pema e ullirit është e famshme për rritje në tokë të varfër dhe mjedise jashtëzakonisht shkëmbore. Ulliri pëlqen që të rritet, atje ku asgjë tjetër nuk rritet. Por kjo nuk do të thotë se ata janë të pathyeshëm. Ullinjtë kërkojnë kushte shumë specifike në rritje. Ata duan verë të nxehtë dhe dimër jo shumë të ftohtë. Në qoftë se ulet temperatura nën 15 gradë, rrënjët do të vdesin. Kjo është arsyeja pse vetëm klimat e qëndrueshme e Mesdheut dhe Kalifornia janë të njohura për pemët e tyre të ullirit.

Shkundja e Ullinjve në Greqinë e Lashtë
Shkundja e Ullinjve në Greqinë e Lashtë

Ullinjtë janë gjithashtu të vetë-polenizuar, gjë që është e pazakontë në mbretërinë bimore. Ky fakt mund të ndihmojë për jetëgjatësinë e tyre ekstreme. Ngaqë ulliri nuk përdor gjenet e bimëve të tjera për të nxjerrë pasardhës, ka më pak mundësi për transkriptim gjenetik në sistem dhe për mutacione. Gjithashtu në ruajtjen e kësaj pastërtie e ndihmon tendenca për tokë të varfër, ku nuk rriten pemë të tjera. Çdo sëmundje që bie në një ullishtë, thjesht do të vrasë pjesët e pemës që shtrihen mbi tokë. Pas një periudhe të përshtatshme, nga rrënja e ullirit do të dalë një tjetër pemë. Miza e ullirit kurrë nuk i lëndon rrënjët dhe në fakt simbioza ndërmjet pemës së ullirit dhe insekteve të ullirit shkon prapa deri në Paleolit. Botanistët kanë gjetur fosile të fluturës së ullirit mbi pemë të varrosura nga vullkanet mijëra vjet më parë. Ne nuk dimë arsyet e sakta, pse ullinjtë jetojnë kaq gjatë. Megjithatë, ne mund të bëjmë disa supozime të shkëlqyera. Një arsye mund të jetë se, pasi që ata janë të strehuar në toka të mbrojtura nga mutacioni, ku rrënjët e pemës së ullirit nuk kanë arsye për të mos jetuar përgjithmonë. Sëmundjet dhe kërpudhat që sulmojnë shumicën e pemëve, nuk mund të gjejnë rrugën e tyre në pjesë thelbësore, në shtratin e pemës në shkëmb. Ndoshta një ditë ne do të zbulojmë sekretin e jetëgjatësisë së këtyre pemëve, por deri atëherë ato do të mbeten misterioze për njerëzimin.

Ulli mijevjecar - Petrele
Ulli mijevjecar – Petrele

Ligje të forta për pemën e ullirit

Rëndësia e Pemës së Ullirit dhe Vajit të saj për popujt e Gadishullit Ilirik dhe gjithë Mesdheun është reflektuar në shkrimet e tyre dhe madje edhe ligjet e tyre. Homeri e quajti atë “ari i lëngshëm”. Filozofi grek Demokritus… besonte se një dietë me mjaltë dhe vaj ulliri mund të lejojë një njeri të jetojë 100 vjet, një moshë shumë e vjetër në një kohë kur jetëgjatësia ishte rreth 40 vjet. Ka më shumë se 100 referenca në Bibël për ullinjtë dhe vajin e ullirit. Në shek. VI para Krishtit, ligjvënësi athinas, Soloni, futi ligje që mbrojnë ullinjtë. Në një korrije vetëm dy pemë mund të hiqeshin çdo vit. Thyerja e këtij ligji shkaktonte dënime të rënda, si dëbimi nga qyteti e deri ekzekutimi me vdekje. Sipas këtyre ligjeve helene ishte absolutisht e ndaluar për të prerë ullinj, me përjashtim për shërbime shenjtërie ose të komunitetit, dhe në çdo rast jo më shumë se dy pemë në vit.
Në Shqipëri, në të gjitha kanunet, si ai i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Labërisë, Kanuni i At Shtjefën Gjeçovit, Kanuni i Skënderbeut, statutet e Shkodrës, Durrësit, Tivarit, Budvës etj. kanonizohen ndëshkime të rrepta për prerjen e ullirit, gjoba në monedha floriri qindrafish më të rënda se për çdo pemë tjetër frutore (me përjashtim të vreshtave që ishin gjithashtu të shenjtëruara me ligj).

Kokrra ullinjsh
Kokrra ullinjsh

Nderimi i ullirit

Në Romën e lashtë, tregtarët e vajit të ullirit i dedikuan pemës një statujë dhe një tempull të njohur me emrin Herkules Olivarius. Në Pompei, romakët e lashtë e përdorën vajin e ullirit për të larë flokët. Në Kopshtin e Gjetsemanit, ku Krishti shpesh u lut dhe u arrestua, ishte një vend i përshkruar nga dishepujt si ullishtë. Besohet se lutjet e thella shpirtërore për gjëra të drejta e shumë të rëndësishme, të bëra nën degët e ullirit, plotësohen.
Ulliri është konsideruar si një simbol i durimit: Duke qëndruar në një pemë ulliri, jep një ndjenjë qetësie dhe paqeje. Për më tepër, pema e ullirit është Simbol i Pavdekësisë. Ajo u jep fuqinë mbretërve dhe priftërinjve dhe me degët e saj kurorëzoheshin kampionët olimpikë.

Vaji i ullirit përdorej në Egjiptin e Lashtë
Vaji i ullirit përdorej në Egjiptin e Lashtë

Simbolika e pemës së ullirit

Pema e diturisë: Në disa kultura, thuhet se ulliri është i talentuar, me dhunti nga perënditë për njerëzit. Simboli i perëndeshës Athena, perëndesha e diturisë, ishte një degë ulliri.
Pema e paqes: Irena, perëndia e Paqes, e bija e Zeusit është paraqitur gjithmonë me një degë ulliri në duart e saj. Më vonë, në periudhat e luftës, korrierët e paqes u dërguan me një degë ulliri.
Pema e shpresës: Në Dhiatën e Vjetër një pëllumb kthehet me një degë ulliri në arkë, në mënyrë që të shpallë fundin e përmbytjes dhe të sjellë shpresë për njerëzit.
Pema e dritës: Vaji i ullirit ishte përdorur si vaj ndriçimi dhe në këtë mënyrë është konsideruar burim i dritës.
Pema e fertilitetit: Në traditën popullore ilire e romake, vaji i ullirit është konsideruar nxitës dhe prodhimtar. Njerëzit u jepnin çifteve të reja një bukë në formë ovale që ishte spërkatur me vajin e parë të vitit, si një shenjë për sterilitetin.
Pema e shëndetit: Vlera e vajit të ullirit për shëndetin është e njohur gjerësisht për shekuj me radhë. Pema simbolizon fuqinë dhe shëndetin. Për më tepër, ky simbolizëm është krejtësisht i saktë për shkak të faktit se drurët e ullirit janë jetëgjatë, të thjeshtë dhe të qëndrueshëm.
Pema e pasurisë: Për shumë familje, drurët e ullirit dhe produktet e tyre paraqesin burimin kryesor të të ardhurave.
Pema e ekuilibrit: Pema e ullirit është konsideruar të jetë pema e ekuilibrit nga Keltët. Për këtë arsye ata i kanë kushtuar një ditë, pikërisht 23 shtatorin, kur kohëzgjatja e ditës dhe natës janë të barabarta.

Pikture e nji Frantojo ku nxirrej vaji i Ullirit
Pikture e nji Frantojo ku nxirrej vaji i Ullirit

Marre nga http://www.shqiptari.eu/ 4 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.