Unë nuk jam veteran…
tregim nga Sami Milloshi
Dy njerëz nga dy realitete të largëta, jeta i përplas nji ditë
të jetojnë kohë të përbashkët e të ndajnë edhe pengjet e jetës së tyre.
Humanizmi i një veterani të shpëtuar nga lufta,
përballet me deluzionin e nji gazetari që ka heshtur për varjen e një poeti
dhe s’ka gjetur kurajo të thotë asnjë fjalë, për këtë të vërtetë rrënqethëse…
është humanizmi i veteranit, shembulli i tij që përballë heshtjes së një gazetari
ndaj krimit gjen kurajon t’ia pranojë pengun e pendesës…
Një tregim i ndërtuar me një gjuhë të thjeshtë dialogu,
po tejet emocionues dhe me vlera që e kapërcejnë kohrat, vendet
po edhe mjerimin njerëzor të luftrave dhe krimeve…
jozef radi, qershor 2018
.
.
Miku im James Miele ka në dashboardin e makinës së tij dyqind e pesëdhjetëmije milje. Nga këto, vetëm njëzetmije milje i ka bërë për veten e tij kur e bleu truckun pasi u kthye nga lufta në Afganistan. Dyqindetridhjetëmijë milje të tjera i ka bërë për të tjerët, falas.
Të tjerët janë veteranë të luftës si ai, por me një ndryshim që vetëm ai e di.
Ata, nuk kanë mundësi të ngasin makinën të shkojnë tek doktori kur kanë takime me të. Dikush ka humbur këmbën e djathtë dhe nuk e shtyp dot pedalin e frenave apo atë të gazit. Dikush tjetër ka humbur njerën dorë, dhe me njerën dorë nuk mund ta mbaje timonin e makinës. Ndonjëri nuk sheh sepse ka humbur njerin sy dhe nuk sheh tabelat e rrugëve…
Sekush prej tyre, e ka një hall që nuk e lejon të ngasë makinën. Plus hallit tjetër që më mirë se ata e di doktori.
James Miele ka dhjetë vjet që shërben për ish shokët e tij të luftës si shofer taksie pa i kërkuar kërkujt kurrfarë pagese. Thjesht se ashtu ka dashur vetë, jo se e ka detyruar kush. Unë këtë e kam dëgjuar nga goja e tij se e kam komshi në Ralston qysh se bleva shtëpinë e parë dhe u bëmë fqinj.
Kur u kthye ai nga Afganistani, unë sapo kisha mbjellë tri fidane pjeshke. Vitin e parë dhe të dytë pjeshkët nuk bënë fruta. Ama, në vitin e tretë, sa nuk i thyen degët nga pesha e kokrrave. Shumicën e pjeshkëve m’i hanin ketrat, por mbetej edhe për ne. Gjithë çfarë mbetej unë kisha dëshirë t’ia jepja James.
Ndonjëherë ia lija tek pragu i shtëpisë së tij shportën me pjeshkë. Por, kishte edhe raste që i hanim bashkë, kur e ftoja të pinim ndonje Budlight në ballkonin pas
shtëpisë.
Një pasdite, nga ato kur fryn një puhi e ëmbël prej lumit Mizuri, teksa rrekeshim duke përtypur pistachio dhe pjeshkë, James bëri një pohim të çuditshëm duke m’u drejtuar mua sikur të ishim në shesh lufte:
-Ti mund të ishe një ushtar i mirë në luftë.
-Po pse? – e pyeta unë.
-Sepse të kam vënë re që kur i ndan me mua pjeshkët e oborrit tënd.
-Oh, James, ç’është ajo fjalë, po e zmadhon. Çfarë lidhjeje kanë pjeshkët me luftën?!!! Ti e di më mirë se unë…
-Ka. Po ti nuk e kupton. Ke qenë ti ndonjëherë në luftë?
-Unë nuk kam qënë në luftë James.
-Domethënë, ti nuk je veteran?!
-Nuk jam James.
-Po ti më ke thënë se ke qënë gazetar në Shqipëri, në vendin tënd të origjinës, është kështu apo jo?
-Po, kam qënë, po çfarë lidhje ka kjo me luftën?
-Ka. Ke raportuar ti ndonjëherë nga fronti i luftës?
-Jo.
-Po, mirë atëhere, ke ti ndonjë peng të ma tregosh mua?
-Kam, por me trego ti njëherë ndonjë peng tëndin.
-Unë e kam peng kur më vdiq në duar Richard, shoku im më i dashur, kur po sulmonim pranë Kandaharit dhe unë nuk arrita t’ia shpëtoj jetën.
-Kam edhe unë një peng James! Kur u var një poet në mes të qytetit dhe unë heshta.
-Ti nuk e dhe lajmin në gazetë se u var poeti, këtë do të më thuash ti, se nuk po të kuptoj?!!
-Po, unë nuk e shkrova lajmin.
-Nuk e shkrove apo e shkrove dhe editori yt nuk ta botoi në gazetë?
-Unë nuk e shkrova. Por, edhe sikur ta kisha shkruar, editori kurrë s’do ta botonte…
-Ti vërtet nuk paske marrë pjesë në luftë!
-Ty të duket ashtu James. Por, e kam edhe unë një luftë, ndonëse nuk jam veteran.
-Për çfarë lufte flet, o zotëri?
-Unë kam heshtur dhe me heshtjen time kam luftuar vëllanë tim. Atë poetin që e varën në mes të qytetit. Ty të vdiq në duar shoku yt Richardi, në Kandahar, po ama ti ia shtype gjoksin, i dhe fryme nga fryma jote, kurse unë i kalova përanash vëllait poet dhe heshta nga frika…
-Askush nga shokët e tu nuk shkroi lajm për poetin e varur?
-Asnjëri prej tyre.
-Unë për asnjerin prej jush nuk e luaj këmbën t’ju çoj tek doktori po të keni nevojë. Por, për ty bëj një përjashtim se ma tregove vetë pengun që ke…
-Të thashë James, unë nuk jam veteran…
-E di çfarë? Mua askush nuk me detyron të përdor truckun tim dhe kohën time të çoj shokët e mi tek doktori. Unë të pyeta të më tregojë ndonjë peng tëndin, por nuk të detyrova të ma thuash pengun që ke. Ti më hape zemrën dhe ma the vetë.
-Ta thashë sepse e ndjej se vetëm ti mund ta kuptosh pengun tim, James!
-Call me any time you want to go to the doctor. I will drive for you, brother!*)
——
*) Me telefono në çfardo kohe do ti, kur do të shkosh tek doktori. Unë do ta ngas makinën për ty, vëlla!
Marre nga Muri i Fb, i Sami Milloshit