back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Universalizmi ose Nacionalizmi nga Mihal Zallari

Gazeta

Mihal Zallari (1896-1976)
Mihal Zallari (1896-1976)

Universalizmi ose Nacionalizmi

nga Mihal Zallari

Ku shkrim u botua nga Mihal Zallari, në kulmimin e Luftës Civile në Shqipëri. I lindur në Frashër të Përmetit (1894), i mbrujtur me traditat më të mira atdhetare të Frashërllinjve, ai studioi në Grac të Austrisë për shkenca sociale dhe i përket brezit të “Dojçkulturë”. Me kthimin në atdhe, në 1925, ju përkushtua mësimdhënies, duke qenë për vite me rradhë profesor i historisë dhe gjeografisë në Gjimnazin e Tiranës. Mbas vrasjes nga komunistët të Kryetarit të Asamblesë, korçarit Idhiomen Kosturi, ai u angazhua në politikë duke zënë vendin e tij… në të ashtuquajturin “Regjim Kuisling”. Pas lufte u dënua nga Gjyqi Special (mars 1945) me 30 vjet burg. Lirohet në 1962 dhe vdes në Tirane në vitin 1976.

Qysh prej shekujsh vazhdon lufta midis këtyre të dy botëkuptimeve. Kjo luftë filloi aty nga i XII shekull me Kartën e Madhe. Filloi në mënyrë të dukëshme kur populli englez vendosi të shkëputet prej influencës së kishës universale; Lufta vazhdon e ashpër edhe sot nën forma të ndryeshme. Nga ana e universalistave lufta bëhej dhe bëhet në bazën e një arsyeje shumë herë gjeniale, por gjithmonë arsye të ftohtë dhe spekulonjëse. Kurse nacionalistët i ka shtytur instikti, kishe me thanë vetë natyra.
Natyra i do individët, do shumëllojshmërinë ndër njerëz, ndër kafshët dhe bimët. Për me i dalë zot këtij qëllimi, jo vetëm i ka krijuar racat, llojet e kafshëvet dhe të bimëvet, por ju ka dhanë armët dhe mjetet ma të rafinuara për t’u mbrojtur.
Universalistat nuk pranojnë kufi nga jashtë, por aq më të ngushtë i vënë kufijtë nga mbrënda. Flasin për njerëzimin mbarë, për ide të përgjithshme, për njësi dhe vllazëri të përbotshme. Forma e universalizmit është imperializmi, qoftë fetar ose shekullar. Siç thashë imperializmi përdor si parim të domosdoshëm: Kufi të gjerë nga jashtë dhe të ngushtë nga brenda. Që të kuptohemi ma mirë, po ju jap disa shembuj. Çdo fe e organizuar, që ka tendenca universale, thotë: Më fal arsyen tënde, gjykimin tënd dhe unë të zbuloj të vërtetën absolute. Imperializmi shekullar romak ose englez etj., ka thënë ose thotë: falmë lirinë tande si individ ose si komb dhe unë do të ngreh një shteti i cili përfshinë gjithë njerëzinë dhe gjithë dheun, ku do të sundojë rregulli dhe paqa.
Komunizmi, një tjetër formë e universalizmit, thotë: Hiq dorë nga vëllau tënd i gjakut dhe unë të bëj vëlla me të gjithë njerëzit e kësaj bote. Kjo bie erë diçka si ajo puna e shejtanit, i cili i paska thënë Krishtit: Bjer në gjunjë, falmu mua dhe unë të fal gjithë pasurinë e kësaj bote. Shkurt, çdo imperializmë, në emrin e një ideje universale, kërkon dhe ka kërkuar: Hiq dorë nga personaliteti tënd dhe nga lirija personale.
Universalizmi ka patur gjithmonë një fuqi të madhe dhe tërheqëse në njerëzit e ligshtë. Mirëpo njeriu i fortë nuk e pranon. Ay gjen në kraharorin e tij, në familjen e tij, në popullin e tij një botë pa kufi, të cilin ay nuk e shkëmben me gjithë universin dhe me gjithë yjtë e panumurt të tij.

Këshilli i Regjencës 1943 (Mihal Zallari i dyti majtas)
Këshilli i Regjencës 1943 (Mihal Zallari i dyti majtas)

Nacionalisti i ka vënë vetes kufij nga jashtë, për të ruajtur personalitetin e vet dhe kërkon kufij të gjerë nga brenda, për me qenë i lirë në zhvillimin e natyrshëm të vleravet të tij të prirjevet të tij, shkurt të karakterit të tij. Kurse universalisti thotë: bëju si unë, nacionalisti përkundrazi lyp: bëju siç je, me fjalë të tjera: qëndro besnik i vetvetes.
E vërtetë që nacionalisti pranon që njeriu ashtu edhe kombi nuk mund të qëndrojnë për vehte dhe të veçuar, se bëjnë pjesë në një tërësi, në të cilën secili është mbështetje dhe mbështetet. Por njerëzia, si një tërësi, është e interesantshme dhe mund të lartësohet vetëm atëhere kur individi ose kombi ka dhe di të ruajë karakterin e tij.
Nacionalisti i jep një rëndësi të veçantë personalitetit dhe lirisë vetjake. E quan për detyrë të shenjtë të ruajë dhe zhvillojë vlerat e tij; e çmon vehten dhe kërkon që ta çmojnë dhe të tjerët; lyp që t’a ketë fatin e vet vetë në dorën e tij; nuk duron të humbasë në turmën e popujvet; nuk duron të bëjë pjesë si një numur i një shoqërie anonime; nuk do të mbshihet prapa një pseudonimi, por del para botës me gjithë personën e tij përgjegjës, si ay burri i Tepelenës i cili çdo letër e mbaronte me këto fjalë: “Unë, Aliu, shkruaj”.
Që ta presim shkurt në një mënyrë konkrete: Ne shqiptarët duam idenë tonë, virtutin tonë, të mirën ose të keqen tonë. Nuk e duam idenë e këtij, atij ose të gjithë botës. Siç thashë, nuk duam të jemi pjestarë në një shoqëri anonime. As duam të jemi dekorative brenda suazës së një imperatorije.
Por në një çast fatzi ligështije dhe të krrupës së madhe na sulmoi armiku befas dhe na mashtroi. Hodhi farë të keqe midis nesh dhe organizoi anarkinë e shëmtuar. Ne, që si popull kemi dhënë burra shteti dhe ushtarë të mëdhenj, jetojmë sot turpin, të na heqin nga hunda të huajt! Por krenaria e jonë kombëtare na ndalon të organizohemi nën priz të huaj. Vetëdija e jonë kombëtare dhe instikti vetëmbrojtës na ndalojnë ndër këto kohë fort të rrezikshme të vrasim njeri-tjetrin. Mbi të gjitha, nderi i jonë kombëtar na ndalon të gënjejmë, të intrigojmë dhe të shpifim!
Jemi vëllezër. Duhet të bëhemi shokë!
Kombi, Tiranë, 22.XII.43

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.