back to top
-0.5 C
Tirana
E enjte, 2 Janar, 2025

Universi Kulturor i Shqiptarëve – Projekti “Sokoli” – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Ramadan Sokoli, në vitet e tij studentore në Firenze, pranë Konservatorin Cherubini
Ramadan Sokoli, në vitet e tij studentore në Firenze, pranë Konservatorin Cherubini
Universi Kulturor i Shqiptarëve – Projekti “Sokoli” *
nga Artan Kafexhiu

Ramadan Sokoli, ishte dhe mbetet një figurë poliedrike e kulturës parasëgjithash shqiptare, ndërsa shihet edhe si ura lidhëse e kontributit kulturor të shqiptarëvë në sfondin ballkanik dhe europian. Ndaj duhet të mbahen hapur dyert për të rivizituar projektin e tij kulturor individual, një lloj institucioni kulturor më vehte, me një shtrirje kohore prej gjashtë dekadash të jetës profesionale të profesorit, pavarsisht se ai nuk është më mes nesh. Në kohërat që po jetojmë, nuk është habi që ndërsa të gjithë ne, po përjetojmë globalizmin kulturor, ndërkohë të ndjejmë nevojën e institucioneve kombëtare kulturore, si katalizatorë për të ndihmuar audiencën kombëtare në një interpretim të ri, që reflekton veçantinë dhe ndikimin e ndërsjelltë në kulturën lokale apo kombëtare. Gjë që nuk ngjan të jetë ndonjë çudi për të gjithë ata, të cilët vetëquhen apo konsiderohen shqiptarë, e janë të vetëdijshëm a priori për përkatësinë e tyre në këtë komunitet, ku në forma e ndikime të ndryshme mendojnë se ndajnë një fat të përbashkët.
Projekti “Sokoli”, nëse mund ta quajmë kështu, ishte një ndërmarrje individuale, por me ndikime kulturore kombëtare. Mund të shihet pa hezitim, si një vazhdim i përpjekjeve të elitave të vërteta shqiptare, me fillesat në shekullin e 19-të, për të krijuar e ngjizur një identitet të veçante, të ri. Identiteti i ri do të legjitimizonte lëvizjen kombëtare për arritjen e qëllimit final, identitetin politik të një shteti shqiptar të pavarur. Për elitat shqiptare të shekullit 19-të, shenjtërimi i këtij identiteti politik ishte një domosdoshmëri imediate. Sot, ata kujtohen si strategë të palodhur, që patën meritën e patjetërsueshme të mbjelljes brenda një kohe relativisht të shkurtë të farës të nacionalizmit shqiptar. Si komunikues efikasë, me forma të ndryshme, zgjuan ndër shqiptarë, ndjesinë historike të një mëmëdheu të prekshëm, të realizueshëm. Si propagandistë të talentuar, ata krijuan sensin historik të një kujtese kolektive më mitet dhe ritualet, aq të domosdoshme. Si rezultat i ndërmarrjes së tyre titanike, më në fund shqiptarët krijuan shtetin e tyre.
Projekti kulturor i Prof. R. Sokolit ishte një ndërmarrje e guximshme. Ai gjatë gjithë jetës së tij, dëshmoi parreshtur nëpërmjet hulumtive të shtrira në një larmi fushash etno-kulturore, se atmosfera patriotike, ndjenjat kombëtare, që elitat e dikurshme mbollën e ja ushqyen shqiptarëve, nuk ishte një shpikje për të krijuar një komb në një terren të zbrazët, një komb nga asgjëja. Profesori hulumtoi e studjoi muzikën, vallet, legjendat, zakonet, gjuhën, veshjet, arkitekturën, artin, zejtarinë, kanunin, etj, që nga prehistoria e deri në ditët tona. Në tërësinë e korpusit të veprës së tij, si një shkencëtar, folklorist, etnomuzikolog, estet, antropolog, kompozitor, pedagog, etj., Sokoli ngriti në këmbë një projekt krejt të veçantë, si kulturalist i shumëanshëm.
Magnum opusi i profesorit të nderuar, në tërësinë e kompleksitetit të tij, dëshmon se shqiptarët krijuan kombin e tyre mbi bazën e disa cilësive të përbrendëshme të një komuniteti historik e kulturor me një shtrirje gjeografike të dallueshme. Si një komunitet historik legjitimisht i konsideron të vetat tiparet themelore kulturore të trashëguara, të cilat rregullojnë marrëdhëniet, të drejtat e detyrat e çdo anëtari të këtij komuniteti. Sokoli, në çdo hulumtim e studim, dëshmon se elitat shqiptare konceptin e kombit e krijuan mbi bazën e bërthames etnike, metaforës së fisit.
Metafora e fisit është karakterizuar nga besimi në një origjinë (trung, gjak, fis, etj.), kulturë e histori të përbashkët prej nga ku ushqehet miti i gjakut të përbashkët dhe kujtesa kolektive, që përcillet tek ne prej mjegullnajës së kohës paramoderne. Me simbolikën dhe vlerat e tyre, historia dhe kultura ishin një trashëgimi krejt e mjaftueshme për t’u ngjizur si një kulturë e vetme duke ravijëzuar kufijtë e kombit për mobilizimin politik të shqiptarëve, që rezultoi së fundi në krijimin e shtetit të sotëm të tyre. Ky projekt mbështetet fund e krye në ekspeditat, zbulimet e të dhënat e vazhdueshme prej tyre; analizat, logjikën e argumentimin shkencor të fakteve etno-historike, që shërbejnë si një urëzim e rrugëtim kohor midis paraardhësve të shqiptarëve të sotëm, e kohërave moderne, konstruksionin e produktin e tyre historik, – kombin shqiptar.
E veçanta tjetër e Ramadan Sokolit në gjithë veprën e tij është se, ai nuk vë shenjën e barazisë midis identitetin etnik dhe identitetit kulturor; – nuk e thjeshtëzon identitetin kulturor në thjesht identitet etnik. Përndryshe, nuk do mund të interpretosh diversitetin kulturor, shfaqjet e shumëllojshme të kulturës shqiptare brenda të njëjtit identitet etnik. Ky është një moment kritik, një kthesë në filozofinë e kulturalistëve shqiptarë, një këndvështrim me një konkluzion shumë të rëndësishëm. Profesori i nderuar, nuk bie në grackën e “multikulturalizmit”, që do të thërmonte artificialisht metaforën e fisit, bërthamën e përbashkët etnike. Identiteti etnik është një lloj identiteti me atribute të përbashkëta socio-historike e psikologjike, por nuk është një konotacion universal, që fut në qerthullin e vet identitetet e tjera si gjininë, statusin social, përkatësinë fetare, apo dialekto-krahinore, grupmoshat, etj.
“Multikulturalistët” tentojnë të njehsojnë, të thjeshtëzojnë identitetin e kulturën në përgjithësi, brenda kallëpit etnik, ta barazojnë me identitetin etnik. Identitetit etnik i japin atribute më tepër se çfarë i takon, duke e bërë panevojshmërisht, një identitet gjithëpërfshirës, gllabërues i identiteteve të tjera të veçanta. Nën këtë këndvështrim semplist, përçudnues: si një identitet gjithëpërfshirës, – diversiteti kulturor brenda të njëjtës kulture, – nuk do të na dukej më i tillë. Dikur do të fillonim të imagjinojmë kufi ndarës, të ngremë mure e gardhe imagjinare, të bëjmë ndarje territoriale e krahinore, si shfaqje të kulturave të ndryshme. Më pas, vetvetiu do të fillonim të dyshojmë në përkatësinë e origjinën tonë të përbashkët, në etnosin shqiptar.
Projekti kulturor “Sokoli”, na ofron të shohim më thellë për të eksploruar në identitetin kulturor të shqiptarëve. Koncepti i kulturës dhe identitetit për Sokolin nuk është statik, por është pluralist dhe krijues. Hulumtimin dhe studimin e traditës e kulturës, nuk e konsideron aspak si një kthim didaktik në një të kaluar tashmë të lavdishme, të përkryer, por njëkohësisht të humbur. Tradita kulturore për profesorin, është një rezervuar, ku nxjerrja e informacionit, e më pas intepretimi i tij, shihet në vetvete si një proces e akt krijues, që eksploron të gjitha psetë, variantet e mundëshme të shfaqes e të përmbajtjes, të domethënieve të kulturës, apo veprave të trashëguara nga e kaluara.
Ramadan Sokoli, nuk e mistifikon apo e mitizon traditën dhe identitetin kulturor të shqiptarëve; zërat, imazhet, ritualet e së kaluarës të ardhura deri në ditët tona, në veprën e tij shfaqen në një dimension njerëzor. Traditën dhe identitetin kulturor shqiptar, Sokoli na e përcjell pa ndonjë pathos elitist, na e përcjell tepër tokësor, të lidhur e të ndikuar edhe nga universet e tjera kulturore.
Leitmotivi filozofik që përsëritet në çdo studim të tij, është se etnosi shqiptar, përgjat rrugëtimit të gjatë historik ishte i suksesshëm të mbijetonte, sepse nuk u fraksionalizua, nuk u copëtua në shumë kultura, por rezistoi si një kulturë e vetme, me një larmishmëri marramendëse motivesh, zërash, e imazhesh të shfaqjes së saj. Kjo u mundësua edhe për arsye të një karakteristike thelbësore të shqiptarëve, – kozmopolitanizmin. Shqiptarët nuk i paragjykojnë kulturat e tjera. Kozmopolitanizmi kulturor i tyre është shfaqur natyrshëm. Influencat e kulturave të tjera në identitetin kulturor të shqiptarëve për Sokolin, janë shprehje e një shoqerie të shëndoshë, e gatëshme dhe e aftë për të hyrë në dialog me kulturat e tjera, për të përvetsuar apo vice-versa, elementë të ndryshëm nga universi i kulturave. Ky lloj kozmopolitanizmi ka qenë e mbetet i dobishëm për shqiptarët, sepse pasuron horizontin dhe repertorin e identitetin kulturor të etnosit shqiptar.
©Artan Kafexhiu

Portret i Ramadan Sokolit, Buron Kaceli)å
Portret i Ramadan Sokolit, Buron Kaceli)å

*Shkrimi im është një risjellje, tashmë e publikuar vite më parë në shtypin shqiptar, gazeta “Shekulli”, kur profesori ishte në pleqërinë e tij të shtyre.
*Fotoja është e dajës, në vitet e tij studentore në Firenze, pranë Konservatorin Cherubini. Kur binte biseda rreth viteve në Firenze, ai më kujtonte faktin se kishte studiuar veçse 100 metra larg statujës origjinale të David-it të Michelangelo-s, të cilën e vizitonte shpesh. Kur vizitova Firencën, provova diçka nga ato momente, kur ndodhesha para statujës, që vetëm duke e patur përballë më rikrijoi të ngjashmet ndiesi, që kishte përjetuar vetë daja Ramadani: të madhështisë së paarritshme.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.