Ura e Tabakëve – (1991)
Poezi nga Jozef Radi
Krejt jeta mbetun si lumë pa ura,
tmerrsisht n’vuejtje si ura pa lumë…
O Zot, ura pa lumë, si hana pa natë!
Asgja s’gurgullon nën qemeret e saj
n’at gjysmësy me njat vetull guri,
asgja s’shofin kalimtarët e ngutun
veç kapërcejnë idenë e brigjeve
që s’duken askund.
Rrjedh veç hija e lumit nën harqe,
pezull mundimesh vrulli i tij e asgja tjetër.
Mbytën veç të mbytunit,
e kapërcejnë me shkop të verbtit
për në botën tjetër.
N’kambë të urës u ula
dhe prita lindjen e diellit njaty…
mandej eca me ditën që humbte
n’at lumë të çuditshëm
që rridhte gjithkah
e s’derdhesh askund.
1991