back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Uran Kostreci, një ikonë e qëndresës! – nga Agim Baçi

Gazeta

Uran Kostreci (1938-2021)
Uran Kostreci (1938-2021)

Uran Kostreci, një ikonë e qëndresës!

nga Agim Baçi

“Ju mendoni se keni barazi,
por ky nuk është realiteti sepse fshatarët hanë bukë e qepë,
disa të tjerë jetojnë si mbretër, se parimet gjatë luftës kanë qenë të drejta,
por janë përmbysur – ju flisni për liri, por liri nuk ka,
se ndryshe do kishte leje për grevë e demonstratë;
ndërrimi i udhëheqjes duhet bërë çdo dy vjet si në vendet borgjeze dhe duhet
 të ekzistojnë shumë parti që populli të shprehet lirisht në mendimet e tija…”

Agim Baçi
Agim Baçi

Ky tekst nuk është një mendim i thënë në vitin 1945 përpara se të zhdukej koncepti i opozitarizmit, e as në vitin 1990, kur diktatura po rrëzohej për shkak se u mund nga vetvetja. Ky është një zë i dalë nga kulmi i errësirës, në vitin 1973, kur partia dukej e pavdekshme, sikur do vijonte përjetë të ruante “fanarin ndriçues”. Nuk ishte as një deklaratë nga një i shkolluar që kish njohur shkollat politike të botës. Ishte thjesht deklarata e një poeti që, nga thellësia e zemrës, e thërriste Liria. Quhet Uran Kostreci dhe bindjen e tij e ka thënë atëherë kur nga sistemi kontrolloheshin edhe përshpërimat, edhe mendimet e fshehura.
Për këdo që nuk e ka njohur Uranin, që lindi më 29 Janar 1938, duhet të dijë se pafajësia e tij si fëmijë mori fund kur u gjend përballë të atit, Fuatit, që në vitin 1946 u akuzua si pjestar i kryengritjes së armatosur, edhe pse nuk iu gjet qoftë edhe një fishek i vetëm. Pas këti momenti duket se Urani notoi në ëndrra në një tjetër hapësirë. Në moshënën 23 vjeç, më 5 gusht 1961 ai arrestohet në Pogradec. Nuk e mohon aspak dëshirën e tij për të qenë në një vend të lirë. Më 14 Tetor 1961 gjykata ushtarake në Tiranë e dënon me 15 vjet.

Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit'hat Frashërin
Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit’hat Frashërin

Në vitin 1971, Urani dënohet me 8 vite të tjera burg, duke u futur në kalvarin e qelive vrastare të Burrelit.
Në vitin 1981 lirohet dhe kthehet në Elbasan dhe dy vjet më vonë, internohet në Kurtaj të Peqinit. Një vit pas internimit, në vitin 1984, ai dënohet me 15 muaj heqje lirie për shkak të largimit nga vendi i internimit. Në vitin 1985, ai përfundon pjesë e kampit të edukimit në Sarandë. Dhe më 16 shkurt 1986 dënohet me tre vjet heqje lirie për largim nga vendi i internimit.
Por këto data janë thjesht stacione ku jeta e tij mori disa kthesa, edhe pse ishte e njëjta udhë që iu caktua nga regjimi. Një udhë që ai nuk e bëri duke pasur kokën pas.
Teksa rilexoja edhe një here qëndrimet e Uranit përpara xhelatëve të tij, më vinte ndërmend ai përshkrim mitik kur Perseu i preu kokën Meduzës dhe që nga gjaku i saj lindi një kalë me flatra – Pegasus. Dhe Pegasus, siç shumëkush prej jush mund ta dijë, krijon burimin ku pinë vetëm muzat. Ky ishte dhe fati i mbrapshtë dhe i pabesueshëm i Uran Kostrecit, njeriut që zgjodhi të jetonte si një muzë, për të kuptuar mallkimin dhe për ta injoruar atë. Ai arriti të vrapojë si një kalë – një kalë i prapë, gati i pamundur të pranonte kalorës tjetër përveç krenarisë së tij. Ai doli nga “gjaku i pisët” i një trupi dhe mendje të sëmurë, të çartur, që ushqehej në garazhdin e madh të frikës, perversitetit dhe dhunës. Ai arrin të pohojë me zë se ka përballë përbindësha dhe e di se duhet të kapet fort pas krenarisë, të bindë veten me zë të lartë se do jetë gjithnjë duke besuar se atyre do t’u vijë fundi, dhe se Zoti do t’ia plotësojë dëshirën që ai ua tha me zë të lartë xhelatëve të tij në sy: “Do vijë koha ime dhe unë do jem duke parë vdekjen tuaj me turp!” 
Dhe Zoti e deshi atë dhe e mbajti në këtë botë, gati në mënyrë të pabesueshme për mendjen tonë njerëzore, tokësore, për ta bërë dëshmi për të gjithë ne. Ai sfidoi vuajtje, dënime, dhunime, shkulje dhëmbësh, lënie në qeli në mënyrë të vazhdueshme, fyerje. Por, ai zgjodhi, ashtu siç ka shkruar edhe një nga miqtë e tij, Neritan Sejamini, zgjodhi të hakmerrej duke jetuar. Zgjodhi të hakmerrej duke i sfiduar në krenarinë e tij, duke i dhënë lamtumirë kësaj bote në shtratin e krenarisë së tij, që mundi t’u qëndronte përballë atyre që përkundën djepin e djallit dhe shkuan nga kjo botë me gjakun e Meduzës nëpër duar, por pa mundur ta ndalojnë kalin që polli ajo monstër.
Kalërimi përms krenarisë sët tij ndaloi trokun një vit më parë, por vetëm fizikisht. Ne sot vetëm sa kemi nisur një udhëtim përmes asaj që ai e bëri në kohën kur errësira, ku pamja nga gremina, ishte muzika e pandalshme e atyre që drejtuan. Ne sot jemi përballë kujës së tij njerëzore për të shmangur mungesën e kulturës, për t’i hapur rrugën një debate të cili i jemi fshehur në gjithë këto vite, sepse nuk guxuam ta shihnim të vërtetën në sy.
Urani nuk kërkoi dekorata. Nuk doli kurrë të rrihte gjoksin për kalvarin e tij të vuajtjeve. Madje thirrjet e tij për t’iu shmangur konformimit të përditshëm që na rrezikon identitetin tonë, vijuan edhe pas ndërrimit të sistemit, teksa ai shihte se si e shkuara vijonte të rrethonte përditshmërinë tonë, se si ka kërkuar në gjithë këto vite të mbetemi peng i traumës.
Vetë Urani e zgjodhi jetën e tij – zgjodhi të kishte kalorës krenarinë e tij. Ai nuk e hidhëroi jetën e tij me hakmarrje. Na këshilloi të mos lahemi në lumin e urrejtjes, dhe na ftoi në një dashuri të përditshme, për të mundur të mbetemi Njerëz.
29 janar 2022

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.