back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Urdhri i Kalorësve të Tempullit të Shenjtë dhe nevoja e një qasjeje të tillë në Shqipërinë e sotme – nga Ervina Toptani

Gazeta

Urdhëri i Tempullarëve
Urdhëri i Tempullarëve

Urdhri i Kalorësve të Tempullit të Shenjtë

(Urdhri i Templarëve në kohën e Mesjetës së Hershme)

dhe nevoja e një qasjeje të tillë në Shqipërinë e sotme.

nga Ervina Toptani

Historik i shkurtër i lindjës së Urdhrit të Tempullarëve, jo pa qëllim për ata që dinë të ndjekin ndërmjet rreshtave arsyetimin e shprehur.
Viti 1096 – Kryqëzata e parë nën thirrjen e Papës Urbani II për të çliruar Varrin e Shenjtë nga myslimanët të cilët e kishin pushtuar atë në shekullin e 7 (pushtimi mysliman) me krijimin e Perandorisë arabe. (po i përmend shkurtimisht si ngjarje historike për të mos humbur thelbin e arsyetimit. Kjo që është thënë më sipër i referohet vetëm ngjarjeve historike të ndodhura në kohën specifike të cilën e kam sipërcituar. Ky shkrim nuk ka asnjë lidhje me besimin fetar apo doktrinat e ndryshme fetare. Unë besoj në Zot dhe kjo është një vërtetësi e padiskutueshme për personin tim, pra nuk dëshiroj të keqkuptohem në lidhje me asnjë fe, nuk është qëllimi i këtij shkrimi).
Themelimi i Urdhrit të Tempullarëve bëhet nga Grand Maestro i parë Hugues de Payns. Ky i fundit në takimin me mbretin Balduin II, paraqet idenë e krijimit të një urdhri të posaçëm templarësh të cilët do të ishin përgjegjës për mbrojtjen e pelegrinëve gjatë udhëtimit për në Varrin e Shenjtë dhe më pas ruajtjen e këtij të fundit nga keqbërës të ndryshëm sikurse dhe mbrojtjen e qytetit të Jeruzalemit. Kështu lind Urdhri i Tempullarëve. Ata ishin kryesisht kalorës të fisnikërisë nga vende të ndryshme europiane. Fillimisht ishin 9 të tillë e më pas, në një periudhë të shkurtër kohore shndërrohen në mijëra. Ajo që vlen për t’u theksuar në lindjen dhe zhvillimin e këtij urdhri apo e quajtuar ndryshe një lloj garde ushtarake me mision specifik, është përbërësi bazë i frymëzimit të tyre: besimi. Për ata ishte besimi në Zot. Ata bënë betimin solemn që do të mbeteshin beqarë deri në fund dhe do t’i shërbenin me vendosmëri besimit të tyre duke mos pasur mbarëvajtje apo shqetësim tjetër kryesor përveç devocionit të tyre ndaj fesë dhe luftës së shenjtë, në emër të së cilës themeluan këtë udhër. Tempullarët luteshin 7 herë në ditë dhe gjithë pjesa tjetër e kohës ishte stërvitje ushtarake. Duke qenë një urdhër i mirfilltë ushtarak, ata ishin arma revolucionare e Kishës, vokacioni i të cilëve ishte i shenjtë. Mund të quhen forca ushtarake speciale në shërbim të Zotit. Kushdo që ka lexuar apo dëgjuar për këtë lloj urdhri të veçantë, padyshim e di që tempullarët nuk tërhiqeshin kurrë nga beteja, vetëm nëse thirreshin për të bërë diçka të tillë (kjo ndodhte kur në luftime raporti ishte 3 me 1).
Padyshim që historia dhe zhvillimi i tyre është interesant si fakt historik për t’u njohur, sikurse dhe njohja me mënyrën e tyre të jetesës, luftërat e tyre, ekspansioni që i dha atyre pushtet deri tek momenti i zhbërjes dhe shkatërrimit të tyre, pjesë e cila nuk është e rëndësishme në këtë kontekst mendimi që unë dua të paraqes.
.
Grand Maestro  i Tempullareve - Jacques de Molay
Grand Maestro i Tempullareve – Jacques de Molay
Ajo që më ngacmoi kuriozitetin për paralelen që dua të heq ndërmjet historisë se si dhe pse u krijuan tempullarët dhe kohës së sotme në të cilën jetojmë (i referohem gjithnjë Shqipërisë së sotme dhe emergjencave që parashtron koha sot tek ne) është pikërisht realiteti me të cilin përballemi prej 30 vitesh. Një lloj realiteti që të imponon të shohësh përtej perdes së asaj që na serviret. Krijimi i urdhrave apo shoqërive të caktuara brenda kuadrit të përgjithshëm të kohës kur jetohet është emergjence në pararojë ose emergjencë e situatave koherente që shoqëria sot jeton. Përse mendoj që një lloj disipline e tillë e një grupimi të caktuar shoqëror si ajo e tempullarëve (nuk dua të abuzoj me përdorimin e këtij termi, sepse nuk gjen hapësirë në ditët e sotme) është e nevojshme për shoqërinë shqiptare sot?
Zakonisht, koha dhe historia kanë treguar se grupime të tilla ne ndjekje të disiplinave dhe formacioneve të suksesshme i kanë sjelle elitat. Tek ne elitat janë sulmuar rëndshëm, sidomos gjatë 80 viteve të fundit, e cila më bën të kuptoj edhe më qartë arsyen përse ka ndodhur kjo. Partitë politike dhe qeveritë që na kanë udhëhequr përgjat 30 viteve të fundit (nuk po marr në konsiderate tragjedinë enveriste, sepse unë as komunizëm nuk ia vë emrin, por thjesht masakër e bërë nga mendje të sëmura që i kamuflonin gjakderdhjet në popull me ideologji politike) nuk kanë pasur ndonjëherë mbështetjen në shtyllat kryesore të besimit fetar e as atij laik, as te mendimit rilindas apo ideve të tjera vetëm shqiptare. Paralelja që dua të heq këtu ndërmjet Urdhrit të hershëm të Tempullarëve dhe shoqërisë sot është se këta të fundit udhëhiqeshin nga besimi në Zot dhe luftës së shenjtë për mbrojtjen e varrit dhe qytetit të shenjtë. Ne sot, shoqëria shqiptare e posaçërisht grupimi i veçantë i asaj që përbën elitën tradicionale historike udhëhiqet nga dinjiteti, trashëgimia e gjakut dhe nga dashuria për atdheun. Besoj se janë 3 arsye të mirfillta për të cilat ia vlen çdo lloj lufte e çdo lloj përpjekjeje për të dhënë atë që ende sot nuk e kemi kuptuar e si rrjedhojë as e kemi arritur si shoqëri. Cila parti politike ka sjellë realisht mbi baza të qënësishme e shtylla të mirëngritura besimi, zhvillimin e kombit e shtetit siç duhet të kishte ndodhur të paktën në këto 30 vite, në emër vetëm të Shqipërisë dhe në shërbim të saj? Përse i frikësohen ata personave që kanë në emër e mbiemër të shkruar emblemën nacionaliste të elitave që e bënë Shqipërinë shtet?
Një mundësi e mirë që do t’i jepte shoqërisë shqiptare shansin për t’u purifikuar dhe për të ndjekur drejtimin e duhur për të ardhmen është vënia në piedestalin e duhur të vlerave dhe virtyteve më të larta njerëzore. Këtë gjë e bëjnë dot vetëm elitat, të cilat shpesh sulmohen dhe nuk u lihet aspak hapësirë për ta legjitimuar diçka të tillë. Në Shqipëri elita historike është sulmuar dhe shkatërruar se tepërmi nga kuçedra e kuqe në pushtet përgjat 50 viteve. Po ashtu është vepruar edhe përgjat 30 viteve të tranzicionit post-komunist (unë nuk e quaj demokraci dhe kam arsyet e mia personale ta mendoj kështu). Kushdo që erdhi në pushtet këto 30 vite nuk denjoi të afrojë si pjesë përbërëse e politikës asnjë përfaqësues apo pasardhës të elitës historike shtetformuese shqiptare, përkundrazi, i kanë luftuar haptazi ata (jam dëshmitare e kësaj që them). Dhe kjo është bërë me një qëllim të qartë e shumë konkret. Pushteti dhe shoqëria shqiptare duhet të mbeteshin gjithsesi në duart e atyre që i kishin udhëhequr për 8 dekada. Pra, në thelb nuk ka ndryshuar asgjë. E ashtuquajtura “luftë e klasave” së cilës iu nënshtrua një popull i tërë, vazhdon ekzistencës e saj me metoda paksa të ndryshuara sipas trendit të kohës sot. Thelbi është ai që nuk ndryshon asnjëherë.
Grand Maestro i fundit (i 23-ti në rradhë) i Urdhërit të Tempullareve ishte Jacque de Molay, i cili pasi u tortua se bashku me anëtarët e tjerë të Urdhërit të Tempullarëve, u dogj në turrën e druve i akuzuar për herezi nga mbreti Filipi IV i Francës. (ky i fundit gjeti mënyrën e duhur për të larë borxhet e marra nga templarët në kohe).
300 vjet pas vdekjes së tij dhe pas shkatërrimit të këtij urdhëri të luftëtarësh të shenjtë në emër të besimit në Zot, stër-stërnipi i Jacque de Molay, William Sinclair (Jacque de Molay ishte i martuar me një vajze nga familja skoceze Sinclair) themelon kishën Roslin në Edinburg, Skoci (ku është luajtuar dhe filmi i famshëm sipas librit të Dan Brown “Kodi i Da Vinçit”). Historia e Tempullarëve vazhdon ende sot në forma të tjera, por kjo nuk është e rëndësishme për ta shtruar në këtë shkrim.
Përse pasardhësit e elitave historike shtetformuese shqiptare shihen ende sot me mosbesim dhe frikë nga kushdo që ka hipur në karrigen e pushtetin në Shqipëri? Çfarë i bën ata kaq të rrezikshëm sa edhe pas 50 vitesh tmerri të përjetuar + 30 të tjera mospërfillje e lodhjeje të pafundme të shihen ende si të padëshirueshëm? Cili është qëllimi kryesor i lënies së tyre në harresë dhe përse?
Kam arsye të mendoj se e ardhmja e ndërtuar për së mbari dhe e bazuar në shtyllat tradicionale të demokracisë së shëndoshë vjen nga organizimi i elitave dhe përkrahja e filozofisë së tyre në ngritjen e një kombi e një shteti të fortë. Të mos harrojmë se elitat formohen prej thirrjes së paevitueshme që koha sjell. Ato bien, ringrihen por në thelb nuk vdesin kurrë. Ora ka ardhur, mjafton vetëm dëshira dhe gjetja e mënyrës së duhur të organizimit.
.
Marre nga Muri i Fb i Ervina Toptani, 24 maj 2022
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.