back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Urim Gjata: Dhëmb për dhëmb me vdekjen!

Gazeta

Urim Gjata
Urim Gjata

Urim Gjata: Dhëmb për dhëmb me vdekjen!

Nji rrëfimi i tmerrshëm nga skëterra e burgjeve shqiptare…

Një zhurmë e tmerrshme sirene çau Bjeshkët e Nemuna atë natë të ftohtë Nëndori 1989. Diçka kish ndodhur. Krismat e armëve filluan të shtoheshin. Ato vinin nga drejtimi i kampit famekeq të Qafë-Barit. Autoparlanti jepte alarmin pa ndërprerje. Alarm, alarm. Dikush u arratis nga burgu. Po kush? Ai, armiku i partisë. Ai, Kosovari! Ai qeni kosovar, ai… ai… ai…
Koha e keqe dhe dëbora kishte ditë që nuk kishte të ndalur. Ulërimat e ujqërve të uritur nga bjeshkët pranë burgut dukej sikur ndillnin diçka ogurzezë mbi shërbimin dhe sigurimin e brendëshem dhe të jashtëm të të atij kampi famëkeq. Ndoshta nga më famëkeqët e më ogurzinjtë në Europë. Të dënuarit politikë të Qafë-Barit, kishin filluar të lëviznin dhe të shprehnin hapur urrejtjen ndaj sistemit dhe drejtuesve të burgut, të cilët asgjë nuk i dallonte nga xhelatët. Ata ishin mëkëmbësit e diktaturës, ndaj këtyre njerëzve tashmë të kthyer në kufoma. Kishte ditë që kampi nuk po ndjente më at sigurinë e tij të zakonshme. Kryekriminelin e njëkohsisht edhe komandant i kampit: Ludovik Cali së bashku me sejmenët e tij, kishte ditë që nuk po i zinte gjumi… Si dhelpër e vjetër ai diçka ndiente, diçka që nuk e linte të flinte më i qetë, në ato netë të ftohta nëndori aty mes thellësive të maleve të thepisura të Mirditës. Diçka po i shfaqej në fantazinë e tij të çmendur, fantazi që mbillte ngado vetëm kob e gjak. Gjak nga ai i pakti që ju kish mbetur në trup atyre heronjve të kthyer në kufoma të gjalla. Torturat, puna e detyruar në galeritë e piritit vdekjeprurës, ushqimi i pakët, rrobat e trupit copë-copë nuk i kish thyer këta njerëz tashmë viktima të sistemit diktatorial. Sistem që ata e luftonin edhe në ato kushte që ta largonin nga trupi i tyre dhe i Shqipërisë. Çdo natë trupa e policisë dhe e ushtarëve me komandant oficerin e ri Avdullain (Dulla), çohej në alarme të pajustifikuara, shefi i sigurimit të burgut, një oficer me mbiemrin Shkodra, vraponte lart e poshtë në pjerrsinë e malit për të kontrolluar shërbimin e jashtëm të burgut. Diçka nuk po u shkonte mirë, diçka po ndodhte apo do t’u ndodhte… ulkonja e ndjente erën e gjakut.

Burgu i Qafë-barit
Burgu i Qafë-barit

Spiunët brenda burgut e kishin bërë punën e tyre. Dëbora kishte arritur të zinte një shtresë jo të vogël. Ngrica dhe i ftohti i madh e bënin më të vështirë punën dhe kontrollin në pikën e daljes dhe të kontrollit të automjeteve të ngarkuara me pirit nga kampi, vend i njohur nga të gjithë si vendi i djallit dhe i kriminelëve. Vendi që me gjakun dhe jetën e atyre fatkeqëve të dënuar për bindjet e tyre, ju nënshtroheshin çdo ditë e më shumë torturave dhe shfrytëzimit më të rëndë e çnjerezor. Kontrollet lakuriq para dhe mbas pune, të pangrënë, me trupat kockë e lëkurë, ashtu të rreckosur rrinin me orë të tëra në dëborë aq sa shumë prej të dënuarve ju binte të fikët në rresht, në pritje të radhës së kontrollit, apo për të ngrenë atë supë me ujë e pak oriz mbas një turni rraskapitës për të arritur me çdo kusht at normë të caktuar nga komanda, e në veçanti nga Komandanti i këtij burgu (Ludovik Cali), normë e cila për çudi rritej çdo ditë pafund… Kriminelët e veshur me uniformë ushtarake nuk po arrinin të ngopeshin akoma me gjakun e këtyre njerzve fatkeqë. Kudo në kamp, në birucat e tmerrshme apo galeritë e thella dëgjoje klithma dhe njerëz të përgjakur në fytyra. Shihje gjak dhe ushtarakë xhelatë të Qafë-Barit që ulërinin të pangopur me jetët e këtyre njerëzve,  me preteksin e të vetmit faj, pse ata s’kishin arritur të plotësonin normën ditore, norme që edhe një puntor i fuqishëm miniere, i padënuar e kishte të paarritshme… Por s’ishte kjo arsyeja e vërtetë. Urdhëri “nga lart” ishte i qarte. Dhe kockat do t’jua bluajmë armiqve të partisë, ata nuk duhet të dalin në asnjë mënyrë të gjallë nga kjo skëterrë… ata na duhen këtu dhe vetëm këtu… Brenda të gjallë a të vdekur…
Edmond Caja ky kryexhelat dhe gjakpires, ish komandant i burgut të Qafë-Barit (tani Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), tmerri i të dënuarve, për masakrat çnjerëzore dhe eksperimentet e realizuara në trupin e të dënuarve, po ndiqej në çdo hap nga drejtuesi i ri me emrin Ludovik Cali, i cili thuhej se jo që s’i kish lënë gjë mangut shefit të tij, por kishte filluar t’ia kalonte në çdo gjë. Megjithatë revoltën e brendëshme të të dënuarve të ndërgjegjes nuk mund ta shuante dot më! Spiunët e tij ordinerë brenda burgut e kishin bërë punën e tyre. Ndaj ai tmerrohej kur mendonte se ç’ndjenin për atë kriminel këta njerëz kockë e lëkurë, por me shpirt të pastër, atdhetarë dhe me një moral të lartë, që ai nuk po arrinte t’i mposhtëte dot…
Alarmet, frika dhe shiu i përzier me dëborë dhe ngricë, kish filluar të bëhej pjesë e jetës së gjithë atyre që me hir a me pahir ruanin këtë kamp famëkeq. Por frika ishte akoma më e madhe e më e tmerrshme se sa ngrica dhe të ftohtit e papërballueshem. Prozhektorë të ndezur gjithëandej, armë të shkrehura me urdhër dhe zëra: “Ndal!! Kush kalon??” kishin filluar të bëheshin çdo çast pjesë e jetës së këtyre njerëzve robotë, hajdutë e kriminelë të veshur me uniforme ushtarake…

Rojet e Kufirit
Rojet e Kufirit

Atë ditë binte shumë bore dhe i ftohti kish arritur shumë gradë nën zero. Mbrëmja kish rënë me kohë. Rojet e përgjumur, shumica bashibozukë ordinerë e pijanecë (paçka se ishin të besuarit e partise) donin t’i shtynin orët e shërbimit, të mbështjellë me kapotat e trasha. Ata prisnin minutë mbas minute të largoheshin nga shërbimi, dhe të tjerë ta merrnin atë…
Papritmas, te altoparlantët u shfaq një zë i çjerrë që theu qetësinë dhe ftohtësinë e akullt të asaj nate. “Alaaaarm… Alaaaarm…!” Dhe krismat e armëve gjithandej filluan të oshëtijnë me breshëri. “Alaaaarm… Alaaaarm…!” Ulërine zëri i çjerrë i komandantit fantazmë që sa vinte e po ngatërronte fjalët… Ajo që pritej dhe i frikësoheshin ndodhi… Dikush kishte guxuar të arratisej. Por si, qysh, tek s’dihej. Ai vend ishte nga më të sigurtit. Bashibozukët ruanin dhe kontrollonin qen e mace që i afrohej kampit, e jo më të burgosurit e ndërgjegjes. Në atë katrahurë të krijuar, dhe tmerr krismash e breshërish askush s’po e merrte vesh çfarë po ndodhte, veçse shihej që reparti ushtarak dhe policor si një kope pa çoban po mundohej ta vinte gjëndjen nën kontroll, por gjithçka kishte mbaruar… Ajo që ata i frikeshin tani kish ndodhur… dikush në emër të jetës kish marrë arratinë…
Alarmi nuk përfshiu veç kampin e Qafë-Barit mbasi u lajmërua që nga Tirana, Fushë-Arresi dhe Puka qenë nisur me shpejtesi forca të shumta policore drejt kampit famëkeq. Ishin me qindra forcat speciale kundër një të riu të vetëm me origjnë nga Kosova, i dënuar për lirinë e ndërgjegjes: Beqir Gostivari!
Ky bir i Kosovës martire, inxhinier mekanik i arratisur së bashku me familjen drejt vendit mëmë, për t’i shpëtuar dhunës Serbe, kish rënë në duart e Sigurimit të Shtetit, me preteksin e sajuar dhe bajat të “agjitacion propagandës kundër shtetit shqiptar…” Dhe nga kush, nga ai dhe familja e tij që kishin lënë kockat në përpjekjet dhe luftën kundër Serbëve e për kombin shqiptar. Por ai s’e dinte se Sigurimi i Shtetit dhe regjimi diktatorial në Shqipëri, kishin lidhje të ngushta me klikën dhe agjenturën serbe në dëm të Kosovës dhe të gjithë kombit. Ai nuk e dinte se kish ardhur në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit serb, dhe këtu e kishin pritur (vëllezërit) dhe bashkpuntorët e atyre, edhe më të këqinj së vetë serbët.
Beqiri qe betuar se gjalle a vdekur do dilte nga ajo skëterrë dhe nga ai regjim vrastar edhe për shqiptarët e Kosovës. “Gjallë a vdekur do të kthehem mes shokëve dhe miqve të mi… Do të  shkoj të luftoj në Kosovën time, dhe do t’ju tregoj të vërtetën: atë çka po na bajnë këtu, ku ne kishim shpresue dhe ëndërrue…”

Martirët e Qafë-barit 1983
Martirët e Qafë-barit 1983

I ndihmuar nga shokët, ai qe futur në fundin e karrocerisë së makinës dhe i mbuluar me mineralin e piritit arriti t’u shpëtojë kontrollit të gardianëve dhe shkopit të hekurt që kontrollonte mineralin në makina… Ashtu i lodhur, e i rraskapitur, pa bukë dhe gjithë lecka ai zbriti nga makina dhe mori rrugën maleve. Atje ku ai me imagjinatë mendonte se ish drejtimi i zemrës së tij të përvëlur, loçkës së zemrës së tij: Kosova. Ai po ikte maleve duke lënë mbrapa gjysmën tjetër të zemrës, fëmijët dhe gruan, të cilët vetëm atë kishin në këtë vend. Dikur i kish sjellë maleve me një shpresë më të mirë, por qe gabuar, sepse këtu e pritën shumë shpejt hekurat e burgut, torturat, interrnimi dhe në fund aktakuza, dënimi dhe burgu famëkeq. Edhe tani maleve po ikte, i rraskapitur pa bukë, pa rroba, pa gjumë, pa familjen…
Ndërsa ecte po e ndjente se forcat po e linin pak nga pak. U ndal të pushonte pak, por ndjeu se dikush po e ndiqte këmba këmbës. Qentë e burgut dhe shefat e tyre po i afroheshin, dhe ai nuk kish fuqi as të vraponte as të fshihej diku. Kudo ushtarë, bashibozukë, qenë dhe krisma tmerruese armësh. I vetmi shteg ishte lumi gjysëm i ngrirë… Ashtu gjysëm i zhveshur siç ishte u fut në lumë te këmba e një ure, u zhyt në të për të mos e parë ata që vraponin mbas një njeriu gjysëm të vdekur për ta vrarë dhe për të marrë ndonjë dekoratë. “…për trimëri dhe perkushtim ndaj atdheut, ne luftë me armiqtë e jashtëm e të brendshëm…”.
Lodhja, i ftohti i acartë nuk e lanë të vazhdonte gjatë… ashtu i lodhur dhe i ngrirë me sytë gjysëm të mbyllur u këput jo shumë larg në dëborë pranë një shtëpie të braktisur, gjysëm i vdekur në pritje të atyre bishave të tërbuara që e ndiqnin këmba këmbës.
-E zumë komandant… e zuuuuumë… ulërinte zëri i çjerrë i shefit të sigurimit të burgut… E zumëëëëë…. Ashtu gjysëm i vdekur mbi dëborë, Beqir Gostivarin, e tërhoqën zvarrë, pa pyetur në ishte njeri a kafshë, krismat e armëve lajmëronin gjithandej fitoren. Nuk lajmëruan as mjek për ta shpëtuar dhe as rroba për ta veshur, po menjëherë në mes të pyllit filluan torturat me çnjerzore ku vetë xhelati Ludovik Cali, me sy të zgurdulluar e kërcënonte me çizmet e meshinit mbi trupin gjysmë të vdekur… Gjaku pak nga pak nisi të skuqte dëborën e  bjeshkëve. Hakmarrja dhe urrejtja nuk patën të ndalur… Sejmenët e servilet me uniforma ushtarake filluan ta qëllonin kush mundte më shumë…
Gjaku, goditjet vdekjeprurëse, sharjet, britmat dhe jargët e ndyra ju rridhnin nga goja fitimtarëve. Ishin vërtet pamje të një skene makabre. Ashtu gjysëm të vdekur e tërhoqën zvarrë maleve, e hodhën mbi karrocerinë e një kamioni, dhe ia filluan gjyqin.

Vrasje në Kufi - 1990
Vrasje në Kufi – 1990

Gjyqin e vdekjes, gjyqi i pashpirt i kriminelëve, gjyqin që vetëm ata bisha me fytyra njeriu mund ta bënin… Ishin po ata që kishin vrarë në burg Ndue Pishën dhe Sokol Sokolin…
Jashtë në borë me qindra të dënuar me orë të tëra mes të ftohtit dhe dëborës, të çveshur e pa bukë, u bënë dëshmimtarë të dhunës dhe të krimit të pa shpirt ndaj shokut dhe mikut të tyre të idealit antikomunist. Orë të tëra mes britmave dhe sharjeve, tmerrit dhe frikës, frikës prej atij sistemi gjakatar që si bisha shqyente bijtë e shqipes. Frikë nga ata xhelatë e bashibozukë të burgjeve që me shufra hekuri në duar ishin gati të bënin gjithçka mbi trupat e rraskapitur e të pambrojtur të vëllezërve të tyre antikomunistë, në atë vend të mallkuar. Frikë prej atij krimineli me emrin Ludovik që thyente kockat e tyre vetëm për një fjalë goje!!
Të dënuarit e kishin parë se si mes sheshit ju shkulën me pinca mustaqet Anastasit nga Pogradeci, vetëm pse guxoj dhe foli kundër diktatorit. Kishin provuar krahët dhe brinjët e thyera nga goditjet me dru të Pashkut të Zi në Qafë-bari, kishin provuar birucat akullta, shumë gradë nën zero vetëm me të brendëshmet e trupit pa batanije… kishin provuar atë që vetëm një zot e dinte… torturat më çnjerëzore të shtetit të tyre nga bashkëkombasit e tyre…
Ishin po ata që interrnuan dhe fëmijët në barkun e nënës… ata që s’lanë familje nacionaliste pa dhunuar e shkatërruar… ata që edhe sot mburren me bëmat e tyre mbi trupat e pajetë të viktimave të pafajshme… ata që luftuan dhe vranë vetëm vëllezërit e tyre  dhe askënd tjetër… ata që sot militojne  e mburren me Partinë Demokratike dhe atë Socialiste… ata që sot japin leksione demokracie… ata që sot mbushin zyrat qeveritare e tribunat politike si dëshmi karshillëku, jo vetëm ndaj ish të dënuarve të ndërgjegjes, por ndaj gjithë Shqiptarëve. Ata sot mburren, pse duart e tyre ende pikojnë gjak, gjak i pafajshëm shqiptari. Po a mundet dhe zoti t’i falë krimet e tyre? Krimet e tyre, as zoti s’i fal dot. Krimet e tyre, janë aq shumë sa nuk ka det që i mbulon. Bujar Kaloshi qe vetëm fillimi i tyre. Era e gjakut dhe e krimit i ndjek ata ditë e natë kudo… kudo që ata shkojnë si hiena nate…

Demokracia...!?!?
Demokracia…!?!?

Demokracia shqiptare dështoi, dështoi që ditën e parë pse asaj ju bashkangjitën ish xhelatët, hajdutët, ish bashkëpuntorët, njerzit e hurit e litarit.
Demokracia Shqiptare dështoi në këto 23 vite. Të gjithë u tallën me të, të gjithë e keqpërdorën. Kjo, për fat të keq është e vërteta!!
Marrë nga http://www.albaniadiaspora.com

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Do të më pëlqente ta lexonin një për një ata që digjen akoma për Edvin Ramën dhe gjithashtu do të më pëlqente ta lexonte spiuni dhe b…luajturi Spartak Ngjela, që në çdo tv shanë demokracinë se akoma pret ta thërresë Rama e t’i japë ndonjë kockë që ja zënte në fyt këtij spiuni…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.