back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Urim miqsor për gjithë miqtë e mi për 2011! Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2007
Jozef Radi 2007

Urim miqsor për gjithë miqtë e mi për 2011!

Jozef Radi, me 31 dhjetor 2010

Sonte në mesnatë mbyllim nji kapitull… dhe hapim nji tjetër nga e para…
Pra, të gjithë kemi do çaste me mendue n’heshtje (secili për hesap t’vet), se e kapërcyem edhe nji “hendek” në rrugën drejt detit të madh…
E randomta e gjithë ditëve t’nji viti sot asht e koncentrueme, pothuej sublime, dhe në fund të ksaj mbasditje gri funddhjetori… gjithçka pihet shijshëm…
Sot të gjithë mendojnë me hangër mirë, me pi mirë, me qeshë e me harrue, kur ma e mira simbas meje do të ishte me ba të kundërtën: t’i hynim sa ma të lehtë, e sa ma t’uritun vitit që vjen, e me e njoftë disi ma mirë vedin…
Sot, me nji ndjenjë të pacaktueme qartë, jetoj n’kapërcyell të kalimit të vjetit, prej atij të vjetrit te i riu i rradhës… Jam i sigurt, se nuk janë të pakët në kët botë ata që do t’kishin dëshirue të kundërtën e kësaj rrjedhe… sikur me u kthye te nji vit ma i vjetër… për me u ndje pak ma të ri… Po nejse, këto janë marrina që vlen t’mendohen e t’andrrohen… në ksi mbasditesh, e n’veçanti ndokujt si puna ime, që i del kohë me u marrë me to…
Sot në mbramje vonë, kur akrepat e orës t’përputhen si në ekstazë dashnie te dymdhjeta, të gjithë kem me pasë nji gotë të mbushun ndër duer, nji urim pothuej të njillojtë ndër buzë, e ndoshta nji mendim të rafinuem në mendje… Mirë do të ishte që gota, fjala dhe mendimi të përputhen, po edhe n’mos u përputhshin gota ka me iu dhanë etshëm buzës, buza ka me ia derdhë hovshëm barkut dhe barku ka me ia shndritë mendjen çdonjenit prej nesh me mendue se kjo jetë sado e vështirë…  vlen të jetohet… Kjo jetë edhe nëse s’ka ngjyrat që ne dëshirojmë, asht jeta jonë, asht fati jonë, asht andrra jonë e ndertueme… edhe pse mund të quhet e pambrritun…
Sot asht festë, të paktën kështu na e kanë shkrue të tjerë për ne, e na kështu po jua përcjellim tjerëve mbas nesh… Bukur do t’ishte që n’ksi festash gjithkush  të gjente nji motiv bindës me e tallë pak vedin, sepse veç kështu kuptimi i festës asht i plotë, se veç kështu e nesërmja që nis pikërisht prej k’saj nate, merr ngjyrat e saj ma të vërteta për gjithë ciklin e rrotullimit…
Le të tallemi nji çast me vedin! Le t’ia urojmë vedit edhe atë çka s’e besojmë…
Ky asht edhe urimi im për krejt Ju miqtë e mi: të largët e të afërt, të mbarë e të mbrapshtë, në krejt hapsinat e kësaj bote ku tash shetit e trembun… po edhe krenare… gjuha shqipe…
miqsisht Jozef Radi  
31 dhjetor 2010

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.