back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtesa e luleve… – nga Matilda Mirakaj

Gazeta

Lule Delphium
Lule Delphium
Krimi më i madh i diktaturës komuniste
nuk ka qenë ai ndaj kundërshtarëve të saj të bindur
por ndaj fëmijëve të pafajshëm të këtyre njerzve të indeksuar.
Ndaj tyre shteti shqiptar as sot nuk ndjen
asnjë dhimbje, asnjë përgjegjsi morale
dhë asnjë veprim sado simbolik në rehabilitimin e tyre…
Në mos qoftë zëdhënëse e diktaturës kjo kohë
çfarë emri më të ndryshëm mund të ketë…?!
E falenderoj miken time të vjetër, Matildën,
për kët rrëfim kaq njerëzor dhe kaq të vërtetë
dhe për at paralelizmin aq delikat mes së keqë absolute
dhe dashurisë së saj për lulet…
jozef radi, 15 qershor 2018
.
Matilda Mirakaj - 2018
Matilda Mirakaj – 2018

Kujtesa e luleve…

nga Matilda Mirakaj

Dielli që futej vrullshëm nga dera e xhamit të ballkonit më bie në fytyrë… Dua të fle edhe pak, ngrohtësia e krevatit, asgjëja e momentit, m’i mbajnë sytë e mbyllur, pse nuk e duroj dot dritën. Hap sytë. Jashtë në ballkon një delpinium i gjatë, me ngjyra vibrante blu më përballet. I dua shumë lulet. I mbjell fara të vogla. Disa nuk mbijnë, e disa tjera në kushte jo të përshtashme thahen. Po sa kënaqsi për ato që rezistojnë e kthehen në aroma e ngjyra fantastike. Zogj të vegjël më ngjyrat e luleve shkojne çdo ditë e çukasin në farat e tyre. Bletë puntore me ato këmbët e vogla e shpërndajnë polenin lule më lule. Flutura gjithngjyrshe, me flatra të bukura e delikate vallzojnë të dehura me nektar nga një lule në tjetrën.
Sa bukur ka krijuar Zoti natyrën!
Mbas xhamit, shikoj delfiniumin tim, ose “lulen e gojujku” e quanim në shqip me duket, dhe buzqeshja më thahet në buze. Me kujton një episod të dhimbshem të fëmijrisë. Është e çuditshme se si diçka e vogël, një lule, një këngë, një aromë të kthejnë mbas në kohra që ti mendon se janë harruar, fshirë e shlyer nga kujtesa…
 
Ishte viti 1980. Pranverë! Babin e kishin arrestuar atë dimër. Unë isha 14, motra tre vjet më e vogël e vëllai vetëm 5 vjeç. Ngjitur në barakën ku jetonim, ndërtuar me kallamat dhe baltën e kënetës, ishin gjyshja me familjen e axhës, dy djem të vegjel më i vogli as një vjeç. Axhën e kishin arrestuar 6 muaj më parë. I vunë prangat një ditë të ngrohtë korriku.
10 Korrik më qënë plotësisht e saktë. Ishte Dita e Ushtrisë. Gjyshi im, babai i nënës, gjeneral komunist, i kishte rënë më top Asamblesë Kushtetuese. Dhe nga ajo ditë, në nderim të aktit heroik të gjyshit tim, idealist që kishte shkuar deri ne Spanje të luftonte për proletariatin, 10 Korriku, ishte festë kombëtare. Për ne u gdhend thjesht si dita e arrestimit të axhës. Ishte hera e parë që shikonim një arrestim si fëmijë edhe pse kishim lindur në interrnime, ose të paktën i pari ku morëm pjesë nga afër si protagonistë. Ishim duke luajtur në oborrin me pluhur kur grupi me operativin dhe kryetaren e këshillit që na shiste bukë e qumësht, na bllokuan derën që mezi mbahej. Për një fëmije krijohet një sensacion mbyllje hapsire. Qielli befas i afrohet tokës, dhe hapsira rreth tij bëhet aq e vogël dhe njerëzit që mbushin atë hapsirë papritmas marrin përmasa gjigande dhe kanë një aura të errët që i rrethon. Mbase truri i fëmijës, ka një intuite vizuale, të pallogjikshme, por të ngulitur nga subkoshienca e cila krijon përmasat e situatës. Gjyshja qe bërë grusht. Unë marr biçikletën e kuqe kineze dhe vrapoj t’i lajmëroj babin që punon diku, duke vaditur tokat e përzhitura që s’janë tonat. Ndjej dhe hapsirën e tij që mbyllet dhe shoh fytyrën e tij që u zhyt në errësirë.
Motra ime e brishtë vrapon më këpucë tek xhipsi i zi me targë 001 që mban në pranga axhën tim të dashur, i cili vraponte kur ne e gicilonim, që i mbylleshin sytë kur qeshte… dhe ishte i butë, i dashur, i sakrificës… e donin e gjithë shoqëria. I zbehtë po pinte cigare pa filtër “Partizani” që i helmon gjoksin, por është helm më i dobët se ai që ndjente e që i shtrëngonte zemrën. Manjola ia heq shapkat e grisura e të ngjitura disa herë nga këmbët gjithë pluhur të verdhe dhe i vesh këpucët. Sytë e saj të përlotur shikojnë sytë e tij që s’dine të japin asnjë përgjigje…
Katër fëmijë... me prindët në burg
Katër fëmijë… me prindët në burg – Gradishte 1981
E mor gjyshi gjeneral. Na kënaqe me atë top! Festë kombtare më të vërtetë na le!!
Si thashë më lart, gjashtë muaj më vonë, një tjetër arrestim po skenari pak më ndryshe. Babi arrestohet dhe lidhet më pranga. Por ne nuk e shohim. Ishim në shkolle. Vijmë dhe gjejmë shtëpinë bosh. Bosh nuk ishte, sepse ishte mbushur me gra e plaka që qanin. Dhimbje të përsëritura për shumë prej tyre, por prap kasollja ndërtuar me qerpiç balte prej babit tim të bukur, më dukej bosh… edhe pse e mbushur me lot e shpirtëra të zbrazur.
Vazhdojmë të jetojmë e të qajmë. E lotët pak nga pak thahen. Mbasi gabojmë herë pas here duke e shtruar tavolinën me një pjatë e lugë edhe për babën që s’është më në atë sofër, por diku i uritur në një qeli të errët… po mësohesh e nuk harron më.
Realiteti të bie në kokë, si ai mësuesi komunist që godet me kyçin e grushtit: Nuk jeni pesë vetë në tavolinë, jeni 4.
Shkojmë në shkollën e largët nëpër llucë të punuar si llaç nga lopët e fshatarëve. Herë me bukë e herë pa bukë. Herë të lagët e herë të thatë. Fëmijë… ende nuk dimë të kujdesemi mirë për vetveten, sepse deri dje kishim babin që na ndiqte me një copë plasmasi në dorë, për mos t’u lagur sa herë që e harronim. Na ndiqte me bukë e një copë djathë kur e harronim. Nejse, mësohemi të rritemi e të kujdesemi për veten. Ta ndihmojmë edhe mamin tonë të bukur që ngrihet çdo mëngjes me sytë e kuq e të buhavitur.
 
Pranvera vjen përsëri e rrugët bëhen më të lehta, hiqen çizmet e llastikut e xhupat e rëndë mbushur me pambuk të mykur. Në shkollë na thonë se do të shkojmë në eskursion. Në pyllin e Senës. Një pyll i vogël në mes të fushave të çrrënjosura të Myzeqesë. Por nuk njihnim pyll tjetër dhe më pëlqente shumë. Kishte manushaqe të vogla blu, që çelnin nën degët e thyera e të kalbura. Lëshonin një aromë dehëse në pyllin ku nuk hynte rrezja e diellit. Aty tek-tuk çelnin dhe lule gojujku. Të gjata, mbushur me lulet e vogla blu më atë gojën e vogël. Dukeshin krenare në errësirën e blertë të pyllit. Fort i doja. Marrëzohesha mbas tyre. I mblidhja një nga një sikur isha duke bërë një tufë jete. Atë vit do shkonim prap në pyll në eskursion. Sa bukur. Por kur shkova në shtëpi, mami më tha se nuk do shkoja. Nuk kam çfarë të të jap me vete të hash, më tha. Dhe do ishte mirë të vije me mua të më ndihmosh të bëj normën!!
Duke qenë më e madhja, më kishte rënë mua të mbushja pak vendin bosh që kishte lënë babi dhe t’i bëhesha krah mamasë sime vetëm 32 vjeçe. E gjora ishte dashuruar dhe kishte ardhur me këmbët e veta në kamp. I kishte ngulur gozhdët në duart e saj me çekiç dhe qe gozhduar në kryq vetë që 18 vjeçe. Pa e bërë veten, sepse kushtet më kishin rritur para kohe, nuk isha më fëmijë, hoqa dorë nga eskursioni që do të më kishte dhënë aq gezim. Hoqa dorë nga lulet e mia. E punë e madhe fort! Ndihmova mamin.
 
Të nesërmen shkova në shkollë, pak xheloze për ata që kishin qenë, por pa e bërë veten. Na mblodhën në rresht si ushtarët përpara shkollës. Drejtori Spiro Toni, më këmbë të hapura dhe duar të lidhura mbas shpine na doli para turmës së fëmijve. Mbasi u bë betimi ai priti pak duke hedhur një vështrim kërcenues nga e majta në të djathtë. Priti në qetësi duke shijuar autoritetin e tij. I shijonte kërcënimin si ai fëmija që shijon akulloren pa e lëpirë akoma. Mbas njëfarë kohe që u duk shumë më gjatë se ç’ishte në të vërtetë, ai filloi të lexonte një listë të gjatë emrash. Të gjithë ju që nuk erdhët në eskursion dilni përpara çetës. Midis shumë fëmijve dola edhe unë. Më doli emri… Mundohem të bëhem një me turmën e fëmijve, jemi me dhjetra, por e hollë dhe e gjatë, zor se mund të fshihesha.
Mbasi priti sa dolën të gjithë fëmijët e pabindur që nuk morën pjesë në eskursion, e jo pak, ai thërret emrin tim.
-Matilda Mirakaj, dil përpara. Mos u fshih!
E turpëruar dal me kokën ulur.
-E shikoni këtë, – bërtet ai. Buzët e lagura me shkumë në dy qoshet nga pështyma që nxjerr e pasioni i egër e i shëmtuar që i vlon.
-Kjo është armike e popullit. Kjo është ajo që do të sabotoje drejtimet e Partisë. Ti moj, ti. Moj armike e klasave. Dhe dridhej i tëri.
“A më të vërtetë më urren kaq shumë? O Zot, po çfarë i kam bërë? Mbase ishte zënë më të shoqen, Shazijen. E kishte qytetare nga Durrësi dhe thonë se kishte qënë vajzë hoxhe. Apo e kishte lënë dashnorja? Ç’kishte vallë me mua që m’u turr ashtu si qën i tërbuar?”
-Të kesh kujdes se ti e di se çfarë bëjmë ne me njerëz si ty! – dhe bërtiste e bërtiste sikur ta kishte gjithë botën kundër, dhe jo përballë një fëmijë 14 vjeç. U tremba. U vrava. Më dhimti.
.
Matilda Mirakaj - My garden
Matilda Mirakaj – My garden
E kujtoj shpesh, edhe mbas shumë e shumë vitesh. Çfarë e shtyu këtë njeri të më vras aq fort? Çfarë fitonte ai? Pse aq urrejtje? Ishte i pari, por jo i fundit.
15 vjeçe u futa në punë. Aty më keq, disa herë më ngritën përpara brigatës si armike klase që saboton prodhimin, pse pa dashje kisha prerë edhe ndonjë rrënjë pambuku kur prisja barin që e rrethonte. Ashtu si sot shkul pa dashje edhe ndonjë lule kur pastroj barin e keq nga kopshti im.
Çfarë helmi e mbush shpirtin e njeriut me kaq shumë urrejtje?
Dhe krejt këto m’i kujtoi sot lulja ime, një delpinium i gjatë që zgjat kryet në ballkon e sheh nga mua, e që unë e dua aq fort.
Marrë nga muri i Fb Matilda Mirakaj, 15 qershor 2017
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.