back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ushunjëzat Klodi Stralla (fb)

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Ushunjëzat Klodi Stralla (fb)

Arben Kallamata, një gazetar profesionist, me kulturë dhe qytetari, që i bën nder qytetit të tij të lindjes – Korçës, i quajti “Kërpaçë” një kategori njerëzish të Shqipërisë tonë: “Njerëz që s’dijnë, s’kanë pasur kohë, dëshirë, apo vullnet për të mësuar gjë, krejt papritur hiqen si ekspertë dhe iu japin mend të tjerëve. Politikanë që s’marrin vesh nga politika, juristë që s’marrin vesh nga ligji, yje të medias që s’dijnë asgjë nga gazetaria, japin mendime qesim, të bindur që ata i dijnë gjërat më mirë se kushdo tjetër” – ky ishte portretizimi më sintetik i këtij grupi social. Me të drejtë Arbeni e sheh sot Kërpaçin si të keqen më të madhe të vendit, si pengesën më serioze që Shqipëria jonë të përballet me objektivitet dhe profesionalizëm me problemet madhore që preokupojnë vendin. Këndvështrimi i Arbenit për këtë kategori njerëzish, që vështirë se në fjalorin e gjuhës shqipe mund t’i gjesh një emër tjetër më të goditur se Kërpaçët, është një këndvështrim intelektual, i fokusuar në fushën e dijeve; pa dije të shëndosha as ka pasur dhe as mund të ketë punë të mira dhe të qëndrushme. Por do të ishte gjysma e së keqes në se mbetemi vetëm në planin intelektual, për të kuptuar dëmin që i vjen shoqërisë shqiptare nga Kërpaçë të tillë. Këtij dëmi unë dua t’i shtoj edhe një dëm tjetër, atë të karakterit ekonomik. Nuk jam në gjendje tani t’ju rendis shifra monetare, se sa paguhen këta Kërpaçët tanë për “punët” që bëjnë. Por jam i bindur se kjo pagesë është shumë e majme, që e mira është të mos ta dijnë njerëzit e punës të nderçme dhe të dobishme! Ata mbushin sot pjesën më të madhe të administratës të vendit, qëndrore apo lokale, përfshirë këtu edhe drejtësinë, për të mos folur për mediat e shkruara dhe vizive, dhe aq më shumë të ashtuquajturën shoqëri civile. Ata marrin çdo muaj mijra euro për kërpaçllëkun e “punëve” që bëjnë, sigurojnë me to udhëtime turistike jashtë vendit të motivuara si çështje pune, apo grante dhe donacione nga të huajt, me të cilët ndajnë një pjesë jo të vogël të parave të taksapaguesve europiane. Po mundohesha t’i pagëzoja edhe unë me një emër aq të gjetur sa Kërpaçët e Benit dhe t’ju them të vërtetën me erdhi në mendje fjala “Ushunjëza”. Po ta hapni fjalorin e gjuhës shqipe do të gjeni këtë përkufizim: “Ushunjëza – insekte që jetojnë me gjakun që ju pijnë njerëzve….”. Pra ata janë të dëmshëm jo vetëm se me njohuritë e tyre të cekta, me fodullëkun dhe kapadillëkun, orientojnë shtrembër opinionin publik shqiptar, por janë të dëmshëm edhe se thithin në mënyrë të pandershme, të pamerituar dhe shpesh edhe të paligjshme, punën dhe djersën e taksapaguesve shqiptarë dhe të huaj. Ja pra pse, kur në personin e Kërpaçit vegjeton edhe ai i Ushunjzës, dëmi që i vjen shoqërisë është i dyfishtë. 25 korrik, 2013

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.