Vajzat e Internuara…
nga Gjuliana Pervizi (Malaj)
e quajtun ndryshe “Beba”,
nji e internuar në moshën katër muajshe në kampin ma mizor,
atë të Tepelenës dhe i mbeti nofkë që i mbeti për fatin
se i shpëtoi kthetrave të vdekjes që po korrte moshataret e saj…
Përgjigje figurative Zotit Ismail Kadaré
nga nji prej vajzave të internuara,
të cilat në kampin e Tepelenës përdoreshin si kafshë pune,
duke transportuar dru e të tjera materiale të rënda
me kilometra të tana nëpër malet e Tepelenës,
prej mëngjesit deri në mbramje vonë.
E mandej gjithë jetën në punë të detyrueshme,
jo në sallat e shkollave dhe leksioneve,
as duke u cfilitur pas njifarë shkrimtari derdimen komunist.
Në librin “E Penguara” – Requiem për Linda B., shkrimtari në fjalë tallet me fatin e këtyre vajzave duke i përfaqsuar ato, me një çupërlinë nga Blloku, e cila nji ditë përfundon keq së bashku me fatin e prindërve të saj, e ma keq për mungesë të kontaktit seksual me idhullin e saj të letrave, një “shkrimtar i madh komunist” (si duket është vetë autori) që jeton mes të mirave në Tiranë, ku ajo e paskej të ndaluar të shkelte… dhe ky ishte “dënimi më i madh për të…” sipas vetë I.K.
Marr guximin t’ju përgjigjem, me kompetencën jetësore që më kanë dhanë 45 vjet burgje e kampe internimi të diktaturës komuniste në Shqipëri, ku pothuajse kam lindur, kam kaluar gjithë rininë, pjesën ma të madhe të jetës sime deri në prag të pleqërisë.
Nuk kritikoj ata që kane shkruar e argumentuar në favor të veprës së deklaruar e fundit e zotit I.K. “E Penguara”,
sepse e kuptoj që nuk ka patur dhe as nuk ka as ma të voglën njohuri se si trajtoheshin vajzat, gratë dhe nënat e internuara. E pra, ju them se vetëm ata njerëz e në veçanti vajzat që e kanë njohur se ç’është internimi, janë në gjendje më i dhënë nji përgjigje romanit tuaj. Ato vajza, tashma të mplakura ose të vdekura nuk kanë ku ta gjejnë shkrimtarin e lavdishëm për me ia thanë nja dy fjalë… Unë do të kisha dëshirue shumë, por ai u ikën të tilla ballafaqimeve…
I.K. ka deklaruar se atë vepër Ai ua paska dedikuar vajzave të interrnuara, dhe… merret me një vajzë, që internimin e paska kaluar në një qytet… Pyetja që unë shtroj është: “A e dini ju se ku dhe si e kanë kaluar dënimin e tyre shumica e vajzave të internuara? Sigurisht që jo! Sigurisht zoti I.K. nuk e ka ditur!! E nëqoftë se e ka ditur, atëhere unë them se me dashje në këtë libër ai kërkon t’i ulë ato, t’i denigrojë e t’i bëjë të vuajtura e të sëmura pas seksit, gjë për të cilën si duket ka vuajtur vetë. Duke qenë, simbas meje, se personifikohet në shkrimtarin, personazh kryesor të romanit, Roaldin, që del si një njeri i deprivuar, që përfiton nga pozita e vet, për të gllabëruar vajzat e qytetarëve të Tiranës e ma tutje, duke tradhëtuar edhe gruan e vet, ajo në Poloni, ku supozohet se edhe ajo bën të njetën gjë. Deprivim.
Cilat janë këto vajza të interrnuara… si u rritën dhe si u martuan ato, në ç’kondita të palejueshme e të papranueshme mbijetuan për cilindo shtet e popull të qytetëruar? Aq më tepër që intelektualë të kalibrit të I.K., duhet të jenë të pajisur me ndjenja humanitare të larta dhe jo të krijojnë të tilla vepra shpifarake që mbartin akoma mllefin kundër familjeve të deklasuara… dhe të hedhë baltë mbi nderin dhe dinjitetin e qindra e qindra vajzave të ndershme e të bukura si zana, që as donin t’ia dinin se ekzistonte diku një shkrimtar i madh, për të cilin mjaft të tjera shkriheshin e përpëliteshin të magjepsura mbas librave të tij..!!
Vajzat e interrnuara (tani zonja të nderuara, tashmë shume prej tyre të mplakura), janë dalluar për një qëndresë krenare e të papërkulshme ndaj torturave dhe mizorive të cerberëve të kampeve të interrnimit, dhe të atyre që rrinin të fundosur në kolltuqet e buta të Ministrive, apo Lidhjes së Shkrimtarëve, etj.
Deri vonë, të rinjtë e kampeve konsideroheshin si motra e vëllezër dhe nuk martoheshin mes tyre. Vetëm mbas 1960, kur humbën shpresat e një lirimi, ata filluan të martohen. Askush i lirë s’guxonte të mpleksej me to.
E ky shkrimtar i madh e ul veten deri i aty sa shpik situata deri të degjeneruara për këto vajza të mjera, duke marrë si shembull Linda B, të cilën si do që e sjell dhe e përshkruan, e katandis në një vajzë që e humb toruan dhe bëhet pa principe morale dhe pa qëndresë shpirtërore ndaj së keqes që e ka zënë.
A e di mor zotëri, dhe dhe gjithë ju të tjerët që mund ta lexoni kët shkrim, se ka patur vajza që kanë lindur në kamionat ku i kishin stivosur nënat e tyre, ose janë interrnuar pas tyre në moshën e djepit dhe e kanë kaluar gjithë jetën në kampet e internimit, ku edhe kanë lindur fëmijët e tyre të cilet janë rritur po në ato kondita?
Jam unë vetë një i tillë fëmijë, vajzë dhe nënë, që nuk m’u hoq një ditë nga shpina dënimi 45 vjeçar. E pra ato vajza janë heroina të vërteta dhe jo çupërlina të fantaksura mbas një shkrimtaruci të partisë e të diktaturës, prej të cilave ka fituar gjithçka: famë e lavdi…
Përmes personazhit të kësaj Linde të gjorë, e cila bie viktimë e shkrimtarit, e paraqitur si një vajzë e re që andrron vetëm Tiranën, ku “i qenka ndaluar të shkojë dhe bie ne dashuri me një shkrimtar…(!)” për korrespondencë e me anë të një shoqeje të saj të Bllokut, që paskej guxuar të mbante lidhje miqsore me një të interrnuar…!!! Kur dihet se me familjet e interrnuara nuk guxonte kush të kishte nji përshëndetje, jo lidhje miqesore, aq me tepër t’i përkisje një familje komuniste… të Bllokut…
Ku e çon mushka I.K., me kësi sajimesh romaneske, që bien erë e ndytë lufte klasore edhe sot mbas shembjes (qoftë formale) të diktaturës?
Po pse zoti I.K. nuk paskej patur ndonjë shok të shkollës të internuar për t’i bërë vizitë sa herë ia donte qejfi?
Sigurisht që e ka patur, por s’ia ka mbajtë të lidhet më ta, pse e ka ditë se ç’e gjente…
Atëhere ç’janë këto situata kaq absurde? Për të justifikuar diktaturën, në kuptimin që s’ka qenë aq çnjerëzore sa thuhet?!
Kjo vajzë, jo vetëm është e marrosur që s’ka mundësi ta plotësojë nevojën për seks me shkrimtarin e oborrit të Bllokut, por arrin të ketë kënaqësinë t’i japë me prokurë shoqes së saj, që t’i jepet atij… si të ishte vete…!!|
O Zot, ç’lajthitje. Dëshpërimi e çon deri aty sa të kryejë nji sjellje lesbike me shoqen e saj, aq sa së fundi katandiset dhe bie në duart e mësuesit të gjimnastikës!! Pastaj merr pjesë në ballon e maturës, gjë që ishte pothuaj e pamundur të ndodhte me një vajzë të internuar.
Përfundimisht, I.K e mbyll me vetvrasjen e Lindës së shkretë, e cila nga viktimë e diktaturës, bie viktimë edhe e autorit të këtij libri neveritës. Ky libër është një poshtërim që i bëhet një krijesë të pafajshme, duke e katandisur të bjerë në gabime morale, që në rastin e vajzave të internuara pothuaj s’ka ndodhur kurrë…
Kush na qenka kjo që shkruan kështu, do të thonit?
Po, një femër ju shkruan, që kampet e internimit i ka njohur nga fillimi deri ne fund, prej 1948 e deri 1990, që ka provuar Tepelenën në moshën më të njomë, katër muejshe, dhe është ndër të paktit fëmijë që i shpëtoi vdekjes. Prandaj më mbeti emri Beba… Dhe kam pa aq shumë vajzat që lindën dhe u rritën në interrnime… nga mosha e fëmijrisë deri në moshë madhore rrugave…
Po si trajtoheshin e si jetonin këto vajza?
Ato u rritën në kampe, të rrethuem me tela deri kur mbushnin moshën 15 vjeçe, ku më pas caktoheshin në punë të detyrueshme, duke mbajtur ngarkesa të randa si dru, ujë, gurë, në breshër e bore, mes shiut dhe zhegut përvëlues të verës. Nga agimi derisa binte nata, nën tytat e ngrehura të armëve të policëve, nëpër malet e Tepelenës dhe humnerave të Bënçës. Ajo ishte shkolla e tyre. Më vonë, mbas 10 vjetë kampesh me tela, kaluen në punët e lodhshme të bujqësisë, duke hapë kanale e duke prashitë arat pafund të Myzeqesë tashmë të kthyera në bujkërobnesha e skllave të vërteta.
Nuk ka vajzë e internuar që të ketë pasë “privilegjin” të ndjekë gjimnazin, ashtu siç na e paraqet i nderuari shkrimtar I.K. Edhe në një rast, kur dy nga këto vajza, në një çast (në dukje) qetësie të regjimit, arritën të pranohen në gjimnazin e Lushnjes, pa kaluar pak muaj u përjashtuan dhe përfunduan në parcelat e kanalet e kampit të Gradishtës, deri më 1991, të caktuara për ta ngrysur jetën aty, pa asnjë shpresë shpëtimi e jo ma të andrronin e të digjeshim për shkrimtarët e regjimit.
Po ç’sjellje kishin këto vajza? Mos vallë ishin të tilla, siç e paraqet të mjerën Linda B., në emër të tyre, zoti I.K.?!
Jo, aspak!
Dhe të vjen thellsisht keq kur një intelektual i tillë, shkrimtar me famë e njohje, e përfundon me cinizëm tejet të turpshëm, se po të kishte vazhduar jetën në ato kushte, ajo do te përfundonte në punët e bujqësisë, e për ta lehtësuar sado pak veten, do t’i jepej brigadierit. Nuk ka një rast të tillë që të ketë ndodhur, e nuk ka brigadier apo tjetër mashkull i lidhur me partinë, që mund të guxonte të orvatej në kët drejtim. Jo nga frika, por nga qëndrimi tepër i prerë dhe krenar e atyre heroinave të vërteta.
E jo më, që një vajzë e internuar të sfilitej mbas një shkrimtari komunist, sado i madh të ishte ai, ato as donin t’ia dëgjonin emrin… Nëse përballet një ditë z. I.K. me ndonjë prej atyre vajzave (ku jam edhe vete) do ta shohë vlerën e vepravë të tij. Vepra, fund e krye, të mbushura me luftë dhe urrejtje klasore, ku çdo vajzë dhe grua që përshkruhet prej tij nga një familje e deklasuar, patjetër duhej të bëhej një femër e përdalë. Jo, krejt ai libër me titull “E Penguara” vjen erë imoraliteti të përgjithshëm. Të gjithë vajzat, si të internuara apo të lira, përfshirë edhe ato të Bllokut, s’kishin asgjë tjetër në mendje veç seksit, bashkë me protagonistin mashkull të këtij libri, Roaldin, (sigurisht vetë autori), pas të cilit ato cfiliteshin…
E vërtetë ështëë se diktatura ishte e rëndë për të gjithë, por ama jo që ajo lejonte që në shkolla mësuesit të ishin si kaposhë mes pulave… dhe se familjet e vajzave duhej ta pranonin atë lloj haremi shkollor. Edhe shoqëria vajzërore shqiptare paskej vuajtur vetëm për seks dhe për t’u marrosur pas shkrimtarve të mëdhenj. Atë le ta mbajë për vete shkrimtari ynë i shquar, por jo t’ia veshi atë lloj përdhosje popullit. Përsa i përket thënies se “…atë libër ua ka kushtuar vajzave të interrnuara…”, o luan rolin e budallait o ka lajthitur dhe nga që s’e di se çdo të thoshte interrnim për vajzat e shkreta që ndonëse për fatin e tyre të keq lindën dhe u rritën n’ato kushte çnjerëzore, e mbajtën të pa cënuar krenarinë dhe dinjitetin e tyre.
Çeshtja është se ai e mbush librin me kujtesa mitologike e historike, si Orfeu, Euridiçja, e plot të tjerë, apo me kalin e perandorit Kaligula, Senekën etj., sikur kërkon t’i japë ngjyrë një libri të pangjyrë e të pashije, dhe t’u shesë mend lexuesve, bile nga zelli i tepërt arrin të bëjë gafën e madhe, që s’e bën as një fëmijë i tetëvjeçares, që vrasjen e Senekës ia vesh Kaligules, ndersa ishte Neroni që e çoi në vetvrasje profesorin e tij të shquar dhe filozofin Seneka!!
Si duket, I.K. mendon se ata që e lexojnë s’dinë ku lidhet gomari në kulturë, dhe i marrin fjalët e tija kallpe, si kokë e madhe që është!! Asnjë shkrimtar i madh në botë, nuk përdor të tilla ndërhyrje mitologjike për t’i dhënë shkëlqim veprës së tij.
Shkëlqim një vepre i jep mesazhi pozitiv që shkrimtari jep. Po cili do t’ishte mesazhi i të nderuarit shkrimtar, në këtë libër mbi Linda B.?
Përveç, uljes së kësaj vajze viktimë, është ai i hedhjes baltë mbi nderin, krenarinë, qëndresën, durimin dhe heroizmin e krejt vajzave të internuara, që mbetën qëndresë e gjallë kundra një diktature që desh të shkallmonte së bashku me qeniet njerëzore edhe traditat më të mira ndër to edhe nderin e shqiptareve. Edhe në këtë drejtim, I.K. mban flamurin e lavdisë. E pranojmë…
Shkrimi botohet me pëlqimin e Autores
E dashur Beba!
Krenohem që jam shoqe dhe motër me ty. E kam lexuar artikullin tuaj goditës, revoltues, por që mbartëte në vetvete vlera dhe hapësirë aq të madhe, sa më kujtoi fushat dhe kanalet e pafund të kampeve tona, ku punuam e vuajtëm deri në pafundësi, me shpirt ndër dhëmbë por me dinjitet të plotë. Kështu, asnjë penë jashtë kampit nuk mund ta përshkruajë dot, apo të tregojë bëmat monstruoze të asaj kohe makabre, të atyre kanaleve e punëve të rënda, ku na pikonin duart dhe zemra gjak. Librin “E penguara”, të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e kam lexuar dhe e kam në biblotekën e shtëpisë këtu në Bruksel. Ky libër më erdhi si dhuratë nga një vajzë e re që punon në komitetin evropjan (shoqe me vajzat e mia) Tereza Dajlani. Kjo vajzë intelektuale, mezi priste çastin të më dhuronte librin. Ajo kishte qenë në Tiranë dhe e kishte blerë për vete. Pasi e kishte lexuar, kishte menduar se për mua pikërisht ky libër, do të ishte dhurata më e çmuar, më e bukur, që i bëhej një ish të internuare si dhe një krijuese që kishte bërë pjesë në kampet e përqëndrimit të diktaturës së egër. Kështu, ajo shkoi përsëri në librari dhe bleu edhe një kopje për mua. Kur u kthye në Bruksel, gjithë entuziazëm më ftoi për një kafe në qendër të qytetit. Ishte një ditë shumë e bukur. Dielli atë të shtunë shkëlqente si rrallë herë. Turistë të shumtë të shihte syri ngado që nxitonin të vizitonin çdo gjë të bukur, si dhe qëndrën e qytetit. Kur arrita, ajo ishte ulur jashtë në tavolinën e zakonshme dhe me një dashuri të madhe u ngrit dhe më përqafoi. Ndër të tjera, me shumë simpati, dhe me një etikë të lartë ajo nxorri me kujdes nga çanta librin, dhe e bindur se, ky libër do t’më pëlqente pa masë, ma dhuroi duke më uruar, lexim të këndshëm!! E dija se pasi ta lexoja ajo do kërkonte t’i jepja përshtypjet e mia të sinqerta. Pasi mora librin në dorë, e ç’fletova pak me kujdes, dhe, instiktivisht u përqëndrova më shumë te kopertina ku lexova me zë: “E Penguara” ajo më dhuroi një buzëqeshje. Edhe unë, po me atë kënaqësi, po me atë buzëqeshje, e falenderova thellë nga zemra vajzën e mirë, sepse më kishte sjellë nga Tirana, një libër të shkrimtarit të madh I. Kadare. Kjo dhuratë, nuk ishte pak për mua. Librin e lexova atë pasdite dhe gjatë gjithë natës e përpiva! Nuk e di nëse kisha kuptuar vërtet atë çka kishte dashur të hedh shkrimtari, ose nuk isha unë në gjendje të thithja nektarin e vërtetë të librit. Prandaj të nesërmen e nisa edhe një herë nga gërma e parë e deri te e fundit me një vëmëndje shumë të përqëndruar për të kapur çdo fjalë e frazë, çdo batutë apo metaforë. Përsëri isha e bindur se gabimi qe te mua e jo te një shkrimtar me përmasa botërore si Ismail Kadare, kanditat për çmimin NOBEL. Jo! Ai s’mund të gabonte kurrsesi aq lehtë në demokraci e të ulte aq poshtë figurën e femrës së persekutuar shqiptare. Figurën e një heroine që duhej të ngrihej në piedestal! Kështu pasi e lexova së treti herë vendosa të hesht, heshtja nga ana ime më dukej më e drejtë se replika, se debati, dhe së fundi nuk doja të zgjoja atë kohë të errët, e cila na rrëmbeu fëmijërinë, rininë dhe gjithë jetën, por që ne, nuk u mposhtëm kurrë! Qëndruam, mbijetuam krenare përballë bishave diktatorë, përballë ca mjeranëve të fëlliqur, përballë së keqes së madhe, përballë sigurimsave që na kishin lakmi e ne s’i përfillnim! Ne ishim ato vajza të reja, të forta, që çuam jetën në mjediset e rënda të gulagut. Ne ishim ne! Dhe vetëm ne!
Doja të theksoja: Nuk do dëshiroja që shkrimtarin e madh Ismail Kadare ta ndjekë një pendim, një dëshpërim, një mallkim, apo një hije nga pas. Jemi në demokraci ku jetojmë pa censurë. Arti është art!
S’vonoi dhe Tereza më kërkoi përshtypjet e mia të sinqerta. Dhe unë, në vend të një komplimenti apo vlerësimi, i citova vetëm një frazë me të cilën e mbylla.
Së fundi, një poezi timen për paqe!
Kur vinte pranvera,/ Me lotët e mia e vadisja,
Kur vinte dimri,/ Me psherëtimat e mia e mbysja.
Bajame Hoxha – Çeliku, Bruksel
Të falenderoj nga thellësia e shpirtit tim, e dashur BEBA!
Librin “E PENGUARA” të I.Kadaresë nuk e kam lexuar, as nuk më intereson që ta lexoj… Lexoj përditë Romanin e jetës tonë, që përjetuam në atë kohë të errët të diktaturës.
Ja ka kushtuar këtë libër VAJZAVE TE INTERNUARA… por si… Nuk ka I.Kadare e çdo qytetar i lirë i asaj kohe, që mund të na uli ne vajzave të internuara. Nderin tonë nuk e përdhosën duke filluar nga Operativat e Sigurimit, Përgjegjsit e sektoreve, Brigadierët e deri te njerzit e lirë të asaj kohe.
Pse ishim të internuara, ne kishim dinjitetin tonë, kishim ëndrrat tona (edhe pse na i kishin vjedhur), traditat tona prej familjeve që jetonim. Për ditë e më shumë më vjen në mendje: “QE JU GJYSHET, NENAT, MOTRAT TONA ISHIT ME TE FORTA SE GURI,JU ISHIT HEROINA,POR NA EDUKUAT EDHE NE QE TE BEHESHIM SI JU…”
Të përqafoj Beba e dashur, “Jetofsh për të kallzuar…”
Komplimente Beba për artikullin.
Nuk e kam lexuar romanin dhe nuk mund të shprehem për vlerat artistike të librit, por për subjektin sigurisht.
Nëse Kadare shprehet se këtë libër ia kushton vajzave të internuara, duhej që sa i takon cilësive të tyre të mbante qëndrimin e duhej që edhe personazhin qendror ta përshkruante me tiparet që shfaqëm ne vajzat e internuara, pasi vetëm ne e dimë si i kemi qëndruar kalvarit të vuajtjeve…
Qëndruam dinjitoze përballë presioneve dhe vuajtjeve të një sistemi që prodhoi barbarë. Sot, them se vërtetë kemi qenë heroina…
Edhe një herë e përgëzoj Bebën, tëe cilën jo vetën e njoh personalisht mbasi kemi jemi bashkë në Plug, po edhe pse familjet tona ishin shumë të lidhura…
Firdus Luzaj
Komplimenti Beba!
I.K. kur shkruante këto libra të cilit i referoheni/referohemi, nuk imagjinonte se një ditë Bebës koha do t’i jepte mundesinë dhe do t’i bënte replikë në publik për ato “paçavure” që shkruante “ai” sigurisht mendonte se Bebës nuk do t’i ishte e mundur t’i vinte kjo ditë që të mund ta replikonte. “Ai” tashmë diçka e ka kuptuar, por me sa kuptoj akoma nuk ka hequr dorë, i strukur diku në “errësirat e rrethinave të Parisit” akoma me paçavuret e tija i shkruan publikut “intelektual Europian” me shpresat se me ato paçavure do të arrijë “NOBEL-in” e radhës.
Deliranti për madhështi! (marrë nga muri i fb. 1 mars 2014)
Matilda Mirakaj
Bravo Beba!
Shkrimtari nuk ka se si ta njohi heroizmin tuaj, të nënave e gjysheve tona të bukura dhe dinjitoze, të ndershme. Ai nuk është në gjendje të shkruajë për atë bukuri shpirtërore që ju të gjitha kishit, sepse thjesht, nuk e njeh.
Ne kristianët kemi nje shprehje të bukur… “Fale Zot, se nuk Di çfarë bën…!” Në këtë rast ai është injorant ndaj çështjes që përbën një nga faktet më të errta të historise të atdheut të tij. Unë nuk e kam lexuar librin dhe nuk mund ta gjykoj, por me të vërtetë duket qesharake historia që ai përshkruan, dhe gjithashtu ofenduese. Aq më tepër që mundësitë për të janë për të intervistuar disa personazhe të këtij realiteti brutal, por edhe krenarë dhe madhështor në lidhje me viktimat e tij, për të cilat ai bënka dedikimin… (marrë nga muri i fb. 1 mars 2014)
Kola Herr Kola
Unë mendoj se pikërisht përplasja me Kadarenë asht pika ma e fortë dhe reale e artikullit… sepse Zonja Gjuliana i kallxon shokut Smajl se ai asht SAULI qi nuk u ba kurrë PAULI…
(marre nga muri i fb. 3 mars 2014)
Përshëndes Bebën,
të cilën e kam njohur në vitet e vështira të internimit të saj në Plug të Lushnjes, atëherë kur punoja si masovik në drejtorinë e NB “29 Nëntori” dhe me Lekën, të shoqin e Bebës jemi njohur mjaft mirë, sepse punonim bashkë. Ruaj respektin më të madh për të si njeri dhe si piktor. (Në Plug punonte si dizenjator, por edhe shumë punë të tjera që i ngarkoheshin, deri dhe tapicier makinash e skenograf për shfaqjet që jepeshin në kinoklubin e Plugut nga grupet artistike amatore) Për Lekën do të flas në një rast tjetër më të volitshëm, por sot do të përqëndrohem në shkrimin e shkruar me realizem e ndjeshmëri të lartë nga Beba.
Mbështes plotësisht informacionin që ajo jep për vuajtjet në internim, e përgëzoj për ndjeshmërinë e lartë në përshkrim, vlerësimin deri në shkallën më të lartë të shoqeve të saj bashkëvuajtëse, por jam kundër qëndrimit që mban ndaj romanit “E penguara” të Kadaresë, sepse ndoshta padashje ngatërron realitetin e pamohueshëm të atyre njerëzve me fantazinë krijuese të shkrimtarit, i cili e merr spunton nga realiteti, por gjatë procesit krijues abstragon mbi atë realitet dhe krijon një realitet krejt të ri, mundet edhe aspak të ngjashëm me atë që ka shërbyer si frymëzim, por më shumë domethënës në funksion të mesazhit që kërkon të përçojë dhe njëkohesisht të argëtimit sa më mirë të lexuesve në funksion të detyrave të letërsisë. I.Kadare nuk duhet gjykuar politikisht, por artistikisht, pra me atë që ka dhënë si shkrimtar: sa dhe si ai është pritur e mund të pritet edhe në të ardhmen nga lexuesit brenda e jashte vendit tonë…
i ai eshte pritur e mund te pritet edhe ne te ardhmen nga lexuesit brenda e jashte vendit tone,
S’e kam lexuar këtë libër… dhe as e marr mundimin ta lexoj…
Për atë jetë në internim dhe për ata njerëz, sidomos për vajzat, mund të shkruajë vetëm ai që ka jetuar atje dhe e ka provuar dhe prekur atë jetë.
Të tjerët vetëm mund të fantazojnë… por realitetin e asaj kohe s’mundet ta japin kurrë.