back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Valentin Pervizi… një Odise e dhimbshme e shekullit të XX

Gazeta

Valentin Pervizi  - oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm
Valentin Pervizi – oficeri akademist, i dënuar i përjetshëm

Valentin Pervizi…

një Odise e dhimbshme e shekullit të XX

shkrim nga Eurial Vinka

Valentin Pervizi, oficer i ri i gatshëm për t’i shërbyer Atdheut.
 47 vjet burgje dhe internime: nga dhjetori 1944, deri në shkurt 1991, kur mbas 47 vitesh vuajtje bashkohet me të shoqen, Znj. Maria Gorizia Manini në Bologna.
Uliks e kaluar Uliksit… Penelopë e kaluar Penelopës…

Dokument i Ambasadës Italiane në Tiranë, në përgjigje ndaj kërkesës së znj. Maria Gorizia Manini, gruas së tij, për të pasë lajme nga Valentini, për të cilin s’dinte asgjë.
“…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shumë e vështirë që Pervizi, i cili konsiderohet “Armik i Popullit”, të mund të fitojë lirinë”.
Ambasada Italiane, 29 shtator 1967

Një turp i madh për regjimin komunist që e dënoi aq rëndë dhe një turp ma i madh i presidentëve dhe qeverive të demokracisë që nuk e morën asnjëherë në shqyrtim këtë çështje të madhe humanitare, ndaj një njeriu krejtësisht të pafajshëm, ushtarak e intelektual, hero dhe martir, për qëndresën e pamposhtur dhe shembull i qendresës dhe i vetmohimit në kushtet më të vështira të jetës. Simbol i krenarisë dhe fisnikërisë, pinjoll që i përkiste një familje nga më të nderuarat të Kurbinit e të Shqipërisë. Dhe nga më të përndjekurat dhe më të masakruarat nga diktatura komuniste.
Bir i denjë i Kurbinit, Valentin Prenk Pervizi lindi në kryeqendrën historike të krahinës, në Skuraj, më 1 korrik 1920. Ai ishte Djal’i Parë i Prenk Pervizit, dhe do të ndiqte rrugën e t’atit, duke u diplomuar oficer në Akademinë e Modenas, pasi kishte kryer të gjitha shkollat, nga fillorja deri te gjimnazi në Torino, kurse Shkollën Ushtarake në Romë, gjithsej 15 vjet arsim, 1926-1941.
Shok i ngushtë me Asim Zenelin, Abdyl Këllezin, Avdi Matin, Lek Vojvodën, Fiqret Hoxhën, Ali Ohrin, Stefan Bumçin, Minella Naçën, Ndue Lalën, Ernest Gjeçin, e plot të tjerë, mbahet për tri javë në arrest me ngjarjet e 7 prillit 1939. Organizojnë bojkotimin e betimit, ku Valentini ishte në grupin drejtues me të sipërpërmendurit. Me kushtet e reja, të gjithë studentët e shkollave ushtarake u lejuen të vazhdojnë studimet. Valentini kryen me sukses Akademinë e njohur të Modenas, po edhe një vit kurs plotësimi për mjete të blinduara. Kapiten e komandant i një njësiti tankist në Divizionin “Arezzo”, që ishte caktuar për mbrojtjen e Romës, në kodrat e Tivolit, Fraskatit, Bracianos, Montorsit, etj.
Me kapitullimin e Italisë, më 8 shtator 1943, divizioni ku ai ishte ushtarak, merr urdhër t’u kundërvihej gjermanëve. Luftimte zgjatën 15 ditë, dhe këtu Valentini dallohet dhe lavdërohet në fushë të betejës. Por ndodhi armpushimi i dytë i Badoljos dhe oficerët u mbajtën rob duke u mbyllur në një kamp provizor, në Fraskati, për t’u dërguar në kampin e Dakaut në Gjermani. Valentini bashkë me dy shokë napoletanë arrijnë të arratisen nga ai kamp. Ai kthehet në Bologna tek e shoqja, ku qëndron për do kohë i fshehur dhe me dokumente fallso, pasi konsiderohej i kërkuar nga Gestapoja dhe nga policia fashiste e Republikës së Salòs të Musolinit. Në këto kushte, bashkë me një shok shkolle, kapiten Nuri Nuçi, vendosin të kthehën në Shqipëri së bashku me gratë e tyre, nga ku mospasja e lajmeve, i shtyn të mendonin se gjendja atje ishte e mire, dhe mund t’i shërbenin atdheut. Valentini me gruen mbrrijnë në Shkodër, pas tre muej udhëtimi të rrezikshëm, nga Italia, në Austri, më pas në Hungari, Jugosllavi, Kosovë dhe në qytetin e Shkodrës, në tetor 1944.
Zhgënjim i madh. I ati, Gjenerali Prenk Pervizi kishte dalë në mal dhe ishte bashkuar me misionin anglez. Shtëpitë në Laç e në Skuraj, ishte grabitur e djegur nga komunistët. Familja Pervizi, dy vllaznit, nana dhe gjyshja, ishin fshehur në malin e Skurajt, për t’i ikur ndjekjes së brigadave partizane…
Nuk vonon e ndodh kryengritja e Postribës, e cila u mbyt me gjak. Në Shkodër, në atë dhjetor të 1944, Mehmet Shehu vendos shtetrrethimin. Valentini arrestohet nga emni, thjesht si bir i Prenk Pervizit, dhe mbahet në burg. E shoqja, Italiania Maria Gorizia, e mbetur fillikat e vetëm, detyrohet të riatdhesohet me italianët e tjerë, me aprovimin e Valentinit. Me mendimin se gjendja do të rregullohej. Por kjo shkoi sipas proverbit “Prit gomar, kur të dalë barë”.
Ndërkaq e shoqja para se me u largue, i bën një tentativë pranë Mehmet Shehut, që e priti si e huej që ishte. Ajo i kërkoi që t’ia lironin të shoqin, pse ishte krejt i pafajshëm, dhe sapo kishin ardhur nga Italia. Kur Mehmeti e mori vesh se kush ishte Valentini, pra i biri i Prenk Pervizit, iu përgjigj:
-Zonjë, ju, në vend që të na falenderoni që s’e kemi pushkatuar, vini dhe na kërkoni lirimin e tij!
Kjo shprehje kriminale e tronditi gruan e shkretë.

Valentini dhe shoqja Maria Gorizia (1941)
Valentini dhe shoqja Maria Gorizia (1941)

Nga ky çast nisi, dhe vazhdoi për një gjysëm shekulli për Valentin Pervizin, Odiseja e stërgjatë e burgjeve e kampeve të internimit.
Po e japim me radhë këtë Odise.
Burg në Shkodër… Internim në Berat… Gjendje burgu, mbyllur në kalanë e Porto-Palermos… Kampi-burg mizor i Tepelenës… Kamp pune në Çorovodë… Kamp me të burgosun në Shtyllas e Radostinë të Fierit… Kampi-burg i izolimit të plotë në Kuç të Kurveleshit… Kampi i Gradishtës së Lushnjës… e kështu deri më shkurt të 1991, kur këtij Uliksi të Ri iu dha mundësia të largohet dhe të bashkohet me Penelopën e tij, mbas 47 vjet ndarje, por dy herë e më shumë vite se Uliksi i legjendës…
Por ç’e do, fati nuk desh që të gëzonte pak më gjatë mbas kësaj vuajtje pafund, mbasi në mars 1999, ai do të vdiste dhe mbas tij edhe e shoqja, pa lanë trashëgimtarë, fëmijë.
A ka mundësi të na tregohet si mund të quhet ky trajtim aq çnjerëzor ndaj këtij njeriu, shembëlltyrë e vërtetë e pafajsisë?
Njerëzit u pushkatuen, vdiqën nëpër burgje e kampe internimi. Por dhe kjo ta mbash tjetrin përjetësisht të dënuar pa pas bërë asgjë prej gjëje, dhe në të kundërtën duke qenë, përveç se një oficer me perspektivë, një intelektual i mirë dhe një qytetar i nderuar e i respektuar.
Gjatë gjithë kohës së kësaj gjëndje dënimi fizik dhe shpirtror, marrëveshja me gruen e tij ishte e cunguar në pothuaj hiç. Kalonte veç ndonjë kartolinë e rrallë dhe asgjë tjetër. Nga mungesa e lajmeve për të shoqin, grueja ndërhyn disa herë pranë Ministrìsë së Jashtme të Italisë që të merrte informata për të shoqin, Valentinin. Nuk po e zgjasim me fjalë po e po paraqesim përgjigjen e Ambasadës Italiane në Tiranë, pjesën e fundit

“…Sipas notës referuese, komunikojmë se kjo Ambasadë është munduar edhe një herë tjetër të marrë informata të rezervuara për të përcaktuar gjendjen e tanishme të togerit Valentin Pervizi.
Rezultatet, mjerisht, nuk kanë ndryshuar nga vitet e kaluara: Ai gjendet gjithmonë në një fermë bujqësore të Shtetit, në zonën e Lushnjës, si i burgosur politik. Nuk ka qenë e mundur te merren vesh të tjera të dhëna, sepse siç dihet, të marrësh informata për raste të kësaj natyre në këtë vend, është punë tepër e vështirë…
S’dihet asgjë rreth dënimit që i është dhënë, por, duke u mbështetur mbi ndonjë rast të tillë analog e të dhimbshëm, për sa do të vazhdojë të jetë në fuqi regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shumë e vështirë që z. Pervizi, që konsiderohet “Armik i Popullit”, të mund të fitojë lirinë…”
Ambasada Italiane, 29 shtator 1967
Ambasadori: Norberto Lichmann

Te internuar ne Kuç, 1956 Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, Ded Markagjoni, Lek Pervizi
Te internuar ne Kuç, 1956 Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, Ded Markagjoni, Lek Pervizi

Pra, ai ishte i dënuar i përjetshëm.
Në këto kushte kur autoritetet italiane e morën vesh mire se çfarë drame ishte konsumuar në kurriz të Valentin Pervizit, dhe gruas tij, një qytetare italiane, dhe që i kishte ra me luftue heroikisht në mbrojtje të Romës kundër gjermanëve, morën vendimin dhe ia njohin gradën Nënkolonel…
Po ana shqiptare, autoritetet demokratike, Presidentët e Kryeministrat, ç’bënë për kët bir të lavdishëm, hero e martir i lirisë e demokracisë? Asgjë!
Edhe më keq, ç’bëri vendlindja, Kurbini, Laçi, Miloti e Skuraj? Asgjë! A mund të mbahej një njeri i tillë në heshtje e në hije? Marrëzi!
Pra, me të drejtë Valentin Pervizi, mund të quhet “I dënuar i përjetshëm!” Kush shqiptar, apo i huaj në botë ka pësuar kaq rëndë, të mbahet i syrgjynosur, dhe peng një jetë të tërë… vetëm pse ishte i biri i dikujt, kundërshtar e armik i regjimit? Aq më tepër, krahina e tij Kurbini, bir i së cilës ai qëndroi i denjë e i lavdishëm. Por ç’ndodhi? As krahina e Kurbinit, as qeveritë, as presidentët e kohës se demokracisë nuk e vunë ujët në zjarr për ta kujtuar, për ta nderuar, dekoruar, shpërblyer, rehabilituar e kompesuar, këtë ushtarak të ri, i dalur nga një Akademi prestigjoze, siç është ajo e Modenas, nga ku kanë dalë edhe mjaft oficerë të tjerë të rinj, një pjesë e të cilëve u pushkatuan dhe u burgosën, shokë shkolle të Valentinit!?
Nuk po përmendim këtu vëllezërit dhe pjestarët e tjerë të familjes, pasi jemi përqendruar vetëm tek ai, si shembull madhor i një përsekutimi e dënimi pa precedent në historinë shqiptare dhe të huaj…

Kampi i Kuçit i Kurveleshit - 1957
Kampi i Kuçit i Kurveleshit – 1957

Uliksi mbeti simboli i sakrificës njerzore për ato njëzet vjet që ndejti i ndarë nga Penelopja, ajo grua krenare e fisnike, dhe hyri në historinë e njerzimit përmes poemës së të madhit Homer. Cili Homer tjetër do të lindë që të shkruej Odisenë e Valentin Pervizit, që jo 20 vjet, por më shumë se dyfishin, plot 47 vite, mbeti i përfshirë në stuhitë më të mbrapshta ideologjike që përfshinë Shqipërinë?!
Uliksi udhëtoi me anije e barka nëpër dete tallazore e përplot rreziqe. Valentini udhëtoi nëpër dallgët e një jete të përçudur, ku rreziku qëndronte në pusi çdo çast. Qe një mrekulli që ai mundi t’i shpëtojë gjallë kësaj stuhie të kuqe. Ndoshta pikërisht, duhej edhe Shekulli i Njëzetë të nxirrte një Uliks të ri, që të mbetej edhe ai i fiksuar në ndonjë vepër të frymëzuar…
Gjashtë presidentë, ndonse në krye të shtetit dhe disa qeveri e kryeministra nuk e kthyen kurrë vëmendjen as kujdesin nga ata që mbajtën barrën e randë të diktaturës famëkeqe e kriminale komuniste.

Ai punoi një jetë si puntor bujqësie në kampin e Gradishtës, ku ishte destinuar në një dënim të tërjetshëm dhe ku qëndroi deri në shkurt 1991, pas 47 vjet burg-internim.
E ftojmë shoqërinë shqiptare të mbajë qëndrim ndaj këtyre shkeljeve të pafalshme të të drejtave të njeriut, si ndaj të gjallëve ashtu dhe ndaj atyre që humbën jetën, por sa jetuan, qendruan shembull i një heroizmi të veçantë, pavarësisht nga dënimet e randa dhe nga zemërligësia sundimtarëve komunistë, e që këta kundështarë të vendosur të dikaturës më të egër, më antinjerzore dhe më antishqiptare, kërkonin t’i zhduknin me metodat e tyre kriminale.

Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë, 1954
Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë, 1954

Valentin Pervizi qe destinuar ta mbyllte jetën si i dënuar i përjetshëm. Ai, i shpëtoi atij dënimi duke humbur një jetë të tërë, edhe pse kishte një jetë dhe një karrierë të lavdishme si ushtarak i lartë në shërbim të Atdheut.
Mbas 47 vitesh, Valentin Përvizi, arriti të bashkohet me Penelopën e tij, Maria Goriza Maninin, në Bolonja, ku ishin njohur dhe qenë martuar më 1942. Ai pati fatin të bashkëjetonte me gruan nga viti 1991-1999, pra tetë vite dhe siç e thamë, iu njoh grada N/Kolonel, ndërsa në Shtëpinë e Oficerve, duke e ditur historinë e tij i thërrisnin të gjithë Gjeneral.
http://kosova.albemigrant.com

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Es una historia muy triste. No tengo mas palabra porque esta todo escrito muy bien. Pobres a esta gente que han sacrificado todo su vida, por unos hijos de puta que matavan y masacravan muchisima gente sin ninguna culpa. Lo siento mucho por todo lo que habeis sufrido…

    Eshtë nji histori shumë e trishtë. S’nevojiten shumë fjalë, sepse e gjitha është shkruar shumë bukur. Më vjen keq për ata persona që kanë sakrifikuar gjithë jetën e tyre, dhe ata bastardë që masakronin dhe shkatërronin të gjithë ata njerëz që s’kishin asnjë faj… më vjen keq për gjithçka që keni vuajtur…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.