back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Valixhja e Shqyer” – tregime nga Visar Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti - Valixhja e Shqyer - Tregime
Visar Zhiti – Valixhja e Shqyer – Tregime

Po Ju dërgoj kët shkrim të përgatitur me botuesin e “Omsca-1”,
për një libër disi të veçante, do të thosha,
ku janë bashkuar tregimet e mia me vizatimet e tim biri,
ku shpjegohet diçka nga historia e pazakonte e këtij libri
dhe shpërndarja e tij nëpër librari do të bëhet në ditën,
kur autori i vizatimeve do të mbushte 21 vjeç…
Bashkëlidhur janë dhe dy kopertinat e librit.
Nëse vendosni ta botoni, jeni të lutur që shkrimi të dalë në 30 gusht,
ditën e martë si dhuratë tim Biri në Qiell.
Shkrimi, i përgatitur me botuesin,
besoj se i tejkalon nostalgjinë dhe dhembjen e një prindi,
dhe ka vlera për lexuesin e gazetës.
Materialin që po Ju nis, keni tëe drejtë ta përgatisni
me heqje dhe shtesa si do të mund t’i duheshin gazetës,
mua do të më vinte mirë për botimin e tij në datën që Ju kam shkruar,
do të më ngjante një Fjalë Qiellore. Mirëkuptomëni.
Gjithsesi Ju falenderoj dhe Ju jam mirënjohës,
miqësisht, Visar Zhiti

I dashur Visar,
ky material për fat tëkeq botohet me tri javë vonesë,
për arsyen e thjeshtë të disa problemeve me postën time elektronike,
gjë për të cilën ju kërkova ndjesë të gjithë atyre
që më kanë shkruar gjatë kësaj periudhe moskomunikimi…
të njejtën ndjesë ua kërkoj edhe ju
dhe po e paraqes menjiherë materialin e dërguar të Omsca-s…
Shumë miqësisht, Jozef Radi

Visar Zhiti - Kopertinat e Librit Valixhja e Shqyer
Visar Zhiti – Kopertinat e Librit Valixhja e Shqyer

“Valixhja e Shqyer”

– tregime nga Visar  Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti –

“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.
I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave
Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.

Në kopertinën e pasme lexojmë:

“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.
Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellore me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.
Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si të Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.
“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.
Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.

Visar Zhiti me të birin Atjonin
Visar Zhiti me të birin Atjonin

Fati i Librit…

“Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:
“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…
Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.
Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”
Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.
Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:
“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht… Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”
Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.
Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.

Kanë thënë për Visar Zhitin:

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij…
Robert Elsie

***
…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.
Marisa Kërbizi

***
…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…
Kevin Higgins

Pikturë e Atjon Zhitit
Pikturë e Atjon Zhitit

dhe për Atjon Zhitin:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei

***
Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.
Gëzim Qendro

***
Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa
Përgatiti “Botuesi”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.