back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Varfëria artificiale e Gjuhës Shqipe nga Mehmet Elezi

Gazeta

Mehmet Elezi
Mehmet Elezi

Varfëria artificiale e Gjuhës Shqipe

nga Mehmet Elezi

Në gjuhën tonë të bukur: shqip

1.
E papritura qe një diplomat i ri europian, që paskesh shërbyer do vjet në Shqipëri. Ndonëse disi me kujdes, i mëshoi mendimit se shqipja është gjuhë e varfër. Vetë nuk dinte shqip. As pjesëmarrësit e tjerë në darkë.
Këtë bindje ia kishin ngulitur do djem e vajza shqiptarë të diplomuar në perëndim. Në Tiranë kish qenë miqësuar me ta. Edhe kur bënin me shoqi-shoqin biseda politike për krizën, për problemet në vend, tha diplomati i ri europian, parapëlqenin me folë anglisht. Një herë i pyeta pse? M’u përgjigjën se gjuhës shqipe i mungon terminologjia, i mungon përditësimi me zhvillimet e sotme. Vetëm anglisht mund të shprehemi saktë.
Për cilën gjuhë shqipe e kanë pasur fjalën?
Le të kujtojmë se standardi përfaqëson shumë më pak se gjuha buruese e popullit. Gjuha e gjallë është lum i thellë, gurgullues. Standardi është kanal i betonizuar. Nëpër të shkon aq ujë sa kanë vendosur betonuesit.

2.
Me gjasë janë disa arsye që i kanë çuar këta djem e vajza në atë vlerësim për gjuhën shqipe.
1.Kanë kryer studimet universitare në anglisht, shpesh mendimet u vijnë anglisht. Sidomos në diskutimet profesionale e intelektuale, ku mekanizmat gjuhësorë i kanë të përpunuara mirë prej shkollimit.
2.Duke folur anglisht ndihen më “bashkëkohorë”, interesantë, trendy. Ka prej tyre që mund të kenë dëshirë me u dukë pak. Të rinj janë, s’i ka vrarë këpuca.
3.Megjithatë arsyeja më e qenësishme është tjetër. Lidhet me shkollimin fillestar dhe tërë mjedisin rrethues në Shqipëri, ku janë ngjizur në fëmini e në rininë e hershme. Dhe ku jetojnë e punojnë tashti.

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

3.
Pasuria e një gjuhe vlerësohet në shumë tregues. Ndër kryesorët janë caqet (termat) abstrakte e kozmogonike. Çabej ka vënë re me kohë sa e pasur është shqipja sipas këtij treguesi. “…fjalë vendi, me burim vendës, në shqipen popullore ka jo vetëm në sferat e kulturës materiale… po edhe në atë të fushës abstrakte, mendore”, shkruante. Në një rast tjetër këshillon me veprue. “Shqipja, e cila jo vetëm në leksikun e lëmit material, po edhe në atë të fushës abstrakte-mendore është më e pasur nga sa mund të kujtohet, ka mundësi të pasurohet në të ardhmen me mjetet e lëndës vetjake dhe (në) degët e disiplinave të ndryshme shkencore”.
Te libri Gjuha shqipe në bunker?!, ribotuar edhe si parathënie e Fjalorit të Gjuhës Shqipe 2006, një krye (kapitull) i veçantë argumenton me të dhëna gjuhësore këtë tezë të mjeshtrit të madh. Po i rikthehemi çështjes fare shkurt, nga një tjetër kundrojë. Le t’i lëshojmë kalimthi një sy jo pasurisë së fjalëve të fushave teknike e abstrakte mendore në gjuhën shqipe, por laboratorit të krijimit të tyre. Përkapjet (konceptet), mbi të cilat gjuha shqipe i ka krijuar ato, janë përnjëmend origjinale.
Fjala horizont, për shembull, është me gurrë të huaj. Vetë shqipja ka katër sinonime për të: lëpen, lëbozë, lëpith, mballim syni (përkatësisht te Harapi, te Camaj, te Fjalori Haxhillazi-Ahmeti dhe te Gazulli). Tri të parat vijnë prej lëpé “mjegull e hollë, tis”, përshtypja që le pafundësia e qiellit. Vetë lëpé lidhet me foljen me u lëpe e kjo me foljen me (u) lëpi. Nëse horizont në gjuhët e vjetra ka pikënisje nocionin “kufi”, në shqip është e kundërta: mungesa e kufizimit. Lëpeja e pafundësisë le gjithçka hapur, siç është pafundësia e qiellit.
Për veglën që mat kohën gjuha shqipe përdor dy fjalë të huajtura: orë dhe sahat. Më përpara ka pasur një fjalë të vetën: hanor (prej hanë). Në një nen të Kanunit ku flitet për gjelin, thuhet: “Knduesi asht hanori (sahati) i të vorfnit”. Në frengjisht fjala që tregon orën (la montre) lidhet me foljen montrer “me tregue”, pra send që tregon. Në anglisht lidhet me foljen “me pa” (to ëatch), pra send që këqyret. Në italisht, prej ku edhe në shqipen e sotme, lidhet me latinishten e me greqishten hora që ka pak a shumë kuptimin e stinës (fjala shqipe herë ngjan se ka të njëjtën prejardhje). Ndryshe prej simotrave europiane, fjala hanor nuk niset subjektivisht prej foljesh që lidhen me shikimin a me kallëzimin, por merr shkas te lëvizja e një trupi qiellor, e Hënës. Matja e kohës me lëvizjen e trupave qiellorë është mënyrë e hershme e njerëzimit. Mbetet gjithnjë mënyra më e saktë.
Ja edhe caku astronomik rrokulli, në kuptimin orbitë e trupave qiellorë. Krejt ndryshe prej gurrës së fjalës orbitë, zanafilla e rrokulli është rrokë, fjalë shqip me kuptimin spirale. A thua intuita popullore nuhati që lëvizjet e sistemit diellor kryhen në trajtë vezake ose rrethi, dhe njëherësh në trajtë rroke, spiraleje, si sistem në gjithësi? Vështirë me pohue këtë. Gjithsesi rrokulli është krijim i brendshëm i shqipes. Rrënja rrokë është dëshmuar mjaft pjellore.
Vonë kemi pasur shtet të mirëfilltë, por terminologjia juridike dhe e qeverisjes u përpunua mjeshtërisht te e drejta dokesore, veçanërisht te Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe te Kanuni i Skanderbegut. Shqipja të habit po aq me shkathtësinë me të cilën ka përpunuar terminologjinë e ekonomisë së tregut.

Janus - Perendia e Fillimit
Janus – Perendia e Fillimit

4.
Sa i njeh kreja (elita) e specialistëve dhe intelektualëve të rinj këto pasuri?
Para do vjetësh një pedagoge në universitet më bëri një pyetje në dukje pa kurrfarë rëndësie. Kish parë në media njoftimin për botimin e romanit Ujdhesa e askujt dhe deshi me ditë pse i kam vënë këtë titull, ç’do të thotë ujdhesë. Vajza që pyeti flet katër gjuhë të huaja.
Kam qenë nxënës në shkollë fillore, kur kam mësuar fjalën ujdhesë. Mësuesja jonë qe shtalp (adoleshente), kish kryer një shkollë pedagogjike dyvjeçare në Shkodër. Sistemi i atëhershëm shtatëvjeçar, shto dy vjet të pedagogjikes, ajo kishte nëntë klasë shkollë gjithsej dhe kish dalë mësuese gjashtëmbëdhjetë vjeç. Megjithatë në orën e mësimit na u drejtua: “Të dashur fëmijë, Shqipëria ndodhet në siujdhesën e Ballkanit. Vendi ynë ka edhe një ujdhesë të bukur. Kjo ujdhesë quhet Sazan…”. E njëjta mësuese nuk thoshte alfabeti i gjuhës shqipe, por abeceja e gjuhës shqipe. Në Shkodrën metropol të qytetërimit shqiptar kish pasur mësues të njëmendtë.
Tashti pas pesëdhjetë vjetësh, një tjetër vajzë, me diplomë universitare dhe me katër gjuhë të huaja, nuk di ç’do të thotë ujdhesë. Sa mund të fajësohet ajo, sa mund të fajësohen ata që i qaheshin diplomatit europian për “kapacitetet e ulëta shprehëse” të gjuhës shqipe?

5.
Për fjalën ishull, me gurrë të huaj, gjuha shqipe ka të paktën tri sinonime me brumë të pastër shqip (dhe tri të tjera me gurrë të huaj). Njëra syresh është ujdhesë, fjalë librash, deri vonë mjaft e përhapur. Dy të tjerat i ka gjuha e popullit, por kanë hyrë edhe në letra. Ansujë, prej anës ujë. “…si vendasit e dy ansujave të palidhura bashkë me avullore”, shkruan Konica. Dhe cekë, përdorur prej banorëve të luginës së Drinit për një vend të rrethuar prej lumit në të katër anët. Lidhet me cekëtinë, me cekë. E ka pasqyruar revista Cirka, botohej në vitet tridhjetë në Shkodër.
Pas Luftës së Dytë në shkolla pak mësoheshin caqet shqip të astronomisë, të tregut, të sportit, të artit, të qeverisjes, të teknikës. Këto gjindeshin në gjuhën e popullit; gjindeshin me plotni në Fjalorët e Gazullit, të Bashkimit dhe në veprat e autorëve të mëdhenj si Fishta, Konica e të tjerë, në thesare popullore si Visaret e Kombit e Kanuni i Lekë Dukagjnit. Këto vepra të botuara para Luftës qenë shpallur armike, bashkë me autorët e tyre. Fjalori i Gazullit mbahej rezervat në Bibliotekën Kombëtare, duhej me kalue nëpër shumë filtra e hallka të errëta dhe vështirë autorizimin me e shfletue. Fjalori i Mustafa Krujës, me sa dihet më i madhi i përfunduar deri atëherë, nuk u botua kurrë, nuk u përmend kurrë. Dorëshkrimi u muar nga “shkencëtarë” të regjimit dhe u zhduk, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm gjuhës shqipe.
Në fjalorët e akademisë nuk përfshiheshin fjalët shqipe “armike” (lufta e klasave hyri deri te fjalët e gjuhës!). Në raste të rralla, kur ndonjëra ka depërtuar, është vënë shënimi zhvlerësues krahinore. Është e tepërt të rikujtojmë se këto pasuri nuk zinin vend në libra, në tekste shkollore, në gazeta e revista. Nëpër shkolla gjuha shqipe si lëndë mësimore mjaftohej me do rregulla bazë. Si lëndë mësimore u hoq fare nga shkollat e mesme.

Mehmet Elezi dhe Fjalori i tij i Gjuhes
Mehmet Elezi dhe Fjalori i tij i Gjuhes

6.
Kështu spjegohet pse brezat e pasluftës kanë njohuri të cekëta për gjuhën shqipe, shumë prej vlerave të rralla të saj nuk i njohin fare. S’i kanë lexuar, s’i kanë dëgjuar kurrë. Por secilit hakun: as vetë nuk janë interesuar. Mirë apo jo aq mirë, kanë pasur përparësi të tjera. Herë-herë kanë shkuar më tej. Duke mos pasur kurrfarë dijenie për këto vlera, i kanë paragjykuar e shpërfillur. Kështu ka ndodhur edhe në përgjigjen që i kanë dhënë diplomatit të ri europian.
Gjuha shqipe nuk është e varfër, standardi po.
Gjuhës shqipe nuk po i kthehen “pronat”, thesaret e varrosura së gjalli. As nuk po i njihen zyrtarisht. Mjerisht ka shqiptarë që i gëzohen kësaj gjendjeje. I gëzohen kimisë së dhjetëvjeçarëve, që po bën të vetën në mënyrë të pakthyeshme.
29 shtator 2014
(Marrë nga muri i fb “Gjuha Jonë Hyjnore”)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.