Vargje nën diktaturë
nga Shpend Sollaku-Noé
Është e rrezikshme të jesh poet në kohë diktature.
Për nga natyra poetët janë lindur të lirë dhe liria, në një farë mënyre, është vlera më e rëndësishme që ata bartin përmes vargut. Por të qenit të lirë shpesh bëhet edhe kryqi që ata duhet të mbajnë mbi shpinë, sidomos kur, në kushte të caktuara historike, mendimi vetiak imponohet nëpërmjet parimesh të vendosura “nga lart”. Dëshira për të shkruar vargje sipas zemrës e jo sipas parimeve të diktaturës ka qenë fatale për shumë poetë. Ajo është paguar edhe me vdekjen e dyshimtë në qeli dhe zhdukjen e eshtrave si tek Ethem Haxhiademi, edhe me dënime kapitale – siç ka ndodhur me Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën e Havzi Nelën, – me një jetë të tërë burgim dhe internim si Lazër Radi, apo me vdekjen në vetmi e përçmim pas dekadash në qeli dhe degdisje si në rastin e Musine Kokalarit.
Letërsia shqipe dhe ajo botërore kanë njohur edhe shembuj të panumurt të poetëve të oborrit, që iu nënvunë pushtetit diktatorial sepse të bindur në idealet komuniste (rasti i shqiptarit të dëgjuar Dritëro Agolli) apo në ato fashiste (siç ka qenë italiani i shquar Gabriele DʼAnnunzio). Po ashtu edhe të tjerë që i shërbyen regjimit të kuq për konveniencë (shqiptari Ismail Kadare). Këto emra i servir vetëm sa për të përmendur ndonjë përfaqësues, pasi lista e këmbëlëpirësve, edhe pse rallëherë poetë apo shkrimtarë të mëdhenj, bëhet e gjatë.
Ai që merr penën e vendos të hedhë në vargje lirinë apo skllavërinë e tij e ka të domosdoshme të ballafaqohet me lexuesin. Dhe për të arritur tek lexuesi ka nevojë të domosdoshme të botojë. Por nën diktaturë kjo nuk është e thjeshtë, duhet tʼi përulesh ose të bëhesh pjesë e saj. Diçka e papranueshme për poetin e lirisë, por tundimit për tʼu përballur me njerëzit nuk mund tʼi rezistosh. Atëherë kërkohen mënyra të tërthorta për të thënë të vërtetën e për të tribluar çensurën. Njëra nga armët më të efektshme për tʼia arritur këtij qëllimi është pa dyshim alegoria. Shembujt e përdorimit të alegorisë në poezinë botërore janë të panumurt, nga letërsia antike greke tek Dante Alighieri e deri në kohët moderne. Nga letërsia shqiptare më tipikët alegorikë kanë qenë Mjeda, Asdreni, Çajupi, Naimi e Noli – të gjithë një shkollë e vërtetë për tʼiu shmangur ndalimeve. Në kohët moderne kjo mënyrë e të shkruarit u pasurua sidomos nga Kadareja me dykuptimësinë e vargut, që nuk është një alegori e mirëfilltë, por që pak i mungon: ajo është më moderne, por, si alegoria, të jep mundësinë e shprehjes së mendimit edhe pa rrezikuar shumë zyrtarisht.
Alegoritë dhe dykuptimësitë u përpoq tʼi shfrytëzonte edhe brezi i poetëve mes të cilit edhe unë nisa përpjekjet e mia në thënien e të vërtetave. Një pjesë e mirë e atij brezi përqafoi diktaturën, e shfrytëzoi atë për të bërë karrierë, shpesh në kurriz të të tjerëve poetë, duke spiunuar apo sabotuar poezinë e konkurrencës. Një pjesë tjetër, në të cilën mendoj se përfshihem, u përpoq të mbijetonte. Dhe për tʼi dalë mbanë dëshirës që të matej me lexuesin, zgjodhi mënyrën e tërthortë për tʼu shprehur, atë të alegorisë apo të dykuptimësisë. Por tashmë edhe çensorët nuk ishin më të pagdhendurit e dikurshëm: ata ishin specializuar nëpër universitetet e nëpër zyrat e diktaturës edhe për të zbërthyer alegoritë e dykuptimësitë. Dhe as unë as ndonjë tjetër nuk kishim kredencialet e Kadaresë. Më fatkeqët prej këtij tipi të disidencës përfunduan pas hekurave. Emri më i spikatshëm i asaj kategorie ishte pa dyshim Visar Zhiti. Unë dhe ndonjë tjetër qëlluam me fat, patëm shokë besnikë dhe i shpëtuam burgut, pasi nuk flisnim kur ishim më tepër se dy vetë (zyrtarisht, për të të dënuar duheshin të paktën dy dëshmitarë) dhe, çka ishte më e rëndësishme, redaktorët me mua u mjaftuan vetëm me çensurimin e poezive; deri tani nuk kam të dhëna të më kenë kallëzuar penalisht. Ndoshta sepse nuk kam dashur të di se çfarë tjetër kishte pas çenzurës. Sidoqoftë hakmmarrja e diktaturës mbi mua u shpreh ndryshe: me mënjanimin shoqëror, me mosdhënien e të drejtës për të studjuar, me dërgimin në Sazan për tre vjet, në kohën kur kisha mbaruar me rezultate shumë të mira të dymbëdhjetë vitet shkollore apo kisha filluar të botoja, edhe pse me pikatore, që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. E sidomos ajo hakmarrje u shfaq me mohimin e të drejtës për të botuar. Gazeta «Drita», në të cilën kisha filluar të kisha cikle poetikë që herët, ra në dorë të poetëve të qeverisë, të sjellë aty nga rrethet apo Tirana për të pasur gjithçka nën kontroll. Në “Zërin e rinisë” vunë një tjetër, njeri i Sigurimit të Shtetit. Arritja e tij në atë gazetë, – më parë ai tip rrëshqitës kish botuar vetëm disa poeziçka mediokre, – shënoi edhe fundin e bashkëpunimeve të mia me atë redaksi. Për të marrë mendime rreth pastërtisë morale e talentin e atyre që vinin nga Lushnja, ishte dikush tjetër, banues në qytetin tonë, që, për të thënë pak, hante e pinte me ata të Tiranës dhe shtrembëronte biografitë dhe të dhënat për sjelljen e poetëve të shkujdesur lushnjarë sipas këndvështrimit të Ministrisë së Brendshme.
I armatosur me alegorinë apo me dykuptimësinë, unë arrita të kem vetëm një fitore: të vetmin libër poetik të botuar në Shqipëri: “Mëzat e kaltër”. Në fillim ky libër titullohej “Sfinksi”. Në vitin 1976, për “Sfinksi”- n, sovrani i atëhershmëm i letrave tona Ismail Kadare, pasi e kish lexuar në shtëpi, më dërgoi me një pusullë tek shefi i poezisë: “I dashur I.N., autori i këtyre vargjeve është një djalë… Ju kërkoj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri.” Kërkesa e Kadaresë u hodh poshtë. “Sfinksi”-t iu mohua botimi dhe mua mʼu bë presion të kthehesha në klishenë e paraservivur të realizmit socialist. Në shkurt 1987, pas njëmbëdhjetë vitesh çensure, arrij ta botoj me titullin “Mëzat e kaltër”. Por, ndërsa po shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve që tʼi gëzohesha suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpëritej fati i tij: Në karton!
I lajmëruar nën zë nga një tjerër autor i ri (Teodor Keko), mësova se, pasi e kishte botuar, çensori kishte vendosur menjëherë ta zhdukte librin tim për nxirje të realitetit nëpërmjet alegorirash të rrezikshme. Çʼtë bëja? Bashkë me të fejuarën, që më priste në koridor, renda në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipografëve, të trembur prej “urdhërave nga lart” (Ky libër nuk duhet absolutisht të qarkullojë!), arrita “të vjedh” një kopje të vetme. Kur drejtori i “Naim Frashëri”-t, (G. B.) i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, unë nxora kopjen e “vjedhur” prej palltos. Ai, i befasuar, pas orësh polemike, më detyroi të pranoj një “kompromis”: të lejohej të qarkullonte libri, por pa vargjet e kriminalizuara! Unë nuk shkova më të interesohesha për fatin e atij vëllimi. Por nuk më kish shkuar kurrë në mendje ajo që do të ndodhte vërtetë: Në variantin e dytë të “Mëzat e kaltër” ishin grisur poezi të tëra, të tjera ishin sakatuar dhe shumë vargje ishin shkruar nga njëri prej redaktorëve! Aq banale ishte bërë grisja, saqë duken qartë edhe faqet “e reja” të ngjitura mbi “të vjetrat”. (Shih në faqen 179, majtas në faqen e atëhershme numër 5 – titulli me kryq sipër – ka qenë poezia ime “Popujt si deti” dhe është zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia. Po ashtu në faqen 181: në faqen e atëhershme 6 ka qenë poezia “Revolta e maleve”, grisur e zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia si vazhdim i poezisë së hequr “Popujt si deti” e kështu me radhë gjatë vazhdimit të librit.). E vetmja kopje e plotë e këtij vëllimi gjendet në arkivin tim. Sidoqoftë, nuk mund të harroj mbrojtjen që më bënë, edhe pa më njohur, shkrimtarët Nasho Jorgaqi e Fatos Arapi, që u shprehën kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: “Të dërgosh këtë autor të ri në karton do të thotë inkuizicion mesjetar!”
Disa prej poezive të grisura i kam edhe botuar më vonë në Itali e SHBA, disa akoma jo. Po shtoj në një antologji të sotme edhe disa të pabotura ende, ashtu siç kanë qenë, pa ndryshuar as edhe një presje, më tepër për tʼu treguar poetëve të rinj sesi ishim detyruar të shkruanim nën diktaturë, sesi përdornim alegoritë apo dykuptimësitë për tʼiu shmangur çensurës, edhe pse shpesh pa suksesin e dëshiruar. Ndoshta këto shënime kanë vlerë edhe për tʼu thënë poetëve të sotëm sesa e çmuar është liria e të shkruarit në demokraci, që imponon vetëm një rregull të paluajtshëm: vetëçensurimin në emër të cilësisë artistike.
Si dëshmitar i ardhjes në jetë të këtij libri, qysh në guximin e parë të autorit kur ishim shokë të një klase në gjimnaz, e pjesë nga dorshkrimi i kisha lexuar, mund të them se trishtimi i mosbotimit të parë (ishte vetëm 18 vjeç) iu desh një betejë 11 vjeçare kur sërish e vetmja shtëpi botuese e asaj kohe ia riktheu mbrapsht për riparim! Sa i trishtë është një riparim poetik dhe përshtatja e një poezie të një rrebeli të lindur për shijet e rafinuara partiake! Jam dëshmitar edhe mbasi libri u botua, dhe autori kishte siguruar tinza një kopje të tij… ai nuk doli dot në treg pa iu shkulur edhe ca faqe të tjera… Dëshmi e gjallë se sa i pazoti ishte një autor nën diktaturë për të luftuar për faqet e tij më të dashura, kur i sheh të shkulura… dhe ajo ndjesia që ti s’ke çfarë bën asgjë për librin tënd, sepse vërtet emri në kopertinë është i autorit po miellin brenda tij e ka trazuar sipas midesë së saj Partia! Libri “Mëzat e Kaltër” është dëshmi e një beteje të gjatë për lirinë e fjalës kur askush nuk guxonte! Dhe brezat që vijnë duhet të kuptojnë që mundimi i Sizifit për ta çuar shkëmbin në maje… përballë botimit të libërthi me 50 poezi nën diktaturë… është ku e ku më i lehtë…
jozef radi, gusht 2022