back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Variacione Lirike nga Daniel Gàzulli

Gazeta

Daniel Gazulli - Torino
Daniel Gazulli – Torino

Variacione Lirike

nga Daniel Gàzulli

“Folklora,
asht pasqyra e kthjelltë
e psihës së kombit!
Gjergj Fishta – (HD 1933, 4/153-163).

Si shtjellon randësinë e tij në vetë sendërtimin e historisë kombëtare, tue shtjellue procesin krijues të poezisë popullore (shpesh e ma drejtë e thanë – kangës popullore), ai ngulmon tek pjesëmarrja e gjatë e lëmimi i pafund i saj nga brezi në brez. Si të thuesh, mbas krijuesit të parë (poetit kangëtar), punën e merr në dorë një redaksi anonime, që vazhdon ta përpunojë për një kohë të gjatë, derisa vepra të shkëlqejë porsi “gurëzit e lumit fill mbas shiut kur i shndrrit dielli”.
Tek parathanja e “Kanunit”, Fishta i thur më një anë një himn trashëgimisë popullore në përgjithësi, veçan poezisë popullore, me kulme në përshkrimin e Tanushës nga eposi i Mujit dhe Halilit, e thotë: “Ku e ka Petrarka – mbreti i vjershës së bukurisë e të dashunisë – nji përshkrim ma të bukur se ky” – asht fjala për Tanushën. (HD, po aty).
Po na sot nuk duem të ndalemi e të përsërisim çka ka analizue mrekullisht Fishta, ashtu edhe shumë autorë të tjerë, por në disa relike që, çuditërisht, i kanë shpëtue kritikës e analizës letrare, edhe pse janë kryevepra në llojin e vet.
Janë lirika, ose thjesht pak vargje prej tyne, që dëshmojnë për vlera artistike të krahasueshme me poezinë ma të mirë europiane të kohës, aty edhe ndonjë kryevepër e vërtetë, pse vlerat estetike nuk maten me numrin e faqeve apo të vargjeve, po me gjuhën e figurshme me të cilën përcjellin ndjesitë njerëzore tek na.

Variacioni 1 – Çupë pej Përmeti

Çupë pej Përmeti, nuse në Janinë,
nga sevdaja jote braktisa shtëpinë.
Dola mbi Koikua1), seç pashë Libivanë2),
o moj lir’e frënkut, s’ta dita pahanë3).
Kur më shkon sokakut si mëzja këlyshe,
Sisat aguridhe, qumësht dallëndyshe.

1) Mal afër Përmetit.
2) Fshati i parë mbas malit të Koikua.
3) Pahanë-turq. – vlerën

Subjekti: Dy të rinjë permetarë janë dashtë, po vajzën familja e ka martue në “kaza” – qytet – Janinë. Dashunia e madhe e shtyn djalin të marrë rrugën drejt Janinës me karvan, të kapërcejë shumë vështirësi, aty edhe ato financiare /o moj lir’ e frënkut, s’ta dita pahanë/. Ishte fillimi i shekullit XIX, kur në Pashallëkun e Janinës, të Ali Pashë Tepelenës, shkonte lira franceze. Por djali poet shkoi atje pse “sokakëve të kazasë” shkonte si “mëzja këlyshe” (e vogël) ajo, e papërsëritshmja në botë, e shprehun eleganca e saj me dy fjalë: sisat aguridhe/ – pra të pabame mirë, të vogla, që ishin në kufijtë e imagjinatës /qumësht dallëndyshe/.
Poeti: Asnji psherëtimë. Asnji ah!, asnji oh!, asnji “aman derman”! Ai qëndron mbi këte ngjarje brilante, gjashtë vargje roman, si zot i vërtetë i poezisë. Ai i këndon kësaj dashunie të rrallë që nga naltësitë e Parnasit poetik. Në thjeshtësinë e frazës së rrjedhshme poetike qëndron edhe madhështia e kësaj poezie/ kangë që, pa frikë, mund të konsiderohet një vepër e mirëfilltë letrare me dendsitetin ma të madh të imagjinueshëm estetikisht.
Personazhet: Ata janë dy: poeti dhe e dashuna e tij. Poeti, thamë, jo vetëm nuk u përngjet askund bejtexhijve qaramanë, po as atyne që një botë letrare mbarë i mban për gjigandë: asgja nga trishtimi i Petrarkës në përshkrimin e Laurës së tij të zbehtë.
Vajza: Si gjithë vajzat e kohës dhe të të gjitha kohëve, ka dashtë edhe ajo. Dhe çfarë dashunie! Të duesh një shpirt të tillë fisnik si të Poetit tonë, them unë, zbehen para saj Dezdemonat e Ana Kareninat. Por, si gjithë vajzat e kohës, ajo nuk mund të ishte zojë e fateve të veta, prandaj i nënshtrohet vullnetit të prindëve e përfundon nuse në “kaza”, në qytet, në kryeqytetin e kohës, Janinë. Ajo asht e bukur si nji andërr; si e tillë, nuk çapitet, por pothuej fluturon sokakëve të Janinës, “si mëze këlyshe”. Ajo nuk asht grueja e re e shijes së ultë, e bashme e sensuale, po me “sisat aguridhe, qumësht dallëndyshe”.
Pyes veten: Si e ka anashkalue kritika letrare këte perlë të poezisë popullore, ndërsa merrej me Mrikat traktoriste?

Veshje Tradicionale e Malsise se Hasit
Veshje Tradicionale e Malsise se Hasit

Variacioni 2 – Endi molla

Endi molla, endi dardha,
endi kraharuarbardha.

U ndalëm vetëm tek dy vargje. Ma saktë tek një folje: Me endë; dhe tek një emën: kraharuarbardha.
Poetit popullor nuk i ka mjaftue folja “me çelë”: çeli molla, çeli dardha. Jo. Endi molla. Pse me endë, le t’i lamë për një çast fjalorët më një anë, do të thotë të thurish jetë: bima, kafsha, njeriu, çdo gjallesë. Njeriu bani që të endin edhe sendet. Bashkë me mollën e dardhën ti ndjen se po gjallon gjithçkaja: aty edhe “kraharuarbardha”, që asht jeta e jetës. Kujtoni sa piktorë, sa poetë i kanë kushtue ndjesitë ma të thella e ma të ambla njëherësh marrjes së gjiut prej foshnjes. Kraharuarbardha e poetit popullor do të gëzojë ma së pari atë, pikërisht poetin, po mandej, shpejt, do të endë edhe ajo, si molla e si dardha, JETË.
Në dukjen e parë vargu “endi kraharuarbardha” shpreh sensualitet. Natyrisht. A nuk asht jetë edhe sensualiteti? Por mbi të gjitha ai të lejon të plotësosh vetë vazhdimin e poezisë: endjen e jetës nga kraharuarbardha, ashtu si molla e si dardha.

Variacioni 3 – Moj e mira

Moj e mira nën hije të blinit,
tu ka grisë k’misha tu gjini,
t’paskan dalë cikat pa hiri,
a s’ia jep-o ti këtij jetimi …

Le ta përshkruejmë si pikturë.
Ajo, ndoshta çobanesha, aty nën hije të blinit, jo vetëm me i ikë vapës së gushtit, por edhe të moshës, asht krejt kondend që i asht “grisë k’misha tu gjini”, e gja e sigurt se nuk i kanë dalë “cikat pa hiri”. Frojdizëm? Merrnje si të doni. Kjo ka qenë jeta mija vjet ma parë, asht sot e do të jetë sa të ketë njerëz mbi rruzullin tonë: vashave do të vazhdojnë me iu “dalë cikat pa hiri”. Asgja vulgare. Ata ma buzëhollët le të lexojnë po të duen Ungjillin e Kuranit ku thuhet se “çasti i marëdhanjeve seksuale asht hyjnor”. Natyrisht: pse aty janë rrajët e jetës. Frojdizëm a jo, ka pak randësi. Këtu çka duhet evidentue asht qëndrimi i djalit poet: nji buzëqeshje me nji ndriçim të pabesueshëm, nji humor i hollë, që arrin kulmin tek togfjalëshi “pa hiri” (pa dashje).

Veshje te Shqiperise se Mesme
Veshje te Shqiperise se Mesme

Variacioni 4 – Lulushja

Të gënjeu Lulusheja me një shami mollë,
Shan’e Ibrahim beut, shtatë vjet beronjë*.
Tumanet mëndafshi varur te xhamija,
Shan’e Ibrahim beut, t’u trempnë fëmija.

* beronjë – që nuk lind fëmijë, shterpë.

Në këtë poezi po aq brilante bahet nji dallim i premë në mes dashunisë, sensualitetit të shëndetshëm dhe seksualitetit që të shpërfytyron në viktimë të vesit.
Duket bile sikur poeti nuk e ka me Shanen e Ibrahim beut “shtatë vjet beronjë” (pa lindë fëmijë), ndoshta as me faktin e shëmtuet se “tumanet prej mëndafshit” iu gjetën varun edhe tek një vend i shejtë (xhamia), por tek dy elementë të sjellë mrekullisht me dy folje “të gënjeu” dhe “t’u trempnë” (t’u trembën). Poeti e gjen shkakun e shterpsisë së saj pikërisht tek çthurja e saj morale, aq sa i ishin “trembë” fëmija. Më thoni, ç’folje tjetër, në ç’do gjuhë të botës, do ta shprehte estetiksiht apo filozofikisht ma me forcë shkatrrimin moral se sa togfjalëshi “t’u trempnë fëmija”. Shqetësimi i poetit asht edhe për ata të rijë që mund të gënjehen nga “tumanet e mëndafshtë”, pra jo prej bezeje, a nji basme tjetër të pavlerë, po prej mëndafshi, prej një zonje beu, që mund t’i çonte ata, të rijtë, pikërisht në çthurje morale.
Gjithçka asht thanë e përshkrue me nji qetësi të jashtme në kufijtë e të pabesueshmes, po me një shqetësim të thellë të mbrendshëm të poetit popullor.

Variacioni 5 – Do t’i lutem

Do t’i lutem vajzë kojshisë
Të na presin njat mand.

Kur asht fjala për një dashuni të pastër, të dlirë, poeti popullor gjen edhe elemente flijues për të.
Ata duhen. Nuk kanë të ngimë ta shohin njeni tjetrin ditë e natë. Po në mes të shtëpijave të tyne asht një pengesë që nuk i lejon të shihen: mandi i kojshisë.
Atëherë djali i thotë vajzës së dashtun: do t’i lutem kojshisë ta presi mandin, të mos na bahet pengesë.
Dhe kojshia, me siguri, do ta flijojë mandin e tij për t’ia blatue nji dashunie të dlirë.

Variacioni 6 – T’qenka shkep moj xhamadani

T’qenka shkep’ moj xhamadani,
merr një harren me e harrnue.

Në këto dy vargje intensiteti i informacionit dhe eleganca në përshkrimin e hireve femënore arrijnë kulmin.
Djalit poet vajza i ka tërheqë vëmendjen që nji vit ma parë, kur ishte ende pa u rritë mire. Po ja, mbas një pranëvere, e shikon se i asht shqepë xhamadani e duhet me e arnue.
Dihet, nji rrobë e grisun, kur nuk mund ta blejsh nji të re, arnohet. Nji rrobë e shqepun, qepet, nuk arrnohet. Po jo, ajo, e adhuruemja e tij, pa dyshim e vorfën e që nuk mund me e ble nji xhamadan të ri, as ai nuk ka me se t’ia blejë, duhet ta arrnojë. Sepse… sepse xhamadani i nji vit ma parë nuk e zë ma gjinin e mbushun: se vajza asht rritë. Po djali poet nuk përmendë askund as kalimin e nji viti, as rritjen, as gjinin ma të plotë që nuk e zë ma xhamadani i vjetër, por me nji elegancë të rrallë gjen vargun e dhimbshëm më anë tjetër, se shpreh vorfninë e të dashunve, por me nji figuracion estetikisht të pashoq.
Asgja vulgare. Asgja kronikale. Asnji truk nga ato të zakonshmit të poetëve të sotëm. Asnji psherëtimë, por as egoizëm e eklektizëm superficial të të ashtuquetunve poetë modernë.
Gjithsesi, atij xhamadani diçka i duhet shtue, pse ndrysh do të ndodhte si me ato dy çobanët malësorë: t’paskan dalë cikat pa hiri.
I kam ndjekë prej kohësh këto kangë. Diku i kam ndeshë në variante ma të hershme e ma pak të përpunueme, diku me ndryshim edhe nga nji dhjetvjeçar në tjetrin. Pse poeti i madh – ai anonimi – e mban gjithmonë zgjuet muzën e tij të magjishme.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.