back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Varja në litar e Havzi Nelës – nga Florin Zyberaj

Gazeta

Busti i Havzi Nelës (1934-1988)
Busti i Havzi Nelës (1934-1988)

Varja në litar e Havzi Nelës –

nga Florin Zyberaj

Pasojat e komunizmit në Shqipëri kanë mbetur si kashej i pavdekshëm, me dy dhëmbë të vampirit që pikojnë ende sot gjak. Format e krimit në përgjithësi, dhe në sistemet diktatoriale në veçanti janë nga më të tmerrshmet. Ndryshojnë mjetet, por jo synimin që është zhdukja fizike. Përreth 50 vjet sistemi totalitar komunist në Shqipëri përdori zhdukjen fizike të personave e personaliteteve për të krijuar frikë, tmerr e nënshtrim. Kjo metodë u përdor edhe kundrejt mësuesit dhe poetit Nela.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë e përbërë nga gjyqtarët Fehmi Abdiu, Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, e hodhi poshtë kërkesën bashkëshortes së Havzi Nelës, Lavdie Nelës dhe jo vetëm kundër dënimit me vdekje. Vendimi i gjykatës ishte i prerë që Havzi Nela të dënohej me varje në litar.1
Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje që do merrej nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të drejtuar Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës.2
Më 9 gusht 1988, nga ora pesë deri në shtatë të pasdites, organizohej në stadiumin e lojërave me dorë, “Festa” e grurit dhe e prodhimit. Në këtë fesetë në emër të Komitetit Qendror, mbajti një fjalim Rrahman Hanku.3
Në dosjen e Havzi Nelës Nr. 94 të vitit 1988, shohim që një nga firmëtarët e dënimit të tij nga Presidiumi i Kuvendit Popullor është edhe Rrahman Hanku.4
Ky ish-ministër i asaj kohe ka ardhur me një mandat të zi dhe për të kryer misionin dhe detyrën e ngarkuar. Dita e mërkurë, e 10 gushtit 1988, qyteti i Kukësit i ngjante një shtet-rrethimi: Kudo shihje postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë.
Po në këtë datë në orën 2:00 pas mesnatës pasi tha fjalën e fundit,5 bëhet ekzekutimi i Havzi Nelës tek stacioni i agjensisë. Tek sheshi i agjensisë së autobuzave ishte grumbulluar një numër i madh njerëzish ku në fytyrat e tyre mbizotëronte heshtje mortore. Çfarë të shikoje një trikëmbësh i ngritur mbi dërrasa dhe në të ndodhej i varur Havzi Nela me një litar të lidhur nyje në qafë. Një shenjë mavi kishte përreth qafës. Një këmishë bezhë, me pantollona doku të zi e të trashë, mbathur me një palë këpucë llastiku. Siç theksonin njerëzit kishte ndenjtë 5 ditë pa konsumuar asgjë për të mos u përmjerë. Fjala e tij e fundit ishte: “Poshtë diktatura”. Lëkundej në litar gjithë dinjitet e i panënshtruar.6
.
Petrit Palushi - Kryqëzimi i Havzi Nelës
Petrit Palushi – Kryqëzimi i Havzi Nelës

Më 10 gusht 1988, kujton shkrimtari Petrit Palushi “në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një “arenë vdekjeje”, siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës”.7 Albert Vataj,8 e përshkruan me këto fjalë: “Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988, e thuri me maraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti, bashkë më me terrin e qorruem.”

Në yje i u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot”. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.
Sipër trekëndshit ndodhej e gozhduar një parullë ku ishte shkruar me gërma kapitale “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit.”9 Emri dhe mbiemri i të ndjerit qenë shkruar me ngjyrë blu, fjala armik me të zezë dhe armik i partisë dhe i popullit me të kuqe.10
Trupi i poetit lëkundej sa në njërin skaj në skajin tjetër të trekëmbëshit. Njerëzit që vinin për të parë se çfarë ka ndodhur e shikonin të varurin dhe nuk guxonin të thonin asnjë fjalë, por ashtu në heshtje shprehin pikëllimin. Të gjithë ndërmarrjet i kishin urdhëruar të shkonin aty. Të shihnin se çfarë mund t’i gjente njerëzit që do të guxonin të dilnin kundër pushtetit dikatorial.11 Terrori fizik e psikologjik ishte mbizotërues nga diktatura.
Pas trupit të të dënuarit përballeshin, pushteti që e ndëshkonte nga njëra anë, dhe populli si dëshmitar, si pjesmarrës, viktimë eventuale e ekzekutimit nga ana tjetër.12
.
Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës
Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës

PPSH-ja kishte urdhëruar shumë kënd të shkonte ta shihte të varurin që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist. Varja në litar e mësuesit dhe poetit Nela, dëshmon qartë funksionimin e sistemit diktatorial që çuditërisht ende mbahej në këmbë, madje synonte që me këtë akt të përcillte mesazhin: “Mos provoni të mendoni, apo të bëni siç bëri ky, pasi këtë fat mund të provoni dhe ju!”.

Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave etj. Përreth tij zgërdhiheshin 3-4 policë që e ruanin të varurin.13
Ndërsa familjarët14 dhe të afërmit nuk ishin lejuar të shihnin për të fundit herë njeriun e tyre të dashur, nuk u lejuan t’i jepnin lamtumirën e fundit. Nga ora 10, kaluan në paradë disa nga makinat e Komitetit të PPSH dhe Komitetit Ekzekutiv dhe Degës së Punëve të Brendshme.
Rreth orës 11 e hoqën kufomën nga trekëndshi dhe e përplasën si një trung pylli në një makinw ushtarake.15 Ndërsa më 11 gusht rreth orës 1:00 pas mesnate futet në gropën e një shtylle.16
As tokë nuk i dhanë pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Ai ishte i privuar nga mundësia për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993, ku trupi i tij u gjet në Kolsh. Për familjarët ishte e vështirë të gjendej vendi, i mbuluar me shkurre dhe gurë e ferra pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg Kukësit.
Havzi Nela sa më shumë u përndiqej aq më i ashpër u bë në poezitë dhe qëndrimet e tij kundër diktaturës.17 Mësuesi dhe poetit H. Nela është njeriu i fundit i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore. Ky është një krim makabër, që dëshmoi se: kur diktaturat janë në çastet e fundit arrijnë të kryejnë krime nga më të tmerrshmet.18
.
Havzi Nela i ri, me veshje tipike
Havzi Nela i ri, me veshje tipike

1.AQSH, F.489, V.1988, D.94, fl. 17.

2.AQSH, F.489, V.1988, D.94, fl. 19.
3.Petrit Palushi, Kryqëzimi i Havzi Nelës (Tiranë: Ombra gvg, 2008), 12; Nebil Çika, Zërat e mbijetesës (Tiranë: West Print, 2013), 148.
4.AQSH, F.489, V.1988, D.94, fl. 19.
5.Fjalët e fundit të Havzi Nelës para ekzekutimit ishi këto: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi, nanës”- Petrit Palushi, Dënimi i dytë i Havzi Nelës (Tiranë: Ombra gvg, 2017), 13; (Sh. Autorit- në orën 03:30 varet në litarë, akoma pa zbardhur drita.)
6.Kujtim Allaraj, Intelektuali i varur në litar në vitin 1988 (pjesë nga ditari i një student) – Gazeta “Kosova” Tiranë, 20 Tetor 1991, 5.
7.Petrit Palushi, Kryqëzimi i Havzi Nelës, 12.
8.Albert Vataj, Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhnjimtar – Gazeta “Koha Jonë”, 20 shkurt 2014, 15; Albert Vataj, Havzi Nela, martiri i fjalës së lirë – Gazeta “Koha Jonë, 10 gusht 2016, 18.
9.Në botëkuptimin komunist shqiptar “Armik i Partisë” dhe termi “Armik i popullit” janë dy terma ku pasqyrohet “manifestimi” i egërsisë antinjerëzore që bëri diktatura komuniste. Shprehja “Armik i Popullit” kishte si qëllim të tregonte kundërshtarët e regjimit dhe njëkohësisht nënkuptonte eleminimin fizik të individëve që nuk respektonin parimet e vendit, dhe shtetin komunist. Sipas komunistëve fati i atyre që ishin shpalluar si: “Armiq të Partisë” dhe “Armiq të Popullit” nuk mund të diskutohej, ata ishin të destinuar për t’u vrarë. Pra eleminimin fizik të tyre. Shprehja armik i popullit u bë sinonim i termit “dënim me vdekje”. Havzi Nela reagoi ndaj kolektivizimit të përgjithshëm të vendit, mbylljes së institucioneve fetare, ndërrimit të veshjes dhe luhatjes nga traditat vendore. Pas kundërshtimit dhe daljes së tij hapur ndaj regjimit komunist, sistemi diktatorial nuk nguroi për t’i vendosur atij epitetin “Armik i Partisë”, për shkak se idetë e tij binin ndesh me realizmin socialist – sh. Autorit.
10.Petrit Palushi, Banda shtetërore që ekzekutoi Havzi Nelën – Gazeta Shqiptare, 22 shtator 2008, 26.
11.Kujtim Allaraj, Intelektuali i varur në litar në vitin 1988, 5.
12.M. Foucault, Disiplinë dhe ndëshkim, 66.
13.Kujtim Allaraj, Intelektuali i varur në litar në vitin 1988, 5.
14.Intervistë me Shukri Nelën dt. 08/05/2018.
15.Kujtim Allaraj, Intelektuali i varur në litar në vitin 1988, 5.
16.Gazeta “Rilindja Demokratike”, 14 gusht 2013, 8..
17.Ndue Ukcama, Havzi Nela akuzon-Revista “Blic” nr. 14, 1998, 31.
18.Nebil Çika, Zërat e mbijetesës, 143.
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.