back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Varri i Fshehtë nga Petraq Kolevica – Nji libër i ri i shtëpisë Botuese M. Kuteli

Gazeta

Petraq Kolevica - Varri i fshehte
Petraq Kolevica – Varri i fshehte

Varri i Fshehtë nga Petraq Kolevica
Nji libër i ri i shtëpisë Botuese M. Kuteli

Një libër për të kuptuar mirë atë që ndodhi në Shqipëri pas nëntorit-1944,
“demokracia” që ndërtuan njerëzit ende me kapota ushtarake e me uniformat e luftës.
Familja “borgjeze” për të cilën flitet është ajo e Selim Zymës,
inxhinier topograf që pasi studioi në Vjenë, u kthye të ndërtojë Shqipërinë.
Me vete solli dhe një nuse austriake, që la Vienën e saj
dhe erdhi të jetojë në atdheun e të shoqit. Autori, Petraq Kolevica tregon qartë,
saktë, pa eufemizma atmosferën e instalimit të “pushtetit popullor” në Shqipëri.
Personazhet janë të vërtetë, si pushtetarët, ashtu edhe të tjerët, krejt të vërtetë,
duke filluar nga emri e mbiemri. Të vërteta janë edhe tmerret e politikës filojugosllave,
si shitja e Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar për t’i bërë qejfin “vëllait” të Beogradit.
Atalanta Pasko
 
***
…Po ç’ishte kjo e trokitur me kaq tërsëllëm që në mëngjes? Ç’kanë që s’presin makar një minutë sa të dalë e zonja e shtëpisë ta hapë? Ç’po trokasin kështu, pa pushim, si të çmendur?
-Ismet, kjo e trokitur s’është për mirë. Shko, të lutem, hape ti, se po më dridhet i tërë trupi – tha e ëma.
Ende pa e hapur mirë portën ajo, një burrë i shkurtër me kasketë e pallto të gjatë bojëhiri, i këputi një shkelm të fortë kanatës që u përpoq me krismë në anën tjetër. Pa folur asnjë fjalë, po buzë e hundë varur, hyri ai burri i shkurtër e pas tij dy të tjerë me rroba ushtarake me tri gërmat e verdha D.M.P në qaforen e tyre të kuqe.
Me hap të rëndë ushtarak e gjithë ashpërsi, hynë brenda, u vërtitën nëpër korridor e në kuzhinë dhe pastaj, bambër-bumbër me çizmet mbi parket, hynë në dhomën e gjumit e të pritjes të ndjekur nga vajza që në majë të gishtave vajti qëndroi pranë s’ëmës, mbledhur sa një grusht te një kolltuk.
-Dëgjo ti, plakë gjermane…
-S’është gjermane, po austriake – mundi të thoshte vajza.
-Qepe ti! – kërcënoi burri me kasketë. Dëgjoni ju, borgjeze! Pushteti popullor do ta shtetëzojë këtë shtëpi me të gjitha ç’ka brenda. Do të merrni vetëm rrobat e trupit. Do t’ju them unë ç’të merrni. Karroca është aty, jashtë, do t’i ngarkoni e do të shkoni ku t’ju çojmë ne. Hajde, çohu ti, borgjeze, boll je zhgryer në kolltuk! Hajde ti tjetra! Hape një çarçaf në korridor. Ti, plakë, hape dollapin! Të tri kanatat hapi! Do të merrni nga një fustan secila. Hajde, nxirri dhe hidhi mbi çarçaf! Do të merrni nga një xhaketë, nga një palë çorape, një palë këpucë dhe nga një batanije. Brekë e këmishë nxirri, merrini të gjitha, s’na duhen! Verini mbi çarçaf. Ndërsa thërriste kështu, ai burrë me kasketë vinte ec e jak nga dhoma në dhomë duke përpjekur enkas çizmet e tij të rënda, kurse njëri nga ushtarakët ishte kthyer e ruante portën e jashtme, tjetri seç përgatiste ca fletra e shkresa në korridor. Kjo e ndihmoi Frau Hilden të fuste rrufeshëm në xhepin e xhaketës dy sahatët e dorës, të vetin e të Selimit, dy gjerdanë me rruaza e dy unaza floriri që i mbante në një kuti, në komodinë.
Këtë e vuri re vajza dhe u kujtua të merrte dy varëse të florinjta, dy vathë të saja dhe një byzylyk dhe për të larguar çdo dyshim, pyeti:
-Po jastëkë nuk do të marrim?
-Oj, zonja, dashka dhe jastëk! S’ka jastëk! E, hajde, merrni. Tani, kapeni çarçafin, njëra këtej, tjetra andej e me gjithë plaçkat shkoni ngarkojeni në karrocë!
Ato i ngjeshën plaçkat sa mundën që t’i mbështillnin me çarçaf, po s’ia dolën dot. U përpoqën ta çonin atë kapicë plaçkash, po krahët e tyre të pamësuar me pesha të rënda e për më tepër, të këputura nga dëshpërimi, provuan e s’mundën, prandaj i zvarrisën mbi dysheme, nëpër shkallë e gjer në mes të oborrit, ku Frau Hilde ndali e tha: Ismet, prit! U kthye e me nxitim hyri brenda. Pas pak doli me vazon e glazuruar në duar e ndjekur nga njeriu me kasketë që çirrej:
-Ndal, borgjeze e fëlliqur! Atje i ke fshehur florinjtë?
Ia rrëmbeu vazon nga dora dhe e përplasi për tokë. Vazoja u thye e u nda në katër copa, ndërsa dheu i shkrifët, i pjesës së poshtme, u derdh përmbi njërën nga copat e thyera. Ai u sul e si i tërbuar përziente dheun me të dy duart për të gjetur florinjtë e fshehur, po kur pa se s’kishte gjë, u tërbua edhe më tepër. Hyri brenda e duke flakur në oborr ç’i mbushej mendja, i hakërrohej vajzës.
-Hajde! Ngarkoni shpejt bohçen me plaçka edhe këtë tavolinën e vogël, dy minderet dhe dy karriket e vjetra edhe këtë kazan llamarine, ta kini të zjeni brekët. Edhe këto! – klithte e flakte dy nallane, dy lepitka të vjetra, një legen, dy tenxhere zingu që u ckëlfitën paq sapo takuan pllakat e oborrit. Ai u xhindos edhe më tepër, kur pa të gjorën Frau Hilde që ishte ulur galuc e po mbushte një vazo tjetër të glazuruar si e para me dheun e shkrifët që u derdh nga vazoja e thyer dhe duke e mbuluar me atë shuk dheu të kuq që tashmë ishte piksur e tharë, fliste me vete.
“O, mein armer Selim! Nicht mal Deine Knochen haben Sie in Ruhe gelassen”. (O, Selimi im i mjerë! As kockat e tua këta nuk i lanë të qeta).
Ai burri i shkurtër me kasketë dëgjonte me sy të zgurdulluar e meqë s’merrte vesh asgjë, klithi:
-Naziste! – dhe doli jashtë.
Pasi u hodhën nxitimthi e dosido gjithë ato rraqe në karrocën me dërrasa të zhyera krejt me brumë gëlqereje të freskët, njeriu i shkurtër me kasketë, ndezi cigaren, e thithi fort e nxori shtëllunga tymi përmes dhëmbëve të tij të palarë ndërsa njërit prej atyre ushtarakëve, i tha:
-Shpjeri këto borgjezet në konakun e tyre të ri. Mos u vono. Ti, – i tha tjetrit – eja me mua të vemë të vulosim dhomat.
Për të hyrë brenda, kanatës së portës që kishte mbetur përgjysmë e mbyllur, i këputi një shkelm të fortë dhe si hyri, për ta mbyllur, i dha një shkelm tjetër mbrapsht, me thembrën e çizmes të mbathur mirë më pafta hekuri.
-Eja pas meje! – i foli karrocierit pa kthyer kokën ai, ushtaraku, dhe doli përpara.
-Hajt! – thirri karrocieri duke i rënë kalit me pëllëmbë në vithe.
Dhe ajo gërdallë e ligur kock’ e lëkurë, u nis të tërhiqte karrocën duke çaluar, ndoshta e gëzuar që nuk po ndihej e ngarkuar me ndonjë mall të rëndë.
Të mbështetura me të dy duart pas dërrasës që mbyllte fundin e karrocës, ecnin drejt së panjohurës ato dy gra që mezi zvarrisnin këmbët e s’po mund t’i ndalnin e as t’i fshinin lotët që u rridhnin të nxehtë tatëpjetë faqeve. Pasi ecën ashtu nja dhjetë minuta, vunë re se kishin dalë në një rrugë gjithë baltë jashtë qytetit, ku rrotat e mëdha të asaj karakatine të vjetër mezi vërtiteshin, ndërsa ajo kafshë e urtë, e dënuar të vuante mërinë e të liqve bashkë me dy qeniet e mjera që e ndiqnin të heshtura nga pas, shkrofëtinte me vrimat e hundës dhe nga goja i varej një shkumë e bardhë.
-Ktheje këtu! – urdhëroi ai ushtaraku dhe karrocieri, pa folur, e kapi kalin pas rrypave që i rrethonin kokallat e nofullave dhe me ngadalë e futi karrocën te një copë vend i rrafshët e i ngjeshur përpara një si barrake të rrethuar me barishte të egra, gjemba e islla e disa drurë hurmash e hidesh me degë të çapluara.
-Shkarkoji gjërat këtu, përdhe, pastaj shko atje, ku e di ti. Mos u vono! – urdhëroi ai ushtaraku e pastaj shkoi te një si barrakë që ishte aty, e shtyu portën që u hap e mbeti e hapur. Duke iu drejtuar Frau Hildes më shumë sesa vajzës e duke bërë me dorë e qeshur me ligësi, tha:
-Urdhëroni në vilën tuaj të re!
Ktheu krahët dhe iku. Karrocieri priti sa u largua mirë ai, i vuri kalit një shuk me bar nga thesi që kishte për të dhe hyri në barakë. Pas pak doli kokulur e bashkë me një psherëtimë, tha:
-Vështirë do ta kini këtu. Ejani t’i shkarkojmë ato të shkreta plaçka.
Ai hipi mbi karrocë dhe ua jepte ato çikë gjëra duke u kujdesur t’i kapnin mirë e t’i zbrisnin me sa më pak vështirësi. Frau Hilde u gëzua kur shkarkuan dy mindere dërrasash që nuk i kishte vënë re kur ai xhuxhi me kasketë, në çastet e tërbimit nga mosgjetja e florinjve të dëshiruar, i kishte flakur në oborr duke u çjerrë:
-Merrini dhe këto, moj borgjeze, të zhgrryheni natën.
Pastaj ndjenë të vetmen ngrohtësi në këtë mëngjez tmerri, kur karrocieri u tha me dashamirësi:
-Merreni këtë thesin me bar ta shtroni mbi minderet, ta kini si dyshek. Vetëm aman, po t’ju pyesë njeri, i thoni që e gjetët këtu, jo që jua dhashë unë, se më merrni më qafë. Mbeçi me shëndet.
Të braktisura në atë vend të panjohur, pa njeri pranë, u ulën te karriket sa të qetësoheshin pak e të mblidhnin veten pas asaj gjëme të re. Shihnin me druajtje përreth e s’dinin ku t’i ndalonin sytë. Heshtje. Vetmi. Dimër. Ftohtë. Qiell me re të rënda, të ulëta, të përhimta që lëviznin e përziheshin me përtim. Tufa sorrash të uritura që fluturonin ulët e lëshonin klithmat e tyre mortore: Ga! Ga! Ga! Një lehje qeni e largët. Krismë e një çifteje gjahtari dhe trumbë zogjsh të trembur që fluturojnë të shpërndarë.
U çuan e nisën t’i futnin plaçkat brenda asaj gërmadhe që do të ishte streha e tyre në këtë fundjanari e në muajt me shira të bollshëm që do të vinin. I futën të gjitha e i lanë një mbi një. S’u bënte zemra të merreshin me rregullimin e tyre, se s’po dinin nga t’ia nisnin. Dolën përsëri jashtë dhe shihnin rreth e rrotull për t’u njohur diçka më mirë me atë vend ku i kishin flakur. Nja njëzet metra larg barakës, në mes të disa shelgjishtave, vajza vuri re diçka dhe u shkëput të vinte ta shihte nga afër.
-Mami, mami, eja! Një pus! – Dhe ndërsa fliste, lëshonte në pus kovën që e gjeti të lidhur me një tel të trashë elektriku në vend të litarit.
-Ka ujë? – pyeti e ëma.
-Ka mami, ka.
Po ndërsa përpiqej të nxirrte kovën e mbushur, dëgjoi dikë që thërriste:
-Goce! Goce! Shoqe! Shoqe!
Ishte zëri i një çuni nja dhjetë-dymbëdhjetë vjet që erdhi me vrap e duke ngulçuar tha:
-Shoqe! M’çoi moma t’ju tham t’mos mushni uj n’pus, se asht myt moca jon. Mrena osht.
-Ku është mama jote? – pyeti vajza.
-Ja! Ke shpija. – dhe ai tregoi me dorë një shtëpi me tulla, të pasuvatuar, nja pesëdhjetë metra larg, brenda një rrethimi me tela, thupra e shelgjishta gjysmë të thara.
-Po ju, ku mbushni ujë? – pyeti përsëri ajo.
-Ke çezmja, ke rruga. Atje mushin gjith. Vjen ujti vetëm n’mjes e n’mramje.
I thanë faleminderit dhe çuni iku përsëri duke vrapuar e duke kërcyer herë me njërën këmbë e herë me tjetrën.
Ato u vërtitën edhe pak por, mbi të këqijat e tjera, filloi t’i merrte një uri therëse. U kthyen të futeshin brenda. Frau Hilde hyri e para, por doli shpejt duke lebetitur me duar në kokë.
-Mami, ç’ke, mami?
-Mäuse, Mäuse, o Gott!(1)
Vajza zgjati kokën me frikë dhe vuri re se mbi kapicën e plaçkave, ku kishin vënë torbën me bukën e djathin, rrinin katër minj të bëshëm që bubronin e hanin e as u bënte syri tër, se shihnin njerëz. Ata vazhdonin të shijonin me makutëri gostinë e papritur. Të dyja morën gurë, copa tullash e ç’mundën të gjenin jashtë. Duke i qëlluar me to e me të thirrura e përplasje të duarve e të këmbëve, mundën t’i largonin. Hynë, rrëmbyen torbën e dolën përsëri jashtë. E hapën. Djathë s’kishte më. Bukën sapo kishin filluar ta hanin. Ç’të bënin? Ato vetë po kishin më shumë uri se minjtë. Koha e drekës kishte kaluar dhe që nga mbrëmja e një dite më parë, s’kishin futur gjë në gojë, as bukë, as ujë. Koren e bukës, ku kishin filluar të hanin minjtë, e hoqën me kujdes dhe nga pjesa tjetër, këpusnin e fusnin në gojë llokma të mëdha e i përtypnin e i gëlltisnin shpejt e shpejt sa s’arrinin kafshita kafshitën. Pas pak, prej asaj buke dyzetshe, s’kishte mbetur asnjë thërrime për minjtë, ndërsa ato filluan të mos e ndjenin më gropën klithëse të stomakut e t’u vinte pak fuqia në duart e në këmbët që vazhdonin t’u dridheshin nga tmerri i atyre kafshëve të ndyra që dukej se tashmë do të ishin miqtë e përhershëm.
Të ndenjurit jashtë më s’kishte kuptim. Mbasditja po merrte për tatëpjetë. Ja, sikur ishte ngrysur! Duheshin rregulluar shpejt plaçkat.
Vajza këputi dy degë shelgjishtesh dhe të armatosura me to, hynë brenda. Minjtë vazhdonin të lodronin mbi teshat, po ato i trembnin me shkopinjtë dhe i larguan, po nuk i nxorën dot jashtë. Zunë vend nëpër cepat e barrakës apo përmbi trarët dhe me sytë e tyre të shndritshëm, dukej sikur shihnin me habi e pyesnin: ç’janë këto që duan të na zenë folenë tonë?
Ato, me ç’u mori mendja e me sa mundën, i rregulluan dy minderet. Ua gjetën vendin dhe plaçkave. Ca për tokë e ca varur.
-Mirë, po si do t’i gdhimë netët pa dritë? – tha e madhja. – Këtu s’paska fare instalim elektrik. Ndonjë furnelë elektrike, ku ta vemë, sa për të bërë nga një gotë çaj? Po ashtu, ka vallë? -Dhe i bëri së bijës një shenjë. Vajza ngriti supet dhe menjëherë dolën të dyja të shihnin rretheqark.
-Ja, këtu, paska qenë – tha Ismeti, kur arritën te cepi mbrapa në fund të barrakës dhe po i tregonte dy mure gjysëm tulle të pasuvatuar që kufizonin një copë vend nja një metro me një, ku dukej se kishte pasur një portë që ishte shkulur megjithë kasë e kushedi në ç’zjarr kishte përfunduar. Mbulesë nuk kishte, kurse brenda dukej një brimë e gjerë dhe në të dy anët e saj ishin vendosur dy tulla një mbi një. Në gjithë sipërfaqen s’kishte veçse ndyrësira që shiu i kishte shpërndarë gjithandej.
-Ismet, Ismet! S’kemi ç’bëjmë. Punën këtu duhet ta fillojmë. Shpejt, të vemë të mbushim ujë!
Morën kazanin e vogël prej llamarine, kovën që ishte te pusi, një shishe dhe u nisën drejt çezmës, ku kishin zënë radhën shtatë a tetë gra e prej nga dëgjoheshin zërat e tyre gërnjarë.
Arritën, zunë radhën duke u thënë me druajtje mirëmëngjesin që s’ua ktheu kush. Për fat të mirë, gra ishin vërtet shtatë a tetë, por vetëm njëra ishte ende duke mbushur. Të tjerat kishin mbaruar punë, po rrinin vetëm për të bërë një dorë muhabet apo për t’u grindur.
Ndërsa prisnin të heshtura t’u mbushej kazani, u afrua një grua që nga fundi dhe pyeti:
-Ku banoni ju, mi goce?
-Atje, te baraka.
-Qyqja! Te baraka Lymit t’Sulës mi?
Vajza s’foli.
-Kur paski ardh, mi.
-Dje.
-Ne aty keni me nejt?
Përsëri vajza s’foli.
U bënë dhe pyetje të tjera, shumica e të cilave mbetën pa përgjigje, po enët u mbushën dhe ato e zunë kazanin secila nga njëra anë dhe në dorën tjetër Frau Hilde mbante shishen, Ismeti – kovën.
E bënë rrugën e kthimit ec e ndalo disa herë. Kur arritën vunë re se uji i kovës kishte rrjedhur i tëri dhe vajzën e kishte qullur krejt nga gjuri e poshtë.
Nuk ndejtën të shlodheshin, po sajuan një si fshesë me thupra shelgu dhe ia nisën pastrimit të ndyrësirave.
Ndërsa këto fshinin e shpëlanin duke u ardhur shpesh e më shpesh për të vjellë, grave, atje te çezma, iu hap një muhabet i ri.
-Ça ishin kto mi?
-Gruja o gjermone, goca – e bija. Burrin ia kon vra. Anmik i popllit.
-O ç’i paskan rras paq te baraka Lymit!
-Mos fol ashtu mi gru! Pa menoje vedin, qoft larg, aty mrena!
Ky muhabet u tor mbarë e prapë, po gratë morën enët e ikën, kur panë se ato po vinin përsëri të mbushnin kazanin. Këtë rrugë e bënë dhe dy herë të tjera derisa arritën të kryenin një farë pastrimi të pranueshëm për kushtet që kishin.
Që prej asaj dite, sa herë që njëra hynte për nevoja të veta, te porta varnin një çarçaf më dysh dhe tjetra bënte roje aty pranë.
-Ismet, moj bijë! Tani duhet të rregullojmë një vend për t’u larë. Si thua?
Dhanë e morën të dyja, shkëmbyen lloj-lloj mendimesh dhe së fundi arritën te një i mundshëm. Vajza shkoi e mori telin e kovës së pusit, kishin dhe litarin që morën për të nderë plaçkat dhe me to, lidh andej e lidh këtej, pas barakës e pas degëve të një carace aty pranë varën batanijet në tri anë nja dy metra para portës dhe mbetën të kënaqura. E ndienin të domosdoshme të laheshin nga koka deri te këmbët, pas gjithë atyre ndyrësive që iu desh të pastronin, të cilat u dilnin çdo çast para syve e i bënin t’u vinte një pështjellim turbullues në stomak dhe të dridhura në të tërë trupin. S’ndenjën të çlodheshin, po shkuan shpejt e mbushën kazanin se, për fat të tyre, çezma atje ende vazhdonte të rridhte.
Mirë, ujë të ftohtë mbushën, po ku ta ngrohnin?
Dhe ato, ëmë e bijë, atë ditë dhe për shumë ditë të tjera, në mes të të ftohtit të idhët, të dimrit të Tiranës, të paktën një herë në javë, brenda atij rrethimi me batanije, nën qiellin e hapur, laheshin e shpëlaheshin vetëm me ujë të ftohtë. Edhe këtu, ndërsa njëra lahej, tjetra bënte roje jashtë për të lajmëruar çdo të papritur. Megjithatë, ndiheshin të sigurta, se pranë kishin portën e barakës dhe mund të hynin menjëherë brenda.
Përgjithësisht laheshin në mbrëmje. Visheshin shpejt e prishnin atë fare grehine, merrnin bataniet, mbështilleshin me to dhe shtriheshin mbi minder pranë e pranë që të mund të ngroheshin sado pak.
* * *
Nga përplasja e atyre dallgëve përbrenda shpirtit të saj, i shpërtheu një psherëtimë rrëqethëse: O, mein Gott,(1) ku kemi mbërritur!
E gjora Ismet gëzohet, se shiti vathët e saj me gurët e kuq aq të bukur… I ati bëri çmos derisa ia siguroi këtë dhuratë të çmuar me rastin e pesëmbëdhjetëvjetorit të saj. Po ajo, sa u gëzua, kur i vuri në vesh dhe sa herë e përqafoi Papin!…
Gëzohet bija ime, se shiti orën e Papit, orë që ai, nuk do ta shiste kurrë!…
Ajo dora e stërmadhe që lemerisi Ismetin asaj nate të kobshme, ma çau zemrën e më rrodhën të gjitha gëzimet e mbledhura në të, kur vura re se atje mungonte unaza e florinjtë e martesës, mungonte ai rreth i artë që na pat lidhur të dyve. E kishin grabitur ata që na grabitën gjithçka të mirë në këtë botë, ata që i rrëmbyen jetën, ata që e vranë e s’e varrosën Selimin tim, Papin e kësaj çupe të gjorë. Dhe unë sot e shita unazën time! Përse e shita?
Për të ngrënë disa kafshita bukë të thatë më shumë, për të zgjatur dhe disa ditë më tepër këtë jetë të vuajtjeve tona.
 
***
Ja ku i shitëm ato pak gjëra me vlerë që mund të shiteshin, moj bijë. S’na ka mbetur gjë tjetër, veç shpirtit. Dhe sa kohë do të mundim ta mbajmë atë?
Me këto të holla që na kanë mbetur, dhe sa do ta shtyjmë? Me një herë të ngrënë në ditë u bënë kaq javë që po durojmë e po mësohemi. Të paktën këtë ta kemi siguruar, po si?
 
***
-Mos u mërzit, mami. Kam pyetur ca njerëz që njoh dhe besoj të gjej një punë për ca kohë. Nesër do të shkoj të pyes.
-Ç’është kjo punë?
-Në spital. Nuk është e vështirë, më thanë, po paguhet mirë.
-Të pranojnë ty?
-Të shoh çdo të më thonë nesër.
 
***
-Eja vajzë! – foli but’ e butë Doktoresha. Mos ki frikë. I ke bërë analizat e gjakut?
-Po. I bëra pardje. Urdhëroni këtë fletën që më dhanë.
Doktoresha mori fletën, e lexoi me kujdes, pastaj e pa me ngulm vajzën dhe e pyeti:
-Ismet Zyma, quhesh ti?
Vajzës i shkoi një e dredhur në trup, se kujtoi mos ndoshta e dinin që ishte ajo që ishte, e bija e armikut të popullit dhe nuk do ta linin të shiste gjak…
.

Petraq Kolevica
Petraq Kolevica

Pak rreshta mbi Petraq Kolevicën

Petraq Kolevica, lindi në Korçë më 11 janar 1934.
Në atë qytet kreu shkollën fillore dhe të mesme. Në vitet 1952-’57 kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Ushtroi profesionin e arkitektit, ku u shqua si projektues ndërtesash qytetare dhe u vlerësua me “Urdhër Pune” dhe “Çmim Republike”.
Në vitin 1991, nga kolegët, u zgjodh i pari kryetar i së parës “Shoqatë të Arkitektëve Shqiptarë”. Ishte ndër përkrahësit e parë të proceseve demokratike në Shqipëri, anëtar i Këshillit Botues të gazetës së parë me prirje të shtypit të lirë “Rilindja Demokratike”.
Më 1991 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e parë pluralist postkomunist.
Krahas punës profesionale, Kolevica u mor dhe me krijimtarinë letrare. Filloi si përkthyes. Më 1961 botoi poemën “Demoni” të poetit M. J. Lermontov, të përkthyer nga origjinali rusisht.
Më 1986 botoi antologjinë “Poezi gjermane dhe austriake” me përkthime nga origjinali gjermanisht dhe ka vazhduar me antologjitë “Poezi japoneze”, “Poezi ruse”, “Perla nga perlat”, “Nektar poetik”, “Zëra nga larg”, në vitin 2000 “Poezi gjermane, austriake, zvicerane”.
Më 1992 filloi me botimin e veprave me krijimtari origjinale në prozë duke botuar librin krejt të vaçantë për nga forma dhe përmbajtja “Lasgushi më ka thënë”.
Më 1993 botoi vëllimin me poezi origjinale “Këngë nga koha e keqe” më vonë me vëllimin “Të korrat e vona” duke vazhduar me romanin “Kuja e kohës” më 2002 me romanin me përmbajtje të veçantë “Varri i fshehtë” dhe më 2003 romanin “Zëri që thirri në shkretëtirë”.
Marrë nga Wikipedia
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.