back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Vatra dhe gjeneralët e ushtrisë së vdekur – nga Ervin Dine

Gazeta

 

Ervin Dine në Takimet e Vatrës
Ervin Dine në Takimet e Vatrës

Vatra dhe gjeneralët e ushtrisë së vdekur

nga Ervin Dine

Kohët e fundit jam menduar gjatë para se të bëj ndonjë deklaratë në lidhje me Vatrën dhe situatën që po kalon. Kjo mënyrë mendimi ka të bëjë me reflektimin tim personal dhe shpresën se “lidershipi” duhej të kishte gjetur kohë të reflektonte po edhe të kurajo qytetare të ulej me antarsinë dhe më së paku t’i dëgjonte ata! Kam pasur shpresë që një kryetar pa eksperiencën e duhur, që të bëhet lider i duhet të ballafaqohet në debate të hapura e demokratike me atë antarësi, e cila e votoi për një tjetër vit mandat, për të qenë në atë pozitë që ai ndodhet sot.
Kjo nuk ka ka ndodhur! Ai jo vetëm s’e ka pasur kurajon për një debat konstruktiv mes të dy palëve të cilat po e thellojnë moskuptimin mes tyre, por kohët e fundin po dalin njëra mbas tjetrës edhe disa deklarata “të nivelit të ulët”, që kanë lënë shumë për të dëshiruar tek ata që kanë marrë guximin t’i lexojnë.
Këto deklarata të mbushura me një gjuhë fyese dhe përçarëse, plot me të pavërteta, sulmojnë edhe personalitete të komunitetit vatran, të cilët gëzojnë respekt për kontributet dhe vlerat që ata përfaqësojnë dhe kanë përcjellë në vite. Përveç sulmeve personale, aty flitet për “fakte”, të cilat vijnë pa asnjë mbështetje, çka ne duhet t’i pranojmë e t’i besojmë verbtazi, dhe t’u bindemi deklaratshkruesve pa asnjë argument.
Presidenti i Nderit i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, ka afro dyzet vjet që lufton e kontribuon në Vatër, për kombin shqiptar dhe bashkëkombasit e vet, si pakkush mes atyre që janë sot në kët Federatë Panshqiptare. Përveç si prind dhe familjar i devotshëm, Atë e kam konsideruar edhe një pasuri vlerash dhe eksperience, jo vetëm për Vatrën, por edhe për mua e shumë të rinj si unë. Agimi më është gjendur gjithnji afër në çdo kohë e rrethanë. Këshillat e tij kanë qenë mjaft pozitive edhe kur unë nuk jam pajtuar me to, por gjithmonë i kam vlerësuar, sepse vijnë prej një njeriu që e ka dëshmuar në kohë dhe sinqerisht që ia do të mirën e Vatrës dhe Shqiptarëve, kudo që ata ndodhen e luftojnë për të vërtetën… Ndaj kur kam lexuar vrerin e derdhur në letër prej disave (të njohur për vrer dhe përçarje po edhe për llustër dhe lëpirje sipas interesit), e që nuk kanë as çerekun e kohës dhe kontributeve të zotit Rexhaj në Vatër, çuditem se si mund ta gjejnë kurajon dhe të sulmojnë pa asnjë skrupull, një personalitet që vetëm ka dhënë kontribute, dhe është emërtuar nga Vatra vetë si: “President i Nderit”, e të njejtën gjë mendoj edhe për zotin Idriz Lamaj, zonjën Nazo Veliu, zotrinjtë Ramiz Mujaj dhe Mark Merrnaçaj, zonjën Marjana Bulku, zotin Elton Mara dhe zotin Asllan Bushati, Ibrahim Kolari e mjaft të tjerë, të cilët Vatra, po të ishte vërtet Vatër, duhej t’i vlerësonte dhe t’i konsideronte si pasuri e shtrenjtë e saj dhe jo t’i fyente me ca shkrime paçavure ku gjoja jepen leksione intrepretimi të Kanunores, ndërkohë që ua mbyllte derën, pranisë së tyre, siç ka ndodhur e po ndodh rëndom sot në Vatër!
Ofendimet e paskrupullta ndaj “Presidentit të Nderit” nuk kanë qenë vetëm pjesë e këtyre “Fletë-rrufeve”, por janë amplifikuar edhe nga Editori i Diellit, i cili ende s’ka dëshmuar asnjë falje publike ndaj tyre, por vazhdon sulmet e paprincipta dhe propagandën e ashpër ndaj vatranëve të vërtetë.

Ervin Dine gjatë shërbimit me marinsat amerikanë
Ervin Dine gjatë shërbimit në marinsat amerikanë

Po merrem pak edhe me faktet të cilat janë të evidentuara në video! Siç e kam thënë edhe herë të tjera, mandati katërvjeçar i kryetarit të Vatrës nuk ka kaluar. E kam thënë dhe do të vazhdoj ta them: Vatranët kontestues nuk kanë asnjë synim për marrjen e Vatrës, as për pushimin e kryetarit të saj nga detyra. Asnjë herë deri më sot nuk është kontestuar vota ndaj kryetarit të Vatrës. Eshtë kontestuar mandati dhe kanunorja, të cilat janë bërë pa asnjë konsultë me avokat amerikan si dhe veprimet jokorrekte, takimet me një prapavijë politike të qartë, kundra vullnetit të shumicës.
Nëse, siç pretendojnë disa, që kryesia na qenka si Senati dhe Kongresi, në bazë të shtetit Amerikan, atëherë edhe kanunorja që është bërë me bazë kushtetutën amerikane nuk ndrrohet. Kushtetuta Amerikane nuk ka ndrruar asnjë herë nga krijimi i saj. Zakonisht bëhen amendamente (ndërrime) të ligjeve që t’i përshtaten kohës, kurse ndrrime totale kushtetute, ndodhin zakonisht në shtete të falimentuara, të cilat s’e njohin as demokracinë dhe as liritë e individit.
Nëse Vatra u qëndroi ndryshimeve shekullore, atëherë çdo punë në Vatër duhet bërë në sintoni dhe në sinkron me frymën e ligjeve amerikane, dhe aspak në kafenetë apo mejhanet e Bronxit apo Michiganit.
Kuvendi i fundit u mbajt në bazë të kanunores së ‘26-s dhe në bazë të saj kryetarit dhe kryesisë i ka mbaruar mandati ka një vit! Do me thënë që çdo vendim i marrë nga ky kryetar apo kjo kryesi mbas vitit të mandatit, bie poshtë.
Si kryetar i Kuvendit të kaluar mbaj edhe unë përgjegjësi, qoftë për gabimet që u bënë në atë kuvend, qoftë edhe për mosdaljen publike më herët, gjithnjë duke besuar e duke shpresuar se Kryetari do t’i shqyrtonte me qetësi punët dhe do të ndërrmerrte veprimi të një lidershipi të vërtetë dhe jo të një kukulle që përdoret nga prapaskena.
Edhe një sqarim për publikun.

Ervin Dine - Nënkryetar i Vatrës
Ervin Dine – Nënkryetar i Vatrës

Kam lexuar disa herë që nën-kryetari i Kuvendit, (është fjala për personin tim) na e paska mbushur mendjen për votën e mandatit për së dyti. Edhe kjo si të shumë të tjerat është e evidentuar me video. Atë votë e kërkoj Doktoresha Mara, edhe ishte vendimi im bashkë me sekretarin Eduart Aranitasi dhe Nazo Veliu, e cila përkohësisht e zëvendësoi z. Aranitasi, mbas një urgjence familjare.
Së fundi, ne mund të debatojmë pafundësisht dhe kushdo ka të drejtë të nxjerrë e të botojë “Fletë-rrufe”, duke bërë akuza nga më të ndryshmet e më të paskrupulltat, por mos të harrojmë, se për fat të mirë jetojmë në vendin me demokratik në botë edhe këtu nuk na privohet as e drejta e fjalës dhe as liria e mendimit. Nëse faktet janë kundra meje, jam i pari që do të kërkoj falje publikisht, do të jem i pari që do ta pranoj çfarëdo gabimi që mund të kem unë për këtë situatë tejet kritike ku ndodhet Vatra sot…
Për këtë arsye, kam lejuar edhe kamerat gjatë gjithë kuvendit, që çdo gjë të jetë evidente dhe transparente. Kryetari s’ka pse t’i trembet debatit të hapur e demokratik, Vatranët e vërtetë nuk kanë kërkuar ta drejtojnë Vatren, as për egoizëm e as për poste! Asnjëri prej nesh nuk e kërkon këtë gjë. Këtë jam gati ta bëj me dokument ligjor. Vatra nuk po humb anëtarë nga Vatranët që kërkojnë transparencë siç pretendohet pa asnjë fakt, por një brez i ri i kultivuar në Amerikë, kur e sheh këtë mungesë demokracie dhe transparence, e sheh kohën dhe shërbimet në Vatër si diçka e humbur kot!
27 dhjetor 2023

Marrë nga https://www.voal.ch/vatra-dhe-gjeneralet-e-ushtrise-se-vdekur-nga-ervin-dine

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.