back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Vatra e Shekullit XXI, duhet të krijojë hapsira për rininë – intervistё me Ervin Dine

Gazeta

Evin Dine
Evin Dine

Vatra e Shekullit XXI, duhet të krijojë hapsira për rininë

intervistё me Ervin Dinen

Debatet destruktive nuk i shërbejnë Vatrës

dhe interesave të shqiptarëve.

Me dorëheqjen e z. Mishto, nuk ka alternativa të tjera përveç Kuvendit të 19 Janarit.
Alternativat e dyta dhe të treta janë humbje kohe për Vatrën dhe trojet Shqiptare.
Ne duhet të punojmë fort për ta bërë Vatrën një zë të fortë për të gjithë shqiptarët,
zërin kundërshtar të padrejtësisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
.
Ervin Dine se bashku te Vatra me Mishton, Ndreun, Mirakajn
Ervin Dine se bashku te Vatra me Aranitasin, Mishton, Ndreun e Mirakajn

Këto dy vitet e fundit në Vatër janë afruar disa të rinj, të cilët premtojnë se do ta çojnë më tej atë punë kombtare që bënë paraadhësit tanë ndër vite. Edhe pse këta të rinj erdhën në kohë debatesh e mllefesh, kur disa po luajnë zhurmuesin për t’ia errësuar të tashmen Federatës, këta nuk janë stepur, por po vazhdojnë të punojnë dhe të ruajnë qetësinë. Një ndër këta të rinj është Ervin Dine, i biri i të burgosurit politik të diktaturës komuniste shqiptare, Dine Dine, i lindur në kampin e internimit në Gjazë-Lushnjë. Ervini është pjesë e Komisionit të përgatitjes të Kuvendit të Vatrës që i zhvillon punimet me 19 Janar 2020 në Michigan. I diplomuar në akademinë Ushtarake ‘Valley Forge Military Academy’ në Pennsylvania, si dhe në Shkenca Politike në Columbia University, New York, një menaxher i zoti, që prej 6 vitesh drejton Shtetin e Conncecticut për Enterprise Holdings, Ervini ka se çfarë t’i japë Vatrës. Po çfarë mendon ai për të sotmen dhe të ardhmen e Vatrës, për debatet e dy viteve të fundit, për Kuvendin e Vatrës? Ndiqeni intervistën që i mori editori i Diellit, Dalip Greca.

.
***
Dielli – A mund të prezantoheni për lexuesit e Diellit: Kush është Ervini? Ervin Dine – U linda në kampin e internimit në Gjazë të Lushnjës. Në moshën një vjeçare, babai im u dënua me burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë. Jam rritur nga nëna ime dhe gjyshërit. Në vitin 1990, pas rënies së regjimit komunist, emigruam familjarisht në Romë, Itali, ku kërkuam azil politik për në SHBA. Pas aprovimit të kërkesës, në Maj të 1991, emigruam në SHBA. Aktualisht kam mbaruar akademinë Ushtarake “Valley Forge Military Academy” në Pennsylvania, si dhe jam diplomuar në Shkenca Politike në Columbia University, New York. Për sa i përket karrierës sime profesionale, prej 6 vitesh drejtoj Shtetin e Conncecticut për Enterprise Holdings, ndërsa synoj pozicionin e Zv. Presidentit.
.
Dielli – E kujton largimin nga Shqipëria? E. Dine Momenti i largimit nga Shqipëria është një episod sa i vështirë aq edhe i dhimbshëm në jetën time. Ishte një përzierje e kureshtjes dhe dëshirës së ikjes drejt vendeve të reja, boshllëkut të largimit nga vendi im dhe dhimbjes për lënien pas e njerëzve të dashur. Ende e ruaj në kujtesë momentin kur hipa për herë të parë në avion, gëzimin prej fëmije dhe një vorbull ndjenjash të destinuara për të mos u shuar kurrë. Gjatë jetesës sime prej 20 vitesh në SHBA, më ka shoqëruar ndjenja e boshllëkut dhe mungesës së vendit tim. Shqipëria mbetet për mua vendi ku robërohet shpirti, një mall fisnik.
.
Dielli – Ju jeni lindur në kamp internimi. Çfarë ruani në kujtesë? E. Dine – Unë u linda i cilësuar si armik, i dënuar të rritem pa babanë pranë, mes torturave fizike e psikologjike. Gjatë gjithë fëmijërisë sime më kanë shoqëruar etiketime si: “kulak” dhe “armik”, por kurrë nuk kam arritur të kuptoja arsyen. Gjithmonë jam përpjekur të gjeja diferenca midis meje dhe njerëzve që më rrethonin për të kuptuar arsyen, përse njerëzit dhe instancat na trajtonin si qenie që nuk i përkisnim atij vendi. Do të doja të shkëpusja një moment nga periudha ime në shkollë, në klasën e katërt. Ishte periudha kur bëheshin demaskimet në kinemanë e sektorit. Realisht, nuk e kuptoja se çfarë ishte demaskimi, por duke dëgjuar nga familjarët, e dija që nuk ishte gjë e mirë. Atë ditë në kinema do demaskonin Frida Sadedinin, e cila ishte mike e familjes sime. Mësuesja na porositi: “Kur të dali kjo armike, duhet ta pështyjmë në fytyrë!”. Duke e ditur se, një gjest i tillë do të zemëronte nënën time, vrapova jashtë kinemasë për në shtëpi. Kur shkova ditën tjetër në shkollë, mësuesja po më priste tek dera dhe filloi të më godiste para klasës duke thënë: “Ky djali i armikut, nuk e pështyu atë armiken tjetër!” Fatkeqësisht, unë nuk isha i vetmi fëmijë që përballej me skena dhe tortura të tilla. Kujtoj kohën kur të moshuarit shkonin në apel se ishin të detyruar, ndërsa unë shkoja se ndihesha i rritur, një fëmijë i rritur nga sfidat e sistemit. Për fat të mirë ruaj në kujtesë edhe momente nga njerëzit lokal të Gjazë dhe Savër, të cilët na trajtonin me respekt. I tillë ishte mësuesi Sif Davidhi, i cili ishte miqësor dhe më çlironte nga ndjesia e të cilësuarit armik. Përtej gjithë momenteve të vështira me të cilat njerëzit e asaj kohe u përballën, ruaj një konsideratë të veçantë për mënyrën dinjitoze që ata rezistuan. Ndër ta ishin xhaxhallarët e mi, të cilët nuk iu përulën sistemit pavarësisht sfidave. Këta njerëz fisnikë i rezistuan një ndër sistemeve më të egra në botë, rritën fëmijët e tyre me dinjitet dhe dashuri për vendin.
.
1989 - Ervini sëbashku me motrën në Kampin e Gjazës
1989 – Ervini sëbashku me motrën në Kampin e Gjazës
Dielli – Babai juaj, ish i burgosur politik, në romanin e tij “Mbi Varkën e Karontit”, të përmend tek skena e Gjyqit. Natyrisht ju ishit fare i vogël, por si e përjeton sot tek lexoni librin e atit tuaj? E. Dine – Nuk mbaj mend ndonjë gjë nga ajo skenë, pasi nuk kam qenë as një vjeç, por vite më vonë kujtoj rrugët drejt burgjeve me nënën time. Një ndër momentet e vështira ka qenë koha kur në Qafё-Bari duhet të flinim në korridor, sepse nuk na jepnin dhomë hoteli për shkak të biografisë së keqe.
.
Dielli: Shtresa e ish të përndjekurve politik është ndër më të zhgënjyerat nga klasa politike në këto 30 vjet pluralizëm. Ju ç’mendim keni? E. Dine – Së pari, mendoj se nuk ekziston diçka e tillë siç është shtresa “ish të përndjekurve”. Të përndjekurit politikë vazhdojnë të jenë po aq të përndjekur sa kanë qenë 30 vite më parë. Mendoj se, në Shqipëri nuk ka ndodhur asnjëherë një integrim i të përndjekurve politikë në shoqëri. Do të veçoja këtu disa personazhe të cilët kanë arritur pozita të larta politike dhe kanë përfituar nga politika, ndërsa pjesa tjetër e të përndjekurve vazhdojnë të vuajnë në gjendje të mjeruar. Veçanërisht, debatet e fundit politike të kujtojnë luftën e klasave. Çfarë vendi mund t’i jepet një të përndjekuri, kur një tip si Spartak Braho jo vetëm që brohoret broçkulla si në diktaturë, por mban dhe postin e deputetit?! Nuk mund të kemi integrim të të përndjekurve pa pasur dënim të krimeve të komunizmit. Qeveria Rama jo vetëm që nuk ka dënuar krimet e komunizmit, por me marrjen e të gjitha strukturave qeveritare po shkon drejt diktaturës.
 .
Ervin Dine ne “Valley Forge Military Academy”, Pennsylvania - 1990
Ervin Dine ne “Valley Forge Military Academy”, Pennsylvania – 1990

Dielli – Ju keni shërbyer edhe në Ushtrinë Amerikane. Ç’mund të thuash për atë përvojë? E. Dine – Kam shërbyer për 8 vjet në United States Marine Corps. Për mua ishte një eksperiencë e veçantë, e cila më ka shërbyer si në aspektin shpirtëror po ashtu edhe për të krijuar lidhje vëllazërore të cilat vazhdojnë edhe sot. Shërbimin ushtarak në Amerikë e kam parë si një mundësi më shumë për karrierë politike. Vendimin për të shërbyer në ushtrinë Amerikane e mora me synimin për t’u kthyer dhe ndjekur një karrierë politike ne Shqipëri. Në atë kohë, në moshën 20 vjeçare, mendoja se eksperienca ushtarake dhe shkolla në Columbia University do të më hapte shumë dyer në vendin tim. Pas eksperiencës së fundit e kuptova se, mendimet e mia prej një të riu naiv dhe idealist, ishin larg realitetit shqiptar.

.

Dielli: Keni shërbyer edhe në Kosovë, diçka më shumë rreth qëndrimit atje. E. Dine – Eksperienca në Kosovë ka qenë ndër më të bukurat. Ishte si një rikthim në vendin tim, por këtë herë me një mision të madh. Në ato gjashtë muaj shërbim në zonën malore të Kaçanikut jam ndier më tepër si ushtar në shërbim të vendit tim, se sa si ushtar i Marinës Amerikane. Pavarësisht vuajtjeve nga lufta dhe vështirësive ekonomike, Shqiptarët e Kosovës na pritën si pjesëtarë të familjes. Ata edhe një herë risollën në vëmendje traditat dhe zemrën bujare të shqiptarëve.
.
Ervin Dine 1999 - me Trupat e i Marinës Amerikane në Kaçanik
Ervin Dine 1998 – me Trupat e i Marinsa Amerikane në Kaçanik
Diellli: Keni studiuar Shkencat Politike në Columbia University. A nuk ju ndihmoi ky fakt për të fituar në garën elektorale në Shqipëri? Ç’mendon për rregullat e lojës elektorale atje? E. Dine – Ashtu si e përmenda më sipër, të paturit avantazh në një garë politike, sepse zotëroj diplomë nga një ndër universitetet më me emër në botë, ishte një ide naive, pasi realiteti në Shqipëri është i ashpër. Me sa duket atje vlerësohet më tepër dinakëria dhe veset se sa intelekti dhe inovacioni. Mendoj se partitë e vogla janë në disavantazh pa filluar ende gara. Sistemi elektoral është i thyer dhe i korruptuar, veçanërisht me qeverinë e sotme dhe paratë e drogës. Vjedhja e votës është dëmi më i madh që mund të ndodhë në një sistem politik që synon të shkojë drejt demokracisë. Është e qartë që me sjelljen qeveritare Shqipëria po shkon në drejtimin e gabuar.
.
Dielli – Ju keni 2 vjet që jeni afruar në Vatër, përse tani, dhe jo më parë? E. Dine Më tepër se arsye, do t’i quaja kushte jo të favorshme. Së pari, ka qenë pamundësia fizike për të marrë pjesë për shkak të shërbimit ushtarak. Së dyti, kur isha në universitet, kisha dëshirë që të organizoja një seksion rinor të Vatrës, gjë e cila pas prezantimit si ide kaloi në heshtje pa një përgjigje. Kur z. Mishto u bë kryetar, të cilin nuk e kam njohur personalisht më parë, më tërhoqi dëshira e tij për të angazhuar rininë në Vatër. Z. Mishto i ka dhënë Vatrës energjinë e munguar. Kjo duket qartë nga rritja e anëtarësisë dhe mbushja e sallës për evente të ndryshme që ka organizuar Federata. Për këto arsye, bashkë me z. Agustin Mirakaj, jemi angazhuar me dëshirë këto dy vitet e fundit.
.
Ervin Dine në Takimet e Vatrës
Ervin Dine në Takimet e Vatrës
Dielli – Po vazhdoni rrugën e babait tuaj, i cili sapo erdhi në SHBA u bashkua me Vatrën dhe është ende pjesë e strukturave të Vatrës. Si e ka pritur babai afrimin tënd me Vatrën? E. Dine – Pas ardhjes në Amerikë, babi gjeti një shtëpi të dytë në Vatër, duke u angazhuar kështu në mbledhje dhe evente. Angazhimin tim aktiv ai e shikon në aspektin pozitiv të vazhdimit dhe rritjes së Vatrës, si përgjegjësi e jona. Po ashtu e shikon negativisht, pas trazirave të fundit, ku dhe është i mendimit për mospërfshirjen time në debate që nuk i shërbejnë Vatrës dhe interesave të shqiptarëve të Amerikës.
.
Dielli – Çfarë vizioni keni për Vatrën e shekullit të dytë? E. Dine – Së pari, do të doja të shprehja mirënjohjen dhe vlerësimin tim për ata idealistë dhe patriotë, të cilët kanë mundësuar vazhdimësinë e Vatrës deri në ditët e sotme. Po ashtu, do të sugjeroja konsultimin dhe hapjen ndaj risive si pjesë e vazhdimësisë së mëtejshme. Duke qenë se jemi në kohën e internetit, Vatra duhet të futet këtë shekull si organizatë në aspektin teknologjik, financiar dhe politik. Për të realizuar këtë, duhet të krijojmë hapësira për të rinjtë, të cilët zotërojnë njohuri intelektuale, teknologjike dhe profesionale në fusha të caktuara. Po ashtu duhet të jemi më të hapur ndaj debateve konstruktive-jodestruktive. Unë mendoj se, me angazhimin dhe energjinë e rinisë, konsultimin e atyre, dhe me eksperiencën aktuale në Vatër, Vatra do të bëhet më e fortë se kurrë.
.
Ervin Dine në diskutimet për të Nesërmen e Vatrës
Ervin Dine në diskutimet për të Nesërmen e Vatrës
Dielli: A po i ndiqni debatet e dy viteve të fundit në Vatër, veçanërisht këto kohët e fundit? Cili është gjykimi juaj dhe mesazhi?
E. Dine – Ashtu siç e përmenda më lart, mendoj se debatet në Vatër janë destruktive dhe nuk i shërbejnë Vatrës dhe interesave të shqiptarëve. Vatra dhe të gjithë vatranët duhet të shërbejnë si një shembull për Politikën Shqiptare dhe jo të bëhen pjesë e saj. Trajtimi i disa vatranëve dhe sjellja e tyre ndaj z. Mishto dhe familjes së tij lënë për të dëshiruar. Sulmet ndaj tij kanë filluar që javën e parë mbas kuvendit, pa i lejuar kështu hapësirë për të punuar. Edhe pse jetojmë në SHBA, nuk jemi të aftë të ndjekim shembullin e qeverisë Amerikane. Në fushatë mund të thuhen shumë gjëra, ndoshta edhe fyese, por kur zgjidhet presidenti, ai që ikën për hir të Amerikës nuk e kritikon të riun. Po ashtu, ekzistojnë shembuj se disa ish presidentë, (Bush – Clinton) janë bashkuar për akte bamirësie.
.
Dielli – Si e mendoni Kuvendin e 19 Janarit në Michigan? E. Dine -Si pjesë e komisionit për kuvendin, mendojmë se do të bëhet një kuvend i rregullt. Me dorëheqjen e z. Mishto, nuk ka alternativa të tjera përveç kuvendit. Alternativat e dyta dhe të treta janë humbje kohe për Vatrën dhe trojet Shqiptare. Ne duhet të punojmë fort për ta bërë Vatrën një zë të fortë për të gjithë shqiptarët, zërin kundërshtar të padrejtësisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
.
Dielli – Faleminderit për intervistën. Ishte kënaqësi që biseduam. Ervin Dine: – Faleminderit Juve. Kënaqësia ishte imja.
.
Intervistoi: Dalip Greca
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.