Një historie e parrëfyer per Gjyslyme Lekën e gra të tjera!
nga Jozef Radi
Në ditën e grave… për Gratë e Vërteta!
Dhjetori i vitit 1944, po edhe fillimi i janarit të vitit 1945, për gratë e reja që u kishin arrestuar burrat dhe kishin mbetur me fëmijë të vegjël ishte një tmerr ende i pashkruar si duhet… Çfarë të bënin: Të kujdeseshin për burrat që s’dinin ku ishin pse i lëviznin prej një burgu në tjetrin; të merreshin me fëmijët e mitur të mbetur rrugave; apo të shihnin ku të fusnin kokën mbasi shumicën e tyre ishin nxjerrë nga shtëpitë e hedhur mes katër rrugëve, pa asnjë mbështetje…
Si të mos mjaftonte e gjitha kjo qe përhapë fjala, (si zakonisht ndodh me terroristët), se pjesa më e madhe e të arrestuarve do të pushkatoheshin… Po krijoheshin ligje me fuqi prapavepruese, po ngriheshin Gjyqe Speciale, po vazhdonin arrestime pafund… e ku gjithkund edhe pse shfaqeshin partizanët, gjithkah ndjehej dora e jugosllave…
Në këtë ndjenjë terrori qe përfshirë Gjyslymja po edhe mjaft gra të reja, që kurrë s’mund ta besonin se burrat e tyre do të cilësoheshin ashtu: “kriminelë lufte”, kur një gjë e tillë as kish ndodhur kurrë! Ata ishin thjesht përfaqësues intelektualë, njerëz të shtypit e të medias, që s’ishin dakort me konceptet dhe ideollogjinë komuniste.
Në ato ecejaket e përditëshme të këtyre grave në dyert e Burgut të Ri, në çuçërrimat vesh më vesh me njëra-tjetrën, me peshën e tmerrit në shpirt e ndër sy, një ditë më shumë se 30 prej këtyre grave vendosën të protestonin kundra idesë së pushkatimit të burrave… po edhe duke kërkuar pafajësi për ta… Në krye të kësaj proteste doli Gjyslyme Leka e mbas saj Vitore Radi, të dyja ish-nxënëse të “Institutit Nëna Mbretëreshë”, të ndjekura nga grupi e grave të tjera me burra të burgosur… Të gjitha bashkë, të kapura dorëpërdore, n’atë ditë dimri, bërtitën me gjithë fuqinë zërit dhe shpirtit të tyre, nga rruga e Burgut të Ri (sot Mine Peza), në rrugën e Durrësit, duke çarë drejt qendrës… Thirrjet e tyre ishin: “Burrat tanë janë të pafajshëm!”, “Lirojini burrat tanë!”… e ndërsa afroheshin drejt kompleksit të Ministrive, një togë partizanësh arrestoi disa prej tyre, ndërkohë që të tjerat u futën rrugicave, duke gjetur strehë në familjet tiranase…
.
Ndër e respekt për këto gra shqiptare që s’ka monument që mund ta justifikojë madhështinë e tyre…
Im atë Lazër Radi, dhe Hilmi Leka ndodheshin të arrestuar. Jo pa ironi, gjatë seancës pyetsore të atyre ditëve, hetuesi iu drejtua: “Pale-pale, na e paske edhe gruan kapedane! Na dashka që t’ju lirojmë si të pafajshëm!” Lazri u përpoq ta justifikonte ngjarjen, duke besuar se ato ishin në të drejtë të tyre të mendonin dhe të kërkonin pafajsinë e burrave, o së paku, mos të cilësoheshin kriminelë!
Në 13 prill të vitit 1945, Hilmi Leka, ndodhej midis atyre të 17 që u pushkatuan nga Gjyqi Special, te Kodra e Priftit. Hilmi Leka ishte më i riu i të pushkatuarve, vetëm 32 vjeç; Lazër Radi po në të njëtën ditë: u dënua me 30 vite burg, ai ishte më i riu i dënuar i Gjyqit Special, vetëm 28 vjeç!
Pak vite më vonë, me shtator të vitit 1951, Vitore Radi do të dënohej si: “Gruaja e armikut të popullit dhe agjente jugosllave” me 9 vite burg… kurse Gjyslyme Leka ne vitin 1952 po si “gruaja e armikut të popullit, dhe agjente amerikane” do të dënohej me 8 vite burg.
Fate të ngjashme, tragjedi që s’mund të harrohen kurrë, sidomos ata që pësuan me shumë e me të padrejtë: Fëmijët e të dyja këtyre familjeve!
Vitore Radit në 5 prill 1945, ndërkohë që i shoqi gjykohej nga Gjyqi Special, i vdes vajza Veronika, ende pa mbushur vitin. Mbas burgjeve, të dy, burrë e grua në kampe pafundme interrnimi, ia dolën të rrisin tre fëmijë…
Tre fëmijët e Gjyslymes dhe Hilmi Lekës të mbetur jetimë ruajtën me dashuri kujtimin e të atit e dhimbjen për nënën e tyre. Si të mos mjaftonte kjo, për shumë vite, atyre tre fëmijëve iu desh të kujdesen për veten edhe për nënën e tyre burgjeve…
Ja ky ishte ai komunizmi famëmadh i krimeve dhe Genocidit, kjo është ajo vepra madhështore e atyre që s’u ngopën kurrë më gjak të pafajshëm. Gjyslymja dhe shoqet e saj hyjnë te gratë Legjendë, te heroinat që besuan te jeta, te familja, te liria… dhe Zoti i ndihmoi ta shohin fundin e diktaturës, dhe të ikin ashtu në paqe, të pazëshme, dinjitoze, edhe pse mbi shpinat e tyre kishin udhëtuar trenat e vdekjes…
Ndër e respekt për këta gra shqiptare, që s’ka monument që mund ta justifikojë madhështinë e tyre…
6 mars 2020