Vdekja e Lasgushit dhe një skicë
nga Ylli Demneri
Më kujtohet që lajmin e vdekjes së Lasgush Poradecit ma dha Minella Borova, kur u takuam rastësisht në rrugë. Trupin pa jetë të poetit e kishin vendosur në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Më kujtohen flokët e bardhë, një portret i tij vendosur përballë, mbi arkivol, si dhe thumbat e këpucëve të reja që ia kishin veshur për herë të parë atë ditë. Ndërsa po dilja, në kafenenë e lidhjes, më zu syri Nexhmije Hoxhën, Foto Çamin, Dritëro Agollin, si dhe të tjerë që nuk më kujtohen. Kur u ktheva në shtëpi, në njërën nga fletët e librit “Vdekja e nositit” (botimet e Rilindjes, Prishtinë) vizatova me laps profilin e tij në shtratin e vdekjes; atë pamje që më ishte fiksuar në kujtesë. E që ka mbetur aty sot e kësaj dite.
.
(“Më kujtohet”, vëllimi 1)
.