back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Vdekja nga torturat e Baba Myrteza Pajës nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Baba Myrteza Paja
Baba Myrteza Paja
Gjatë vitit 1978, kryeja shërbimin ushtarak në Dropull të Gjirokastrës, në nji brigadë montimi të kupolave të artilerisë. Në atë repart ne si ushtarë të rinj, gjetëm edhe 4-5 ushtarë të vjetër, midis të cilëve binte në sy një djalë i pashëm nga qyteti i Krujës: Mjaft i edukuar, i sjellshëm po edhe mjaft i shkolluar e i rafinuar. Me kalimin e kohës raporti mes nesh u bë mjaft miqësor e mirëbesues dhe konfidenca erdhi vazhdimisht duke u forcuar. Edhe pse bisedat shpesh ishte me grimca rrëfimesh, ai më mjaft dhimbje më tregoi historinë e gjyshit të vet, reputacionin e madh që kishte në Krujë, fisnikërinë që e karakterizonte po edhe situatën kriminale të pasçlirimit ku gjyshi i tij do të ishte një pësues i madh. Edhe pse i ati i tij punonte si mjek në Krujë, masakrimi i gjyshit, u kishte mbetur një njollë errët dhe e pashlyeshme, aq sa ai kishte përfundar në repartet e xhenjos… Për herë të parë prej tij dëgjova tragjedinë e Baba Myrteza Pajës, dhe heshtjen që i qe dashur familjes të përcjellë humbjen e tij të padrejtë në gjithë ato vite. “Peng në shpirt e kam, me e ditë kush ja ka ba të keqen gjyshit! Gjallë në botë nuk e lë atë njeri, me e marrë vesh se kush ka qenë ai kriminel…!” Ishte një nga fjalitë e brengës së tij! Quhej Fatbardh Paja, ishte nip i Myrteza Pajës! Djalë i rrallë!
jozef radi, 5 tetor 2017
.
Baba Mytreza Paja dhe fotografi Massani
Baba Myrteza Paja dhe fotografi Massani

Vdekja nga torturat e Baba Myrteza Pajës

nga Kastriot Dervishi

70 vjet nga dënimi i grupit të parë të deputetëve

 
Me mbarimin e proceseve ndaj teknikëve intelektualë në proceset “sabotuese” në Maliq në nëntor 1946, gjatë viteve 1947-1948 vëmendja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u drejtua mbi inteligjencien e vendit, pothuaj e gjitha me qëndrime properëndimore e proamerikane.
Goditja më barbare ndaj inteligjencies së vendit është paraqitur nëpërmjet proceseve në kuadër të goditjes së anëtarëve të “organizatës terroriste agjente sabotatore të deputetëve tradhtarë tekniko-intelektualë e demokristianë”. Të kësaj kohe, janë katër grupe kryesore të goditura, dy prej të cilëve kanë ish deputetë të dënuar dhe ekzekutuar, si dhe disa proceseve të vogla, të cilat nuk kanë peshën e këtyre të përmendura. Janë disa persona të vdekur në hetuesi nga torturat e rënda të zhvilluara nga oficerët e Sigurimit. Nga studimi tërësor i dokumenteve rezulton se në qendër të goditjeve janë intelektualët të ndarë kështu:
“Sabotatorët” e linjës proamerikane, kryesisht teknikë dhe inxhinierë, por edhe intelektualë të tjerë.
-Deputetë që kishin mendim ndryshe, pavarësisht se nuk e shprehën asnjëherë tërësisht atë.
-Të implikuar në ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë.
-Persona të njohur nga Enver Hoxha që dinin të kaluarën e jetës së tij.
-Të njohur, lidhje shoqërore e miqësore të personave të mësipërm.
Akuzat e formuara në drejtim të tyre ishin për:
-Sabotim ekonomik.
-Organizim atentatesh ndaj Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.
-Formim partish.
-Nxitje të ndërhyrjes së huaj anglo-amerikane.
Personat e arrestuar janë mbajtur në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë si: Shtëpia e Serreqit (në të djathtë të sheshit “Avni Rustemi”), “Shtëpia me gjethe”, te “Selvia”, te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-katëshet) si dhe dy burgjet e Tiranës. Janë përdorur tortura nga më çnjerëzore dhe në përfundim u arrit të manipulohen edhe proceset hetimore-gjyqësore.
Të gjitha vendimet gjyqësore sipas dëshmisë së Koçi Xoxes janë marrë me nga Byroja Politike e Partisë Komuniste, por dokumentacioni vërtetues nuk është trashëguar në ditët tona.
Baba Myrteza Paja (në foto) nga Kruja u arrestua në maj 1947, në bazë të listave të përgatitura nga komisioni i posaçëm i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, por edhe si person me dijeni për ngjarjen e marsit 1947, në Kryegjyshatë. Babai ishte një prej klerikëve më të njohur e më të nderuar në Shqipëri. Ishte shumë i afërt me Mbretin Zog, si dhe njihej për lidhjet miqësore me legatën amerikane në Tiranë. Mbreti Zog i besoi një prej të fshehtave më të mëdha të jetës.
Babai u torturua në shtëpinë e Serreqit për 48 orë. U përdor tortura me thikë (prerje e ndadaltë e mishit), aq sa trupi i tij nuk duroi dot dhe mbaroi pas 48 orësh. Për të plotësuar “procedurat”, trupi u hodh më 24.5.1947 nga kati i dytë i godinës dhe u tha se “donte të arratisej”.
(Në ditët e ardhshme do lexoni pjesë të përzgjedhura në lidhje me “grupet” e dënuara si dhe dëshmi domethënëse rreth manipulimit të proceseve)
Marre nga faqja e FB e Kastriot Dervishit, 4 tetor 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.