back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Vehbi Skënderi: 4 poezi nga libri “Zvicra, Shqipëria ime”

Gazeta

Vehbi Skënderi (1927-2011)
Vehbi Skënderi (1927-2011)

Vehbi Skënderi: 4 poezi

nga libri “Zvicra, Shqipëria ime”

 

Çfarë u mungon këtyre rrugëve

Unë nuk po e kuptoja dot,
çfarë u mungonte këtyre rrugëve e kësaj arkitekture
kaq perfekte.  
Kësaj dritëze të butë, që binte mbi vitrina, midis luleve e shkurreve,
fekste e fekste…

Çfarë i mungon këtij iriqi vocrrak, strukur, s’di qyshkur, në këtë ferrë.
Çfarë i mungon kësaj buzëmbrëmjeje të purpurt,
edhe kopsht plot trëndafila, edhe humnerë,
ku befas do të gremisen të tëra xixëllonjat e të tërë yjtë.
Çfarë i mungon këtij lumi, kësaj lëndine, këtij parku që, ndonëse lumturohem e
më kënaqen sytë duke i parë:
ndjej një hon në zemër, një zgavër ujqsh, që frikën më kall.

Çfarë i mungon kësaj hëne të plotë, fshehur, paksa, nën një tyl të bryllët reje,
që duket posi një flutur e djegur.
Çfarë i mungon syrit tim, që bredh gjithandej, si qen i ndjekur!
Çfarë i mungon kësaj nate pa emër, kësaj hijeje
ekzistente e inekzistente, kësaj ujvare hënore kaq transparente,
ujore, nënujore e të përjetëshme…
Bernë, 11 gusht 1996

Vjeshtë në park...
Vjeshtë në park…

Ditët e mia dhe pemët e Bernës

Po shkundin pemët fletët. Ditët e tyre të sermajta prej gjethesh,
teksa psherëtijnë e dridhen shpesh prej ethesh. Pemët e Bernës
i shtrojnë gjethe fronat e parkut me qilim mbretëror të artë,
që mos t’i vrasin gjunjtë, kur të rrëzohen kalamajtë
me velenxa prej gjethesh mbulojnë tërë luadhet
mos t’i çukisin putrat pas gurëzave kunadhet.

I ndejnë pa i kursyer (gjethet) rrugicave e kthesave,
mos t’u gjakosen gishtat ketrushave e breshkave
pemët e Bernës, oh ç’zemërbardha ndaj miqve dhe armiqve:
u shtrojnë tërë rrugët akrepave dhe iriqëve…

Si këto pemë të mira, që i zhvesh era e mëngjezeve
Perditë ditët e mia ua shtroj në rrugë njerëzve.
Veçse kujdes kur të shkelni mbi këto shpezë të mjera
Se shpesh në vend të puplave, kanë gjemba, tela e ferra.
Bernë, 7 Tetor 1997

Libri i Vehbi Skënderit
Libri i Vehbi Skënderit

Magjistarja

Kam parë, s’di se kur, një rrap të moçëm, gjysmë të thatë
plot gunga, zgavra e xhunga, mbi treqind vjeç.
Ndoshta edhe më i vjetër,
gjithsesi shtatlartë.
Po kur iu mbështet pas trupit një grua, si me magji, ndryshoi
U mbush, sakaq, plot sythe e gjethishte
Sikur një tjetër njeri të ishte…
Reinach, mars 2001

Ky koncert-shiu pa frymëmarrjen tënde...
Ky koncert-shiu pa frymëmarrjen tënde…

Shëtitje nëpër shi

Teksa po ecim nëpër shi, uroj që rruga jonë të zgjatë e të zgjatë
sa këta litarë shiu të pamatë.

Çapemi pa u ngutur. Retë mbushur përplot turren mbi ne prej qiejve
e prej maleve.

A mund të ishte kaq i këndshëm ky shi
po mos ta kisha hedhur xhaketën time krahëve?

Notojmë nëpër shi, apo në Drin, në Gand, në Danub a në Rhin. Apo mes lotëve
që bien pa pushim prej puthjeve të kuqrremta. Çapemi të trishtuar nëpër shi
si dy bohemë që ua ka kthyer era fare telat e ombrellës.

A do të ishte dot
ky koncert-shiu pa frymëmarrjen tënde kaq delikat me mua e kaq përkëdhelës.
Kalojmë nëpër shi si shtërgë të vonuar. Përsipër nesh kupola e hirtë e mjergull.
A do të ishte ky shi kaq i hijshëm
po mos ta hidhja krahun rreth qafës si pjergull.

Kalojmë nëpër shi si dy bohemë që s’dinë nga janë nisur dhe s’dinë
ku do të venë. Miliona kalimtarë çapen (me ne sëtoku) nën male me dilema:
Na pret hapësira e lirë a na presin prangat?

Zotërinj! Ju mbushini kasafortat dengaz me flori.
Ne të dy me perla shiu,
po i mbushim bankat.
Reinach, 5 prill 2001

Poezitë nga libri “Zvicra, Shqipëria ime”, 2004 Prishtinë
Marrë nga http://www.voal-online.ch

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.