back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Vehbi Skënderi dhe libri i tij Poetik “Bëjmë Sikur” (1995)

Gazeta

Vehbi Skënderi (1927-2011)
Vehbi Skënderi (1927-2011)

Pjesë nga libri “Bëjmë Sikur” (1995)

poezi nga Vehbi Skënderi

Kur Vehbi Skënderi botoi një libër lirie…

Poetin Vehbi Skënderin e kisha lexuar me atë kureshtjen e një djaloshi që kërkonte të zbulonte se poezia shqipe, megjithëse kohët e vështira të realizmit socialist përpiqej të kishtë edhe zërat e saj që në mos jashtë korit, (mbasi pasojat ishin katastrofike) kishte gjithsesi edhe poetë që kërkonin të gjenin njëfarë paqeje mes shpirtit të tyre dhe asaj çka përdhunshëm ua detyronte ajo kohë… Pra, e kisha lexuar dhe kisha krijuar një ide timen se: lirikat e tij ishin mjaft jashtë kornizës edhe pse autori e kishte pësuar “tërheqjen” e veshit nga Partia dhe Lidhja e Letrave…
Në fund të vitit 1994 dhe nga fillimi i vitit në vazhdim, u njoha me Vehbi Skënderin. Fillimisht u bënë miq me Lazrin, e mbas tij u bë mik i shtëpisë mbasi herë mbas here vinte në shtëpinë tonë, te Shallvaret, në rrugën “Reshit Çollaku” 118, e në bisedat nën pjergull, kemi kaluar ditë të këndshme diskutimesh e trazimesh letrare. Atëherë, së bashku me Lazrin kishim botuar librin “Muret e Muzgut” ndërsa Vehbiu ishte mbaruar dhe priste t’i dilte libri “Bëjmë Sikur…”
Ishte një kohë e vështirë ndryshimesh edhe pse ndjehej fasada ishim gjithsesi të lirë të flisnim, të diskutonim haptaz problemet, pse jo edhe të shanin… aq në modë asokohe… Por ajo që më ka mbetur në mendje ishte ai shpirti entuziast e plot pathos i Vehbiut, që ashtu i ngadaltë dhe një ton paksa recitativ në çdo fjali e tij, dhe Lazri i shtruar e i qetë, pak prozaik e filozofik çka më shtynte të isha një dëgjues i vëmendshëm i atij dueti pak ekstravagant po aq i këndshëm dhe i rrallë… Pastaj ndodhte, që nuset e shtëpisë i shërbenin kafe, ndonjë gotë raki o diçka që na ndodhej në shtëpi dhe Vehbiu gjithë eufori i drejtohej Lazrit: “Eh sa më fat je o Lazër, ke dy nuse të mira, të urta, të bukura që të rrinë gati! Ma beso që je vërtet me shumë fat…!” Dhe Lazri ia përcillte pak me shpërfillje e ironi, at shpirt entuziast dhe inkurajues të poetit Vehbi Skënderi…
Mbasi kishte lexuar “Muret e Muzgut”, dhe botuar një shkrim mjaft vlerësuas ndaj librit, në fillim të vitit 1995, Vehbi Skënderi botoi librin e parë mbas ’90, e meqë Lazri ia kishte dhuruar më dedikim librin e vet, një paradite erdhi ashtu solemn me çantë në dorë dhe me një gëzim thuaj adoleshencial e hapi çantën dhe i përndritur i gjithi tha tha: “Lazër, edhe unë e kreva misionin tim! E botova një libër vërtetë i lirë!” Dhe aty nën pjergull, në verën e vitit 1995, ai na dhuroi librin e tij me një dedikim të përbashkët. Edhe pse dora i dridhej lehtë, ai shkroi me një kaligrafi shëmbullore një mendim që edhe sot e kam të shenjtë prej Vehbi Skënderit…
“Bëjmë sikur…” më pëlqeu shumë, e herë pas herë e lexoja… Ishtë një libër me shumë cikle, ku shpirti i tij lirik shpalosej me lirinë dhe rininë e munguar, një libër i sinqertë, prekës, emocionues. Edhe pse në kufijtë e të 70-ve, ai ishte etur për të bukurën e jetës, plot pathos dashurie, e lartues i shpirtit femëror… Ishte flladi lirik i këtij poeti që po përpiqesh te fitonte kohën e rrënuar, dhe kur e dëgjoja të recitonte, të rrëmbente me fjalën dhe potencimin emocional që të përcillte përmes vargjeve të veta… Ky ishte poeti Vehbi Skënderi, që librin “Bëjmë sikur e sillte në kapërcyell të ndrrimit të kohrave, mbas thuaj tetë vitesh nga libri i fundit, e që në kujtesën time mbeti gjithnji shpirt i shndritshëm…
Pikërisht nga ky libër, i ndrrimit të kohrave po ju përcjell disa prej poezive të tij, më shpresën që edhe ju do të më jepni të drejtë për çka shkrova…
jozef radi, tetor 2020
Autograf i Vehbi Skënderit për Radët
Autograf i Vehbi Skënderit për Radët

Mos i përbuzni gratë

Në buzë çelin lulen, në sy gruan e këngën
në zëmër mbajnë diellin, mbajnë hënën
I brejnë në çdo gjeth përditë pakngapak
i shkelim mbi vlastarët delikatë
 
Mos i përbuzni gratë, mos i poshtëroni gratë!
 
Na shkundin çdo mëngjes gërmadha plot me pluhura
Na kthejnë fitimtarë luftrave të humbura
Në njërin krah shtëpinë, në tjetrin kalamajtë
E rritin bimësi dhe mbi një gur të thatë
 
Mos i përbuzni gratë, mos i poshtëroni gratë!
 
Gatitin pa pushuar darkë e drekë
Po era e gjellës nis diku, në treg
Me thonj gryejnë veten, kur u mungojnë paratë!
Edhe kur në dashuri, nuk kanë fare fat!
 
Mos i përbuzni gratë, mos i zemëroni gratë!
 
I kanë hapat pupëlza të buta
U buzëqeshin halleve të shumta:
Me neve bashkë, ndajnë çdo kafshatë
(vuajtjet tona e bëjnë më jetë shkurta)
Sikur dy jetë, mjerimi ynë të zgjatë
 
Mos i përbuzni gratë, mos i poshtëroni gratë!
Sanatorium, shkurt 1994
.

Bëjmë sikur

O flokëprerë e ëmbël! Përse nuk po te shoh?
Në gjithë zërat e pyllit unë zërin tënd e njoh
Pres çastin të të vrej… dhe lus të jetë i gjatë
Me currilë ujvarash poema për ty thur!
Por që të flasë drejt, pa i fryrë bririt të artë
Thua vërtet më do a bën sikur më do? Sikur, sikur…
 
Ashtu si çdo fillim, ti erdhe me dy mendje
Thua më deshe fort? A u çmende nga mërzia.
E hyre gabimisht mes ditëve të mia
Dhe prap sa vure këmbë të mbyti zagushia…
 
E pse ta përsëris përrallën: “Ish dikur”!
Thua vërtet më do, a bën sikur Sikur… sikur?
 
O burmë, që s’zë vend n’asnjë ingranazh
E pse kur të shoh ty, besoj në çdo mirazh
dhe nuk ka rregullsi, në Kozmos që nuk ç’thur!
Thua beson vërtet në këtë marrëzi e ndoshta yllësi
A bën sikur beson? Sikur… sikur… sikur?
 
Buburezë, shkrep diku dhe prapa natës ngecesh.
Nga ç’derë del kur shkon? Nga ç’potë vjen kur hyn?
Nga guri të ka gdhendur a nga një fjollë tym?
Mos vallë je gënjeshtër as flakë as hije as gur?
 
Thua më do vërtet, vërtetë çmendesh për mua
A bën sikur… sikur… sikur…
Dhe as ti s’më do. Dhe as unë s’të dua! Veç lozim komedi
 
E nga kjo kotësi, që ndesh ngado të shkosh,
Gjithçka të duket kot! Gjithçka të duket bosh!
Tiranë, mars 1994
.

Si të të quaj?

Si të të quaj?
 
Ëngjëll, magjistricë e vagabonde? Me ata sy të kthjellët
dhe atë përrua fjalësh
Më bëra skllav në gjysëmsekonde
Në gjysëmsekonde
 
Dhe u trete…
 
Tani unë shpesh herë rri flas me vete,
sikur edhe vetë drita m’u shua
E pyes parreshtur gjithë tmerr
 
Do ta ndesh sërish këtë grua
 
Ku do ta kap këtë xixëllonjë nëpër terr?
Tiranë, 23 shtator 1992
.
Vehbi Skënderi - Bëjmë Sikur... - 1995
Vehbi Skënderi – Bëjmë Sikur… – 1995

Qenka zor të duash…

Qenka zor të duash.
T’i thuash një gruaje:
Unë vuaj!
Mezi pres të të shoh. Mezi pres të dëgjoj hapin.
Të të ndjej frymëmarrjen.
Qenka zor të mbjellësh një lule e ta shikosh
si vdes. Të kapësh një flutur si një ëndërr e të vresh,
si i shkërmoqen në duart e tua, krahët
Të sajosh një det e ta shohësh si thahet!
 
Qenka shumë zor të duash. T’i thuash një gruaje.
 
Mos ma pre me sëpatë këtë bli, këtë pyll.
Mos ma shuaj këtë zjarr. Këtë flakë! Këtë yll,
që rrëzëlliu befas në këtë ditë gri. Mos ma vraj
këtë xixëllonjë, që më hyri kësaj buzëmbrëmje fshehurazi
në shtëpi. Mos ma shuaj!
 
Mos ma merr sërish këtë buzëqeshje, kaq të afërt e kaq të huaj,
që herë i ngjan një dasme, herë i ngjan një vdekje! Unë vuaj!
 
Unë vuaj…
Tiranë 4 gusht 1994
.

Ndoshta nuk jam i keq

Ndoshta nuk jam i keq.
Jam më i mirë ndoshta, edhe se Shën Pali e Shën Pjetri.
E zemra ime është vakëf: xhami e kishë
ku mund të rrëfehem të tërë mëkatarët.
 
Por, mos më shaj të lutem!
Vetëm mendimi, ti i takon një tjetri: më bën të ulërij si bishë,
Të thyej e të shqyej gjithë dyert e dritaret
Tiranë, 7 gusht 1994
.

Me sa duket qenkemi…

Me sa duket qenkemi të rëndomë. Tepër ordinerë.
Na thithin palcën, si përherë çimkat. Gjërat e zakonshme.
Pimë kafe, në trotuar, nën një tendë të nejlontë. Në këtë ditë standart!
 
Shuajmë etjen me ujë mineral!
Flasim për gjëra të trishtuara
e të lodhshme. Veshim kostume të përkohshme.
Në banesa të përkohshme.
Udhëtojmë me mjete të përkohshme.
Me gra e dashuri të përkohshme!
 
Ikim!
Tiranë, 4 gusht 1994
.

Veriu

Pse qenka dehur kaq! Ç’raki ka pirë veriu,
Që turret si gangster e mbjell ngado rrëmujë
Tund pemët gjithandej, shtyn retë si balonat
Të ngjishet nëpër trup, thua të gdhend statujë
Ku flasin mrekullisht, në çast, të gjitha format
 
Ngre pluhurat në qiell, fshin gjethe e fije bari
Tall zogjtë krahëshpejtë, tall trenat, kuajt, breshkat
E rend sa mund! Vrapon pa ditur pse qyqari
Dhe ta çon fundmin lart, sa kaltërojnë breçkat.
 
Por shtanget në sekondë! Pendohet gjithë turp
Sa çdo ind e gjymtyrë nga zori nis i dhëmb
Don të dremitë pak (që të harrojë ç’ngjau)
kokën ta mbështetë mbi supe
Po kush është ai zjarr, që fle mbi supin tënd?
.

Teksa po niseshe që të presësh ditën e pranverës

Mos harro
Që të më sjellësh një degëz ferri të gjelbërt
Dy manushaqe e dy luleshqerra;
Dhe një fluturëz ere po munde që ta kapësh!
 
Mos harro
Që të m’i kthehesh prap këto çaste fluturake
Që i more me vete kur ike
Dhe një gushkuq
Në biskun e një vetëtime – po munde që ta kapësh
Mos harro
.

Vitet fluturojnë

Thërras përmbi supet e mi të shlodhen
Bleta dhe flutura
Por, posa ulen shkojnë.
 
Kërkoj çdo ditë, ditë më të bukura
Po vitet fluturojnë!
Tiranë, 3 maj 1994
.

Dy lirika për Mimozat

Poeti Vehbi Skënderi
Poeti Vehbi Skënderi

Emri

Tek po kaloja vetëm nëpër park
Fillova që të mbledh, s’di pse as vetë
Mimozat flakur kot bistak-bistakë
Dhe pa e vënë re sajova një buqetë.
 
Kjo më dha hov e ngasje përsëri:
Mbledh lulet njëmënjë në tubë.
Ato vrenin nga dheu, gjith mirësi
Dhe pa u vënë re sajova një kaçubë.
 
Por ndodh sakaq çudia e paparë:
Sa e ngrija që përdhè, çelte në çast
Te ai bistaku i fishkur e i tharë
E më shikonte mua tërë gaz!
 
Po pse i mblidhje rrugëve lulet, pse
Si një koprac që mbledh ar e argjend
Më vjen keq për ato, se i shkelin kot pordhè
Apo pse mbajnë lulet emrin tënd?!
Tiranë, 2 mars 1987
.

Mimoza

Dëgjo këtu moj shoqka ime e brishtë,
Si çelë kaq marrëzisht nëpër acar?
Shkund me pëllëmbë mjegullën e trishtë
E mbush plot sythe pemët në janar
 
Dhe ndrit Tirana prej luleve të tua,
Teksa u fryn gishtrinjëve nga thëllimi
Unë edhe të qortoj, edhe të dua
Kur shoh se nuk i tutesh asnjë dimri
 
Kur qesh tërë gëzim me lot në faqe
E borën shkund nga supet duke rendur
S’çan kryet se të quajnë budallaqe
Dhe pse të thonë të mençurit: “E çmendur!”
 
Bistakët u tregon ngricës e brymës
Si lule kungulli nuk të than mërzia
E vetme, gjithë jetën, kundër rrymës
Të bën dhe më të hijshme marrëzia
 
E nuk të ndalin e erërat e ngricat
Ti nga inati çel mes borës kajzë
T’i mbush cingërima flokët me karfica
E nuk e di: Je pemë, apo je vajzë?!
.
Nga libri “Bëjmë Sikur” (faqe 12-13-14-15-16-17; 47-48-49; 52-53)
Shtëpia Botuese “Elena Gjika” 1995
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.