back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Vendimi i Manush Myftiut me 1966: – Do internojmë nga Tirana 272 familje – nga Iv Kaloçi

Gazeta

Savër 1969 -Brigadë bujqësie me gra të Interrnuara
Savër 1969 -Brigadë bujqësie me gra të Interrnuara

Vendimi i Manush Myftiut me 1966:

Do internojmë nga Tirana 272 familje

nga Iv Kaloçi

Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” po publikojmë të plota, faksimilet e një dokumenti origjinal të Komitetit Qendror të PPSH-së, të datës 14.VII.1966, të firmosur nga Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës dhe anëtari i Byrosë Politike, Manush Myftiu, i cili njëkohësisht ka pasur edhe postin e Kryetarit të Komisionit të Internim- Dëbimeve deri në fundin e regjimit komunist. Do të ishte pikërisht ky komision që për vite me radhë, “do të kishte në dorë” fatin për jetën e qindra-mijëra familjeve shqiptare të cilësuara si kundërshtare të regjimit. Komisioni i Internim-Dëbimeve, përgjatë viteve 1944-1990 do të degdiste – sipas statistikave zyrtare – rreth 25 mijë persona në zonat të cilat ishin piketuar nga regjimi i kohës si ambiente izolimi për këtë kategori shoqërore. Për të internuarit nga rajoni i jugut u përdorën zonat e Fushë-Krujës, Zadrimës dhe disa fshatra në veriperëndim të Tiranës. Ndërsa, për të dëbuarit nga zona e veriut u rekomanduan rrethet e Lushnjës, Mallakastrës dhe Tepelenës. Me qindra do të ishin relacionet e Komisionit të KQ të PPSH (ashtu siç do të paraqitet në këtë shkrim), të cilat përgjatë 48 viteve do të vulosnin fatin tragjik të qindra-mijëra fatkeqëve. Njëkohësisht do të botojmë dhe letrën e Sekretarit të Parë të Fierit, Sofokli Papavasili, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, për qëndrimin armiqësor që mbanin Nafiz Bezhani, Vlash Gjergji dhe Dhimitër Miçaço, të cilët ishin të internuar në atë rreth.
 
Partia e Punës e Shqipërisë
Tepër sekret
Komiteti i Partisë i Qytetit Ekzemplar. Nr. 1 Tirane
Prot. Nr. 852 Tiranë, më 14.7.1966
Lënda: Dërgohet relacioni mbi disa masa që duhet të ndërmerren ndaj disa elementëve armiq dhe të deklasuar
Komitetit Qendror të PP së Shqipërisë Shokut Ramiz Alia, Tiranë
 
Bashkëngjitur ju dërgojmë një relacion “Mbi disa masa për transferimin nga Tirana të disa elementëve armiq dhe të deklasuar” Për sa më sipër jemi në pritje Sekretari I i KP të qytetit të Tiranës (Manush Myftiu) 22.12.1966
Mbi disa masa për transferimin nga Tirana të disa elementeve armiq dhe të deklasuar, relacion
Në qytetin e Tiranës dhe në periferi të qytetit banojnë mjaft elementë të deklasuar, ish-kulakë, ish-krerë të reaksionit dhe ish- të burgosur politikë. Nga një studim që kemi bërë, kemi arritur në këto konkluzione:
 
1.Një pjesë e tyre janë banues të vjetër të Tiranës. Këta janë kryesisht ish-funksionarë të lartë të Zogut, të pushtuesve fashistë dhe të organizatave tradhtare: një pjesë tjetër (dhe këta përbëjnë shumicën) janë të ardhur nga rrethe të tjera, të cilët kanë ikur për të fshehur gjurmët. Mënyrat se si kanë ardhur janë të ndryshme, me njëmijë dallavere, duke përfituar nga ligjet tona për strehimin, nga përkrahjet, hatëret, ryshfetet, etj. Disa prej tyre nuk punojnë pasi janë pleq, por këta kanë fëmijët në punë të ndryshme. Një pjesë tjetër janë kryesisht ish-kulakë, kanë ndërtuar shtëpi përreth qytetit dhe punojnë si bujq në fermat ose si punëtorë krahu në ndërtim etj. Ka edhe një pjesë tjetër që punojnë në zyra dhe sektorë të ndërmarrjeve shtetërore.
2.Një pjesë e tyre zhvillojnë aktivitet armiqësor dhe përbëjnë një rrezikshmëri për kryeqytetin, jo vetëm se janë një bazë për elementët armiq, por dhe se janë kthyer në të vërtetë në qendra të përhapjes së parullave politike armiqësore, të infektimit me ideologjinë borgjeze e shfaqjeve të huaja, të organizimit të vjedhjeve, aktiviteteve të vagabondazhit, imoralitetit e korrupsionit. Pothuajse në të gjitha rastet, fijet të çojnë në këto qendra infektive. Si armiq klase ato përbëjnë bazën sociale të këtyre fenomeneve negative, që në qytetin e Tiranës janë bërë me të vërtetë një fenomen shqetësues.
3.Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tyre, vendet prej nga kanë ardhur dhe kohën kur kanë ardhur në Tiranë, duke pasur si kriter bazë të kaluarën e tyre dhe aktivitetin që zhvillojnë aktualisht, ne mendojmë se një pjesë e tyre, rreth 272 familje, të largohen nga Tirana dhe të shkojnë në rrethet e tjera. Konkretisht:
Në Shkodër 16
Në Kukës 2
Në Pukë 2
Në Peshkopi 3
Në Krujë 4
Në Burrel 2
Në Durrës 2
Në Elbasan 6
Në Lushnjë 1
Në Fier 16
Në Berat 13
Në Skrapar 11
Në Pogradec 13
Në Korçë 21
Në Ersekë 15
Në Vlorë 27
Në Tepelenë 7
Në Përmet 25
Në Gjirokastër 36
Në Sarandë 20
—————-
Gjithsej 244
 
Përveç këtyre, janë edhe 28 specialistë dhe nëpunës të ndryshëm, që duhet të transferohen nga dikasteret në rrethet e tjera. Ne e kuptojmë se ky është një problem i vështirë: E para, sepse janë 272 familje, rreth 2000 njerëz, dhe nuk është e lehtë për t’i lëvizur, e dyta: krijohet një problem politik, sepse këto njerëz kanë të afërt, lidhje gjinie etj., dhe në fakt preken më shumë se 2000 vetë. Por sidoqoftë, mendojmë se kjo është një masë e drejtë që duhet marrë. Për të zbatuar këtë plan ne mendojmë kështu:
1.Një pjesë të largohen në fshatrat prej nga kanë ardhur. Këto përbëjnë shumicën dhe punojnë në fermë ose ndërtim. Këtyre do t’u themi të shkojnë në fshatrat e tyre, prej nga kanë ardhur. Atyre që kanë ndërtuar shtëpi këtu, shteti do t’u bëjë shtëpitë. Fshati duhet t’u japë një farë baze ekonomike, shtëpitë e tyre dhe tokë.
2.Një pjesë tjetër, për arsye se janë në zonat kufitare, nuk do të shkojnë në fshatrat e tyre, por do të largohen në zonat fushore. Me një fjalë, këta dëbohen nga Tirana për në zona të tjera. Sigurisht, këtyre u duhet krijuar ndonjë bazë jetese ose punë atje ku do të shkojnë.
3.Një pjesë, këta janë disa nëpunës dhe specialistë, do të transferohen nga dikasteret dhe do të largohen nga Tirana. Ne e kemi parasysh se rretheve të tjera këto kontingjente u shkaktojnë telashe, por në këtë rast nuk po bëhet gjë tjetër veçse po u kthejmë kontingjentet e tyre. Nga ana tjetër, mendojmë se atje në rrethe ka mundësi që atje të jenë nën mbikëqyrje më të fortë. Në qoftë se Komiteti Qendror do të jetë dakord, pasi të njoftohen rrethet, mendojmë të ngarkojmë Komitetin Ekzekutiv të K.P. dhe Degën e Punëve të Brendshme të Qytetit të Tiranës, që në marrëveshje me Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të dërgojnë njerëz nëpër rrethe për t’u marrë vesh, konkretisht dhe të fillojmë nga puna menjëherë.
Nga ana tjetër, përveç kësaj mase administrative për likuidimin e disa qendrave infektive, Komiteti i Partisë ka menduar që të marrë disa masa të tjera politike për izolimin e qendrave të tjera të kësaj natyre të cilat mbeten, si dhe të disa elementëve të tjerë të kësaj kategorie.
.
Lazër Radi midis të interrnuarve - Kampi i Savres 1954
Lazër Radi midis të interrnuarve –
Kampi i Savrës 1954

1.Çdo qendër pune, si drejtori (Zyrat e Kuadrit) dhe disa organizata bazë, duhet të jenë në dijeni të plotë për njerëzit e këtyre kategorive që kanë në qendrat e tyre të punës. Neve na rezulton se në shumë ndërmarrje, si p.sh. në Kombinatin “Josif Pashko” ku ka shumë elementë të tillë, as drejtoria dhe as organizata bazë nuk di gjë për ta. Disave u kanë ngarkuar edhe detyra në vende drejtuese, dhe si pasojë, lufta e klasave atje është përtokë. Kjo gjendje duhet dhe do të marrë fund.

2.Organizata bazë e Partisë duhet të ketë kujdes për këta njerëz, t’i kontrollojnë dhe të jetë në dijeni për veprimtarinë e tyre, t’i izolojë dhe t’i demaskojë hapur kur ata veprojnë. Mendojmë se disa prej tyre nuk duhet të jenë anëtarë të Bashkimeve Profesionale. Në asnjë mënyrë nuk duhet t’u besohen punë me përgjegjësi. Të ndiqet, jo vetëm aktiviteti politik i tyre, por edhe ai moral, etj.
3.Organizatat bazë të Partisë të përgjigjen për këta njerëz, jo vetëm për aktivitetin e tyre në qendrën e punës, por edhe në lagje dhe në jetën e tyre private, duhet të bëjnë që ata të jenë të padëmshëm.
4.Me këtë rast shtrojmë edhe çështjen e disa të përjashtuarve nga Partia. Në qytetin tonë ka 726 të tillë, një pjesë e të cilëve, rreth 221 vetë, janë përjashtuar për çështje politike. Kemi vërejtur se organizatat bazë nuk janë përherë në dijeni për këta njerëz dhe nuk ndjekin veprimtarinë e tyre. Kjo gjendje duhet të ndryshojë: organizatat bazë duhet ta trajtojnë edhe këtë çështje me frymën që u tha më lart, me gjithë vëmendjen dhe mprehtësinë e luftës kundër elementëve armiq të partisë.
5.Këto masa duhet të ndihmojnë përgjithësisht punën që kemi filluar për të përmirësuar gjendjen e brendshme në kryeqytet, për të forcuar luftën klasore dhe vigjilencën e organizatave bazë të partisë, për t’u mbyllur rrugën fenomeneve negative që vërehen në jetën e disa njerëzve në qytetin tonë, si vagabondazhi, imoraliteti, degjenerime të llojeve të ndryshme. Këto masa do të përmirësojnë gjendjen dhe luftën e partisë. Ne jemi të vendosur që t’i çojmë ato deri në fund, prandaj e ngremë këtë çështje para Komitetit Qendror dhe kërkojmë ndihmën e tij.
Sekretari i I KP të Qytetit të Tiranës (Manush Myftiu)
.
Manush Myftiu - Kryetar i Komisionit të Internim-Dëbimeve, firma e të cilit ka shkatërruar jetën e mijra familjeve shqiptare
Manush Myftiu – Kryetar i Komisionit të Internim-Dëbimeve,
firma e të cilit ka shkatërruar jetën e mijra familjeve shqiptare

Shënim: U bisedua me shokun Sofokli Papavasili që ta zgjidhë këtë çështje me Gjykatën e Lartë sipas rregullave dhe konform ligjeve. 9.12.1966, Lefteri (Goga)

Letra nga Fieri për dëbimin e avokat Nafiz Bezhanit
Por gjatë periudhës së regjimit komunist, në drejtim të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komisionit të Internim-Dëbimeve, që kryesohej nga Manush Myftiu, vinin edhe mjaft propozime nga të gjitha rrethet e vendit. Një prej tyre është dhe ky relacion që po botojmë në këtë shkrim, ku sekretari i parë i Fierit, njofton Komitetin Qendror të PPSH-së mbi çështjen e tre të internuarve që ndodheshin në atë rreth, duke i propozuar që t’i largonin që andej, pasi konsideroheshin persona me të kaluar armiqësore, që vinin nga familje reaksionare dhe vazhdonin të mbanin qëndrim të keq edhe aty në internim. Një prej tyre është Nafiz Bezhani, avokati dhe jurist i njohur që në vitet 1998, kryesoi për disa vjet Komisionin Shtetëror për Pastërtinë e Figurave.
 
Partia e Punës e Shqipërisë
“Sekret” Komiteti i Partisë së Rrethit Fier, më 4.10.1966
Nr. Prot. 594 Ekzemplar. Nr. 1
Komitetit Qendror të PP të Shqipërisë (Sektorit të Kuadrit) Tiranë
Në rrethin tonë ekziston një grup avokatësh, shumica e të cilëve janë me përbërje të keqe politike. Plus atyre që kishim, kohët e fundit kanë ardhur dhe dy të tjerë, të cilët janë akoma dhe më të këqij. Konkretisht:
 
1.Vlashi Gjergji, i dënuar me burgim të përjetshëm me grupin e deputetëve, dhe liruar para afatit. Kohët e fundit erdhi në Fier i transferuar nga rrethi i Përmetit. Me sa kemi dëgjuar, edhe në burg, edhe në Përmet, ai nuk ka mbajtur qëndrim të mirë.
2.Nafiz Bezhani, ka ardhur nga Tirana këtë vit. Me sa dimë (sepse nuk kemi asnjë dokument për ta), është element i përjashtuar nga partia. Gjatë kohës këtu ka pëshpëritur “më zuri plumbi i burokracisë”. Mban qëndrim shumë të keq në gjyq, duke luftuar që me fraza të bukura dhe me pasion të fitojë klientë. Në një gjyq të hapur në Libofshë, lidhur me një vrasje, me qëllim që të fitonte nam gjatë mbrojtjes së kriminelit, u mundua që ta diskreditonte viktimën, duke arritur në banalitete dhe absurditete në sy të masës. Bile bëri çmos që të diskreditonte edhe trupin gjykues dhe mjekët e ekspertizës.
3.I tillë element i keq është dhe avokat Dhimitër Miçaço (ka qenë që më parë), sepse asnjë mbrojtje të ligjës nuk mund të pritet prej tyre. Me këtë rast dëshirojmë të shprehim mendimin tonë, se na duket e padrejtë që këta, pa pyetur dhe pa marrë pëlqimin nga asnjë organ i partisë apo pushtetit në rreth. (Për dy të parët që kanë ardhur këtë vit, nuk na ka vënë asnjë në dijeni.)
Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit (Sofokli Papavasili)
 
https://www.voal.ch/vendimi-i-manush-myftiut-me-1966-do-internojme-nga-tirana-272-familje/
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.