back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Vepra e Tretë Mid’hat Frashëri dhe dy opinione nga Nebil Cika dhe Ilir Hysa

Gazeta

Promovimi i veprës së tretë të Mid'hat Frashërit
Promovimi i veprës së tretë të Mid’hat Frashërit

S’mund ta përdorni Mid’hat Frashërin,

si leckë për t’i fshirë llumin Ismail Kadaresë!

nga Nebil Çika

Sot isha i ftuar në përurimin e veprës e tretë e Mid’hat Frashërit botim i Institutit “Lumo Skëndo”. Ku dhe kur flitet për Mid’hat Bej Frashërin, shkoj me kënaqësi të madhe pasi në perceptimin tim ai është një nga burrat më të ndritur që ka nxjerrë ky popull e ky komb, gjë që besoj se pranohet nga shumica e opinionit publik.
U befasova disi kur në krye të vendit gjeta të ulur shkrimtarin e njohur të realizimit socialist, ish deputetin e Kuvendit të diktaturës komuniste dhe ish nënkryetarin e Fronit Demokratik: Ismail Kadare. Vura re që si unë kjo befasoi edhe shumë të tjerë në atë sallë që kanë [perceptim të përafërt me mua, për figurën e Mid’hat Frashërit.
Për një çast mendova se ai ishte atje për të kërkuar ndjesë për gjithë ato të zeza që ka shkruar për Frashërin, bashkëluftëtarët dhe mbështetësit nacionalistë e antikomuniste. Por e pata shumë gabim. Nënkryetari i Frontit Demokratik, zëvendësi i Nexhmije Hoxhës, ishte atje si njeriu që kishte shkruar parathënien e librit të kryetarit të Ballit Kombëtar Mid’hat Frashërit. Më zi se kaq nuk kishte ku shkonte, Por nuk mbron këtu. Kadare u vendos nga organizatorët dhe folësit në epiqendrën e takimit që u kthye, (ndoshta ky ishte edhe qëllim) nga promovim i nacionalistit antikomunist Mid’hat Frashëri në një rehabilitim për komunistin Kadare. Drejtuesi i ceremonisë e quajti Kadarenë “shkrimtar të madh, me famë botërore”, ambasadori i Kosovës që mori fjalën pas tij foli, 5 minuta për Kadarenë dhe vetëm 39 sekonda për Frashërin, kulmi arriti ku në mes lëvdatave hipokrite u lexua parathënia e Kadaresë, për librin e Frashërit. Kjo ishte e tepërt! Mid’hat Frashri dhe ne të tjerët që e adhurojmë atë, nuk e meritonim këtë poshtërim. Prandaj u largova në atë çast nga ajo sallë që qelbej nga poshtërimi që po mundoheshin t’i bënin Mid’hat Frashërit dhe adhuruesve e dashamirësve të tij atje!
.
Vepra e Mid'hat Frashëri
Vepra e Mid’hat Frashëri
Pavarësisht përpjekjeve djallëzore për ta parë e trajtuar figurën e Mid’hat Frashërit si “Lumo Skëndo”, pra vetëm si shkrimtar, ai vlerat e mëdha i ka tek aktiviteti i tij politik, si nacionalist dhe antikomunist. Frashëri krijoi dhe drejtoi Ballin Kombëtar dhe u përballë në një betejë të përgjakshme, pikërisht me Frontin Demokratik të drejtuar nga Kadare. Vetëm kjo mjaftonte që Kadare të mos ishte fare në atë sallë. Ka vetëm një arsye që mund ta justifikonte praninë e tij: Të kërkonte falje për ato që ai, Partia dhe Fronti i tij i kane bërë për 5 dekada Frashërit dhe pasuesve të tij. Por, ai ishte atje për të kundërtën. Për t’u pastruar nga të gjitha ndyrësitë komuniste që ka shkruar e ka bërë duke përdorur si leckë e Mid’hat Frashërin.
Botimi i veprës së Frashërit me parathënie të Kadaresë, vetëm se e bën pis figurën e tij. Do t’i kenë luajtur kockat në varr “Gjeniut të kombit”. Por ndërsa kjo ngjarje e shpifur i bën qeder antikomunistit Frashëri, komunistit Kadare i bën nder të madh mbasi ai ka kohë që po përpiqet të fshijë namin e shërbëtorit të diktaturës, duke sajuar alibi si antikomunist, si disident dhe ja ku ju dha kjo mundësi e madhe pikërisht atje ku nuk pritej, pikërisht tek Mid’had Frashëri. Kjo është turp e faqe e zezë, jo për Frashërin por për ata që ia bënë atij këtë. Ka një praktikë kriminale në Shqipëri, që po nuk deshi Kadare, nuk promovohesh dot si shkrimtar sado i talentuar qofsh!! Por sigurisht që Frashëri nuk ka nevojë për këto lloj çertifikimesh, veçanërisht nga një figurë e errët si Kadare. Mid’hat Frashëri e ka siguruar famën botërore shumë përpara se të lindte Kadare! Ai njihet pak në vendin e vet, pikërisht për shkak të baltës që kanë hedhur mbi të politika e partisë dhe letërsia e Kadaresë dhe frontit të tij. Dhe pikërisht këta që u munduan ta baltosin dje po e përdorin sot si leckë, për të pastruar baltën që u ra mbi fytyrat e tyre…
Pikërisht këtë nuk prisja kurrë t’ia bënin Frashërit, veçanërisht këta që ja bënë. Por nejse, nuk thonë kot: Sa të rrosh, do të mësosh!”

.

Promovimi i veprës së tretë të Mid'hat Frashërit
Promovimi i veprës së tretë të Mid’hat Frashërit

Kërkoni ndjesë publikisht për Mid’hat Frashërin, z. Kadare!

nga Ilir Hysa

Në 24 tetor 2018 në Tiranë u bë promovimi i volumit të tretë të veprës monumentale të Mid’hat Frashërit, e cila pritet të ribotohet në 13 vëllime. Ky botim është ndërmarrë nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nën kujdesin e historianit Uran Butka.
Sikur Mid’hat Frashëri të mos ishte aq i madh sa është dhe sikur të mos ishte baltosur padrejtësisht që nga Lufta e Dytë Botërore deri sot (në qarqe të caktuara), ky do të kishte qenë një promovim i zakonshëm libri. Por një tubim i tillë nuk kishte asgjë të zakonshme. Së pari, vëzhguesi i kujdesshëm konstatoi se konfliktualiteti mes atyre që pretendojnë se janë trashëgimtarët politikë të Mid’hat Frashërit vazhdon. Sigurisht që ky është lajm i keq. Por ndërkohë, një lajm i mirë është fakti se deformuesit e historisë sonë nuk po mundin dot të vazhdojnë kasaphanën e tyre makabre. E vërteta po shetit triumfatore rrugëve të Tiranës e gjetkë dhe historianët e tipit Xhufi po rendin që t’a kapin e t’a prangosin por nuk po mundin dot. Në prag të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, shqiptarët e mashtruar për dekada me radhë po kuptojnë batërdinë që u është bërë dhe po sjellin më në fund ngjarjet historike dhe protagonistët e tyre në të njejtën tablo, ashtu siç ndodhi në ato vite të stuhishme të historisë sonë.
Ndërkohë, dikush që ka sadopak kërshëri për historinë tonë kombëtare po fërkon sytë nga mosbesimi: Si ndodhi që për kaq gjatë, për gati tetë dekada, ne si komb kujtuam Kongresin e Alfabetit por nuk dëgjuam të flitet në studiot televizive, radiot e gazetat për drejtuesin e tij Mid’hat Frashërin?! Më e rëndësishmja: Si ndodhi që ne besuam tek një dogmë e pështirë për aq gjatë?! Sigurisht që edhe teza si “të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” nuk e kanë ndihmuar ndriçimin e historisë sonë të dhimbshme. Fajtojët duhen identifikuar për hir të harmonisë sociale, jo për hakmarrje, ndërsa mëkatarët duhen të shprehin pendesë.
.
Promovimi i veprës së tretë të Mid'hat Frashërit
Promovimi i veprës së tretë të Mid’hat Frashërit
Në këtë kontekst, gjëja që ra më shumë në sy në këtë promovim ishte prania e Ismail Kadaresë, shkrimtari ynë tashmë me famë botërore. Kadare, ky pjestar i makinërisë gjakatare që vrau e preu shqiptarët për gati pesë dekada me radhë, ishte i ftuar nderi. Sikur të mos mjaftonte kjo, mësohet se Kadare ka shkruajtur edhe parathënien e vëllimit të tretë të veprës së Mid’hat Frashërit. Ndryshe nga gjithë ata që i janë vërsulur Kadaresë, unë e përshëndes veprimin e tij. Populli thotë “më mirë vonë sesa kurrë”. Shkrimtari ynë i realizmit socialist bën mirë që më në fund vendos të braktisë gënjeshtrën e madhe shekullore për Mid’hat Frashërin dhe heshturazi bën paqe me të birin e Abdyl Frashërit, por kjo nuk mjafton. Për të mirën e reputacionit të tij plot dritë-hije dhe për hir të interesit kombëtar, Ismail Kadare duhet të kërkojë ndjesë publikisht për qëndrimin e tij ndaj Mid’hat Frashërit. Le të kujtojmë se në kohën kur Mid’hat Frashëri baltosej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Kadare i shërbente me zell atij regjimi dhe pyeste tek “Shqiponjat fluturojnë lart” në mënyrë retorike: “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Parti?” Ai qëndronte përbri Nexhmije Hoxhës teksa drejtonin Frontin Demokratik të Shqipërisë, strukturën kriminale që i bënte gjëmën shumë shqiptarëve askokohe. Ende më trishtues është fakti se gjeniu ynë mëkatar ka heshtur edhe gjatë tre dekadave të fundit. Pse vallë? A thua t’a ketë vrarë ndërgjegjja që ai vetë ishte pjesë e bandës kriminale që anatemoi dhe deklaroi të birin e Abdyl Frashërit, Lumo Skëndon e madh, armik të popullit që ai deshi aq shumë, madje edhe pas vdekjes. Ja si shkruante ai:
“Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut.
Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis.
E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.
Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon.
Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi.
Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.”
Pra, o njerëz, si baltoset e kryqëzohet një zemër e tillë?! Sigurisht që jo! Atëherë, ç’presim ne, pse nuk e përqafojmë Mid’hat Frashërin tonë të madh! A janë më në fund shqiptarët e mashtruar për dekada me radhë gati të përqafojnë shërbestarin dhe apostullin e tyre? E vërteta e lirë do të sugjeronte se po, por ne si popull ende vuajmë pasojat e së kaluarës, ende presim nga ata që na thanë se Shqipëria Socialiste ishte vendi shkëmb e granit që kishte frikë bota. Ne si popull ende shohim se ç’po bën Kadareja. Por ai po bën vetëm hapa të vegjël. Ndaj ne pyesim:
A është ky një moment i sinqertë kthese dhe faljeje publike nga Kadare? Në këto momente kur shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë sesa kurrë ndonjëherë për mësues dhe kampionë si Mid’hat Frashëri, shtirja do të ishte mëkat edhe më i madh sesa baltosja prej gati tetë dekadash. Lë të shpresojmë që ky është moment reflektimi, pendese dhe bashkimi kombëtar. Që gjithçka të bëhet e besueshme z. Kadare duhet të kërkojë falje për rolin e tij në kalvarin e gjatë e të dhimbshëm, për harresën pse jo edhe në baltosjen e Mid’hat Frashërit.
Ndaj për hir të dhimbjes së djeshme, për të sotmen e paqartë dhe për të ardhmen tonë kolektive, kërkoni ndjesë publike për Mid’hat Frashërin, z. Kadare!
Ilir Hysa, PhD
Sh.B.A., 25 tetor 2018
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.