back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vepra Ndre Mjeda -V- Gjuhëtari nga Mentor Quku

Gazeta

Ndre Mjeda - Kolana V
Ndre Mjeda – Kolana V

Vepra Ndre Mjeda -V- Gjuhëtari

nga Mentor Quku

Në periudhën e fundit jetësore, (1925-1937), Mjeda pati një përkushtim të veçantë ndaj veprimtarisë shkencore, letrare, gjuhësore, asketike e pedagogjike.
Libri ka gjithsej 733 faqe të numruara, me 801 futnota, me mbi 200 fotografi, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në vitet 1925-1929, Mjeda jetoi i mbërthyer në famullinë e tij në Kukel, realisht i dënuar që të mos lëvizte jashtë famullisë.

Mjeda - Fishta - Gurakuqi 1908
Mjeda – Fishta – Gurakuqi 1908

Në vitet 1930-1937, Mjeda punoi si profesor i gjuhës shqipe në Shkodër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin zyrtar si famullitar i Kuklit. Ai gëzoi përkrahjen dhe nxitjen e një reformatori të madh, siç ishte Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve, Wladimir Ledohowsky. Mjeda do të merret kryesisht me studime gjuhësore, si edhe me botime të kësaj natyre, me vëllime të veçanta ose me artikuj problemorë e kritikë. Për këtë edhe do të rigjallërojë letërkëmbimin me shumë albanologë të huaj, miq e dashamirë, nxënës dhe dishepuj të tij të shumtë. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Megjithëse thuajse i vetmuar dhe i zhgënjyer në planin kombëtar e atë social, ai do të punojë fort deri në fund të jetës.
Një ndër projektet e tij të vjetra ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi, KLSH) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër “Shoqërinë Letrare – Shën Jeronimi”. Në kuadrin e kësaj shoqërie letrare, Mjeda do të botojë disa vepra kryesisht të autorëve të vjetër shqiptarë. Ai do të botojë veprën e Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, si edhe do të fillojë të transkriptojë “Pasqyrën e të Rrëfyemit” të Pjetër Budit.
Një kapitull i veçantë në këtë fazë është debate që lindi mes tij dhe studiuesit të ri Filip Fishta. Dom Ndre Mjeda dha shembullin e kërkuesit shkencor në gjuhësi. Ai organizoi në moshë të shtyrë ekspeditën në vendlindjen e Pjetër Budit, Gurin e Bardhë për të njohur të folmen e Budit, si edhe kërkime në arkivat e Parisit e të Romës për të gjetur veprat e rralla të panjohura të Budit.
Ardhja e Mjedës profesor i gjuhës shqipe në “Seminarin e Jezuitëve”, korrespondon me fillimet e revistës “Leka”, si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj. Mund të themi se pesha e madhe që kishte në mjediset jezuite, bëri që personaliteti i Mjedës të interferohej edhe në profilin e “Lekës”.
Një ndër këto efekte është stabilizimi i normës letrare që përdori revista. Mund të themi se praktika drejtëshkrimore e revistës mori një profil të qartë që shkonte drejt afrimit me toskërishten nën drejtimin e Mjedës. Nji gjâ e bâni të Madh e të pavdekshëm Mjedën: dashunija e stërfuqishme për gjuhën shqipe.
Në këtë vëllim Dr. Quku analizon veprën e rëndësishme “Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe”, e cila u pasua nga një debat mes tij e Justin Rrotës. Gjithashtu në këto vite është rindezur letërkëmbimi Mjeda-Pedersen, i lënë në mes para tri dekadash.
Mjeda, pasqyrohet si zotëronjës i mirë i shumë gjuhëve të huaja, si italisht, latinisht, greqishte e vjetër, si edhe gjuhët sllave, i shumë fushave të dijes e të shkencës, njohës i mirë i fjalëformimit të fjalëve shqipe në procesin e vet historik, si etimologji, onomastikë, dialektologji, morfologji e fjalës, si në studimin e shkëlqyer “Prend e Prendë” (1932), apo në “Dromca toponamastike (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta)”, (1936), ku debatoi me studiuesin Josip Gelčić. Ai njihet për aftësitë e tij për kërkime të dokumenteve të vjetra të shqipes, për përpunimin dhe botimin e tyre. Relikte të dialektit të shqipes së Istries, puna me veprat e Budit, transkriptimi i 14 ligjeratave të “Cuneus Profetarum” të Bogdanit, si edhe “Shenjime bibliografike: Bartoli Matteo”. “Nji relikte e dialektit t’Istries”, Në “Studi albanesi”, Roma, 1931. Në vitet 1930-37, Mjeda punoi gjatë për një vepër fondmentale të gjuhësisë shqiptare, “Fjalorin leksikografik të gjuhës shqipe”.

Ndre Mjeda - Kolana I-VII
Ndre Mjeda – Kolana I-VII

Do mësojmë për njeriun Mjeda dhe këtë do ta bëjmë përmes letërkëmbimit që pati në këtë periudhë të jetës së tij. Janë kryesisht letra të këmbyera në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Emzot Lazër Mjedës.
Një bllok tjetër është edhe ai i këmbyer në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Atë Jak Gardinin SJ, në periudhën 1933-1937. Së fundi janë edhe letra të këmbyera me personalitete e njerëz të tjerë të thjeshtë. Shohim së pari bllokun e letërkëmbimit të Dom Ndre Mjedës me Emzot Lazër Mjedën. Në AQSH ruhet një bllok i mirë i letrave që Jak Gardini i dërgoi Ndre Mjedës në vitet 1933-1937.
Po ashtu jepen edhe pjese te ruajtura nga letërkëmbimi me albanologë të ndryshëm, si edhe me personalitete të ndryshme të kohës apo edhe me njerëz të thjeshtë të popullit.
Një kapitull më vete zë vdekja e poetit, i cili sapo u kthye nga Tirana sëmuret nga paraliza e zemrës dhe vdes në Shkodër më 1 gusht 1937, në vigjiljen e “Festës së Kuklit”, Shën Shtjefnit. Katafalku me trupin e tij, vendoset në kishën e Jezuitëve në Shkodër.
Rinia studentore, përfaqësues të tjerë të rinisë shkodrane, miq e dashamirës, dishepuj e bashkëpunëtorë bëjnë homazhe para trupit të tij. Nderimet, fjalimet dhe procesionet në qytet me arkivolin e tij u bënë ditën e hënë, më 2 gusht. U varros në kriptin e Kishës së Jezuitëve. Humbja e një prej krojeve më të pastra të lirikës shqiptare, Dom Ndre Mjedës, u përcoll me dhimbje në madhe nga populli.
(Marrë nga muri i fb. “Gjuha Jonë Hyjnore”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.