Vështrim mbi poezinë e Ramadan Musliut
nga Isak Ahmeti
I.Në vend të hyrjes
Me leximin, studimin dhe vlerësimin e poezisë, dhe jo vetëm të poezisë, por me opusin e përgjitshëm kritik-letrar e publicistik të Ramadan Musliut jam marrë që nga vitet e 80-ta kur edhe kam shkruar dhe publikuar shkrimet e para për veprën e tij poetike, meqenëse që në fillim kam vërejtur se ai kishte talent, kulturë shkrimi dhe se me librin e tij të parë me poezi: Parodia e Trupit (1981), ai paralajmëronte një krijues serioz, të veçantë dhe modern në letrat shqipe.
Arsyeja e dytë pse jam marrë me leximin, studimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të poezisë së tij është se ajo nuk lexohej dhe nuk vlerësohej si e meritonte, nuk vlerësohej në tërësinë e saj, me ndoj përjashtim të rrallë. Prandaj në shkrimet e mia kritike-letrare jam përpjekur që ta vështroj dhe vlerësoj veçantinë e sistemit të tij të të shprehurit: stilin, gjuhën poetike, gjithë atë që e bën atë të rëndësishme dhe të mëvetësishme një vepër ose krijimtarinë poetike të një krijuesi.
Dhe së treti, jam marrë me të edhe për faktin, sepse e kam pasë mik shtëpie, e kam pas shok, koleg, bashkëmendimtar, bashkëpuntor dhe bashkëveprimtar jo vetëm në fushën e krijimtarisë.
II.Librat me poezi të Ramadan Musliut
Është me rëndësi të theksohet se Ramadan Musliu, si krijues, ka lënë një varg veprash, zhanresh të ndryshme si: poezi, kritikë letrare, publicistikë, etj. që mbruajnë vlera shumështresore.
Ramadan Musliu ka botuar pesë libra me poezi, të cilat m’i ka dhuruar me dedikim të veçantë dhe ato janë:
1.Parodia e trupit, Prishtinë, 1981,
2.Shqisa e gjashtë, Prishtinë 1985,
3.Pasqyra e të rrëfyerit, Prishtinë, 1987,
4.Kënga e sibilave, Tiranë, 1996,
5.Në zemrën e gjërave, Prishtinë, 2005.
Poezitë e Ramadan Musliut janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frengjisht, serbisht, maqedonisht, sllovenisht etj.
Unë këtu, me këtë rast, nuk do flas për gjithë rrugëtimin poetik të tij, për librat poetikë të tij, për vlerat e përgjithshme edhe për faktin sepse jo rrallë kam shkruar dhe publikuar shumë shkrime për këtë problematikë. Këtu unë do rimarr edhe një herë në shqyrtim librin e tij të parë poetik:
“Parodia e Trupit, Rilindja, 1981, që ka shënuar një moment të ri në poezinë shqipe të viteve të 80-ta dhe më pas.
III.Parodia e Trupit – procedura krijuese
Poezia e këtij libri që u botua më 1981, plot para 42 viteve, që ende është e freskët në kujtesën tonë, ka kaluar nëpër një procedurë krijuese moderne dhe postmoderne, ku faktet dhe momentet historike si p.sh. Formula e Pagëzimit, mbetjet shpirtërore, kombëtare dhe njerëzore, të perceptuara, i janë nënshtruar akseptimit poetik, të poetit, selektimit subjektiv dhe reprodukimit që nuk i largohen fare krijimit të ekuivalentit mimetik. Shprehja poetik në këtë vëllim është mjaft precize, sharmante, aty poeti ka përdor një gjuhë figurative, kuptimisht të pasur, gjetje artistike të pasura krejt ndryshe nga poezia shqipe që ishte krijuar deri atëherë në frymën e socrealizmit këndej dhe veçanërisht andej kufirit.
Stili poetik i këtij libri është i stabilizuar, mjaft intrigues dhe provokues ndërkaq semantizmi i figurës gërshetohet shkëlqimisht në vetë titullin e librit.Titulli i librit pra “Parodia e Trupit”, është jo vetëm provokativ, por edhe sinjifikativ dhe intencional. Teksti poetik i këtij libri del edhe si parodizim i gjërave dhe fenomeneve të botës.Parodizohet pra trupi, gjërat dhe fenomenet ekzistuese me qëllim që ato të riafirmohen, që të riaktualizohen, sepse ato, jo rrallë, me dashje apo pa dashje, janë menjanuar, janë harruar e nganjëherë edhe janë injonuar.
Prandaj poeti, mu për këtë, edhe e ka riaktualizuar poetikisht edhe çështjen e pjesëve të ligjeratës si shenja fragmentare të jetës së njeriut, të shpërndara e të humbura nëpër kohë ose të injonuara fare. Prandaj ato i riaktualizon poetikisht, i kthen në jetë, në simbol, në simbol funksional e mjaft komunikues.
V.Struktura e Librit dhe Objektivimi
Librin e tij të parë poetik: Parodia e Trupit, poeti e ka strukturuar në pesë pjesë, në pesë cikle siç janë:
I. Udhëkryqi në Shtëpi,
II. Pjesët e Ligjeratës
III. Groteska,
IV. Zbërthimi i Groteskës dhe
V. Formula E Pagëzimit.
Është me rëndësi të theksohet se vetë titulli i librit, titujt e cikleve por edhe vetë titujtë e poezive shprehin në një mënyrë konceptin e poetit mbi aktualizimin poetik. Përndryshe libri në fjalë nisë me poezitë që emërtojnë ambientin, ku objektivohet subjekti poetik. Te cikli i parë: Udhëkryqi në Shtëpi, është shqiptuar vetmia dhe komunikimi, dilemat dhe komunikimi-korespondimi me objektët dhe gërat, në udhëkryqin e jetës, pra edhe në udhëkryqin e kreacionit poetik. Vërehet te ky cikël, prandaj, një gjakim i pashoq për të shqiptuar vetveten:
“E shtrydh zemrën
gjak të pikojë në letër”
(Letra, fq. 12)
Vetvetiu këto dy vargje shprehin qartë se sa e mundimshme është rruga deri te verbi poetik, që krijohet në vetmi, por në praninë e objekteve dhe gjerave. Në vetmi njeriu më se miri mund ta njoh vetveten, më se miri mund ta shqiptojë vetveten. Për më tepër kjo është një filozofi që është verifikuar praktikisht gjatë shekujve, qoftë me traktate filozofike qoftë me vepra artistike e poetike Ç’është e vërteta, edhe në vetmi njeriu komunikon dhe korespobdon, kjo ka ndodhë edhe me poetin elitar, Ramadan Musliun. Në vetmi “Mbyllja në vetmi” (Poezi, fq. 25), poeti ka shqiptuar vetveten, ai ka shqiptuar edhe kohën, ku është realuzuar, përmes dilemash të shumta, subjekti krijues:
“Njolla e zezë e jetës
dukej vjershë e tmerrshme
në letrën e bardhë”
(Letra, fq. 12).
Në poezinë e Ramadan Musliut, ta quajmë kushtimisht poezi objektive-teknologjike, të cilën në poezinë bashkëkohore italiane e ka lëruar i pari Lamberto Pignoti(të cilin unë e kam përkthyer dhe publikuar në Kosovë që në vitet e 70-ta), ndihet në masë mjaft të theksuar te libri: Parodia e Trupit, në mënyrë të veçantë te cikli i parë: Udhëkryqi në Shtëpi (fq. 5-25). Këtu del prania e objekteve si rezultat i subjektivitetit poetik, kuptimor e artistik. Objektet dhe gjërat siç janë: shtrati, karriga, telefoni, tryeza, gota, letra, ora, dhëmbët artificialë, radioja, televizori, magnetofoni, këmisha, dritarja etj., përfaqësojnë subjektin poetik.
Këto objekte, si do shprehje Ibrahim Rugova, i kanë shërbyer poetit si elemente përfaqësuese që shenjëzojnë kuptimin poetik. Në fakt kjo poezi është e një sensibilitet modern dhe postmodern, ku vërehet dukshëm jo vetëm tendenca por edhe ndikimi i poezisë teknologjike, themelues i së cilës në Itali konsiderohet poeti i mirënjohur Lamberto Pignoti (1926). Ç’është e vërteta, fryma e poezisë teknologjike, këtu tek ne, është krjuar së pari nga Isak Ahmeti (në vitet e 70-ta) e më pas, jo rastësisht, nga miku im Ramadan Musliu me të cilin kemi komunikuar dhe diskutuar mjaft shpesh, si miqë e bashkëpunëtorë që ishim, për rrjedhat poetike moderne në Itali dhe Gjermani…
Vlen të theksohet me këtë rast këtu se kur flasim për këtë fenomen në poezinë shqipe të Kosovës nuk është fjala vetëm për prezencën e inventarit poetik-linguistik e tematik që lidhet për radion, televizorin, magnetofonin etj., që ndikojnë në tërësinë e jetës por edhe për pasojat e këtyre mjeteve në pikëpamje të transfigurimeve shpirtërore. Përdorimi dhe funksionalizimi i objekteve teknologjike, siç janë ato të poezisë së Ramadan Musliut, shprehin jo vetëm aftësinë kreative të subjektit poetik, por edhe një kundërvënie të brendshme të materialit, të fjalëve, të të folurit e të ligjërimit në përgjithësi që, në instancën e fundit shpreh edhe kundërvënien kuptimore-ironinë kuptimore dhe objekteve konkrete. Ironia del edhe në këtë rast si metaforifikim i objekteve dhe gjërave, ideve si mospajtim apo si distancë poetike përnes së cilës reflekton ideja e ndryshimit poetik, – do thoshte H. Friedrich.
Pas ciklit: Udhëkryqi në Shtëpi, që është si një vade mecum te ciklet e tjera siç janë: Pjesët e ligjëratës, Groteska, Zbërthimi i groteskës, dhe Formula e Pagëzimit, e ku shqiptohet poetikisht Vetja e poetit, që identifikohet jo rastësisht me Formulën e Pagëzimit, me Pjesët e ligjëratës si mbetje shenjëzuese shpirtërore të ekzistencës sonë dhe njikohësisht të ekzistencës njerëzore përcaktojnë rrugën e vështirë të transformimit dhe ky transformim qoftë kombëtar, qoftë njerëzor, realizohet gjatë shekujve, por me vështirësi, si thotë poeti: me mish, gjak e eshtra.
Riaktualizimi dhe rivlerësimi i pjesëve të ligjëratës siç janë: emri, mbiemri, përemri, nyja, folja, ndajfolja, parafjala, numërori, pjesëza, lidhëza, pasthirrma si dhe Formulës së Pagëzimit si shenja të ekzistimit të qenies sonë është vlerë substanciale e poezisë së R. Musliut. Prandaj poeti është prirur të korespondojë jo vetëm me historinë, por edhe me përditshmërinë, me vetëdijen historike dhe aktuale njikohësisht. Pothuaj se me secilën fjalë, me secilën strofë a vjershë, poeti na jep një situatë poetike që pasqyron njikohësisht polivalencën e aktit jetësor e historik:
“Na u fsheh jeta jonë
historia luante symbylluza”
(Mbiemri, fq. 28)
ose:
“Marinarët zhvesheshin deri në palcë:
njëri çonte spirancën tjetri velat shpaloste
jeta duhet zbarkuar në breg”
(Përemri, fq. 29),
ose:
“Nocioni i jetës metafora libër
simboli gjak dhe forma të tjera abstrakte
nga goja e Pal Engjëllit fluturojnë
zogjt’e butë të mishit tonë”
(Formula e pagëzimit, fq. 61).
Ç’është e vërteta, këndon poeti”
“Diçka si arsyeja si jeta vetë
na lidhte me currila gjaku
për gjuhën tonë”
(Lidhëza fq. 36).
Janë këto vargje emblematike-lapidar që shprehin fuqinë e pakrahasueshme të artit poetik të Ramadan Musliut.
V. Krejt në fund
Le të theksojmë krejt në fund se poezia e vëllimit: Parodia e Trupit, del mjaft e stabilizuar artistikisht, shprehja poetike është e dendësuar dhe shumë precize. Teksti poetik dhe njësitë e veçanta tekstore kanë një kuptim të dendur. Libri është i realizuar artistikisht dhe kuptimisht. Poezia në fjalë është poezi e intelektualizuar, është poezi e pasur me gjetje artistike të rralla, që, pos tjerash, shpreh edhe obsesionin krijues modern dhe post modern të poetit. Në vokabularin poetik të R. Musliut frekuentojnë shkëlqimisht edhe sintagmat shumë funksionale siç janë: unaza e frikës, zogjtë e ëndrrës, deti i limfës, etj.
Në libër kemi figura e simbole të funksionalizuara që provokojnë dhe krijojnë atmosferë përjetimi dhe kuptimi. Edhe fjalët më të rëndomta në këtë libër rifunksionalizohen, marrin forcën e funksionit në kuadër të gjuhës poetike. Ato, si do shprehej Ibrahim Rugova, nxënës i të cilit është edhe poeti Musliu, na shfaqen si objekte, si gjëra që marrin vlerën komunikuese e semantike brenda organizimit të tyre në varg dhe poezi. Kemi në këtë libër edhe vlera të tjera siç janë reduktimi i sekuencave të ligjërimit poetik dhe zëvendësimi i tyre me figura që qëndrojnë brenda një konteksti të ri poetik-semantik. Kemi aty edhe këmbime të ndryshme, sharmante dhe ndërrime të vendeve të fjalëve, të gjymtyrëve, përsëritje fjalësh e njësish tekstore me qëllim të një sharmi poetik, po se po, por edhe të përforcimit të idesë si dhe të krijimit të një ekspresioni gjuhësoro-poetik.
Të kësaj natyre janë edhe poezitë: Porta (fq. 5), Ora (fq. 13), Këmisha (fq. 18), Zbritja në pus (fq. 24), Përemri (fq. 29), Nyja (fq. 30), Lidhëza (fq. 36), Formula e pagëzimit (fq. 61), etj. Këto si dhe veçori e vlera të tjera e shquajnë poezinë e këtij libri, që si i tillë, në kohën kur është botuar, ka shënuar një mement të ri jo vetëm në poezinë tonë të këtij krahu por edhe më gjerë, edhe në rrafshin kombëtar.
.