back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Vetëm dashunija Mbijeton” (frag.) nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Gjergj Jozef Kola - "Kur dashunija Mbijeton" - 2015
Gjergj Jozef Kola – “Vetem Dashunija Mbijeton” – 2015

Fragment nga Romani

“Vetëm dashunija Mbijeton”

nga Gjergj Jozef Kola

Para pak muajsh ka dalë libri “Vetëm dashunija Mbijeton”
Romani i fundit i Gjergj Jozef Kolës botue në 2015
nga Bilingualverlag:
“Ein Buch, verschiedene Sprachen! (Nji libër, shumë gjuhë)
Wien 2015 ISBN – 978-3-9503302-2-9
Kopertina dhe punimi grafik: Kol Mileta.
Shtypshkronja VOLAJ – Shkodër
Teknika: Gjergj Kolgjokaj

Pikturë nga Kol Mileta
Pikturë nga Kol Mileta

Kapitulli 4

Dashunija e krijon portetin ma të bukur në botë

1

Jam mbështetë në dritare dhe symbyllë andrroj diçka prej Louvre.
“Po lëvizi nëpër koridore, hi në nji dhomë dhe jam ndalë para nji portreti. Flokët e saj gështenjë të mbledhun mbas shpinës së shtrime dhe qafës së bardhë e bajnë të duket si nji statuje lëvizëse. Mbi ballë tërhiqet nji linjë e gjatë, si horizont qi ndahet lehtë vetëm mbi hundë tuj formue dy kodra prej ranë në bregdet. Mbi dy linjat e pafundme të vetullave kanë ra tufa të lehta flokësh. Papritmas hapen kapakët e syve dhe shikimi i saj lëvizës, i ngjet dy diejve të ngulun në horizontin e mëngjezit, mbi det. Ajo ndodhet këtu dhe i depërton të gjithë me shikimin e dashnisë së vajzës ma të lumtun në botë. Ngjyrat e hireve mbi fytyrë janë të mbushun me tinguj të pafund.”
“Je si nji degë e çilun e pranverës qi sapo ke hi në dhomë papritmas, tuj përplasë dritoren pa ba zhurmë.” – i pëshpëris portretit.
Papritmas dikush me bjen lehtë dhe unë po ndigjoj zanin e tim vëllai që më thotë:
“Hapi sytë se kena vizitë!”
Duhet të jem i dashunuem përtej kufijve të dashunisë, sepse asht hera e parë qi kam visione në prani të njerzve. Sytë e mij sapo zbulojnë të mrekulluem se visioni dhe fytyra e vajzës janë e njajta gja.
“Alba A!” – pëshpëris emnin e dashunisë.
Alba A ka ardhë për drekë dhe po na depërton të gjithëve me shikimin e dashnisë ma të bukur në botë. Po më sheh me sytë e saj të ndritshëm plot mirënjoftje të gëzushme dashunije dhe ngjyra të ndezuna qi ndryshojnë vazhdimisht e mbulojnë fytyrën e saj. Sytë e mij kanë fillue me u djegë lehtë prej lumnisë, ndërsa shikimi po më bahet i lagësht, sikur nji shi i lehtë vere po bjen mbi xhamin mbrojtës.
Jena të gjithë si të ngrimë përpara kësaj bukurie kaq intensive dhe asht nana ajo që po na pshton nga situata tuj thanë:
“Ti i ngjet kaq shume shën Luçies, ndaj të cilës kam shumë adhurim sepse ajo shfaqej kudo e rrethueme më shumë dritë!”
Po hamë në heshtje dhe seicili përpjeket me e largue vështrimin prej saj. Dora e Alba A shtërngon fort timen si të ketë frikë se po çohem dhe iku menjiherë. Ajo qeshet lehtë, mrekullisht lehtë me nji vështrim të thellë, flet mbi shkollën e artit ndërsa supet e njoma i dridhen sikur pesha e kësaj skenë të jetë e randë për të. Po më dhemb dora prej shtrëngimit dhe ajo me duket sikur ka marrë nga jeta dhuratën ma të madhe dhe nuk don në asnji mënyrë me ja rrëmbye kush…
“Unë jam tejet i kënaqun, sepse për herë të parë jam unë në qendër të vemëndjes dhe sidomos për herë të parë nuk po flitet për futboll në tavolinën e drekës.” – i pëshpëris.
Ma në fund baba e then heshtjen dhe po e pyet Alba A mbi të jatin, meqë ai e njeh si anëtar të këshillit të lagjes.
“Ah, familja jonë! Gjyshi falet 5 herë në ditë mbi tarracën e pallatit në drejtim të Mekës, baba lexon në dhomën e pritjes shokun Stalin, ndërsa unë ndigjoj në ballkon “Let it be” – thërret ajo me nji tingull të fortë.”
Sapo kanë mbetë të gjithë pa fjalë dhe shohin njeni tjetrin të shtangun.
“Ca jeni ju për njeni tjetrin?” – e pyet papritmas im vëlla direkt.
“Unë jam vetëm nji insekt apo ma mirë nji Pilivesë që sillet në llampën e ndezun të darkës!” – thotë ajo.
Alba A më shtërngon fort mbas vedit, e mbështet kryet mbi supet e mi dhe më puthë tuj u dridhë krejt, ndërsa unë e ndij Pilivesën e shpirtit që më përplaset mbrenda krahnorit.
“Më thuej, si më sheh? Më ngjyros me fjalë?” – po më lutet në sytë e të gjithëve.

Pikture nga Kol Mileta
Pikture nga Kol Mileta

Alba A, ti zog shtegtar
Ke ndërtue folenë në degën ma të naltë
Të stinës së fshehun, e beson se
E brishta, veza jote e artë të mbron prej çdo
Përplasje.

“Patjetër, – më ndërpret ajo – ti ke me mnbrojtë! Dashunia jonë ka me na mbrojtë!”
Me dashtë asht e rrezikshme, ta dish kët gja edhe pse rrjedh, prej origjinës së dashnisë ma të bukur në botë.
“Deksha për ty – po thërret ajo me tanë guximin dhe çmendinë që nji premtim i tillë bjen me vedi ndërsa e fsheh fytyrën e saj përmes nji puthje.
Në çdo rast tjetër këto përkedheli dashnije kishin me kenë të teprume, porse ne rastin tonë janë të shoqnueme me kaq shumë zjerm dhe nji entuziazëm të panjoftun saqi të gjithë kanë mbetë si të ngrimë pa mujtë me thanë asnji fjalë.
“Po ça ke gjetë kaq të veçantë në djalin tonë qi e adhuron si me kenë nji shejt?” – po pyet ma në fund nana, si tuj qeshë.
“Ai asht poeti!” – po këndon ajo prej gëzimit.
“Ca asht nji poet?” – ja pret baba.
“Ai nuk asht, nji poet, Gabrieli asht poeti!” – ngulmon ajo.
“Nji poet i ndaluem!” – ja kthen im vëlla.
Ajo hidhet në kambë dhe e merr dorën e time në të sajën dhe e shtërngon fort.

“Ai nuk mund të reagojë as ma mirë dhe as ma ndryshe. Kur jeta e mendon mirë me të, ai rrafshon malet. Nëse ai ka fat dhe bjen në tokë të mirë, edhe yjet i ulen prej qiellit e nëse bjen në tokën e keqe atëhere e shtypin të tanë me kambë. Ai asht nji poetoman.”

Pikture nga Kol Mileta
Pikture nga Kol Mileta

Baba e ka të pamujtun me e kapërcye kët situatë kaq të randë të së dielës ku për herë të parë nuk po flitet për futboll:
“Pse i duhet qytetit nji poet?” – pyet ai.
“Poeti asht e vetmja lidhje direkte në mes të kërthizes dhe pulsit te kohës. Ai kallëxon vazhdimisht mbijetesën ose shkatrrimin e fëmijëve të kohës së vet!” – thotë ajo.
Të gjithë kanë mbetë pa fjalë prej këtyne superlativave me të cilat ajo po më mbulon mue, ndërsa baba don me dijtë se cili asht mendimi jem.
“Dashunia asht lidhja e lumit me Kulmakun, kur vjen rrjedha ajo fundoset, kur rrjedha ikë, ajo del përpjetë!” – përsëris unë vedin.
Alba A po ju shpjegon talentin tim, simbas saj “i jashtzakonshëm”, pse ka aftësinë me i kthye tingujt në fjalë dhe ajo guxon me thanë se ky asht nji nga fenomenet ma të mahnitshme që natyra i ka falë botës së artit.
Baba vazhdon mos me e durue kët gjendje, sepse për herë të parë në familje nuk po flitet të dielën për futboll.
“Edhe vëllai tjetër, Rafaeli ka talent të jashtzakonshëm: ai asht golëshënuesi ma i mirë i kampionatit të t’rinjve në tanë vendin. Deri më tash, asnji në qytetin tonë nuk ia ka mbrritë me u ba golëshënuesi ma i mirë në vend!” – thotë ai tanë krenari.
Im vëlla nuk po thotë kurrnji send, vetëm se njashtu i ulun e po sheh me nji sy të lodhun. Alba A po shpjegon se sportistët në përgjithsi dhe futbollistët në vecanti janë si gurët, të cilët shtërngata i bjen nga malet e naltë e i vendos në qytet, si shembull të forcës së trupit.
“Ndërsa poetët nuk janë prej kendej, ata vijnë prej meteoresh se universit të panjoftun, janë ma të rradhe se diamantët blu dhe njenin prej tyne e kam unë të varun mbi krahnor – gati po thërret Alba A tuj ma marrë frymën me forcën shtërnguese të dashunisë.”
“Poetët janë të rrezikshëm – po i thotë baba – dhe na kena nji eksperience si familje!”
Tash sapo hin në fushë im vëlla tuj thanë se poetët në të vërtëtë i takojnë vetëm nji grupi të mbyllun njerëzish, ndërsa sporti dhe futbolli entuziazmojnë miliona njerëz në të krejt botën.
“Poeti andrron, pa ba diçka reale dhe vëllai im u përket këtyne njerzve, sepse kërkush në botë nuk e njeh at ma mire se unë!” – sulmon ai.
Alba A sapo hapë këmishen time dhe po ju kallxon të gjithëve ato flakëzat të cilat si tatuazhe me bojë violë kanë mbulue gjoksin tim.
“Janë stigmat e poezisë! – pëshpërit ajo.
Të gjithë po më shohin të mrekulluem si nji jashtëtokësor.
“Poeti andrron sepse sikur të mos ishin andrrat e tija, sikur të mos kishte ardhë kurrë nji poet në botë, njerzimi nuk kishte mbijetue dhe as qi mund të bahet fjalë për zhvillimin e sotëm!”
“Kush mbjedh andrra, korrë vetëm andrra!” – ja pret im vëlla.
“Të tanë andrrojmë që na me e fitue kampionatin dhe djali jonë me u ba golëshënuesi ma i mirë në vend!” – thotë baba.
“Poeti mbjellë andrrat e veta në fytyrën e njeriut dhe prej aty njeriu tenton me prekë yjet!” – thote Alba A.
“E për ca shërben e gjithë kjo?” – ja kthen ai.
Ajo po vazhdon me ja mbushë mendjen se pa kët poetin andrrimtar nuk kishte me pasë asnji yll në qiell, asnji gjurmë shkence, asnji detë nuk kishte me u lundrue dhe asnji stadium nuk kishte me u ndërtue.
“Njerzimi asht pafundësisht mirënjoftës ndaj tij – thotë ajo tuj prekë lehtë flakëzat mbi krahnorin tim.”
Të gjithë po e shohin plot tronditje zjermin e dashnise rinore qi djeg kështu pa ndrojë e pa marrë prej kërkuj.
Po i shoh të dy, tim vëlla dhe Alba A, të cilët shoqnija i ka vendosë në degët ma të nalta të pemës së vet ndërsa mue më ka dënue në degët ma të ulëta qi prekin pothujse dhenë e lagësht.
“Unë jam si nji frut i vramë qi ka me u rrëzue bashkë me shtërngatën e parë të stinës megjithatë po shijoj kët pranverë të mrekullueshme dashnije!” – ju tham.
Mbas drekës unë dhe Alba A, shkojmë në ballkon, të shtërnguem në krahët e dashunisë rinore, pëshpërisim si dy zogjë qi sapo kanë zbulue fluturimin, fjalët qi unë po mbledh pa u lodhë prej tingujve të gëzuem të qiellit.
Në darkë, baba po thotë se Alba A asht nji vajze inteligjente dhe po i vjen me të vertetë keq qi ajo nuk merr vesht prej sportit. Nana po thotë se Alba A i ngjan Shën Kiarës, e re e bukur dhe e lumtun. Vetëm im vëlla nuk flet për nji çast, hidhet mandej në kambë vjen të unë dhe me hapë këmishën tuj me thanë se si asht e mujtun që ai nuk di asgja mbi to. I përgjigjem menjiherë:

Unë jam zjermi i shndërruem në ujë
Dhe në gjendje të langët pres erën
Që do më japë formën dhe sytë
e dashunisë tash e marrin kristalin e borës
e prej zemrës se diellit ka me rilindë
Në stuhi diellore, fati i poetit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.