back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Vëzhgim mbi dy foto mjaft interesante… Jozef Radi

Gazeta

Nji foto në rrugën Lushnje-Fier
Nji foto në rrugën Lushnje-Fier (foto Ferdinando Scianna)

Vëzhgim mbi dy foto mjaft interesante… Jozef Radi

Foto e maposhtme, prej disa kohësh “shetit” e patrazueme nëpër faqe të facebook-ut, e askush s’asht ndalë me e kqyrë pak në thellsi, e me dhanë ndonji shpjegim të veçantë për të…
Qyshse “shetiti”, në ma të parën herë kjo foto, jo vetëm u ndala, po ndërsa përqëndrohesha gjeta disa elementë e detaje, të cilat shumë prej miqve të mi të hershëm kanë me thanë: “Po, asht e vërtetë!”, bile mund të ketë edhe prej tyne, që mund të dëshmojnë ma tepër, po kjo asht punë kujtese… Megjithatë, mbetem i bindun se kemi me u përputhë në shumçka që unë do të shpjegoj ma poshtë… Ajo çka më ka ndalë te kjo foto, asht habia e mbetun pezull mbrenda meje qysh prej pesë-gjashtë muejsh, kur e pashë për të parën herë kët foto disi me cen…
Tash le të shpjegohem ma qartë…

Foto... fragmenti 1
Foto… fragmenti 1

E para,
them se kjo foto ma së pari më ka habitë, sepse asht foto e marrun në lëvizje (gja shumë e rrallë), dhe objektet e kapuna në fokus janë të shumta: asht nji rimorkjo zetori me katër gra të uluna që banin kurs traktorash (eh çfarë grash!!), sigurisht nga katundet e Lushnjes, sepse e dëshmon targa e zetorit, dhe e shkruemja: Mësimore… këtu s’ka asgja për me nënvizue veç faktit që jemi në komunizëm… Le të ecim nëpër elementet e tjerë: Përballë asht nji “Gaz” (sigurisht Dege, po te kemi parasysh periudhën kur asht ba fotoja)… dhe dy persona me biçikleta: nji përballë dhe tjetri me shpinë. Për vendin po them se asht segmenti Lushnje-Fier…

Qerret... Savër 1984 (Foto Ferdinando Scianna)
Qerret… Savër 1984 (Foto Ferdinando Scianna)

E dyta,
që më habit te kjo foto asht fakti se fotografimi asht ba nga mbrenda nji makine, që udhton në drejtim të Fierit, dhe mbrenda nji çasti të vetëm fokusi ka mbrritë me derdhë ne celuloid nji dinamikë të pazakontë: Makinën mbrenda të cilit asht fotografi; Gazi (sigurisht i Degës); zetori mësimor me katër gra të veshura mjaft mirë, dhe me qëndrim dukshëm serioz; dy njerëz në biçikleta, nji burrë dhe nji grua; dhe nji qendër banimi aty afër…
Pyetja që më ka trazue pak asht: A mund të jetë e gjitha kjo dinamikë në foto thjesht nji rastësi, apo ndonji qëllim i përcaktuem mshehet aty… dhe Kush mund të ishte i interesuem, apo kujt i vlente nji foto të tillë…?

Foto... fragmenti 2
Foto… fragmenti 2

E treta,
fotoja për të cilën, po shkruej asht sigurisht para vitit 1990, po habia ime qëndron te fakti se ajo asht edhe me ngjyra. Nji foto me ngjyra n’atë kohë kushtonte mjaft, dhe aparate të tillë n’atë kohë ishin krejt të rrallë. Në dasmën e tim vëllai në 1989, mora nji shokun tim nga Lushnja, fotograf, i cili përmes kunatit të tij (nji dipllomat mjaft i njohur), kishte siguruar nji aparat të tillë, dhe në mos gaboj nji foto me ngjyra e dasmës më kushtoi rreth 100 lekë, (dita e punës ishte 156 lekë)!!! Pyetja që ma shton habinë asht: kush mund të jetë i zoti i kësaj fotoje “shetitse”…!?

E katërta,
vërtet fotoja asht në segmentin, Lushnje-Fier, po vendi i saktë i saj, asht pak para se të hysh në Savër nga Lushnja. Sqaroj se në të djathtë janë shtyllat e telefonit prej betoni, (mbas Savre nisnin shtyllat prej druri) dhe stallat e Savrës, (ma të afërtat që ndodheshin krejt buzë rruge). Në të majtë janë katër ekualipse të mëdhenj, Ura dhe Rruga e Gurit, (vendi ku ktheheshin të gjithë ata që i kishin shtëpitë te “Barrakat” e famshme…)

E pesta,
Meqë objekti në fjalë ishte diku para Savre, i kqyra me mjaft vëmendje dy personat në biçikletë. Sigurisht ata nuk dallohen qartë, por personi përballë asht nji grue, sigurisht pak larg kurse ai që asht ma afër, ka kthye shpinën… duke i pa me vëmendje (po edhe duke i besue edhe kujtesës) mbetem i sigurtë se gruaja në biçikletë, s’mund të jetë askush tjetër veçse Handan Hoxha, (tenistja e parë shqiptare), nji grua që çdo ditë shkonte në qytet me biçikletë, kurse ai me shpinë nisur nga kapelja, veshja dhe qëndrimi mund të jetë Musa Berisha, o ndokush tjeter…

Foto... fragmenti 3
Foto… fragmenti 3

Si përfundim,
mund të them se kjo për të cilën shpjegova pak gjatë asht thjesht nji foto dhe asgja ma shumë… Sigurisht e përcolla me pak habi, sepse asht nji fotografi me ngjyra kur jeta ishte ende bardhezi, kur besohej te liria edhe pse ende jetohej nën survejimin e diktaturës… dhe gjithë ata elemente që trajtova, sot s’kanë asnji vlerë të veçantë, veç faktit se krahas syve të Gazit të Degës dhe syve të panumërt që vigjëlonin “armiqtë e popullit”, ishte edhe ai syni prej celuloidi që regjistronte me kujdes gjithçka…
Kjo foto, nuk asht asgja ma shumë se nji dëshmi e vocërr… në pirgun e pafundëm të dëshmive…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Sqarim…
    Falenderoj Bertol Draganin, për sqarimin e kësaj fotoje mjaft interesante, e cila dëshmon gjithçka për të cilën kam shkruar, vetëm me nji ndryshim, sepse edhe ajo botë e jashtëme, që dukej e ftohtë, indiferente dhe shpërfillëse, dërgonte njerëz për të fotografuar, edhe në pika të vështira… Pra fotoja në këtë rast eshtë bërë nga nji makinë e ambasadave të huaja. Fakti i aparatit apo filmit me ngjyra pak rëndësi ka… Rëndësi ka që kjo foto e marrë në të hyrë të Savrës është e vitit 1984, kohë kur diktatori ishte ende gjallë, kur diktatura ndjehej ende e fortë… dhe kur Shqipëria ishte më hermetike se kurrë…

    Bertol Dragani:
    Kjo foto asht shkrepë në 1984, nga Ferdinando Scianna – fotograf italian i agjencisë Magnum – i cili ishte në Shqipni javën që kaloj për disa aktivitete kulturore…

    Shënim i marrë nga foto:
    Ferdinando Scianna Image Reference
    SCF1984012K020
    (PAR202944)
    © Ferdinando Scianna/Magnum Photos
    Original story

    ALBANIE, et Milan
    Keyëords:
    Bicycle–Bus–Hat–Man (all ages)–Road–Seen through–Truck
    © 2014 Magnum Photos – All rights reserved

    Magnum Photos është një kooperativë fotografike me nji vizion të fuqishëm individual. Fotografët e e Magnum-it bajnë kronikat e botës, interprotojnë popujt e saj, ngjarje, tema dhe personazhe të saj

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.