back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Vëzhgime gjuhësore në veprën e Et’hem Haxhiademit nga Ruzhdi Stringa

Gazeta

Et'hem Haxhiademi - Disa nga Tragjedite
Et’hem Haxhiademi – Disa nga Tragjedite

Vëzhgime gjuhësore në veprën e Et’hem Haxhiademit

nga Ruzhdi Stringa

Një vëzhgim i imët dhe i përcaktuar mirë, për t’i dhënë rrugë e shpjegime ecurisë gjuhësore të organizuar nga ana e autorit, vështirë se bëhet në veprën që trashëguam prej Et’hem Haxhiademit. Kjo, në rradhë të parë, se pjesa më e madhe e veprës së tij të botuar (1918- 1939) është shkruar në vargje. Këtu nuk është fjala vetëm për vëllimin poetik “Lyra” (1939) e për ndonjë poezi tjetër jashtë këtij vëllimi, por edhe për bërthamën e krijimtarisë së tij, që e përbëjnë tragjeditë e sistemuara në dialogje poetike në vargje nga “Ulisi” (1924) e deri tek “Abeli” (1938). Kështu, nuk është për t’u nënvleftësuar organizimi poetik i fjalës që për hir të metrit, rimës, figurave gramatikore, fonetikës poetike etj. sjell shpesh shmangie e mënjanime nga një përdorim i saktë i trajtave të pranuara ose të parapëlqyera brenda rregullave të variantit letrar që ka zgjedhur shkrimtari. Ky qëndrim subjektor që ushehet në vepër nga liritë poetike, i jep shkas qëndrimeve të dyzuara që duhen parë edhe në ngarkesën e dytë semantike, edhe në ngjyrimin figuror që mbartin brenda një konteksti të caktuar. Pikëpamjet gjuhësore të Haxhiademit janë gjithnjë në lëvizje dhe kjo është fare e natyrshme, sidomos, në periudhën e Pavarësisë, kur studimet albanologjike thellohen më shumë dhe shkrimet shqipe rrisin vëllimin e tyre në shkallë gjithëshqiptare. Këto zhvillime në pikëpamjet e tij gjuhësore duhen parë në atë vijë kohore kur ai shkroi (1918-1939), duhen lidhur ngushtë me botëkuptimin që ai kishte bërë të vetin për drejtimin që do të merrte gjuha letrare shqipe. Edhe Haxhiademi, si gjithë shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe, ishte vënë në pozita studimi e zgjedhjeje të njerit prej tri varianteve të mundshme letrare që dha Kristoforidhi edhe në veprën “Gjahu i malësorëve” (1884). Në këto pozita u gjendën gjithë shkrimtarët shqiptarë, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri dhe në diasporë. Pra, “Ka shumë të ngjarë që drejtshkrimi i veprave të tij (Kristoforidhit shen. R. S.) të ketë ushtruar një farë ndikimi jo vetëm mbi shkrimtarët toskë, por edhe mbi shkrimtarët gegë në fillim të shek. XX”. Dhe, në fakt, koha vërtetoi se “ai që bëri një punë të madhe përgatitore për drejtshkrimin e njesimin e shqipes është Kristoforidhi, i cili hodhi themele të sigurta për krijimin e një gjuhe letrare të njesuar dhe zgjoi interesin shkencor të shkrimtarëve e të gjuhëtarëve shqiptarë.” Në Elbasan ky fakt ka qenë më i njohur. Këndej gjuha e Haxhiademit është e pastër, pa fjalë të huaja, një elbasanishte që vështron më tepër në qytetin e Elbasanit, me lidhje të sakta gramatikore, e ngritur në nivelin shkencor të kohës së tij, e qëruar nga trajtat kalimtare, që rrjedhin nga përzierja e dialekteve, sepse dihet që e folmja e këtij qyteti buzë Shkumbinit është krijuar nëpër shekuj nëpërmjet një pozite ballafaquese ku “…trajtat tepër të ashpërta e të vrazhdëta të gegërishtes së veriut dhe ato tepër të qullëta të toskërishtes së jugës vijnë e pastrohen e ëmbëlsohen në ujërat e Shkumbinit.”
Megjithatë, duhet vënë në dukje se vepra letrare e Haxhiademit nuk eci natyrshëm, ajo u këput në mes (1946) e nuk u shtjellua më tej në pjekurinë e tij të plotë. Kjo, me sa dimë ne, se ka të dhëna për punë krijuese e përkthime edhe gjatë jetës së burgut (1947-1965). Por prirjet për ta përdorur gjuhën shqipe mirë, saktë e bukur shihen tek ai që në krijimet e para ku “spikat një përdorim elegant i gjuhës”. Me gjuhën që përdor, Haxhiademi futet në rradhën e atyre shkrimtarëve, si Anonimi i Elbasanit, Todri, Kristoforidhi, Xhuvani në fillimet e tij, Simon Shyteriqi e të tjerë më të rinj, si Thanas Floqi, Josif Haxhimima, Emin Matraxhiu, Filip Papajani (Lipi), Lef Nosi, Shefqet Daiu etj., që punuan rreth revistës “Kopështi letrar” dhe që përbëjnë, më së hershmi, bërthamën e krijuesve të variantit të mesëm letrar, mbi bazën e elbasanishtes. Në atë periudhë ky variant merrte rëndësi të veçantë se afronte dy dialektet e shqipes në të shkruar. Dhe dihet që ky variant i mesëm letrar, në themel të të cilit rri elbasanishtja, i ngjan një deti të madh gjuhësor ku derdhen plot lumenj, përrenj e rrëke, që zbresin nga malet e ecin fushave. Dy dialektet e shqipes këtu derdhin prurjet e tyre dhe bëjnë që pastërtia, pasuria dhe veti të tjera të mira të dalin në sipërfaqe të këtij deti gjuhësor, ndërsa mbetëzat e lashta të bien në fund, si rezerva etimologjike. Idhtarët e këtij varianti, ndërmjet tyre dhe Haxhiademi, parapëlqejnë konstrukte sintaksore e tipare morfologjike më të thjeshta, më të zbutura fonetikisht, më të rrokshme kuptimisht që të sjellin ndërmend edhe gegërishten edhe toskërishten. Dhe është ky shkaku që e bën veprën e Haxhiademit më të kuptueshme gjuhësisht, edhe pse ajo është largësuar në kohë për brezat e sotëm të lexuesve shqiptarë. Duke qenë dramaturg, poet, prozator edhe i lidhur ngushtësisht me problemet e shkollës shqipe, Haxhiademi i lëmoi e përpunoi më tej këto forma gjuhësore të këtij varianti të mesëm letrar të gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, nuk mund të mos kihet parasysh ndihmesa e këtij autori në lëmin e gjuhës. Duke vëzhguar veprën e autorit tonë do të mundohemi të nxjerrim në pah dhe të analizojmë faktet më të rëndësishme që vënë në dukje botëmendimin e tij gjuhësor.

Vitet '30 - Intelektuale elbasanas - Haxhiademi i pari djathtas
Vitet ’30 – Intelektuale elbasanas – Haxhiademi i pari djathtas

1.Karakteristika dalluese që zbulon Haxhiademin në drejtim të pikëpamjeve të veta gjuhësore është përdorimi thuajse i plotë në sistemin foljor (por edhe më gjerë) i -nj-së, edhe kur ajo është kthyer në -j, në veprat e shkrimtarëve të tjerë bashkëkohorë, por edhe në të folur, praktikisht edhe në elbasanisht. Ky fakt është i motivueshëm dhe shkencërisht pranohet, po të kemi parasysh burimin historik të kësaj -nj-je që “…tek foljet me temë në-n, që përbënin shumicën dërrmuese në sistemin foljor të shqipes, elementi i temes (-nj- apo -n-) filloi të ndihej si element përbërës i mbaresës.” Kjo-nj pra, që del si mbaresë në shumë vende të vepres së autorit (banj D.3, të zanj P.21, t’i venj P.17, gjenj Ab.13, do të vinj Ab.56, do t’banjë Ab.54, vinj U.45, të vinjsh Ak.61 etj.) përbën një tipar dallues për të. Si duket, Haxhiademi ka ndërmend një trajtë të përbashkët në aspektin historik, por pjesërisht edhe bashkëkohor në kohën e vet, ku bashkohen dialektet e të folmet e shqipes, po të kemi parasysh se “…Kraja, Gjakova, Kaçaniku, Dibra e përgjithësisht gegërishtja lindore, e flasin nj-në edhe sot e gjithë ditën si një fonem me vlera funksionale edhe brenda sistemit verbal.” Tek tragjediani ynë, kjo ecuri fonetike zhvillimi (n + j = nj) merr vlerën e një norme drejtshkrimore (madje edhe më gjerë, psh të shtynj Ab.3, urrenj Ab.55, të lanj Al.2 etj.), kurse në drejtshqiptim ka mundësi që autori ta konceptojë të plotë këtë evoluim fonetik (n + j) – nj – j, në mos qoftë -nj-ja stad i mesëm fonetik, pra “një tingull i ndërmjemë midis nj-së e j-së.” I gjithë ky mendim duhet lidhur me atë që shqiptarët kanë traditat e veta në shkrimin e gjuhës së tyre dhe ato më përfaqësueset duhen ruajtur për hir të një edukimi kulturor vendës të lexuesve shqiptarë. Kështu duhen shpjeguar edhe përdorime të tjera drejtshkrimore në themel të të cilave qëndron parimi historik.
2. Ë-së së patheksuar, zakonisht, Haxhiademi ia mohon praninë, sepse ajo për të është pa zë, se nuk dëgjohet në variantin e tij letrar të parapëlqyer. Ai ndjek tri rrugë për të saktësuar grafinë e saj:
a) nuk e shënon fare, sepse e sheh të panevojshme, ngaqë në disa kushte të veçanta fonetike shqiptimisht nuk ndihet për hir të pozicionit ndaj rrokjes së theksuar brenda fjalës, psh dashunin(ë) Al.3, mbretnin(ë) P.5, ushtris(ë) S.4, heron(ë) S.3, Skënderben(ë) S.69, Eges(ë) Al. 53, Shqipnis(ë) S.3, bagtit(ë) Ab.15, grat(ë) U.54 etj.
b) e shkruan këtë ë për të mënjanuar takime bashkëtingëlloresh që shënojnë një tingull të vetëm. Kështu shkruan: parathënëje, Etëhem etj.
c) e shkruan këtë ë edhe në togun e zanoreve uë duke e menduar si një hallkë të ndërmjetme midis ue – u-së. Një gjë e tillë vjen në përputhje edhe me një mendim të Nachtigalit se në Elbasan “akoma s’ka monoftongëzim sepse pjesa e dytë shqiptohet akoma, por me një gjysmë zanoreje diftongu (duër, diëll). Kjo bëhet, ndoshta, për të përjashtuar në atë kohë ndarjen dialektore ua – ue(u). Një dukuri e tillë është pranuar edhe nga shkrimtarë të tjerë elbasanas, bashkëkohës të tij, por ajo s’la gjurmë në historinë e shkrimit të shqipes, sepse ecte drejt rënies së plotë, ishte pra në agoni fonetike (ue-uë-u) dhe nuk mund të bëhej formë e vetme e përgjithshme në vend të trajtave të gjalla ua, ue (u).

Haxhiademi - Fragmen nga elegjia "Nata e zeze"
Haxhiademi – Fragmen nga elegjia “Nata e zeze”

3.Në emrat femërorë që e kanë një zanore në fund të temës, mbi të cilën bie theksi i fjalës, në të gjitha trajtat autori parapëlqen shkrimin e tyre me një-j zbutëse për ta mënjanuar takimin e zanores së temës me mbaresën e femrores së shquar -a. Kështu ai shkruan zotsija P.29, urtija P.17, bukurija Al.21, Evipeja D, Kadmeja P, simpathije Ab.4, tragedije S.4, mbretnije P.7 etj.
4. Zor se gjen faqe në veprën e Haxhiademit ku të mos jetë përdorur apostrofi. Në këtë rast dallojmë dy mendime që shënojnë njëkohësisht edhe prirjet e shkrimtarit për këtë dukuri: mendimin letrar dhe mendimin gjuhësor. Theksojmë që në fillim se mendimi letrar për këtë problem e nis rrugën e vet jo vetëm si element harmonizues në tërësinë e rimave, por edhe si nevojë e organizimit të vargut klasik e modern. Apostrofi bëhet kështu shprehje e dëshirës së autorit për të ndërtuar një varg artistikisht të rregulluar mirë dhe për ta dhënë materialin gjuhësor sa më pranë shqiptimit të parapëlqyer. Më tutje, vemë në dukje se mendimi gjuhësor për apostrofin, me sa duket, është i studiuar nga ana e autorit dhe po të nisemi kësaj hullie ndeshemi me ca pikëpamje të Haxhiademit, sigurisht lidhur ngushtë me kohën kur shkroi ai:
a)ë-në fundore të trajtave të shkurtra më, të, të të-së së lidhores e të kohës së ardhme, autori e apostrofon gjithnjë kur kjo ë ndodhet përpara trajtave të shkurtra e të bashkuara të përemrave vetorë, kur përballet me pjesëzën u të trajtave pësore e vetvetore, madje shtyhet edhe më tej, pa argument, në shkrimin me apostrof të trajtës së bashkuar të tipit ma. Ja disa shembuj, vjelë nga vepra e tij: m’i thotë P.60, m’i drejtoi Ab.81, t’i zankem fill Ab.24, t’u rritën Ab.8, për t’i harruë Ak.47, t’ja apsh Ab.23, t’ju gënjej D.38, t’jau futni P.54, per t’u pëlqyë Ab.18, do t’i mbesi P.54, do t’u ngeli Ab.84, m’u ba vonë Ab.9, t’u kullojë S.7 etj. Për autorin, trajtat e bashkuara ma, ta, ku a-ja përftohet nga shkrirja ë + e apostrofohen gjithnjë, psh m’a dhatë S.50, m’a ep Ak.40, do t’a kallxojmë Al.3, le t’a mbarojë P.69 etj.
b) duke dashur të pasqyrojë me shkrim zhvillimin historik të disa përemrave, Haxhiademi përdor apostrofin fill pas tingujve nistorë t dhe s të tyre, të cilat i merr ende të panjëfjalësuara plotësisht, psh t’uej U.9, t’ueja P.53, t’ime, P.37, t’onë A.13, t’ona S.17, t’im vlla Ab.4, s’onë S.1, s’ate Ab. 70, s’ime Ab.4 etj., madje e vendos apostrofin edhe në krye të disa përemrave të tipit e ‘tyne, prej ‘tij, të ‘saj etj.
c)pjesëza e mohimit s dhe përemri pyetës ç hyjnë në sferën e veprimit apostrofues të Haxhiademit. Ato, në këtë drejtim, kanë rregullsi të plotë, veçse për përemrin pyetës nuk bëhet dallimi ndërmjet leksemave të veçanta duke menduar mungesën e njëfjalësimit të tyre sipas mendimit të sotëm gjuhësor, psh ç’do mënyrë P.38, ç’do gëzojmë A.3, ç’farë etj. Po kështu, autori apostrofon përemra të pacaktuar, si t’jetër U.14 dhe nyjet e përparme të së me kuptim pronor, psh t’et Ak.39, s’amës U.1, t’anë e vet U.58, t’yt ungj S.8, t’yt vlla P.63 etj.
5. Në gjuhën e veprës së Haxhiademit vërehen shpesh përdorime të ngushta krahinore jo vetëm të qytetit të Elbasanit, që mund të quhen të zakonshme, ngaqë e gjithë vepra tingëllon elbasanisht, por ndeshim aty edhe në shkodranizma, toskizma etj dhe kjo ndoshta si prirje e autorit për ta shtrirë gjuhën e vet në plan gjithëshqiptar (nashti Al.14, lapere Al.13, s’fahem Ab.32, u qell P.64, e hudhi Ak.23, hardhojnë Ak.38 etj; me e hjedhë Ak.7, prozhme Ab.15, do t’i hjeku Ab. , dhet Al. 20, marria P.21 etj; dinakëria P.36, papandehun Ak.2, foshnjëria D.26, sodit D.21, besnikërinë D.24, shohin Ak.11, ahere Al.23 etj).
6. Tipike në veprën e Haxhiademit është rënia e ë-së në fjalë daktile, dukuri e ndjeshme kjo në të folmet e Shqipërisë së Mesme (sot dëgjohet nga folës të brezit të vjetër), psh t’i lutmi Al.12, të vdekmin Ab.13, s’mundni Ak.19, quhi (quheni) Ak.22, bashkohni Ak.41, ma t’bukrës Ak.23 etj.
7. Pjesët e ligjeratës futen nëpër vargje me mjeshtri nga autori duke nxjerrë në pah vlera të goditura artistike. Dallohet mbi të gjitha numërori. Futur në varg, ky nxjerr shprehje sublime të hiperbolizuara dhe, si lëndë e trajtë, i jep ndjenjës rëndësi e përshtypje të veçantë (tri hanash t’la në jetë Al.19, para dhet hanash Al.20, hanë e tretë më zuni komandant Al. 20, o ditë e zezë tri herë ma shumë se nata P.34, Hana shkue 40 herë nga tri Ak.50, 10 hana shkuen D.10). Mund të mendohet këtu një ndikim nga poeti i shquar romak, kur dihet se “Bukoliket” e tij u përkthyen nga Haxhiademi që në rininë e tij të hershme (1922).
8. Gjatë punës së vet krijuese, Haxhiademi ka ndier nevojën e zgjerimit të leksikut me fjalë ose trajta fjalësh që të mbartin imtësi semantike. Qëllimi i tij ishte të jepte nuanca të tilla që edhe të përligjnin momentin estetik edhe të zbulonin shtresime të reja kuptimore nëpër fjalë të ndryshme. Në këtë rast, ai ecën në traditën e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë e të rilindësve, si Bogdani, Budi, Teodori i Elbasanit, Todri, Kristoforidhi, Naimi, Fishta etj, që pastrimin dhe pasurimin e gjuhës e kishin në qendër të vëmendjes së tyre. Prej këtij autori kemi neologjizma të tilla, si fjalojnë Al.14, kjarisht Al.55, vogëlnisë P.42, njohnisë Ab.7, magjitore Ak.26, e duhshme Ak.45, cërrasin “Lyra”, anmikson Al.22, lashtia Al.2, tradhtimi Ak.62, qytetsi D.33, mendjesqutë P.12, mendjegjanë P.22, gojëshpatë Ak.21, trupbutë Ak.22. Duke qenë më tepër të natyrës poetike, neologjizmat e tij nuk i qëndruan kohës, megjithëse ndonjë prej tyre tingëllon edhe sot bukur (cërras, fjaloj, vogëlni, lashti etj).
9. Autori është origjinal në omoniminë klasike e historike të përdorur në veprën e tij, sepse rreh të japë trajta sa më shqipe. Prej Haxhiademit kemi sot trajtën gjithëshqiptare Akil, që, e përdorur edhe si titull tragjedie, mënjanoi një tërësi formash të këtij emri, që patën dhënë shkrimtarë të ndryshëm (Aqil, Ashil, Arqilea, Arqilehti, Arqileu etj). Po kështu, ai dha me përmbajtje tingëllore në përshtatshmëri me gjuhën tonë emra të tillë, si Diomedi, Vergili (Virgjili), Ulisi, Dauni, Evipeja, Atali, Kaini, Abeli, Pusani, Geloni, Olimpiada etj.
Kaq në këtë punim. Çështjet që trajtuam këtu na u dukën më tipiket, megjithëse problematika gjuhësore e shkrimtarëve të veçantë mund të jetë edhe më e gjerë. Haxhiademi hyn në numrin e atyre shkrimtarëve shqiptarë që dhanë ndihmesën e vet në afrimin e dy dialekteve tona, duke hapur rrugë, bashkë me të tjerët, për zgjedhje formash të përshtatshme gjuhësore nga brezat pasardhës. Ai vetë e mendonte elbasanishten si bazë të gjuhës letrare shqipe, ndonëse nuk ishte për dekrete zyrtare në këtë drejtim. Gjuha e veprës së Ethem Haxhiademit duhet studiuar nga gjuhëtarët, sepse ajo është rezervat i gjallë i variantit të mesëm letrar, në themel të të cilit qëndronte elbasanishtja e gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

Botuar ne  Buletini shkencor UNIEL (seria e shkencave shoqërore1), Nr. 1, 2003, f. 29 – 36

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.