back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Viktimat e komunizmit në Shqipëri s’ka kush t’i kujtojë – Elida Buçpapaj

Gazeta

23 Gushti - Dita e Fjongos së Zezë - Black Ribbon Day
23 Gushti – Dita e Fjongos së Zezë – Black Ribbon Day

Viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk ka kush t’i kujtojë –

PS dhe PD janë anët e së njëjtës monedhë

shkrim nga Elida Buçpapaj

Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj
Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj

Në Shqipërinë e cila përjetoi për gjysmë shekulli diktaturën më mizore të Europës, nuk kujtohet dita ndërkombëtare e viktimave të komunizmit, e njohur si Dita e Fjongos së Zezë. Kryeministri i Shqipërisë shkroi diçka në Facebook, që nuk ka asnjë sens kur gjithë Europa kujton Ditën e Memories, ndërsa Shqipëria rezulton të jetë pa memorie, në gjendje konfuzioni dhe kaosi.
Në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë për të treguar se jemi populli të cilin diktatura e përçundoi.
Në Shqipëri nuk ka asnjë muzeum të krimeve të komunizmit, nuk ka asnjë ditë të kujtesës, nuk ka asnjë përmendore, ku qytetarët të vendosin lule dhe kurora.
Në Shqipëri nuk ka mbetur asnjë shenjë që të dëshmojë se në këtë vend shqiptarët janë futur në burgje, janë pushkatuar, varur në litar, janë dërguar familjarisht nëpër Lagerat e diktaturës, ndërsa fëmijët e të dënuarve kanë mbetur pa shkollë, pa të ardhme, duke vuajtur ekskomunikimin nëpër kampe përqëndrimi ku ju mohohej e drejta e jetës.
Në Shqipërinë e tiranisë komuniste që e vrau elitën, dhe shqiptarët i ktheu në armiq të njëri-tjetrit nuk ka kujtesë, nuk ka memorie për të blatuar nderim ndaj viktimave të pafajshme të diktaturës. Janë sheshuar deri burgjet ku të dënuarit kanë vuajtur.
Viktimat e komunizmit kujtohen në Washington D.C., kujtohen në Europë, veç në Shqipëri nuk kujtohen.

Kafka krimesh të kmerve të kuq kambioxhianë
Kafka krimesh të kmerve të kuq kambioxhianë

Hebrejtë kanë Muzeumin e Yad Vashemit, i cili është ngritur duke patur katër qëllime themelore:
1.Për të kujtuar dhe mos harruar;
2.Për të dokumentuar atë që ka ndodhur;
3.Për qëllime studimi dhe hulumtimesh; dhe
4.Për të edukuar brezat.

23 gusht 1939 - Nazizmi e Komunizmi bashke!
23 gusht 1939 – Nazizmi e Komunizmi bashke!

Bota e qytetëruar bashkë me hebrejtë kujtojnë çdo 27 janar Shoahun, Holokaustin, si një gjëmë të njerëzimit.
Në Shqipëri, klasa politike hipokrite dhe mizerabël kujton gjoja Holokaustin, ndërsa ka mbuluar në harresë Holokaustin që u shkaktoi diktatura gjysmë shekullore shqiptarëve.
Klasa politike postdiktaturë është përgjegjëse e harresës kolektive për atë që ngjau në Shqipëri.

Havel - Njeriu i Burgjeve dhe i Lirisë
Havel – Njeriu i Burgjeve dhe i Lirisë

Në 3 Qershor 2008 me iniciativën e Vaclav Havel dhe Joachim Gauck u nënshkrua Deklarata e Pragës, e cila i bënte thirrje gjithë Europës t’i dënojë krimet e komunizmit. Por Shqipëria nuk e nënshkroi këtë Deklaratë!
Në 25 shkurt 2010 u nënshkrua po në Pragë Deklarata e Krimeve të Komunizmit, ku që në pikën e parë të saj shkruhet se “regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kryer krime kundër njerëzimit”. Duke vendosur shenjën e barazimit midis Shoah dhe metodave të shfarosjes që janë përdorur nga regjimet totalitariste. Këtë deklaratë e kanë nënshkruar midis personaliteteve të njohura të Europës, Presidenti aktual i Gjermanisë Joachim Gauck dhe simboli i disidencës europiane Vaclav Havel. Por Shqipëria jo!
Ishte nisma e Parlamentit Europian 2008/2009 që 23 gushti të jetë Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, ose Dita e Fjongos së Zezë – Black Ribbon Day për të mos harruar viktimat e shkaktuara nga regjimet kriminale si komunizmi, stalinizmi, fashizmi dhe nazizmi, e cila u mbështet edhe nga Deklarata e Vilnusit më 2009 dhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. U zgjodh kjo datë që na kthente prapa në kohë kur më 23 gushtin 1939 u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop, ku Hitleri dhe Stalini u morën vesh që të ndanin Europën Lindore midis tyre.
Dita e Fjongos së Zezë u vendos si Dita e Memories për të mos harruar kurrë viktimat, dëbimet masive dhe shfarosjet, me qëllim promovimin e vlerave demokratike, si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në Europë.
23 Gushti njihet si Dita e Memories jo vetëm nga shtete të BE-së por nga shtete jashtë BE siç janë SHBA, Kanadaja dhe Gjeorgjia. Por jo nga Shqipëria!
Prandaj themi se Viktimat e Komunizmit nga kjo klasë politike nuk ka kush t’i kujtojë. PS është vazhduese e Partisë Komuniste e cila pretendon të reformohet. Por si mund të refomohet duke mbuluar me harresë atë që ka ndodhur. E si mund të reformohet duke patur si gazetë të partisë Zërin e Popullit krijuar nga vetë diktatori stalinist.

Metastaza Komuniste...
Oktapodhi Komunist… karikature franceze

Viktimat e Komunizmit e kishte si obligim t’i kujtonte PD, sepse ky ishte edhe misioni i saj, prandaj u mbështet prej popullit, që me rrëzimin e diktaturës, të rehabilitonte viktimat, të zbardhte krimet dhe të promovonte shtetin e së drejtës.
Sali Berisha tha “bashkvuejtës-bashkfajtorë”! E si mund të jenë viktimat bashkëfajtorë me persekutorët e tyre!
Ne shohim sot se si në Europën ish-komuniste drejtësia ndëshkon të inkriminuarit e regjimeve diktatoriale. Por në Shqipëri jo.
Pas rënies së shtetit më 1997, PS, me t’u rikthyer në pushtet, e zhburgosi dhe e rehabilitoi kastën e nomenklaturës, ku eksponentët e diktaturës ishin të dënuar për abuzime shpenzimesh për kafe dhe lëngje frutash, duke i dëmshpërblyer për tri-katër vitet e burgut.
Ndërsa edhe sot e kësaj dite PD i ka lënë viktimat e diktaturës të parehabilituara, të pa dëmshpërblyer as materialisht dhe as moralisht.
Viktimat e djeshme të diktaturës Hoxhiste tani janë viktima të PS-PD.
Prandaj themi se nuk ka se kush t’i kujtojë në Shqipëri viktimat e komunizmit.

Flamur i Përbashkët...
Flamur i Përbashkët…

Në PD-në e sotme nuk ka asnjë figurë që të ketë përjetuar persekutim nga diktatura. Asnjëri prej tyre nuk e ka njohur vuajtjen. Të gjithë do të duhej të ishin anëtarë të PS edhe de jure. Vetëm Jozefina Topalli, e cila i ka prerë lidhjet me shtresën që ka përfaqësuar. Ajo ka idol Sali Berishën në vend që të ketë Pjetër Arbnorin!
Që PD kishte hequr dorë përfundimisht nga idealet antikomuniste, kjo u pa qartë kur, në rikthimin e saj më 2005, kjo parti hoqi nga listat e deputetëve Pjetër Arbnorin, i cili jo vetëm që kishte përjetuar burg më tepër se Mandela, por përfaqësonte një nga figurat më emblematike të viktimave të diktaturës.
Pjetër Arbnorin – PD e zëvendësoi me njerëz me lidhje me Komitetin Qendror të Partisë, të cilët i lançoi Ramiz Alia, por që janë figura pa kurrëfarë identiteti dhe kanë mbetur të pakonvertuar dhe mjeranë.
Me këtë kastë PD e ka kthyer në strategji harresën e periudhës më tragjike të kombit. Siç e patë PD nuk ka nënshkruar asnjë nga dokumentat e mësipërme të cilat datojnë në periudha kohe kur ajo ishte në qeverisjen e Shqipërisë.
Por kjo histori nuk mund të vazhdojë më.
Të harruar do të jenë ata që janë përpjekur të fshijnë nga memoria kolektive tragjedinë kombëtare, e cila duhet të kujtohet jo si hakmarrje, por si domosdoshmëri, sepse nuk mund të retushohet dot historia. Viktimat presin drejtësi!
Ndërsa historinë e retushojnë vetëm diktatorët dhe regjimet rogue.

Marrë nga http://www.voal-online.ch

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.