back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Viktor Koliqi, dhe pasqyrat e kujtesës në letërsi nga Ardian Ndreca (gsh)

Gazeta

Viktor Koliqi ne vitin 1978
Viktor Koliqi ne vitin 1978

Viktor Koliqi, dhe pasqyrat e kujtesës në letërsi

nga Ardian Ndreca

Viktor Koliqi ka lanë shumë pak shkrime për me u cilësue si shkrimtar i mirëfilltë, por edhe aq sa ka lanë mjaftojnë për me kuptue se ka pasë nji talent të vërtetë.
Të vetmet sprova letrare në formë kujtimesh, përshtypjesh e meditimesh i ka pasë botue tek revista “Shêjzat”, që i vëllai, Ernest Koliqi, nxirrte në Romë prej vitit 1957 deri kur vdiq. Ndërsa kohët e fundit “Hylli i Dritës” ka shpluhnosë nji pjesë të krijimtarisë së tij, tue botue disa copëza në numrin 4/2008 dhe në numrin 4/2010.
Viktor Koliqi, djali i Shanit dhe i Age Simonit, lindi në Shkodër në vjetin 1916. Ndër vëllazën të tij njehim Mikelin, kardinalin e parë shqiptar, dhe Ernestin, shkrimtarin që u nda në shenj në botën letrare të shekullit të kaluem. Në vjetin 1921 Viktori hyni në Kolegjin Saverjan në Shkodër, ku vijoi formimin e tij intelektual dhe moral deri në vjetin 1934, kur u mbyllen shkollat e mbajtuna prej enteve fetare. Asokohe në Kolegjin e Etënve Jezuitë studjojshin, ndër shumë tjerë, edhe Zef Mala, vllaznit Qemal e Veli Stafa, Myzafer e Arshi Pipa. Në vjetin 1938 i doli bursa me studjue në Universitetin e Romës. Në Qytetin e Amshuem u ribashkue me shokë të tjerë të rinisë si Lin Shkreli, Mark Boriçi e Pjerin Shkreli, djem të squet dhe me interesa të gjana, por kohnat e vështira e lufta i penguen me krye rregullisht studimet. Në vitin 1947 Viktori hyni si nëpunës në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ku rasa e mirë i lejoi me thellue leximet e tija, sidomos të veprave të klasikëve rusë si Dostojevski, Tolstoi, Gogoli etj. Njohës i thellë i veprës letrare të Fishtës, Viktori, kujtojnë miqtë e tij, ishte në gjendje me recitue qindra vargje të poetit françeskan. Ma vonë jeta dhe peripecitë e ndryshme e detyruen me shkue e me u vendosë në Muenchen, ku punoi si mësues i gjuhës italiane. Vdiq po atje me 8 shtator 1984 dhe asht varrosë në Romë, ku i prehen prindtë dhe i vllai.
Krijimtaria e tij dallohet për ndjeshmëni të hollë dhe rrëfim të sinqertë që të ban për vete e të mbështjell me velin e kujtimeve e të kllapinave të mërgimit të gjatë. Në çdo rresht ndihet dhimbja e largimit prej atdheut, dëshira me e pa edhe nji herë tokën ku lindi dhe shtëpinë ku u rrit. Viktor Koliqi, i cili s’u mor kurrë me politikë, s’mbërrinte me e kuptue dënimin e randë që i vinte prej atyne që sundonin atdheun e tij: dënimin me mërgim të përjetshëm. Kujtesa kthehet në nji pasqyrë me anë të së cilës drita e diellit përhidhet në kandet e së kaluemes, tue gjallnue kohën e kalueme dhe nji hapsinë shpirtnore që s’asht ma reale. Gjithçka zhvillohet në kujtesë, vetë e tashmja – për të – asht nji dimension që buron prej kujtimeve. Kjo lloj nostalgjie, ka shumë gjana të përbashkëta me “Sehnsucht” të romantikëve, edhe pse përjetohet krejt ndryshe prej figurës klasike të atij malli të pafuqishëm.
Malli për atdheun paraqitet në veprën e tij si nji sëmundje e pasosun, si vetë dashunia për tokën e vet. Vitet e fundit Viktori do t’i kalojë paksa i vetmuem, tue kultivue vetëm miqsinat e vjetra, ndër të cilat atë me Martin Camajn.
Ndeshtrashat e jetës detyruen shumë prej talenteve të mëdhaja të shek. XX me iu bind nji shorti të randë dhe me kalue zemërplasun jetën në mërgim. Kjo gja ka ndodh me Ernest Koliqin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Anton Logorecin, të cilët problematizuen mallin e tyne dhe derdhën në letër ngashnjimin e zemrës që u shkimej larg atdheut. Largësia i ban gjanat ma të dashuna e ma të kërkueme, por vetëm atëhere kur bahet fjalë për njerëz të zgjedhun, që s’u ban lak shpina e s’u verbohet syni prej shkëlqimeve të hueja. Viktor Koliqi kthehet me mend në fëmininë e tij, shetit në kopshtet e fantazisë e ndërton pirgje me objektet e andrrave të shueme. Rrembat e gjallë të përfytyrimit e çojnë tek nji lule rinie që s’lidhi kurrë fryte, dhe mjerimi i mbërthen gjoksin. Ai e ndien se ka humbë vetveten kur ka humbë atdheun.
Autori din me dallue mirë atmen prej shtetit që komunistat kanë ndërtue. Asnji urrejtje, asnji ironi o përbuzje ndaj vendit të vet, shpirti i tij i brishtë e ndien se asht si nji “pemë Krishtlindjesh”, që rranjët i ka dikund larg, dhe kurrkund tjetër nuk ka mujtë me lëshue rranjë të reja.

Ardian Ndreca 2014
Ardian Ndreca 2014

Xixillojat janë lajmtaret e lumtunisë që ka ikë, ato tashma nuk ngjallin veçse kujtime e me to sjellin në sipërfaqen e shpirtit dhimbje e ngashnjim. As fryma dhe as gjuha e V. Koliqit nuk paraqesin diçka krejt të re. Atyne që e njohin atë realitet që ai ka përshkrue mjeshtrisht, por me kursim fjalësh dhe detajesh, mund t’i duken si nji “deja vu”, nji dashuni e hershme, si thelbi i së tashmes, por jo shpresa e saj. Ernest Koliqi, Viktori, Martin Camaj, Anton Logoreci vdiqen pa shpresën me e pa rishtas tokën e tyne. Vetëm Arshi Pipa mujti me u kthye, për me vdekë i zhgënjyem prej shpresave të ushqyeme me dhimbjen e rranjëve të gurosuna larg.
Shpeshherë përtacia shpirtnore ka pengue në këto dy dekada edhe kthimin e plotë e të përhershëm të veprës së tyne, tue i lanë mërgimtar për së gjalli e për së vdekuni. Megjithatë ndonji xixillojë ka nisë me shndritë edhe në qiellin gjithnji të errtë të atdheut tonë.

I dytine te majte Lin Delija, i pesti Martin Camaj, i gjashti Viktor Koliqi. Foto e vitit 1957
I dyti ne te majte Lin Delija, i pesti Martin Camaj,
i gjashti Viktor Koliqi. Foto e vitit 1957

Xixillojat e vendit t’im

tregim nga Viktor Koliqi

Në mbramjen e prendveres së fundit qi kalova n’atdhé, i pash xixillojat e vendit t’im tue shndritë mbi Shkoder.
Kanë kalue njizet vjet. Njizet vjet mërgimi.
Xixillojat më kanë ngelë në kujtim të pashlyeshme. Më duken si pika drite qi zbritën mbi udhë plot hije; si shkëndija të paprituna qi vezulluen në qiellin e vendlindjes s’ime. Dridhet në ket kujtim, nji mall i thellë e i largët.
Në kohët e fëmijnís, dilshim me shokë të moshës me xânë xixilloja. Në mbramjen e majit i pritshim rrânxë murevet e, në flutrim, i kapshim me duer. Xixilloja ngelte e trumhasun e e robnueme nga mizorija naive e moshës. Me dy gishta e mirrshim xixillojen, e, tue e ngjitë me pështymë, e vêjshim në ball. Në ball, xixilloja vazhdonte të shëndritte gjithënji.
Kanë kalue njizet vjet. Njizet vjet mërgimi.
Endacakë të pa plang, ecim mbi udhët e botës e digjen gishtat e kambvet në shkeljen e tokës së huej. Në viset ku sot banojmë, nuk shohim mâ, xixilloja. Kufijt e vendlindjes janë largue e zhdukë, të mbuluem nga mjegulla e dendun e paarsyes. Jetojmë në nji botë të gabueme ku njeriut i mohohen të drejtat mâ të para qi, si i tillë, i ka të linduna në vetvedi. Nuk na lêjohet takimi me prind e me vëllazën. Ngashrohet shpirti, gandohet zêmra. Të mërguem. Na, jemi si pêma e Kërshëndellave. Rrâja e jonë ka ngelë, atjè, e thellueme gjithnji në tokë. Trungu âsht ktu, i zhgulun. Frynë mbi kryet t’onë nji erë e huej. Bota qi na rrethon i mëveshë degët e kësaj pême me dhantina të ndryshme. Drita të gjithënduerta farfurisin mbi tê. Kot. Mbi krahët e kësaj pême qi vjen tue u tha, randon mëshira e botës. Kjo mëshirë na lodhë e na trishton. Na nuk kërkojmë mëshirë. Na lypin të drejtën t’onë. Na dishrojmë t’ushqehemi me tharmet e lashta e të thella qi vetëm toka e jonë ka në palc.
Gjithëshka rreth nesh ka ndryshue: njerzit, ndjesinat, shprehjet. Mendja e njeriut, me ligshtín e natyrës njerzore, ndalet në kundrime të damshme e të pa fryt. Zêmra e njeriut, edhe kjo e ligësht, ândrron ideale të rrêjshme e adhuron zota qi prendojnë.
Në ket ngashrim shpirtnuer, xixillojat e vendit t’im më dalin përpara, edhe sot mbas njizet vjetësh, të pandryshueme e të lira.
Xixillojat janë kujtimet, mendimet. Në stinën e bukur të vendit t’im, mendimet shpërthyen me dritë të papritun, si shkas përtrîs, në terrin e natës. Shpesh herë krahët e xixillojave u dogjën në flakzën e shkurtë të deshireve të paplotsueme. Megjithëktè, balada e tyne e lashtë pezullohet gjithnji në prendverën e vendlindjes s’ime, tue i dhânë dridhje të mallëngjyeshme ândrrave t’ona të mërgueme.
Njerzit qi u zhdukën e qi na s’shohim mâ; vendi ku lindëm e jetuem qi, sot, s’âsht mâ i yni; shprehjet e dikurshme qi, mâ, nuk ndigjojmë: kto janë xixillojat e vendit t’im. Shtëpijat, votrat, fytyrat e dashtuna, udhët e njohtuna e çkadò qi lëvizi atje e lindi me ne e jetoi me ne, këthiellohet në mbrendsín t’onë e na duket e afërme, e prekshme e e pandashme nga ne vetë qi kemi ende në ball dritzën e pashueshme të shpresës. Retrospektivë e nji bote së largueme në kohë, por, qi na paraqitet e kjartë me nji fund (sfondo) thermijash zjarri qi ndezën skenën e atdheut të dikurshëm e kallin shpresën e atdheut të sotshëm.
Xixillojat e vendit t’im, janë stinët qi u rrotulluen mbi kryet e banorvet të viseve tona. Âsht dimni, qi i shterngoi me acarí vorfnín landore; âsht kânga e prendverës qi, tue kapërcye nga nji lagje në tjetrën, përmblidhte erën e luleviles si eksencë e erandshme e tokës shqiptare; âsht vapa e gushtit me mriz shqiptar e zamare shqiptare me Melibé shqiptar; âsht stuhija e vjeshtës, qi ndigjuem në netët plot trazim për historín e kombit.
Drita e xixillojave nuk shkimbet. Njeriu mundet të shkimbin vetvedin. Xixillojat ngelin. Ushqimi i tyne âsht ajri i lír. Banesa e tyne âsht qielli i pambasë. Në kët qiell të pambasë mendimet lëvizin të lira. Rrxohen kufijt e paarsyes e, shpirti i njeriut xên vend n’at shesh të pastruem, ku ndiesít e shprehjet ruejnë të papërlyeme kushtet e asaj jete të dikurshme, për të cilën, na sot të mërguem, mallëngjehemi e qajmë.
(Marre nga gazeta shqiptare 5 Prill 2011)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Kjo është një proze e bukur poetike, e shkruar si në ditët tona, pra del jashtë kufijve të moshës dhe mbetet e tillë, si qielli ku xixëllonjat enden dhe pikojnë dritat e tyre të panumërta. Përshtypja e bukurisë së frazës dhe e pastërtisë gjuhësore, që lidh aq bukur dialektin me gjuhën letrare është një kënaqësi tjetër për këdo që e lexon. Përgëzime për punën e bukur hulumtuese dhe vlerësimin e merituar që i është bërë shkrimtarit Viktor Koliqi.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.