back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Violinisti i mirënjohun Ndoc Shllaku dhe shkolla që themeloi” – nga Robert Prennushi

Gazeta

Ndoc Shllaku - student ne Rome 1943
Ndoc Shllaku – student ne Rome 1943

Violinisti i mirënjohun Ndoc Shllaku dhe shkolla që themeloi

nga Robert Prennushi*

Tue marrë shkas nga nji përvjetor i randësishëm, siç asht 50 vjetori i Shkollës së Muzikës në Shkodër, institucion që në pak ma shumë se nji dekadë do ta vinte përsëri Shkodrën në nivelet e para kombëtare ndër rrethe, siç kishte qenë edhe para lufte, gjejmë rastin të vlerësojmë e nderojmë gjithë muzikantët e parë të Akademisë së pashpallun muzikore shkodrane, që përgaditen me përkushtim brezin tonë të pedagogëve të kësaj shkolle.
Në mes tyne shquhet mësuesi, kolegu dhe miku i paharruem Ndoc Shllaku, violinist i mirënjohun, themelues i asaj shkolle, që sot mban emnin e kompozitorit të shquem Prenkë Jakova e që i dha përsëri za e nam Shkodrës në fushën e muzikës. Kur flasim për zhvillimet në fushën e muzikës në Shkodër mbas Luftës së Dytë Botnore, nuk duhet harrue boshlleku i menjihershёm që u krijue mbas “thithjes” nga Tirana të ajkës së kompozitorëve, instrumentistëve dhe kangtarëve ma të mirë shkodranë si: Ç. Zadeja, T. Dija, S. Gjoni, A. Mula, Z. Gruda, A. Grimci, I. Tukiqi, L. Kaçaj e mjaft instrumentistë e kangëtarë të tjerë (shumica e tyne ish nxanës të kompozitorit At Martin Gjoka) të cilët, siç thotë studiuesi dr. Eno Koço “të gjithë e dimë, që kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar”.
Shkodra, që ishte mësue të kishte nji jetë muzikore të gjallë, me disa orkestra frymore e disa formacione orkestrale, duhet të fillonte përsëringa e para, duhet të mendonte për vete… Në fushёn e letrave goditja që kishte psue qyteti, ma shumë se i gjithë vendi i marrun së bashku, ishte katastrofale, tragjike.
Edhe muzika nuk i shpёtoi këti rrebeshi. “Humbi” nga fshati në fshat, fatmirësisht pa u burgosë, për të përfundue punëtor në bujqësi, muzikanti At Filip Mazrreku. U pushkatuen figurat e mëdhaja të kulturës sonë, por që ishin edhe muzikantë si Don Lazër Shantoja e At Benardin Palaj, kurse muzikanti Dom Mikel Koliqi, Gac Çuni, Tonin Zadeja e ndonji tjetër u burgosen. Kompozitori Dom Zef Shestani mundi të largohej nga Shqipnia.
Tue qenë nji art ma abstrakt, muzika nuk e shqetësonte aq shumë regjimin. Kalemxhijtë e kishte ma të lehtë t’i gjente, muzikantët ma me vështirësi… Duhej “aheng”, për të tregue “sa i lumtun” ishte populli. Por mungonte kompozitori! Kjo ishte dhe arsyeja pse Prenkë Jakova u lirue shpejt e shpejt prej burgu, kjo ishte arsyeja që muzikantë të tjerë të tillë “të prekun” si R. Sokoli, T. Zadeja, T. Harapi, Gj. Kapidani, K. Gjinaj, Ç. Jakova, Z. Lekaj, Z. Gruda e disa të tjerë u lejuen të aktivizohen.
Shkodër locja që e kishte në gene kangёn, mbas përgjakjes së maleve të trimave të Prek Calit dhe shtypjes me gjak e pushkatime të Kryengritjes së Postribës, u bind se fjalët që ndigjoheshin se vendimet e Jaltës na kishin lanë përfundimisht nën regjimin komunist, ishin mjerisht të vёrteta. Ndaj shkodranët, pa e humbë dinjitetin, secili në mënyrёn e vet, kërkuen të formonin rrethin, mikroambjentin e vet, sepse jashtё tij, ishte e rrezikshme edhe me shfaqё ndonji mendim.
.
Orkestra e shoqnisë "Antoniane "1940 Shkodër - me kitara Pjetër Gjergji, Emil Miloti, Çesk Jakova, Ulun Filip Jakova , Prenk Jakova, Ndoc Shllaku, Lin Kujxhia.
Orkestra e shoqnisë “Antoniane “1940 Shkodër – me kitara Pjetër Gjergji, Emil Miloti, Çesk Jakova,
Ulun Filip Jakova , Prenk Jakova, Ndoc Shllaku, Lin Kujxhia.
Shkodra, si e gjithë Shqipnia donte të jetonte, të andrronte e të harronte…
Dhe te muzika e me muzikёn edhe Shkodra filloi të jetojë përsëri…
Ndër të parët, që Shkodra ia ndjeu zanin ishte edhe Ndoc Shllaku me violinën e vet në emisionet e para muzikore të Radio Shkodrёs. Nji brez i ri po rritej dhe ne, fëmijë, jo vetëm e ndigjonim atё në radio, por kishim edhe fatin ta kishim mësues muzike në shkollën unike, siç quhej atëherë shkolla 7 vjeçare. Për ne, që kishim fillue mësimet e para të violinës në Shtëpi të Pionerit, e ma vonë me të pakursyemin, violinistin Z. Alimhilli, ato melodi që ndigjonim prej tij, na banin me andrrue se edhe ne do të luenim n’atë instrument; ajo andërr na bahej konkrete, e arritshme, sepse mësuesi ynë Ndoc Shllaku luente me nji natyrshmёni e thjeshtësi të madhe.
Si shoku ma i ngushtë i kompozitorit, organizatorit e dirigjentit Prekё Jakova, Ndoc Shllaku si spala e orkestrёs, që rritej në numër e cilësi, shoqnoi me kontributin e vet, edhe si krijues, të gjitha ngjarjet ma të randësishme muzikore të qytetit, nga “Dasma shkodrane”, opera “Mrika”, Koncerti i parë sinfonik, etj.
Nga aktiviteti i këtij artisti të lindun do të veçoja edhe nji dukuri disi folklorike. Kushdo që ka shkue në Shkodër, ka pa, si në nji rit të vendosun me kohë, se nga “Dugajt e Reja” deri te Prefektura, qytetarët, sidomos të rijtë, bajnë disa xhiro tue shetitë. E pikrisht kjo lëvizje “rituale” ngadalsohej disi kur i afrohej Kafes sё Madhe ose Parkut për karshi, simbas stinës, për të ndigjue formacionin ma të mirë që ka pasë Shkodra ndonjiherë, me Ndoc Shllakun violinist, Gjon Kapidani në piano, Kolë Gjinaj në fizarmonikë, Gjon Halili me trombë, Palokë Kurti në bateri, që luente repertorin ma të mirë modern të kohës, shqiptar e të huej. Derisa kjo u lejue…
.
Prek Jakova, Ndoc Shllaku e Mark Dema (ne qender)ne Rome
Prek Jakova, Ndoc Shllaku e Mark Dema (ne qender)ne Rome
Por Ndoc Shllaku e Prenkë Jakova (të dy nxanës të kompoziotrit At Martin Gjoka), që kishin ndёrpre studimet në konservatorin e Santa Çeçiljes në Romë nga shkaku i luftës, nuk ishin të knaqun vetëm me kurset që zhvilloheshin në Shtëpinë e Pionierit e në atё të Kulturës. Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë, nëse nuk do të ngrihej mbi baza profesionale. Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasa muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë, me hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë i internuem në Prishtinë…
Ma në fund, në janar të vitit 1961, edhe në Shkodër drejtuesi Ndoc Shllaku (violinë), Gjon Kapidani (piano e solfezh) dhe mësuesja Lajde Banushi, patёn nderin dhe fatin të nisin nji udhëtim që e bani Shkodrёn dhe fëmijët e saj të andrronin me i ra violinës si zotni Ndoci; dhe pianfortës, si i riu i talentuem Gjon Kapidani (ma vonë edhe kompozitor njohun).
Filluen të vijnë vocrrakë e vocrrake nga të gjitha lagjet e qytetit kaq të hapun të Shkodres. Në sytë e prindve, me kulturë e profesione të ndryshme, ishte e lehtë të dalloje gëzimin që fëmijtë e tyne kishin gjetë prind të dytë ndër mësuesit e tyne. Harmonia e madhe që kultivoi Ndoc Shllaku edhe me kolegët e vet, tue dhanë vetë shembullin “si i barabartë” me ta (edhe pse mjaft prej tyne, tashma, kishin qenë nxanës të tij), mbetet ndoshta pasunia ma e madhe që i la këtij institucioni të muzikës, që nuk mund të jetonte pa harmoni…
.
Ndoc Shllaku dhe e shoqja Margarita
Ndoc Shllaku dhe e shoqja Margarita
Mjafton të përmendim “nji ves” të tij: ai nuk mund të ndigjonte pianofortë të pa akordueme. Për katër dekada të gjithë pianofortet e qytetit (shumica e të cilave “jo të reja”, për të përdorë nji eufemizëm) janë akordue pa asnji shpёrblim prej Ndoc Shllakut.
Kam pasë fatin të luej me tё në orkestrёn sinfonike, për tre dekada dhe, në nji pult, për ma shumë se nji dekadë, dhe jam dёshmitar i ndjeshmёnisë së tij të veçantë në akordimin e orkestrёs. Edhe në pauza të vogla, gjatë provave, ai i tёrhiqte vёmendjen me takt ndonji instrumentisti, tue i ba me shenjë që ta ngrinte o ta ulte akordimin…
Shkodra shpejt po rikuperonte vitet e humbuna në përgatitjen muzikantëve, falë edhe punës së palodhun të mësuesve të saj, si Gj. Xhanxhafili, Gj. Kapidani e të tjerë. Por ishte nji rrugë e pashkelun ndonjiherë. Shkolla kishte vetem nji pianofortë, mbas nji viti dy, po kurrë aq sa duheshin. Këtё mangësi Ndoc Shllaku e kaloi tue krye nji reformë që i dha shkollës nji avantazh në krahasim me të gjitha shkollat e tjera të vendit, përfshi Liceun Artistik.
Ajo mungesë e theksueme sidomos e pianoforteve për studim, kishte ba që disa nxanës, edhe pse të talentuem, kishin mbetë relativisht mbrapa me programin mësimor. Kështu kishte ndodhë edhe me ndonji violinist që, për arsye thjesht fiziologjike, nuk kishte agjilitetin e domosdoshёm, ndaj dhe vazhdimi i studimit në instrumentin që kishin nisë do të ishte i pafrutshёm.
Ndoc Shllaku me inisiativë vendosë t’u japë atyne edhe në kl. VI e VII instrumentin e frymës. Në fakt, simbas praktikës, që ishte edhe rregull n’atë kohë, studimi i instrumentit të frymës, fillonte vetёm në shkollë tё mesme. Kjo reformë e vёrtet, bani diferencёn dhe rezultatet u panë shpejt, sepse ata nxanës ishin të përgatitun nga ana muzikore edhe në njohunitë e solfezhit.
Por në jetёn e vendit ndodhnin shpesh furtuna të paprituna, të krijueme nga vetë regjimi, e që krijonin shqetësime të mëdha edhe ndër familje. E tillë ishte lufta e vitit 1967, me njerëzit ma të pafajshёm, ma të butё, klerikët dhe rrethin e tyne familjar. Me mbylljen e institucioneve fetare, Ndoc Shllaku dhe grueja e tij Margarita, të dy arsimtarë, të dy njerëz të artit, edhe pse duhet të ishin në “rradhë të parë kundër ideologjisë fetare” dhe kishin tre fëmijë që duhet t’i linin nji “biografi të pastër”, nuk hezituen të marrin në shtëpi xhaxhanë Don Nikoll Shllaku, deri sa vdiq, si duhet të vdesë çdo krijesë e jo rrugash si ndodhi me ndonji klerik.
.
Shuk Shllaku, Ndoc Shllaku, Ugo Arditi, Zef Alimhilli
Shuk Shllaku, Ndoc Shllaku, Ugo Arditi, Zef Alimhilli
Nëse nga ky gjest Ndoc Shllaku nuk pёsoi gjà, kjo ndodhi pse ndër tjera, ai gjeti mbështetjen e njeriu të mirë e drejtuesi të aftë të kulturës, Isa Alibali. Me këte rast edhe unë, autori i këtij shkrimi, gjej rastin të falënderojë miqtë I. Alibali e A. Kodraliu, të cilët “guxuen” të shkruejnë mirë për mue, pikёrisht në organin ku më kishte kritikue vetë sekretari i partisë së rrethit.
Shkolla e muzikës rritej nga viti në vit e megjithatё nuk kishte ende nji “shtëpi” të veten. “Si gabelët me çadra”- që në Shkodër thuhet për dikё që nuk rri në nji vend – shkolla ndërroi katër ambiente gjatë viteve 1961 deri në vitin 1972, derisa u vendos të ndërtohej një shkollë e re.
Nuk di, nëse e kam falenderue sa duhet, kur ishte mes nesh, Ndoc Shllakun, mësuesin, drejtorin dhe mikun tim, për ndihmën që më dha kur më emnuen drejtor të shkollës së mesme të muzikës. Ishte hera e parë që nxanësit e mësuesit shpresonin se do të banin mësimin e kulturës së përgjithëshme dhe atё artistike në të njajtin ambjent. Por shkolla, si ndёrtesë, nuk ishte ende. Korça e Elbasani e kishin shkollёn e tyne të muzikës, Shkodra jo(!!)
Pra duhej mendue mirë se si do të ishte ajo shkollë.
.
Nxenes te shkolles "Prenk Jakova" Shkoder
Nxenes te shkolles “Prenk Jakova” Shkoder
Ishte Ndoc Shllaku vazhdimisht pranë meje, me shumë shokë e kolegë, në konsultime tё frytshme me ing. projektues Ruzhdi Dibra (të cilin gjej rastin ta falënderoj edhe tani) për punën e mrekullueshme, që së bashku me ing.e ndёrtimit I. Sinja i dhuruen qytetit nji shkollë me të vёrtetë funksionale.
Ishte me mue miku Ndoc Shllaku në Tiranë, si avokati ma i mirë, për me sigurue nji ngrohje qendrore me kaldajë (dhe kjo ndodhte për herë të parë për nji shkollë në Shkodër).
Shkolla u plotësue me të gjithë sektorët edhe me ate të tunxhit, të kantos, bile edhe me sektorin e arteve figurative. Punohej seriozisht nga të gjthë. Shkodra tashma kishte orkestrёn e dytë sinfonike.
Në Nandor të vitit 1974, në konkursin e shpallun nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për shkollat e muzikës, përfshi Liceun Artistik, Shkolla jonë (që ende s’e kishte marrë emnin që meritonte, “P. Jakova”), fitoi flamurin. Nji sodisfaksion i madh për të gjithë ne, aq ma shumë për Ndoc Shllakun, mësuesin e drejtorin e parë t’asaj andrre të bukur shkodrane që asht edhe sot Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova”.
.
*)Autori i shkrimit ka qenë pedagog dhe drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës-Shkodër
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.