back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Visar Zhiti: Cikël Poetik – nga libri “Si është Kosova”

Gazeta

Vizitё nё shtёpinё e Lazёr Radit miqtё e tij: Robert Elsie, Visar Zhiti dhe Eda Agaj - Zhiti - Tiranё, Mars 1993
Vizitё nё shtёpinё e Lazёr Radit miqtё e tij: Robert Elsie,
Visar Zhiti dhe Eda Agaj – Zhiti – Tiranё, Mars 1993

Visar Zhiti

Cikël Poetik – nga libri “Si është Kosova”

Poeti Visar Zhiti, ka pasë miqësi të herëshme
me Lazër Radin, fillimisht përmes të atit Hekuran Zhitit.
Miqësia mes tyre është pasqyruar edhe në shkrime
e në libra të ndryshëm të Visarit.
Ai e ka atë personazh në disa libra të tij.
E ka trajtuar mjaft në studimet dhe publicistikën e tij,
ka shkruar parathanien e tre librave të tij…
dhe folur gjatë në dokumentarin “Golgota e Lazër Radit…”
Në librin fundit poetik: “Si është Kosova”: Zhiti i ka kushtuar kët cikël poetik.
.
Visar Zhiti - "Si është Kosova" - poezi
Visar Zhiti – “Si është Kosova” – poezi

Mërmërimat e Profetit

(të nxjerra nga nëntoka, me qypin e thyer)
Në nderim të atyre që iknin nga Kosova
nga shkaku i përndjekjes dhe gjenin këtej
kufirit po atë përndjekje, madje dhe më keq.
Por më e tmerrshme ishte vrasja e Ëndrrës.
…kujtoj prizrenasin Lazër Radi…
 

***

Si po ikni kështu, fëmijët e mi,
pa kthyer kokën pas
si era?
E gjurmët mbi baltë
harresa i mbulon…
sa shpejt!
 
Shiu që qull botën,
bën të mos kuptohen lotët e mi…
 
Kthim ëndrre
 
Po në Shqipëri si shk-oh-et
 
Nga ëndrra në ëndërr si shkohet?
Po në Shqipëri?
Eh, sa mall, pa qenë kurrë.
 
Ecja ime rend para meje, gjëmon
Si zemër e dashuruar.
Ja, sfinksi përballë. I padukshëm. Enigma
poshtë kthetrave përhapet deri larg, në perëndim të diellit,
në detin tonë, ku ne s’jemi. Ku-ku! Ka dhe një det tjetër
andej, ai i vuajtjes.
 
E si shkohet nga ëndrra në ëndërr?
Mos është ëndërr tjetër
dhe zgjimi? Si t’i kapërcejmë rreziqet?
Ka kaq shumë male ngjarjesh përtej ëndrrës,
me pyje shekujsh përsipër, e njëjta lëkurë
e netëve tona të egra…
Tempujt të rrënuar. Burgje… Se mos jemi brenda
një ëndrre të vetme? Që bashkohet
ashtu si Drini i Bardhë me Drinin e Zi
 
Për ku po arratisesh, o njeri?
Duan këmbët
të shkelin mbi Dheun-amë dhe s’duam të zgjohemi.
Ti e di se është parajsa andej? Në ëndrra – po.
Ah, sa shumë zhgënjime ka jashtë ëndrrës
dhe ligësi më të liga se ligatinat,
humbella ku humbin jo vetëm humbjet.
…edhe emrat… dhe emrat…
bëhesh i paqenë, as fantazmë.
Po a ka mbetur Shqipëri, më thuaj!
 
Të lutem, prit! Dëgjomë, rri dhe pak në ëndrrën tënde.
Mungesa nuk është fillim atdheu…
Të vdekurit e mi kanë shkuar andej,
por ai vend s’është më për të gjallët, – thonë gojët e liga,
jo, jo, fati i lig…
Në gjoksin e Atdheut ka bujtur djalli, ah, si ai shtrëngon
Zemrën!
 
Dhe vriten dëshirat si një kope delesh mbi shinat e trenit,
lokomotiva e pamëshirshme kalon sipër tyre me tërsëllëmë…
…………………………………
 
Mbylli sytë sa të duash! Ëndrrat kthehen në makth,
përplasen makthet tona… thyhen brinjët…
…malli të ka marrë pa qenë kurrë… si unë…
por dhe ne që jemi, nuk jemi… veçse makthe në zgjimet e errëta.
 
Ma jep dorën, shtrëngoma me butësi!… Kështu bashkohen
dhe Drini i Zi me Drinin e Bardhë.
Të krijojmë së bashku jetë Shqipërie,
nga ajo që do të vijë.
E presim si fatin. Që duhet ribërë
Më mirë se ç’na ka bërë.
 
Dhe qofshim gjithmonë Shqipëri,
ajo jemi së bashku,
edhe kur s’është e mundur. Dhe të mësojmë
t’ia ledhatojmë herë pas here
krifën kryeneçe…
.

Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

***

Ku është, ku…
Nga që s’e gjej dot ditën,
më duhet ca errësirë…
.

***

Vendlindja ime
është më larg se vendvdekja ime.
 
Djepi
është më i vogël se arkëmorti.
Pak dërrasa së bashku,
që po t’i djegim…
Jeta ime
është zjarri i tyre.
 
Desha të bashkoj
vendlindjen me vendvdekjen.
Mos të vdesësh,
kur je gjallë
dhe të jesh ca gjallë, kur të vdesësh.
 
Por duan të më lënë
pa lindje dhe vdekje.
 
Të mosqenë. As balta ime
dot nuk duron…
.

***

…e pakët është shtëpia ime buzë kënetës
dhe vendi pak më shumë
se shtëpia dhe këneta.
 
Kisha ardhur për të ikur. Por unë s’isha…
Mbrëmja ime ka rënë më gjunjë.
 
Nata jonë është më e rëndë
dhe më e tejme nga ç’jemi ne,
njëlloj i bën të ndritshme xixëllonjat,
yjet e vdekur,
plagën time,
tek unë fillon dhe mbaron nata…
 
Unë s’isha. Kisha ikur për të ardhur…
 
E krijuam
apo na krijoi balta? E mbrujmë
me këmbët tona dhe ajo na mbush kafkat…
 
Ndanë kënetës nuk dua të vdes,
kur ende nuk kam jetuar
 
dhe më i rrezikshmi nuk është helmi i gjarpërinjve.
Aleluja!
Marrë nga libri poetik “Si është Kosova” i Visar Zhitit, fq. 35-41

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.