Visar Zhiti: Komedia Djallezore
Në kreun e fundit të burgologjisë së Visar Zhitit “Ferri i çarë”, botuar para ca vitesh, janë dy skena mbresëlënëse dhe kuptimplote, ndërkaq reale e të përjetuara, e para: Kur gjyqtarë të huaj në një takim në Romë i kërkojnë ndjesë poetit shqiptar nga që kolegët e tyre në Shqipëri e kishin dënuar për poezi… dhe e dyta: Presidenti i atdheut të tij shpërndan dekorata për të persekutuarit dhe persekutorët njëlloj…
Ky epilog i romanit të Visar Zhitit, që protagonisti në një nga monologët e tij të brendshëm kohën që po përjetojmë e quan me titullin antidantesk, “Komedia djallëzore”, përshkohet nga dëshpërimi e zhgënjimet, por brenda ka dritë, atë të mosurrejtjes dhe mirësisë deri në shenjtëri. Madje gjatë leximit, ashtu si në të gjithë kryepunën e Visar Zhiti, përftojmë gëzimin e trishtuar të mençurisë…
(Kritiku Letrar)
Kreu i Fundit
Kuvendi i Faljes dhe… (me)daljet
…ndieve vetminë tjetër. Një lloj braktisjeje. Absurdin. Dhe u nëpërmende pa e ditur se ku ishe, në ç’kohë dhe pse, dhe në ç’sallë. Presidenti i Republikës? Po ndante medalje. Dhe për të dënuarit, dhe për dënuesit. Si, si? Për të dënuarit që qëndruan… dhe për dënuesit, që e bënë atë detyrë më së miri… Ç’popull i skajshëm që jemi!
Dhe befas ike, pa ikur. Doje të ishe dhe në vend tjetër. Si shenjtët. Që janë njëkohësisht dhe gjetiu, dhe në tjetër kohë. Bilokacion tronditës. Profetët e kanë këtë aftësi për shkak të ceneve, gjymtimeve në trup, në kujtesë, në tru. Po kështu janë dhe të burgosurit: ngaqë s’u lënë as veten, gjejnë tjetrin. Ngaqë s’kanë asgjë, përthellohen, nga nëntoka në qiell… A nuk i profetizuan përmbysjet dhe ndollën liritë duke vënë shpirtrat e tyre në krye?
Dhe të ra përsipër ca muzg roman, si togë e errët mbi supe. Sa të pëlqente Roma në këtë orë, sikur mbërrije dhe në antikitet, teksa të përshfaqej përballë, ashtu si amfiteatri i Durrësit, Koloseu hijerëndë. Ja Harku i Konstandinit, perandori ilir që… ishe vonë, nxitoje për në rrugën e njohur “Vittorio Veneto”. Apo të mos shkoje?… Ç’ishte ajo ftesë ashtu, Shoqata Europiane e Juristëve shkrimtarë në takimin e saj në… lajmin e jepnin dhe agjencia italiane “Ansa”, gazeta “Repubblica”, revista… pastaj e shpërndanë dhe mediat në Shqipëri, në Kosovë… I ftuar nderi… Te gjyqtarët? Po gjyqtarët e mi a janë në këtë takim?
Si për t’u vonuar, ndale tek ajo pllaka e mermertë, si gjithmonë kur kaloje andej, dhe lexove se pikërisht këtu ishte xhiruar filmi “Dolce vita”. Po për jetët e hidhura tonat do të ketë ndonjë film, apo është vetë jeta? Pa e kuptuar u gjende atje ku ishe ftuar, përshëndete rojat, shtyve dyert e mëdha gjithë qelq, u ktheve për në sallën e takimit, ku një si vërshim drite derdhej nga shandanët e praruar mbi poltronat mondane me kadife të kuqe… nuk ishte sallë gjyqi, jo, përkundrazi.
-Kuvendi i sotshëm “Poezia dhe drejtësia”, – e nisi fjalën e tij kryetari i shoqatës, e njihje, Gennaro Francione e quanin, kishte botuar romane, drama, edhe një për Skënderbeun, – …tani një homazh për magjistrin Ugo Betti, – po thoshte ai, – një nga tre dramaturgët italianë, Pirandelo, De Filipi… Tragjediani i vetëm shqiptar vdiq në burg, po mendoje ti, mik i atit tënd, që shkruante drama, por i ndaluar… Juristë ishin? Jo. Lazër Radi po, edhe ai ishte miku i tyre, këtu në Romë kishte studiuar dhe e futën në burg, në… – Në këtë gjysmë shekulli, – vazhdonte të fliste kryetari, – 130 gjykatës shkrimtarë i kanë dhënë një dukuri unikale letërsisë, jo vetëm asaj kontemporane, por… – Po të burgosurit? – desh thirre ti. Në fakt të thirrën të dalësh në krye.
-…e kanë dënuar kolegët tanë në Shqipëri, – kështu të paraqitën para të pranishmëve, – për poezi… – dhe heshtje e rëndë.
Filluan pyetjet nga salla, a janë dënuar të tjerë kështu, a ishte e mundur të shkruaje në burgjet tuaja… jo, jo, nuk ishin tonat, ishin të atyre që na dënuan… si i ruanit shkrimet, i nxirrnit dot nga qelitë, po tani?
Balli t’u mbush me djersë, po hutoheshe, janë të ndaluara gjuhët e huaja, bërtiste komisari, të kujtohet? Lot në një qerpik, shkëlqeu drita në të si në një diamant… vathë… byzylykë… pranga floriri… vajza prej ëndrre, gruaja… aty ishte… vështrime
-Gjykatësit dhe gabojnë, – e mori prapë fjalën kryetari, – dhe dënimi s’është gjithmonë i drejtë… mbase asnjëherë, – shtove ti në heshtje, – por është e tmerrshme të dënosh për poezi, – e ngriti zërin ai. – Kush jemi ne që kemi të drejtë të dënojmë? – Flokët e shkurtër, mjekra e errët si flokët, jaka e ndritur në po atë ngjyrë të kostumit sikur dhanë një fërgëllimë. – Unë si jurist e ul kokën tani, – tha kryetari duke u afruar nga ti, – dhe, po të kisha togën e gjykatësit, do t’ia jepja…, – tha emrin tënd fort. Shpërthyen duartrokitjet. – Jam në momentin më të lartë të jetës, i kërkoj falje, sepse gjyqi, kudo që mund të jetë zhvilluar, ka dënuar një poet, i kërkoj falje në emër të gjyqtarëve të botës, – e përfundoi sentencën.
-Edhe atyre shqiptarë? – nxitove të pyesësh ti, pa pasur kohë të pendohesh. Kryetari buzëqeshi si për të futur një nen zbutës, siç i thoshim ne. Pritej fjala jote.
-Ky është kundërgjyqi im, ku erdha me dëshirë, – the ndër të tjera dhe heshte. (…Ndihen fajtorë këta, të një vendi tjetër, të huaj, kurse tanët, të vërtetët, që kanë bërë krime mbi ne… ah, prandaj është shpirti, duhet të dish të duash, se ndryshe nuk e ndien fajin, nuk e kupton… t’u bë se po dëgjoje një si këngë. Atë për të cilën të dënonin. E këndonin ai bashkëvuajtësi yt me atë këngëtarin e huaj…) – Jam i emocionuar, – belbëzove. (…Kam shokë të pushkatuar, deshe të thoshe, e drejta e faljes u takon ta japin ata, sublimisht ata…) – Vetë besoj tek institucioni i faljes, – shtove.
U ngritën nga salla, ç’ishin, gjyqtarë, avokatë, prokurorë a kujdestarë burgjesh, kishte të tillë në shoqatën e juristëve-shkrimtarë të Europës? Me copa letre ndër duar dilnin në atë si skenë dhe, sapo nisnin tingujt e pianos, lexonin poezi të tuat. Si atëherë kur të dënuan… 10 vjet heqje lirie, kthejani! 25 vjet… për jetë… Armë ul! Të ngrihen të vrarët…
Po i vinte fundi takimit. “Kuvendi i faljes” u quajt, nuk po e besoje, duhej të kishte nisur me kohë. Që atëherë në Romën e Lashtë, kur u dënua Ovidi, e internuan në Detin e Zi, edhe më herët. Këtu në Romë ishte Dantja, kur nisi përndjekja e tij… sikur dëgjonim dhe ne në burg: daaaan(t)eeeee… binte çanga, nuk patëm Komedi Hyjnore, por komedi djallëzore… një si fatkob i ndoqi shqiptarët që kishin studiuar këtej, dënoheshin në atdhe… por më ashpër, më keq se në mesjetë, u vriteshin dhe shkrimet… si skllevërit në arenë nga bishat… Musineja e bukur, nëpërmende ti, ndoshta ka qenë në këtë sallë, studente … dhe kur doli nga burgu, ndonëse në mjerim, prapë mbahej lart, vishej me hijeshi, përzishëm, me një kapelë grash mbi flokë, dhuratë e këtejshme. Pas punës së rëndë me llaç ulej e vetme në një stol të lulishtes me një libër në dorë… Rrëshen, Romë/Bari, Qafë-Bari/ Tiranë, tiranët… t’u ngatërruan… eh, si copëtohet koha, tamam ferr i çarë… dhe kur mbyllte librin ajo, shikonte lulet. Hop gjallëroheshin petlat, gjethet, përndizeshin. Dhe mes tyre binte një zog i vrarë. Qielli bëhej me gropa si varrezat. Punëtorët hapnin të reja, t’i kishin gati për ata që do të vdisnin. Dihet që do të vdesim, por nuk dihet a jetuam…
Mjaft, po kur do të mblidhemi edhe ne në një kuvend, të burgosur, gjyqtarë, personazhe, statuja, të vdekur, gjithë të gjallët, që të vendosim paqen? Dhe u ktheve prapë në sallën tjetër, në vendin tënd, ku Presidenti i Republikës dekoronte edhe të dënuar, edhe dënues. Mbase jemi e njëjta gjë… po kërkoje një dalje… (me)dalje, ç’i dua, ne kemi plagët, mjaftojnë, janë ca si tepër…
Cigarja po të digjte gishtat dhe e shove menjëherë në taketuken më të parë që pe. I ngjante një kafke të prerë. E kujt do të ketë qenë, e ndonjë të dënuari? Mbase do ta kesh njohur nëpër rreshta, dorë më dorë me një prangë. E zbuluan tani, arkeologji e dhembjes. Nga ç’humbëtirë e nxorën? Është kafka e mbetur e burgut. U ngrite. S’mund të rrije më shumë. Ja, të gjithë bashkë, iu arrit… Pe në xham, nga ku po të vështronin me ngulm dy sy të tejmë, jo, jo, qenkësh pasqyrimi i fytyrës sate.
Jashtë binte shi elegjiak. Si mund të ishe dhe i dënuari dhe dënuesi njëherësh? Në dy vende njëkohësisht… si shën djall. Të lirë dhe të varfër. Pararendës dhe të padëmshpërblyer. Të nderuar dhe të nëpërkëmbur. Të harruar dhe kujtesë e popullit. Ne jemi kudo, po mendoje, si eshtrat, në çdo kohë, si fryma. Se kush janë të tjerët, kuptohen nga qëndrimi që mbajnë ndaj jush.
Ndieve se po zbeheshe duke t’u zbehur gjithçka përreth. Jo, tunde dorën, unë nuk kam qenë (më) në burg, mbase ju… mërmërite. Dhe po ikje i bindur se të gjithë, megjithatë, ishim më të mirë se jetët tona. Dhe se vdekjet.
Romë, Tiranë, 1999 – 2002
Tiranë, Durrës, 2010 – 2012