back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Visar Zhiti rrëfen: – Si zgjidheshin poetët që dënonte diktatura? – Një letër përgjigje për dy bashkëqytetarë

Gazeta

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti
Një letër e dikurshme që lexohet prapë…
Visar Zhiti tregon si zgjidheshin poetët që dënonte diktatura:
Vazhdon ende revanshi…

Bëhet fjalë për një letër të dikurshme, dërguar miqve, shkrimtarëve Shpend Sollaku Noé dhe Jozef Radi,ku trajtohet çështja e mprehtë e dënimit të shkrimtarëve në diktaturë, që ende mbetet si një “Nyje Gordiane” në shoqërinë e sotme shqiptare, ku qendrimet dhe mendimi kritik janë përcaktuese të gjendjes.
Në letër ishin të nevojshëm të dëshmoheshin emrat e gazetarit dhe hulumtuesit Dashnor Kaloçi si dhe shkrimtarit të madh italian, semiologut me njohje botërore, Umberto Eco.
Prandaj dhe miqësisht u renditën dhe fotot e tyre. (ObserverKult)

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti, ka treguar sesi zgjidheshin poetët që dënonte diktatura. Në një letër përgjigje për dy bashkëqytetarët e tij, ai thotë se nuk është dënuar nga shokët, por u dënua për poezitë që ai bënte nga shokët e partisë-shtet të diktaturës komuniste.
Sipas tij, vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve”, por në mënyrë të ndryshme.
“Poezia ishte dënimi im dhe mbrojtja ime, qëndresa ime dhe hakmarrja ime. Ende vazhdon revanshi kundër “poezisë së burgjeve” me shumë mënyra, harresë, dredhi, shtrembërime të të vërtetave, duke lartësuar vetet e dikurshme kot, me tekste e media, etj, etj. Por ne vazhduam të bëjmë poezinë e lirisë. Rëndësi ka jeta në poezi”, – shprehet Zhiti.

Shpend Sollaku dhe Jozef Radi - Ancona 25 dhjetor 2019
Shpend Sollaku dhe Jozef Radi – Ancona 25 dhjetor 2019
Si zgjidheshin poetët që dënonte diktatura?
-Një letër përgjigje për dy bashkëqytetarë
nga Visar Zhiti –

Përshëndetje, shokë të mij,
I dashur Jozef,
I dashur Shpendi,
Më vjen mirë që kujtoni poetët e përndjekur nga regjimi, ata që u martirizuan dhe na lanë poezinë si amanet. Ne jemi ajo që kujtojmë, – thoshte poeti italian Mario Luzi, ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX, dhe vërtet ishte e rrezikshme të ishe poet në diktaturë, – siç shkruani që në krye të këtij shkrimi, – por jo për këdo, ishte e rrezikshme për atë që ishte i rrezikshëm dhe jo për ata që botonin përmbledhje atëherë duke i kënduar asaj kohe vrastare.
Më kujtoni dhe mua në shkrim si i burgosur për poezi nga regjimi, faleminderit, – dhe tani lejomëni të shtoj se më me fat si poetë ishin ata që u dënuan, ndërsa si qytetarë ata poetë që s’u dënuan. Nuk e kam fjalën për vuajtjen…
Gjej rastin të kthjelltësoj diçka, i nisur nga shkrimi, që e kam parë dhe herë të tjera, i Shpendit, bashkëqytetar yni.
Dënimi im nuk erdhi nga shokët e mi, që s’dita t’i zgjedh e fola me ta, nuk di të më kenë denoncuar shokët, ja, juve ju kisha shokë a të tjerë si ju, nëse dini më shumë, do të doja ta thoshit, ndryshe ata nuk janë shokët e mi të vërtetë e as tuajit.
Mua me dënuan për poezitë e mia shokët e Partisë-shtet të diktaturës komuniste, realiteti a Realizmi Socialist.
Një studiues i i Arkivave të Komitetit Qendror të PPSH-së, gazetari Dashnor Kaloçi, ka zbuluar e botuar dokumente që vërtetojnë së unë jam denoncuar institucionalisht nga shtëpia botuese shtetërore dhe e vetmja atëhere për përmbledhjen time me poezi, që kisha dërguar për botim, për alegoritë e metaforat ekuivoke, ndonjëherë dhe më hapur. Denoncimi u bë në Komitetin Qendror të Partisë dhe zëvendës diktatori, Ramiz Alia, urdhëroi të veprohej menjëherë, dokumenti është botuar, urdhëroi jo vetëm Lidhjen e Shkrimtarëve, ministritë përkatëse, arsim, kulturë, por dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, siç duket më përkatësen, dhe mua më arrestojnë pas ca ditësh.
E ka shpjeguar shkëlqyer, interesanant se si e dinte aq mirë, duke rrëfyer çështjen time shkrimtari dhe filozofi, semiologu i shquar botëror, Umberto Eco, artikulli i tij gjendet, po ta kërkosh, edhe në gazetën italiane “La Repubblica”.
Do të doja të thosha se diktatura, policia sekrete, nuk i dëgjonte dhe aq shumë shokët, shokët dëgjonin diktaturën dhe na denonconin sipas porosive të saj. Pra, duhet bërë ky ndryshim në artikull. Kush na dënoi ne? Dhe jo kushdo e meritonte burgun…
Të dashur shokët e mi,
Shpendi dhe ti, Jozef, që e di aq mirë internimin dhe burgun e babait, shkrimtarit Lazër Radi, përgëzimet e mia për zellin për të treguar krimet që janë bërë dhe në letërsi gjatë diktaturës komuniste, besoj që dhe unë ndihmova tani, sado pak, lexuesin tuaj. Edhe unë kam treguar shpesh në librat e mi si janë dënuar shkrimtarë dhe veprat e tyre, kam treguar dhe për vete dhe nxora shumë poezi nga burgu, mbetëm gjallë të dy.
Poezia ishte dënimi im dhe mbrojtja ime, qëndresa ime dhe hakmarrja ime. Dhe vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve” me shumë mënyra, harresë, dredhi, shtrembërime të të vërtetave, duke lartësuar vetet e dikurshme kot, me tekste e media, etj, etj. Por ne vazhduam të bëjmë poezinë e lirisë. Rëndësi ka jeta në poezi.
Kemi ende shumë për të bëre së bashku
Ju uroj më të mirën!
juaji, Visar Zhiti”

Marrë nga ObserverKult

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.