back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vite “të lavdishme” nga Maks Rakipaj

Gazeta

Maks Rakipaj
Maks Rakipaj

Vite “të lavdishme” nga Maks Rakipaj

Kam njohur në kampin e përqëndrimit të Ballshit Spiro N., me origjinë nga Vunoi i Himarës, i dënuar me 22 vjet burg. Në kujtimet e mija e kam përmendur nja dy herë Spiron, si njërin nga miqtë e mi gjatë burgut.
Spiro N. qe dënuar me grupin e ish-studentëve polakë në vitet ’75-’76. Pat studiuar në Varshavë në degën e inxhinjerisë mekanike. Në kohën kur e arrestuan pat arritur të bëhej deri kryeinxhinier i parkut të veturave në Tiranë…
“Në maj të vitit 1973, – më tregonte Spiro – shkoj te zyra e shefit të kuadrit për t’u interesuar për lejen e zakonshme. E gjeta vetëm shefin, po më priste. U përshëndetëm dhe më ftoi të ulesha. Kisha qejf që lejën e zakonshme të atij viti, ta merrja në muajin gusht dhe jo në korrik, sepse ashtu me leverdiste më mirë… si kryeinxhinjer që isha, më shkonte fjala, dhe me drejtorin ishim marrë vesh… S’kisha as pesë minuta që isha ulur, kur ra zilja e telefonit. Ai e kap telefonin dhe thotë: – Erdha shoku drejtor, – dhe m’u drejtua mua: – Nuk vonohem Spiro, më prit këtu… ti je njeri i besuar… Dy minuta dhe erdha!!
Kaluan dhjetë minuta. U mërzita. Fillova t’u hedh një sy shkresurinave që pat mbi tryezën e punës… Kot, ashtu pa e patur mendjen. Aty ishte edhe një dosje blu, e mbuluar me gazetën “Zëri i Popullit”. Midis shkresave të tjera më ra në sy një korrespondencë me Ministrinë e Brendshme. Qenë udhëzime për ndarjen e dosjeve të punonjësve të ndërmarrjes në katër kategori A, B, C dhe D. Korrespondenca qe me siglën “Tepër sekret”. I hodha një sy ashtu shpejt e shpejt, si kurreshtar… dhe kuptova se i gjithë personeli i të gjitha ndërmarrjeve të vendit ndahej në katër kategori: A-komunistët; B-ata që gjykoheshin si besnikë; C-të dyshimtët politikisht dhe D-shumë të dyshimtët, që klasifikoheshin edhe si armiq. Arrita ta le dosjen ashtu si qe, pak pa hyrë shefi i kuadrit…
-Hë mo Spiro, u mërzite? I thashë edhe shokut drejtor për lejen tënde, shumë dakord më tha dhe ai. Si thua, a dalim për një kafe? – Dalim i thashë… -Ja sa t’i fus nja dy dosje në kasafortë… Booobo, e paskam harruar jashtë këtë… sikur të ma gjente njeri… u dhjeva…
-Mos çaj kokë, – i thashë duke qeshur, – vetëm unë e pashë… Hë se nuk bëhet nami… deri te gërma D arrita…
-Ne jemi rehat, – më tha, nuk kemi asnjë me gërmën D. Po pse bëhet ky klasifikim- e pyeta?Eee, na i kërkojnë nga lart, për shembëll, për ndonjë rast lufte… Këta me gërmën D, armiqtë domethënë, kur të kemi urdhër nga Ministria e Brendshme, thërriten të gjithë këtu dhe vijnë i marrin me kamiona ustallarët dhe i shpien te vendi… E merr vesh?
-Te vendi?!? Cili vend?
-Atje ku u japin plumbin a derbardhë! Një gërrrrr me mitroloz dhe në hale të gomarëve, hahahaha… Po klasifikimi ndryshon çdo vit, ndryshon, ja ta zëmë, je te gërma B ose edhe A sivjet? Pas një viti je te C-ja, dhe përfundon te D-ja, por mos folë me njeri… se merr më qafë veten dhe mua…
Bisedova edhe me një fis të gruas që ishte oficer në Ministri të Brendshme, pa i thënë se ç’kisha marrë vesh, thjesht e pyeta: “Po sikur, ta zemë, në kohë lufte, si veprohet me njerëzit, me të burgosurit, dhe me familjarët e tyre?
-Ordinerët, – tha – dërgohen në vijën e parë të frontit, politikët qërohen pa filluar lufta, me helm, plumb, o futen nëpër tunele të minuar… – Po familjet e tyre? Njësoj… S’do mend ajo… kokrra e plumbit i pret…
Pas nja dy vjetësh Spiro N., kaloi nga gërma A në gërmën D…!
(Marrë nga muri i Fb Maks Rakipaj 5 dhjetor 2013)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Prenjo Imeraj
    Nuk ka as edhe një gërmë të sajuar nga tregimi.
    Ashtu ka qenë po, hajde bindi komunistët fanatikë, pa le enveristët që duan të na e ngjallin përsëri… nuk e kuptojnë budallenjtë se Enveri me komunizmin e tij bastard vdiq njëherë e përgjithmonë, ndërsa drejtuesit e partive politike kryesore sot në Shqipëri vazhdojnë për nostalgji, por edhe për inerci të na nxjerrin nga plehrat portretet e baballarëve të tyre.
    Le ta bëjnë, kjo nuk na prish punë por për korrupsionin dhe krimet duhet dhe do japin llogari patjetër një ditë përpara drejtësisë ligjore…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.