back to top
7.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Vizatime dashurie në lëkurën e fatit – nga Rexhep Shahu

Gazeta

Shkrimtari dhe botuesi Rexhep Shahu
Shkrimtari dhe botuesi Rexhep Shahu

Vizatime dashurie në lëkurën e fatit

nga Rexhep Shahu

(Mbresa nga libri me tregime “Ātman” i Laura Olldashit)

Kohë më parë i kam kërkuar Laura Olldashit tregime për botim në “illz”, revistë letrare e Tiranës, i bindur se bëj mirë t’ia ofroj lexuesit të gjithkohëshëm të revistës tregimet e saj fantastike. Po, kështu i kam quajtur tregimet e saj, pa menduar tregimet e patriarkut Anton Pashku.
Autorja si rrallë kush e zhbirilon planetin Njeri, ia nxjerr Unit ujin e zi, e ndriçon shpirtin e njeriut si ajo dhe flet me gjuhë Zotash me të, për dashurinë, shpresën, ëndrrën, vdekjen.
E mendoj nder që jam botues dhe redaktor i librit të saj me titull Ātman, i bindur sot e nesër se ajo është zë i përveçëm në korin e vogël të shkrimtareve shqiptare.
Kur lexova tregimet e Laurës, tregime të botës së asgjësë, të botës pa letra dashurie, tregime që kanë shumë poezi brenda tyre, që kanë personazhe të çuditshme të zënë me jetë, në luftë me kotësinë, shtruar cepave të lagta e të mykta në kartona të jetës e të mbuluar me diell… që për një minutë dashurohen e u duhet një jetë ta kuptojnë ç’është dashuria, që jeta e akti më sublim i tyre është pritja, personazhe që janë se ndjejnë dhe ndjejnë se janë, që u ka mbetë vetja diku dikur dhe mundohen gjithë jetën ta marrin përdore veten e ta bëjnë mondane e moderne njëlloj si pjesa sipërfaqësore e jetës… si pjesa shtirane e atyre që kujtojnë se atdheu ekziston se “më ka mua, na ka ne” konkubinave padrone të bordellave; kur lexova pyetjen tronditëse që vazhdon të ma sjellë mendjen vërdallë, ku shkojnë dashuritë e pajetuara… kush i lexon letrat që nuk mbërrijnë kurrë… tek të dashurit që nuk shihen kurrë… ku shkojnë fjalët e pathëna, puthjet e padhëna… duke parë kaosin që përjetoi njeriu pa dashuri në epokën e pandemisë Covid 19 që e vu si kurrë më parë njeriun përballë vetes me gjithë vesin e virtytin e braktisur kur fluturon mbi kokat tona fjala akull “unë nuk vdes për ty”, kur dashuria, e vetmja që shëron botën dhe e ripohoi se shëron mbi gjithçka, ishte në zgrip të ekzistencës dhe fija e barit si unaza më e magjishme e dashurisë i mbijetoi kujtesës por e këputën xhelatët… duke medituar e bluar fjalë, më erdhen në mendje vargjet qe sjell Anton Pashku: Syni s’e sheh synin matanë hundës/ Zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës…
Vërtetë syri se sheh kurrë syrin tjetër tek njeriu, kurrë sytë nuk shihen as takohen. Kështu janë dhe njeriu e vetja e tij tek libri mahnitës me tregime i Laura Olldashit.
E ka të pamundur njeriu të shohë veten e tij dhe vetja e tij e ka të pamundur ta shohë njeriun. Aq afër e afër si sytë është dhe njeriu e vetja e tij, në një janë, në një kokë, në një trup e mbështjellë me një lëkurë ku vizatohet fati si në pergamenë e nuk shihen… Këtë mospamje të vetes me veten, të syrit me syrin, të buzës me buzën, puthjes me buzën, të ëndrrës me trupin, të njeriut me kohën e ka shtjelluar mjeshtërisht Laura Olldashi në librin e saj me titullin Ātman.

Laura Olldashi  - dhe libri e saj Ātman
Laura Olldashi – dhe libri e saj Ātman

Kur lexon tregimet e librit Ātman, ashtu befas, në mënyrë të pakuptuar, përfshihesh në rrëfimin, ndjehesh në vorbull, harron veten, e ndjek rrefyesen që s’e sheh askund, i ndjek personazhet, bëhesh pa kuptuar taksist i personazheve, përfshihesh me gjithë fuqinë e përqëndrimin në hallet e punët e tyre, në vogëlsitë e tyre të mëdha sa jeta, harron veten tënde, bëhesh ai personazhi për të cilin flitet, mik i tij ose armik, përkrahës ose qortues i tij. Çfarë fuqie që ka prozatorja të të përfshijë në vorbullat e shtjellat e saj ashtu pakuptuar, butë, siç vjen dehja e ëmbël dhe harrohesh në veten tënde udhëve për askund.
Laura Olldashi ndoshta është ndër tregimtaret më të abdetuara me kohën, ritmin, melodinë e kohës tonë, dhimbjet, veset e virtytet e reja e të moçme sa njeriu.
Është me shumë ritëm e shpejtësi, sa qindra vete të saj e mijëra të tjerë të ngjashëm a jo, mbeten në plate, u ikën treni, u ikin gjithë trenat e kohës.
Natyrisht avantazhi apo privilegji i saj është të qenit grua e ditur me arsim solid e vullnet. Njerzit e ditur thjesht janë të ditur dhe gjëja më e vogël që mund të na bëjnë kur dinë të shkruajnë është të na mahnisin me pushtetin e dijes.
Duke qenë shkrimtare e ditur, që njeh fate, përvoja jetësore, terminologji e fjalor nga shumë fusha, ajo na magjeps me lirinë e saj, guximin, thjeshtësinë e thellësinë e shkrimit, me një fjalor të pasur, me njohuri nga shumë fusha të jetës.
Libri Ātman është fillimi i një eksplorimi të guximshëm e të jashtëzakonshëm të ëndrrës njeri. Mendohet e thuhet se shkrimtarët i sillen rrotull njeriut, por për të shumtët është e vështirë të hyhet brenda njeriut, në thelb të tij, në zemër të zemrës së tij. Laura Olldashi nga germa e parë tek e fundit është brenda njeriut, nuk ka gjeografi tjetër, nuk i intereson gjeografia tjetër veç shpirtit njerëzor, dyzimi i njeriut, shumplanshmëria, shumdimensionaliteti e polifonia e zërave, ëndrrave e dëshirave të njeriut që në fakt e udhëheqin në jetë.
Është shumë e vështirë mendoj të mbash kamerën ndezur në shpirtin e njeriut siç e mban gjithë kohën Laura.
A është prozë a poezi kjo që shkruan me ritëm, ndershëm e kaq guximshëm Laura. Po është gjithçka që të duhet, është gjithçka që e mendon lexuesi i kualifikuar i cili, nuk ka si bën ndryshe në trenin e sigurisë e të shpejtësisë së lartë të rrëfimit të Laurës, veçse të kapet dorë për dore me përsonazhet që vallëzojnë nën dritëhijet e skenës që ndërton Laura në teatrin e kohës.
Duke lexuar tregimet e saj bëhesh ajo, bëhesh dikush tjetër, mbetesh pa vete, pa veten tënde, fillon e harron veten, pastaj kërkon veten dhe nuk e gjen, sa nis të vajtosh për veten të shfaqen dhjetra vete të tjera, fillon e kuvendon me to, vallëzon me to, miqësohesh e armiqësohesh me to. Nuk e di por këtë magji e përdor Laura Olldashi, të bën ta shohesh veten në 3D.
Çdo kohë ka njerzit e vet, herojtë e vet, personazhet e vet, shkrimtarët e vet, historitë e veta. Nëse nuk e jetojmë kohën tonë, do mbetemi duke iu referuar të shkuarës. Por koha jonë, si gjithmonë gjithë kohët e njerzimit, i ka të gjitha dhe nuk kemi pse shohim në të shkuarën. Koha jonë ka tragjeditë e komeditë, ka prozën e poezitë, ka spektatorin e aktorin, veçse duket, po bëj siç ka ndodhë në çdo kohë, se koha jonë ka më shumë delirantë e diletantë që duan të marrin çmimin Nobël në letërsi.
A ekziston një vend ku mblidhen fjalët e pathëna, këngët e pakompozuara, qershitë e papjekura? Ekziston një vend i tillë? – pyet autorja diku në libër.
Po, ekziston në planetin Ti, në planetin Njeri që ka krijuar kjo autore, në planetin e pafundmë Unë, planet në të cilin aq bukur dhe sigurtë ka nisë eksplorimin Laura Olldashi që madhërishëm i thur himn “momës” të cilën babai i dënuar përjetësisht e mbajti më gjatë në gji duke ia lënë amanet ne 7 vajzat nënës që “zvogëlohej me centimetra, i zbardheshin me shtëllunga flokët me shpejtësinë e dritës dhe me shpejtësinë e natës i binin dhëmbët, momës që e merr kokën e saj 38 vjeçare dhe e fut në një shami për ta plakur më shumë rininë…” Himn madhështor nënës, motrës, bijës, vajzës. Aq të bukur, fisnike, të brishtë e krenare e ndërton gruan, të dashurën, vajzën, miken shkrimtarja sa është e pamundur të mos e adhurosh.
E sheh nëpër faqet e librit të saj me zemër në dorë duke u shfaqë para personazheve, në vende të ndryshme, në situata të ndryshme kudo me zemër në dorë, e brishtë, e thjeshtë, e thellë, e besueshme nga vetja te vetja, çarmatosëse prej dlirësisë dhe ndriçimit të çdo skute shpirti.
Nuk ka sekrete tjera ky shkrim, ky libër, kjo autore, thjeshtë ka fuqinë e guximin të shkruajë ndershëm, të mos shtiret në dashuri, të mos spërdredhë fraza koti, të mos mbajë në dorë lule kauçuku për t’ia dhuruar për të freskëta dashurisë, të jetë vetja, të bëjë dritë, të mos krijojë përbindësha e shtirana në letërsi.
Aq larg me qiej e oqeane akulli në mes e aq afër sa buzët e puthjes jemi me njëri-tjetrin e nuk kanë fuqi qepallat tona të ngrihen e të shohim njëri-tjetrin, nuk kanë fuqi duart tona të afrohen e gishtat tonë të preken, nuk kanë fuqi krahët tonë të mbështjellin njëri-tjetrin në përqafime. A thua si e braktisëm kështu dashurinë, si u bëmë manekinë kështu…
“…ku shkojnë dashuritë e pajetuara? Fjalët e pathëna, puthjet e padhëna, duart e pashtrënguara? Zënkat e pa grindura? Bola e ajrit që mund të thithnim në të njëjtën kohë, ku shkon? Vendi që do zinin trupat tona të bashkuara në ç’pikë të kontinentit do të ndodhen? Gjërat që për miliona arsye nuk u krijuan, ku depozitohen?”
Lexon këto fjalë mes thonjëzave shkëputur nga libri dhe e sheh veten ulur në bordur udhe me bërrylat në gjunjë e kokën mes duarve e pyet, ku shkojnë dashuritë e pajetuara, fjalët e pathëna, puthjet e padhëna… duart e pa shtërnguara… Secili nga ne pyet kështu, në mos me zë, me piskamë heshtje pyet veten e tij…
Të tilla operime e skena krijon Laura Olldashi në librin e saj.
Historinë e njeriut e për pasojë të njerzimit duket se askush asnjëherë nuk e ka shkruar e as e shkruan më mirë se sa shkrimtari. Historinë e njeriut të kohës tonë, paragrafin e saj, e ka shkruar me gjithë dritëhijet, pa mëshirë dhe asnjë kompromis pandershmërie Laura Olldashi me këtë libër të saj. Vështirë që njeriu të mos e shohë veten në këtë libër befasues e ndriçues me tregime.
Duket sikur po flas me fjalë të mëdha. Në fakt nuk gjej fjalë të tjera që ta bind lexuesin se sa shumë do të ndriçohet po ta lexojë këtë libër, sa shumë do të lehtësohet, sa shumë udhë do t’i çelen, sa bukur do të ndjehet me veten sy për sy.
Me këtë autore më duket se ngjan si me rrebeshin e shiut të verës që shkakton përmbytje të mëdha. Nis thjeshtë tregimi i saj si shi vere dhe mendon se do të freskohesh por befas bëhet rrebesh dhe merr përpara çfarë gjen, merr përpara me furi sende e gjëra, njerëz e fate, rregulla e dogma dhe çel udhën e vet nëpër të cilën nisim të ecim ne drejt vetes tonë.

Klubi i Poezise, 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.