back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Vizita e ardhëshme e Papa Françeskut në Kosovë – nga Frank Shkreli

Gazeta

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli

Vizita e ardhëshme e Papa Françeskut në Kosovë

nga Frank Shkreli

Në një intervistë me revistën spanjolle, “Vida Nueva”, me rastin e 65-vjetorit të saj, Papa Françesku foli për vizitat e tij të planifikuara në vende të ndryshme, duke përmendur udhëtimet e ardhëshme që ka në plan të bëjë në Kosovë, në Argjentinë dhe Uruguaj, si vizita në përgatitje e sipër. Pyetjes: “Keni ndonjë udhëtim të planifikuar përtej atyre të shpallura zyrtarisht?” Papa Françesku është përgjigjur: “Jemi duke punuar për (një vizitë) në Kosovë, por nuk është definuar”, ka thënë Udhëheqsi i Kishës Katolike, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Kjo do të ishte vizita e parë në histori që bënë Papa në Kosovë.
Duke marrë parasysh rëndësinë historike që një vizitë e tillë ka për Kosovën, për Vatikanin dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi, nuk besoj se Papa Françesku e bëri këtë njoftim si të thuash në një “vacuum” ose në një hapësirë boshllëku. Jo, jo, unë besoj se duke ditur rëndësinë historike dhe duke pasur në mend gjendjen aktuale, veçanërisht, në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë në përgjithësi, përgatitjet kanë filluar me kohë dhe në hollësi, për një vizitë të tillë të Papës në Kosovë – Dardaninë e Vjetër.
Disa të dhëna informative janë me vend për lexuesin – të dhëna që i paraparijnë dhe janë të nevojshëm për të venë në kontekstin e duhur edhe njoftimin e javës që kaloi nga Papa Françeskut për vizitën e tij në Kosovë, për të cilën ai njoftoi nga Portogalia se ka në plan të bëjë në Republikën e Kosovës.
Më shumë nga një shkrim modest i imi botuar në Maj të vitit 2019, me titull: Vatikani dhe Kosova Dardane:

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin1
Vatikani dhe Kosova dardane
nga Frank Shkreli – (Ribotim i përpunuar)

Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, janë aq të vjetra sa ç’është edhe vetë historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali: “Kështu, prej Jerusalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time…”. Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar – sipas historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentet zyrtare që pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë një historie shumë shekullore e deri në ditët e sotme.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji duke shpalosur Dekretin e Vatikanit
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji duke shpalosur Dekretin e Vatikanit

Në vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist, se e ardhmja e lidhjeve të Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme. Sipas një lajmi të botuar në revistën “Drita”, organ kulturor fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës, Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji njoftuan nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë se, më 9 dhe 10 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitonte Republikën e Kosovës. Lajmi tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papnore e që është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake e (Vatikanit) dhe firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për Kishën. Vendimi me vlerë të veçantë dhe historik që bart ky dokument është, se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngre në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emrin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht emëron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin.

Një grup shqiptaro-amerikanësh - me në krye patriotin Xhim Xhema
Një grup shqiptaro-amerikanësh – me në krye patriotin Xhim Xhema

“Ky nuk është thjesht një akt formal – juridik, edhe pse i nevojshëm. Unë nuk jam këtu për të kryer një procedurë, po për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës… Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj shpirtërore. Tregon gjithashtu edhe kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich, ndërsa ka njoftuar, zyrtarisht, dekretin për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë.
“Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018, dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë nga ish-Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishtërimit ndër ne”, ka shkruar Don Fatmir Koliqi, në revistën Drita..
Njoftohet se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe takime të tjera. Është kjo një vizitë historike për shtetin e ri të pavarur të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike “Drita” e cilëson vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Parolin si, “Një akt historik i këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.
Pa dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin në Kosovë, paraqet një rast të veçant për komunitetin katolik të vendit, që sipas revistës “Drita”, do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”, duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papa Françeskut.” Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçantë. S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqësit të lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçantë, jo vetëm në radhët e besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe në mbarë vendin.

Presidenti Ilir Meta në takim me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji
Presidenti Ilir Meta në takim me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, bëri një vizitë të papritur në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të emërimit të ipeshkvit dioqezian, imzot Dodë Gjergjit. Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me udhëheqësit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për Kombin shqiptar. Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shenjtë dhe të Papa Françeskut, si shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët që tregon Selia e Shenjtë dhe si një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut, Selia e Shenjtë, për Shqiptarët: të paharruara janë momentet e shenjtërimit të Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në Evropë që bëri Papa Françesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit, por edhe vizita në qershor e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra, Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi me Selinë e Shenjtë nën drejtimin e Papa Françeskut”, është shprehur për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i Presidentit Ilir Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur Gashi.
Vendimi i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita, muajin që vjen, me 9-10 qershor 2019, në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti dhe midis Vatikanit dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi. Hapi i natyrshëm dhe i domosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë shqiptarët kudo presim me pa durim, pa dallim feje a krahine, në marrëdhëniet midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy palëve.

Letra dërguar Papës Golazit në vitin 494  - Emrat e ipeshkvijve Dardane
Letra dërguar Papës Golazit në vitin 494 – Emrat e ipeshkvijve Dardane
Sqarimi i fotove te shkrimit

-Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Kosovën më 9-10 qershor, 2019
-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji duke shpalosur Dekretin e Vatikanit në prani edhe të Delegatit Apostolik për Kosovën
-Një grup shqiptaro-amerikanësh – me në krye patriotin e madh të komunitetit shqiptaro-amerikan Xhim Xhema – me udhëheqsit e Kishës Katolike të Republikës së Kosovës, Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji dhe Monsinjor Lush Gjergji para Katedralës Shën Nenë Tereza në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (Shkurt, 2023)
-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në takim me Ipeshkvin e dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ditën e hënë, 27 maj, 2019
-Dekreti Papnor i Papës Aleksandri VII, dërguar arkipeshkvit Andria Bogdanit me të cilin transferohet prej Ohrit në Shkup, në vitin 1656 – (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)
-Latinisht janë emrat e ipeshkvijve dardanë nga letra dërguar Papës Golazit në vitin 494 – (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.