back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë! – bisedë me Gjergj Jozef Kolën

Gazeta

Moderatorët Gjergj J. Kola & Elke Hagen
Moderatorët Gjergj J. Kola & Elke Hagen

Intelektualja e rrallë Musine Kokalari, nyje e randsishme e kulturës shqiptare, mblodhi nji grup dashamirës të kulturës shqiptare në Vjenë! Arsyeja ishte e thjeshtë: Te kjo figurë janë bashkë: Intelektualja, Shkrimtarja, Politikania, Martirja po edhe Modeli moral i nji shoqnie që prej kohësh e ka pranuar se degradimi i saj asht e vetmja zgjidhje tashma e shpallun në heshtje… Në Vjenë, kam zbritë për s’pari herë, po kaq shumë e dashtun m’ka qenë Vjena, për gjithçka ka ba ajo për historinë tona, sa e ndjeva nji qytet tejet familjar, i dashtun e mikpritës sa e ndjeva qytetin pjesë e diçkaje të randësishme që ka jetue mbrenda meje dhe vetëm prej kësaj bisede me Gjergj Jozef Kolën, ma së fundmi u gjet njaj i bekuem çelës me e vendosë harmoninë midis asaj që ashtë histori edhe i asaj që asht bashkëkohsi!
Kët bisedë në formë interviste asht frut i nji bashkëpunimi të hershëm me zotin Kola, por që kësaj here u ndalëm ma gjatë të figura e Musinesë.
jozef radi – Vjenë, 21 mars 2023

Gjergj Kola, Elona Gjata, Arjeta Kokalari, Jozef Radi  - Vjenë 2023
Gjergj Kola, Elona Gjata, Arjeta Kokalari, Jozef Radi – Vjenë 2023

Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!

bisedë me Gjergj Jozef Kolën

Mbi takimin e organizuar në sallën e Kongreseve në Europahaus – Vjenë!

Si autor i nji drame mbi Musine Kokalarin dhe jo vetëm por edhe fakt që kjo dramë u vu në skenë prej “Teatri për të Rinj” në Shkup, i cili pat edhe vleresime europiane, desha të di cilat janë ndjesitë tua si autor për kët udhëtim të dyfishtë artistik të veprës suej në 40 vjetorin e largimit të Musinësë?  -Qysh se jam njoftë me jetën e Musinesë nuk m’asht nda për asnji çast figura e saj, derisa u krijue edhe kjo dramë, që e kam quejtë Requiem. Vjena asht qyteti i Requiemeve të famshme të Mozartit, Bethovenit, Haydenit e këtu pata qetsinë me e zbritë deri në fund dhimbën krenare të Musinesë. Nji njeri, nji zojushë shqiptare që vuen 20 vjet burg e mandej edhe 15 vjet internim, me vdekë aty prej sëmundjes së pamjekueme, tash e 40 vite të shkueme, pa u thye asnjiherë, porse tue ruejtë dinjitetin njerzor, asht nji ndeshje e jashtzakonshme për nji shkrimtar, aq ma tepër që vetë Musineja ishte e tillë…
Ftesa në Festivalin europian të dramës dhe nderimi me disa Diploma natyrisht asht nji kunorzim i jashtzakonshëm për Musinenë, po edhe për të tanë ne.

Nga pjesëmarrsin në takimin e Vjenës mbi Musinenë
Nga pjesëmarrsin në takimin e Vjenës mbi Musinenë

Musine Kokalari mbrrin në Vjenë përmes nji projekt që solli emocione e përcolli edhe nji mesazh humanizmi e frymë largpamësie. A vlen me u përsëritë ky mesazh në tjera realitete shqiptare e me tjerë personazhe në epiqendër?! – Së pari gjej rast me ju falenderue Ju dhe gjithë të tjerët që morën rrugën e gjatë si Shën Pali dikur prej Jerusalemi m’u ndalë në Durrës, edhe ju erdhët prej larg dikush prej Ancone, dikush prej Gjinokastre, dikush prej Prishtine, e dikush prej Tirane, me sjellë në Vjenë sekush nji mesazh cilësor për Musinene. Në Vjenë vijnë mjaft personalitete të ndryshme shqiptare, porse shumë pak vijnë për art, letërsi o përkujtime figurash të martirizueme! Besoj se kjo ishte nji eksperiencë pozitive, porse s’ka nisë me Musinene.
Fjala vjen, vitin e shkuem kena pasë nji kuvendim për Martin Camajn, edhe mendoj me e vazhdue kët cikël përkujtimesh! Mendoj se në Vjenë ku ka nisë edhe zanafilla e pavarësisë sonë, kanë me gjetë zbatim edhe idetë e sipërpërmenduna…

Ç’ka mendoni se mund të bahet ma mirë në nji tjetër organizim për Musinenë apo për ndonji tjetër personazh të kulturës shqiptare ende në hije prej politika e 80 vjeçare?! – Organizime të tilla komplekse shërbejnë edhe si eksperiencë edhe padyshim mund të perfeksionohen në shumë elementë. Në kët Konferencë kanë shprehë dëshirë me ardhë edhe tjerë studjues, shkrimtarë porse rrethanat s’e kanë ba të mujtun. Falenderoj edhe zonjën Nashi Broker, që merret prej vitesh me Musinenë, dhe nuk u ba e mundun që të ishte pjesmarrëse. Pastaj tashma të gjithë e dijmë se shteti shqiptar, ndryshe prej shumë shtetesh tjera, asht thuejse inekzistent në art, kulturë e sidomos letërsi. (në tallava jo) Edhe nji takim i Shkrimtarëve të Diasporës që u ba para tre vjetësh në Tiranë, në panele ishin shkrimtarët që siç u thona na n’Shkodër që: “S’e kane kalu Urën e Bahçallëkut…” në vend që kjo të drejtohet prej vetë shkrimtarve të Diasporës!

Përkujtimi i Musinesë dhe diasa firma nga organizatorët dhe pjesemarrësit
Përkujtimi i Musinesë dhe disa firma nga organizatorët e pjesemarrësit

Konferenca në fjalë ishte shumplanëshe, me personazhe e trajtime prej mjaft fushave. Ç’ka mund të queni risi e këtij organizimi në Vjenën ku bajmë nyje edhe shumë figura që janë shkelë prej diktaturës?! – Risija qëndron të fakti se u banë përpjekje që Figurën e Musinesë me e ndriçue prej shumë kahjesh të ndryshme. Nga koha e studimeve, shkrue në kujtesën fisnike të Dr. Lazër Radit e përcjellë me dinjitet nga Ju zoti Radi; kujtimet e familjarëve nën reflektimin e ngrohtë e të dhimbshëm të Arjeta Kokalarit; studimi analitik i nji nji vepre të saj nga penda e mprehtë e filologes, Dr. Elona Gjata, nga trajtimi paralel në kohna i shkrimtares Angjelina Marku; po edhe përshëndetja dashamire e shkrimtares dhe politikanes, Flutura Açka.
Mendoj se nji risi dhe pikë e fuqishme ishte edhe shfaqja e disa pjesëve të dramës që solli emocione të fuqishme për krejt pjesmarrësit, dhe e shoqnueme në gjermanisht prej aktores së njoftun austriake Elke Hagen!
Për dramën në fjalë po ta besoj nji ‘sekret’. Në fund të saj ka nji skenë mes Musinesë dhe personazhit mito-real Shpend Bardhi. Ndërkohë që Musineja naltëson poetin kombtar At Gjergj Fishtën, Shpend Bardhi dënon shkrimtarët e oborrit komunist… Kjo skenë asht lanë jashtë. Në frymën e kompromisit e mos me ecë gjithnji me parimin: “për nji plesht me djegë jorganin”, Fundja këto pleshtat e realsocializmit koha ka me i djegë vetë nji ditë, o ndoshta i ka djegë e hala s’e kanë marrë vesh!

Si i gjykoni mardhaniet e shtetit shqiptar me figurat intelektuale të persekutuara prej Diktaturës ku ban pjesë edhe Musineja, Marie Tuci, Nane Tereza… gra madhështore që në fakt ju i keni përcjellë përmes veprave tua?! – Shteti shqiptar ka veç nji interes: Fasadën, e asnjiherë themelet e kombit shqiptar! Kjo asht nji fatkeqsi e madhe për ne si komb. Këto tri figura monumentale të kombit shqiptar s’i kujton askush ashtu si duhet, mbasi janë në themele të qëndresës së tij, porse vetëm merren me fasadën e shndritshme, të sapolyeme, së cilës i bjene ngjyra me shiun e parë kur i qesin në bulevard! Asnji film, asnji dramë të ngjitun në skenë, asnji opera, asnji monument si duhet, pra, vepra që i qindrojnë shekujve për këto tri zojusha legjendare na nuk kena. Drama për “Nane Terezën” mori e vendin e parë prej komisionit të kulturës në Bashkinë e Shkodrës, porse drejtoresha e teatrit znj. Kacarosi nuk pranoi me e vu në skenë. Shteti shqiptar postkomunist asht kujdesë që ndër institucione të artit me vendosë “Njeriun e ri” që e ka përgatitë në 45 vjet diktaturë e mos më lanë askënd me prekë themelet, veç m’u kujdesë për fasadën…

Moderatorët Gjergj J. Kola & Elke Hagen
Moderatorët Gjergj J. Kola & Elke Hagen

Cili mund t’jetë nji angazhim i juej promovues dhe cila ka me qenë vepra e fundit që ka me u botue prej Jush?! Angazhimi jem promovues asht si gjithnji ai i shkrimtarëve e poetëve të vërtetë, artistave antiestablishment në kryeqytetin e muzikës botnore, në Vjenë. Mendoj se nji shkrimtar duhet me lanë vepra edhe “mbasi t’kalojnë n’amshim”, libra të pabotuem, si ai ylli që edhe kur shuhet në univers vazhdon me e pru dritën në botën tonë, vepra që njashtu siç i ndodhi Franz Kafkës, nji shkrimtarit vjenez, i lindun në Prage, prej prindësh hebrej e sllavë, që shkroi gjermanisht apo edhe Migjenit, nji shkrimtar shkodran, me prind ortodoks e gjuhë serbo-kroate në shkollë e familje, që shkroi shqip, e që iu botue vepra mbasi u largue prej kësaj bote.
N’se këto vepra të pabotueme kanë me gjetë rrugën drejt publikut e drejt skenës asht kjo nji prove dashnije edhe talentesh të vërtetë.

Bisedoi jozef radi, Vjenë, 2o mars 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.