Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit
nga Yzedin Hima
Poezia “Dikur në vjeshtë” e Dhori Qiriazit lexohet me të njëjtin emocion të leximit të parë, ndonëse kanë kaluar disa dekada që nga nyjëtimi i saj. Energjia estetike dhe kuptimore që përcjell ky tekst nuk hijezohet e zbehet nga koha, redaktorja e pamëshirshme e çdo lloj arti. Lexuesi vjetërohet, ndërsa teksti poetik, me të cilin ka kaluar çaste mahnie në të ri të tij, ka ngeluar po ai: i ri, i pathënë, i sapothënë, magjik, i pandryshkshëm në të dy akset, atë estetik dhe kuptimor.
Shija që të leximi i një teksti të tillë, i tejkalon të gjitha shijimet, ku intelekti dhe shpirti njerëzor ndihet i mahnitur dhe i përkëdhelur, gjë që ndodh mjaft rrallë. Natyrisht të rrallë janë edhe tekstet, ku forma është edhe përmbajtje dhe përmbajtja është formë si tek poezia “Dikur në vjeshtë”. Ky tekst jo vetëm lexohet, por edhe kundrohet si një pejzazh i pikturuar mjeshtërisht me fjalë. Ky tekst, plot ngjyrë, ritëm, mall, dhimbje, ndarje, humbje, kujtesë, pikëllim, muzikë, lexohet, kundrohet dhe pëshpëritet si një melodi tejet shpirtërore, apo përshpirtet nga lexuesi i radhës për vjeshtën dhe Kristinën e tij të humbur, por të patretshme, strukur a fshehur në kujtesë, por e shfaqur nga alkimia estetike e përjetimit të tekstit në mënyrë krejt personale e diskrete.
Teksti nis si një rrëfim:
Dikur në vjeshtë kur pellgjet ngrijnë/ dëgjova larg të sajnë zë.
Pikërisht në vjeshtë, kur ndodhin ndarje të vogla dhe të mëdha, subjektit mendues i shfaqet Kristina, jo si imash, por si zë. Zakonisht njeriu magjepset nga pamja, jo nga zëri. Po pse si zë?! Fizikanët thonë se zëri është i paasgjësueshëm.
Poeti me një lehtësi të pazakontë, me një thjeshtësi prekëse ndërton dy vargje, që rrallë i takon në poezinë shqipe:
kaq shumë e desha unë Kristinën/ sa nuk e donte njeri më.
Po cila është kjo energji dashurie, që shterron jo vetëm burimin, subjektin mendues, por edhe objektin, Kristinën?!
Mund të jetë rrjedhoja e një dashurie sublime. Aq e fortë ka qënë, sa që ka krijuar një aureolë rreth Kristinës dhe askush nuk guxon t’i afrohet dhe të përballet me të. Asnjë burrë nuk mund t’i afrohet Kristinës dhe t’i shfaqi dashurinë e tij të vogël. Ndoshta e ka të pamundur për t’u ngjitur aty ku gjendet Kristina.
Do të dukej krejt i padenjë për të merituar Kristinën, të cilën dikush para tij e kishte ngritur në lartësi të tilla dashnie, sa që çdo mëtonjësi do t’i merreshin mendtë.
Dy vargjet e tjerë të këtij teksti të sjellin ndër mend se Kristina e mrekullueshme, me bukuri ngjethëse dhe virtyte hyjnore e ka zhvleftësuar dhe varfëruar aq shumë mjedisin rreth e rrotull, sa që subjekti mendues klith i pashpresë:
e dashur kaq më ish Kristina/ sa kurrë s’desha njeri më.
Mos vallë një dashuri e tillë sublime robëron, “vret” bartësit e saj, duke i dënuar ata pas ndarjes me mosdashuri?!
Zbehja e objekteve të tjerë, njerëzve, peizazheve, stinëve dhe zëvendësimi i tyre vetëm me një pamje, imazhin e Kristinës, zërin e saj, mos vallë është patologji që vjen nga dashuria?
Që t’i japësh përgjigje kësaj pyetje duhet të provosh atë që ka provuar subjekti mendues i këtij teksti. Në tekst nuk e gjejmë portretin e Kristinës, nuk ka asnjë fjalë për bukurinë e saj, por gjendemi para efekteve si rrjedhojë e asaj bukurie. Aq magjepse ka qënë Kristina, sa që mjedisi rreth saj shkretohet, vulgarizohet, humb vlerën, bëhet i padenjë për t’u dashur.
Dhori Qiriazi është mjeshtër i rrallë i fjalës, ku fton imagjinatën e lexuesit për të krijuar portretin e Kristinës apo të kristinave, sipas aftësisë perceptuese të çdo lexuesi. Pikërisht, enigma e portretit të Kristinës dhe forca e saj për të rrënuar gjithçka rreth saj, e bën të mistershme bukurinë e saj.
Dihet, që dashuria është energji pozitive. Po çfarë mbetet pas? Mbetet Kristina, e shndërruar në zë, që sa herë fryn suferina, vjen e i hyn në vesh, i depërton në shpirt unit poetik, por edhe lexuesit, duke ua bërë më të bukur, më të dhimbshme dhe më pikëlluese vjeshtën.
Subjekti mendues, poeti, është shndërruar në fjalë, në tekst poetik, ku koha është e pafuqishme për ta kthyer në asgjë.
Dikur në vjeshtë *
Dikur në vjeshtë, kur pellgjet ngrijnë,
dëgjova larg të sajnë zë,
kaq shumë e desha unë Kristinën
sa nuk e donte njeri më.
Pranë saj gjithnjë desha të rrija,
desha të shihja veç atë;
e dashur kaq më ish Kristina
sa kurrë s’desha njeri më!
Kur vjeshta ngreh prap suferinë,
më ngjan se ndjej të sajnë zë;
kaq shumë e desha unë Kristinën,
sa nuk e donte njeri më!
Mbi gji të saj desha të flija,
atje të flija përgjithnjë;
e dashur kaq më ish Kristina,
sa kurrë s’desha njeri më!
Dhori Qiriazi
*Po si mund të ketë lindur kjo poezi?! Dhori Qiriazi tërë jetën qendroi në Ersekën e tij. Punoi mësues i letërsisë në shkollën e mesme. Në një nga vjeshtat e tij, duket se ka qënë duke shëtitur në pyjet e vendlindjes. Aty vjeshta është dimër. Pellgjet kanë ngrirë dhe janë shndërruar në disqe ngjyrë platini. Dikur një disk akulli është krisur nga krahu i një shpendi, nga rënia e një rrezeje ose nga një vetëtimë kujtese.
A ndoshta një disk malli i ngrirë te shpirti i poetit ka kris – kris – krisur – Kristina. Dhe befas unit lirik i është shfaqur zëri i saj. Më tej është shfaqur ajo vetë, në trajtën e kësaj poezie.