back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vjollca – e Gëtes Johan V. von Gëtes në Gegnisht… dhe do refleksione nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Pertef Kruja i ri
Pertef Kruja i ri

Vjollca – e Johan V. von Gëtes në Gegnisht

dhe do refleksione nga Artan Kafexhiu

Është një libërth me përkthimet e Johan V. von Gëtes, i cili më ka mësuar që 10-12 vjeç, me rënë në dashuri me poezinë dhe përkthimin e arrirë të Pertef Krujës.
Njërën nga poezitë, megjithëse kanë kaluar mbi dyzet e ca vite kur e kam lexuar për herë të parë, akoma e kam në kujtesë. Përsëri, ta recitoj mundem, të terën përmendësh. Goethe-n (Gëte), më të madhin gjeni të letrave ne gjuhën gjermane, gjithmonë e kam shiju si rrallë kush tjetër, e dashuria me të ka nis me përkthimet e Pertef Krujës. Gëte i përkthyer në një shqipe gege melodike, të latuar nga mjeshtria e veçse një gegu.
Ndoshta emri i përkthyesit nuk është shumë i njohur për një shumicë, pavarsisht se për njerëzit që e kanë njohur nga afër përkthyesin ose përkthimet e tij, ai ishte epitoma e njeriut me një kulturë të thellë e të gjithanëshme në fushën e literaturës, gjuhë-letërsisë. Në veçanti behet fjalë për poezinë Vjollca.
Pertef Krujën e kam njohur në rrethana familiare, takime të rastit dhe në të shumtën kalimthi. Përshtypja që të krijonte mënjëhere ishte e atij “gentiluomo, proprio un signore”, me një mirësi në fytyrë, të folurën e qetë, të paqtë, e të ngadaltë. Një fytyrë që rrezatonte një buzëqeshje tërë mirësi. I lindur e rritur shkodran, për shkak të rrethanave të kohës, pjesën më të madhe të jetës e kaloi si durrsak, si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit, apo drejtor i bibliotekës të qytetit bregdetar. Madje në moshë madhore mbaron edhe studimet për gjuhë letërsi në Tiranë. Ishte kthyer në Shqipëri nga 1943 me kapitullimin e Italisë, duke ndërprerë studimet atje.
Poezia Vjollca është botuar në një volumth 75 faqesh, me përmasat e një libri xhepi (që unë i kam dobësi), nën titullin Balada (të Gëtes), në vitin e largët 1958. Në atë kohë gegërishtja, akoma nuk ishte dëbuar nga altari i gjuhës letrare. E kam lexuar të përkthyer edhe në variante të tjera, por nuk kam mundur kurrsesi, të rigjej atë kënaqësi, muzikalitet, thjeshtësi të ndjenjës të ngritur në përmasat e një madhështije sublime, e që e transmeton vetëm përkthimi gegnisht i Pertef Krujës.
Vjollca (në gjermanisht Das Veilchen) është një nga poezitë e herëshme të Gëtes, kur ai ishte i ri dhe i panjohur. Në parantezë, unë vetë kam mësuar pak kohë gjermanisht, rreth gjashtë muaj, e kam patur fatin me një nga njohësit më të mirë të gjuhës gjermane (shkolluar pjesën më të madhe të jetës në vëndin e gjuhës), nga mesi i 80-ve, kur personi ishte në moshë të thyer e jetonte me një pension të mjerë. Poezia ishte pjesë e libretit të një lloj operete (që në gjermanisht quhej “singspiel”) me titull Erwin dhe Elmira. Vjollca, pavarsisht emrit, në thelb nuk është një poezi për një lule, por një krijim poetik rreth brishtësisë të dashurisë të një të riu, që megjithëse shpërfillet nga vashëza, është gati të vetflijohet. Në libretin origjinal, vashëza pavarsisht ftohtësisë së fillimit, pamundësisë për të reciprokuar ndjenjat, me ndihmën e të njohurve përreth, ftillohet dhe përfundimi është një “happy ending”, një fund në mirëkuptim dhe i lumtur.

Monumenti i Mozartit, Vienna(foto AK)
Monumenti i Mozartit, Vienna (foto AK)

Me Vjollcën e Gëtes janë marrë një numër kompozitorësh, por më i famëshmi ndër të gjithë është Moxarti, dora vetë. Ka shumë mundësi që Moxarti të mos ta ketë lexuar Gëten në përgjithësi, madje mendohet që nuk ka qenë në dijeni se kush është autori i Vjollcës. Përkundrazi, Gëte ishte në dijeni të talentit të Moxartit, që tregon edhe për thellësinë e formimit të tij muzikor. Ai besonte se vetëm Moxarti mund të kompozonte muzikën e Faustit, dhe e rendiste atë sëbashku me Shekspirin dhe Rafaelin, duke e quajtur “gjeniu i pakrahasueshëm”.
Në rastin e Vjollcës, një gjeni zbulon një tjetër, në padijeni të plotë se kush ishte autori i poezisë. Siç duket Moxarti, zbuloi atë shpirtin e dlirë, atë dëshirën e sinqertë të vjollcës të tërhiqte vemendjen e bareshës, pavarsisht kthesës, fundit dramatik, tragjikes të këtij takimi, njohjeje. Ndoshta poezia ndihmon të zbulojë botën e brendëshme të vetë Moxartit, nevojën e brendëshme për të zbuluar brishtësinë e fizikut të tij aspak impresionues, të trupit të vogël dhe sëmundjen që e kishte bërë të lëngojë kaq gjatë. Lidhja me tragjiken, njëlloj si historia e Vjollcës së Gëtes, e përndoqi Moxartin gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër.
Të kthehemi tek kompozimi i Moxartit. Në tre pjesët (stanzat) muzikore, Moxarti ka interpretuar më bukur se kushdo tjetër poemthin e Gëtes. Në pjesën e parë, fillon me modestinë në përulesi të vjollcës përballë haresë të shpirtit të lirë të bareshës nëpërmjet një interludi pianistik në sol maxhor, karakteristikë për Moxartin dhe e shpirtit te tij melankonik. Ndjenja vetmitare, vetmia, nuk të ndahet as në stanzë-n e dytë (në si bemol minor), kur vjollca fantazon dhe lutet të merret në dorë nga baresha. Kurse pjesa e fundit, fillon me të papriturën, shokuesen (në mi bemol maxhor), baresha nuk e vën re hiç vjollcën, shkel mbi të (e shoqëruar me një ritëm muzikor dramatik).
Por megjithatë, tek e fundit, vjollca e pranon fatin e saj. Pavarsisht se tragjik, e vetsakrifikuar, e vetflijuar, përsëri vjollca vdes e lumtur. Është karakteristikë e Moxartin dhe muzikës së tij, që e gjen lumturinë kështu, ku përzihet dhimbja dhe tragjikja.
Të kthehemi në përkthimin e Pertef Krujës. Kur lexon Vjollcën e tij, në gegnishten e zbutur e muzikore, e ndjen se sa na afron ky përkthim me Moxartin dhe Gëten, njëherazi.

Monumenti i Moxartit në anë të Ringestrasse, Vienna.
Monumenti i Moxartit në anë të Ringestrasse, Vienna

Vjollca – Johann Wolfgang von Goethe

Nji vjollcë n’livadh na kishte mbi,
Kryeulë, e mshehun në vetmi;
Një vjollcë e dashun ishte
Dhe, qe, na erdhi nji bareshë,
Me hap të lehtë, me shpirtin qeshë,
Andej këndej,
Nëpër livadh tuj kndue.
Ah! Mendon vjollca, ah sikur
Ma e bukra lule në natyrë
Nji çast të vetëm t’isha,
Sa t’m’i kpuste e dashna mue njiherë,
t’m’ shtrëngonte n’gjoks, t’merrte erë,
Oh, vetëm vetëm
Për disa çaste mue.
Ah! Porse as! Vajza aty ra,
Vjollcën kryeulun nuk e pa,
E shkeli vjollcë shkretën;
Vjollca po vdiste, por u gzue;
S’ka gja se vdes, se vdekja mue
Prej saj, prej saj,
Prej kambës s’saj m’erdh mue.

Vjollca - Përkthim i Krist Malokit - (Mali Krishna)
Vjollca – Përkthim i Krist Malokit – (Mali Krishna)

Kujtoj sërishmi, se Vjollca është përthyer dhe nga të tjerët edhe më herët ndoshta, siç është përkthimi i Krist Malokit. Pra dy përkthime, dy përkthyes të të njejtës poezi të Johann Wolfgang von Goethe, Vjollca! Njeri është Mali Krishna (pseudonimi i Krist Malokit, lexojeni në foton poshtë), tjetri, Pertef Kruja. Të dy e përkthyen nga origjinali në gjermanisht. Sa të ndryshëm! Meritat sipas shijes së secilit!
Origjinali në gjermanisht

Johan V. von Gëte i ri
Johan V. von Gëte i ri

Das Veilchen – Johann Wolfgang von Goethe

Ein Veilchen auf der Wiese stand,
Gebückt in sich und unbekannt;
Es war ein herzigs Veilchen.
Da kam eine junge Schäferin
Mit leichtem Schritt und munterm Sinn
Daher, daher,
Die Wiese her, und sang.
Ach! denkt das Veilchen, wär’ ich nur
Die schönste Blume der Natur,
Ach, nur ein kleines Weilchen,
Bis mich das Liebchen abgepflückt
Und an dem Busen matt gedrückt!
Ach nur, ach nur
Ein Viertelstündchen lang!
Ach! aber ach! das Mädchen kam
Und nicht in acht das Veilchen nahm;
Ertrat das arme Veilchen.
Es sank und starb und freut’ sich noch:
Und sterb’ ich denn, so sterb’ ich doch
Durch sie, durch sie,
Zu ihren Füßen doch.
Përkthyer në anglisht
The Violet
Johann Wolfgang von Goethe
A violet stood upon the meadow,
Bent over and all unknown;
It was a lovely violet.
There came a young shepherdess
With a light step and cheerful mood
Towards it, towards it,
Towards the meadow singing.
Oh! Thought the violet, “If only I were
The most beautiful flower of nature.
Ah! But a short time
Until the dear girl plucked me
And to her bosom gently pressed me!
Oh, if only! Oh, if only
For a quarter hour”!
Oh, but oh! The girl came
And without a care for the violet
Trod upon the poor violet. It sank and died and yet took joy:
“If doomed to die, so shall I die
Through her, through her
Beneath her feet”.

Monumenti i Gëtes në anë të Ringstrasse, Vienna
Monumenti i Gëtes në anë të Ringstrasse, Vienna

Libërthi me përkthimet e Johan V. von Gëtes, ka edhe poezi të tjera me i dashtë fort, me u ngazëllue me gegnishten, me rënë në dashuri me të, me poezitë dhe përkthimin e arrirë të Pertef Krujës.
Ndër to është edhe Mbreti i Xhindve. Kisha një afeksion dhe lidhje shpirtërore me këtë poezi për vet moshën e njomë. E recitoja me zë të lartë, përmendësh, duke ecur përgjatë lumit, apo kur lëshohesha e lahesha në shtratin e Osumit plak, ku në distancë dallohej Tabja e kalasë së Beratit. Imagjinoja kalanë si destinacionit e babës me fëminë e sëmurë, që e kanë rrethuar xhindet në agoninë e vdekjes.

Mbreti i xhindve – nga Johan V. von Gëte

Natën, për erë, kush kalin nget?
baba vrapon me fmin’ e vet
E strukë pranë vehtes djalin ndër krahë
E shtërngon ngrohët dhe kalin grahë.
“O bir, pse ftyrën me frikën mbulon?”
“Mbretin e xhindve, babë, s’po e shikon,
Kaftanin t’gjatë, kunorën n’krye?”
“O bir, prej mjegllës t’duket kshtu ty.”
“Voglush i dashun hajde me mue,
Me lojna t’bukra kemi me u gzue,
Lule gjith ngjyra n’brigje kanë çelë,
Dhe petka t’arta im’amë na sjellë».
“O babë, o babë, s’ndigjon ti vetë
Çka mbreti i xhindve po m’premton lehtë?”

“Pusho, qetsohu, o biri im:
Nga gjethe t’thata vjen kjo zhabllimë”.
“Djalosh i ambël, me mue s’po vjen?
Vajzat e mija t’presin me shend;
Vajzat e mija ndër valle prijnë,
Me kangë e valle gjumin ta bijnë”.
“O babë, o babë, ja vrej atje:
Bijat e mbretit në terr s’i sheh?”
“O bir, po shoh, po shoh mjaft mirë:
Shelqet e vjetra t’duken kshtu, bir!”
“Un t’due, fytyra jote m’pëlqei;
S’po vjen me t’mirë? Me forcë t’rrëmbej!”
“O babë, o babë, don me m’përla!
Oh, mbreti i xhindve sa fort m’ka vra!”
Baba tmerrohet, nget si stuhi,
Ndër krahë po i dridhet fëmija i tij:
Arrin kështjellin me zor, tu’u rrekë:
Porse, ndër krahë, djali i kish vdekë.
W. Goethe 1782

përkthye nga Pertef Kruja – «Gëte, Balada»
Ⓒ Artan Kafexhiu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.